Nesër unë do të protestoj

Betonierat bëjnë me dhjetëra rrugë gjatë natës brenda Parkut të Tiranës për të ndërtuar monstrën e Betonit, që kryetari i Betonit dëshiron të na e shesë si ëndërr fëmijësh. Ditën, betonierat nuk duken. Betonierat janë të zgjuara. Nuk kanë pse tërheqin vëmendjen e padëshiruar.

Rreth 200 protestues këndojnë Bella Ciao përpara 300 policëve të dërguar aty për të mbrojtur punimet e kompanisë private që vazhdojnë të ngrenë skela e të zgjerojnë vendin. Një BMë me 2 punonjës të Bashkisë ecën serbes brenda parkut, ku me ligj nuk lejohet asnjë automjet privat. Më pas, dhe një fuoristradë tjetër. Një tjetër punonjës i bashkisë fotografon çdo person në protestë. Nuk dihet se ç'do të bëhet me këtë informacion, por nuk është e vështirë ta imagjinosh. Një tjetër protestues më tregon sesi policët, pasi e kishin fotografuar i kishin shkuar në qendrën e punës dhe e kishin thirrur për pyetje. Një formë presioni, që ta detyrojnë mos të dalë më në protestë. Sigurisht, sipas logjikës së tyre, një djalë që punon në Bankë gjatë javës e në fundjavë është qytetar i angazhuar, mund të trembet nëse në qendrën e punës i shfaqen uniforma që e marrin në pyetje.

Rreth 10- 15 protestues kanë kaluar natën me çadra para kantierit. Janë studentë, që në një kohë tjetër mund të kishin qenë shumë mirë dhe fëmijë të luleve.

Njëri prej tyre tregon sesi pronarët e kompanisë private, me një grup gangsterësh dhe me disa dhjetëra punëtorë, i kanë goditur e dhunuar gjatë natës, në sy të policëve të Bashkisë. Edhe sot (e shtunë) duket qartë që shefi i policëve komunikon vazhdimisht, për të mos thënë që merr urdhëra nga drejtues të kompanisë private që po hedh betonin. Si betonierat, privatët e ushtrojnë dhunën natën. Si betonierat, edhe Kryetari i betonit që ditën bën si populist, natën flirton me të fortët e të pasurit. Të gjitha shenjat që një stinë e re fashizmi po vjen.

Fashizmi

Kur diskutohej për të zgjedhur mes të keqes më të madhe e të keqes më të vogël, e vetmja diferencë që ngjante mes Berishës e Ramës ishte se ai i pari “të vret”, kurse ky i dyti jo. Kjo diferencë, mua më duket që sa vjen e po zvogëlohet. Madje, kam filluar të besoj që kur qullacët e djeshëm shoqërohen më të fortë, bëhen më të rrezikshëm se vetë të fortët.

Fashizmi nuk është vetëm blerje e mediave, por dhe asgjësim i ngjarjeve. Nëse të tëra mediat japin “live” me orë të tëra deri edhe konferenca të rëndomta të institucioneve të shtetit, shumë pak kamera ishin te Parku. Asnjë kamera nuk ishte gjatë natës dhe asnjë kamera nuk guxon të futet brenda rrethimit në pronën publike ku ligjin që tani po e bën privati.

Fashizmi fillon me mbushjen e Parlamentit me të fortë dhe të pasur dhe nguljen këmbë me arrogancë që kjo nuk është e vërtetë. Fashizmi nuk ka argument, fashizmi thotë: “ç'i ke këto pyetje”. Fashizmi gënjen ditën për diell. Fashizmi ka një makinë të tmerrshme propagande që paguhet nga të pasurit. Qëllimi i saj është të zhdukë të vërtetën. E mbani mend videon e Ramës që godet me grushte podiumin me mikrofona? Nuk ka ndodhur. Dmth, ajo ka ndodhur, se ne e kemi parë të gjithë. Por, dikush është kujdesur që ta zhdukë nga Interneti. Nesër, mund të mos ketë më asnjë kopje të saj dhe në një botë dixhitale, kjo do të thotë se nuk ka ndodhur.

Fashizmi dërgon qindra policë për të rrethuar dhjetëra protestues. Policët, për ironi paguhen nga protestuesit dhe nga ne të tjerët. Fashizmi, fillon me indiferencën e njerëzve që e shohin dhunën e shkatërrimin, por besojnë se nuk kanë “pse të ngatërrohen”. Fashizmi vjen në emër të të varfërve, por mbahet në këmbë me paratë e të pasurve dhe me një administratë servile e të dhunuar. Fashizmi, ka kryetarë të përjetshëm që kanë monopolin e së vërtetës.

