Ka përfunduar mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe të Rregullores, ku janë diskutuar aktet nënligjore të ligjit të dekriminalizimit.

Në përfundim të tij, deputeti i PS, Taulant Balla ka konfirmuar se është arritur konsensusi për të gjitha çështjet.

Ujdia mes palëve ka mbërritur pas orësh të gjata bisedimesh, të cilat nisën rreth orës 19:30 të së mërkurës, vazhduan deri afër mesnatës dhe vijuan edhe paraditen e së enjtes.

Në këto bisedime nuk munguan përplasjet e forta maxhorancë opozitë, ku pika kryesore e ndasive ishte formulari i vetëdeklarimit për zyrtarët.

Dakortësia e shprehur në miratimin e ligjit u kris pas letrës së Zyrës Juridike të Kuvendit që thotë se aktet nënligjore nuk mund të miratohen nga Kuvendi pasi janë në shkelje me Kushtetutën dhe me akt nënligjor do të ngrihet edhe i famshmi formular i vetëdeklarimit.

Partia Demokratike paraqiti 9 ditë më parë propozimin e vet për formularin e vetëdeklarimit, ndërkohë që Partia Socialiste ka bërë të njëjtën gjë të mërkurën. PS tha se ka dorëzuar propozimin e vet për formularin e vetëdeklarimit në mënyrë të njëanshme pasi të njëjtën gjë ka bërë edhe PD më 23 shkurt.

Kjo ishte molla e sherrit mes palëve sepse opozita e kundërshton propozimin e socialistëve, duke deklaruar se cenon thelbin e gjithë ligjit të dekriminalizimit.

Ndasitë mes palëve u vunë re që në pikën e parë të propozimeve përkatëse për formularët e vetëdeklarimit.

Formulari i PD-së jepte një pyetje gjithpërfshirëse ku u kërkon deputetëve dhe zyrtarëve të tjerë që t’i përgjigjen pyetjes “a jeni arrestuar ndonjëherë”, ndërsa ai i socialistëve është më konkret. “A jeni dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykata” pyesin socialistët.  Ndryshimin, deputeti Balla e shpjegoi duke marrë si shembull Arben Ristanin.

“Zoti Ristani, ju kërkoj ndjesë për shembullin që do të marr dhe unë sinqerisht mendoj që rasti juaj nuk përfshihet në këtë; por përse t’i futesh ti një hullie juridike për të plotësuar arsyet e ndalimit tuaj në një formular?”, tha Balla. 

Demokratët kundërshtojnë propozimin e socialistëve në dy pika; në formularin e vetëdeklarimit dhe në institucionin verifikues të këtij vetëdeklarimi.

“Verifikimi i drejtpërdrejtë nga institucionet dhe në këtë rast është prokuroria, është një element kyç i ligjit. Heqja e këtij elementi heq gjysmën e mekanizmit verifikues që ka ligji, pra e cungon dhe e bën jo efektiv ligjin”, deklaroi përfaqësuesi i demokratëve në këtë Këshill, Oerd Bylykbashi.

Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla mbrojti propozimin e vet duke deklaruar se ai shmang shkeljen e Kushtetutës. 

“Nuk mund të bëjmë një akt ligjor që të dalë mbi ligjin. Nuk e bëjmë dot këtë”, u shpreh Balla.

Demokratët e interpretojnë këtë qëndrim të socialistëve si mungesë vullneti për zbatimin e këtij ligji.

Ai që  u përpoq gjatë gjithë kohës që të arrihej konsensus ishte kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.

2 Komente

Dhe kete fshatarin qe i ka ik gruja ne drejtim te paditur filluat duke na e sjelle ne peshk ?

E shemtuar kur shikon se si partia socialiste, plot me profesore e doktore nje here e nje kohe, tani perfaqsohet me te tille demagoge si taulanti...

Taulanti shpjegon projektet e qeverise ne ekonomi, ne finance ne rend e ne pensione. Taulanti edhe per negociata...dhe po taulanti ruan e pastron partine nga jasht e sidomos nga brenda...

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).