Fashizmi është pjellë e frikës. E frikës dhe e apatisë.

Fashizmi sot po strukturohet politikisht në Pallat të Kongreseve. Dhe për fatin tonë të keq, fashizmi sot ka krijuar dhe një Mini- Me, Kryetarin e Betonit.

Bella Ciao

Nesër (e dielë) do të ketë përsëri protestë. Duke parë ritmin e betonierave, shumë shpejt do të jetë vonë.

Në atë protestë nuk do të jenë ata që kanë frikë; që kanë frikë për biznesin, për vendin e punës, apo frikë nga fashizmi në përgjithësi.

Nuk do të jenë ata, jeta e të cilëve është kafe dhe fejsbuk. Nuk do jenë as ata që do të interesohen për biografitë e atyre që protestojnë. Nuk do jenë as ata që i fusin një mendje të lehtë, hajt se bukur ngjan. Nuk do jenë as ata që thonë “unë kam 10 vjet pa dalë nga Parku, pse ta mbroj”. Nuk do jenë as ata që u kanë mbjellë kaktuset e propagandës në kokë. Nuk do jenë as ata që besojnë se në këtë vend nuk bëhet dot asgjë. Nuk do jenë as shumë prej atyre që shpërndanë mijëra likes për Gezi Parkun dhe u entusiazmuan pafund për protestat e Stambollit.

Por, unë do jem. Edhe pse lufta ime është duke shkruar, nesër, do jem ballë për ballë me policët e fashizmit dhe nuk do shoh se kë kam në krah për t'i bërë biografinë. Do jem atje, sepse duhet të jem atje. Sepse nesër, do të jetë tepër vonë. Ky është testi që fashizmi po tenton t'i bëjë qytetit. Nëse qyteti nuk reagon, atë që do ndodhë nesër “nuk kemi parë gjë akoma”.

Stambolli ka dhjetëra parqe, ne kemi vetëm 1. Ky është Gezi Parku ynë. Dhe do të më bëhej zemra mal të të shihja dhe ty, atje.

Burimi: Lapsi.al

17 Komente

Mir e ke ti o Koloreto, por edhe kur une e ngrija zerin dikur, ju te medias nuk bezonit fare, nuk dukeshit se ku ishit, jepnit te tjera ngjarje, tani na kerkoni. Po kur ne ju kerkonim juve, pse nuk dilnit, pse nuk shkruanit nje fjale. 

Pjeri eshte i ndjeshem

Pjer, per cfare kauze s'te ka perkrahur Cukali ty, per veren, qoftet apo VQ-ne (vere + qofte)? smiley

He se zgjedhjet e 2017 po afrojne. Kujtojne se abedini nuk mban shenim. 

kur qullacët e djeshëm shoqërohen më të fortë, bëhen më të rrezikshëm se vetë të fortët.

   smiley  smiley  smiley

Keta jane bere te gjithe per te perdor ate skemen 1000 euro nata. smiley

Koloreto e ke pare ate ndertimin qe po behet ( po mbaron ne fakt tani ) mbrapa korpusit ?

Ne me pak se 1 vit shteti fashist i Rames ka kerkuar arrest me burg per 536 persona ne lidhje me faturat dhe lidhjet elektrike, ne te njejten periudhe qe qeveria bente cmos per te mbrojtur trafikantet e qenieve njerezore dhe te droges nga presioni nderkombetar per largimin e tyre nga pushteti. 

Sipas Prokurorisë së Përgjithshme vetëm në periudhën shtator 2014 – qershor 2015, 2,643 shqiptarë janë vendosur nën akuzën e vjedhjes së energjisë elektrike sipas nenit 137 të Kodit Penal.

 

Prokurorët kanë kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 536 nga këto raste. Për një numër të konsiderueshëm personash, të cilët i janë referuar prokurorisë nga policia dhe OSHEE, është vendosur pushimi i procedimit apo pezullimi i tij. Prokuroria bëri gjithashtu të ditur se për periudhën shtator 2014 – qershor 2015, në gjykatat shqiptare janë shpallur fajtorë 1,629 vetë. [artikulli i plote]

1,629 vete ne me pak se 1 vit jane shpallur fajtore per faturat e korrentit vs ? te shpallur fajtore per evazion fiskal qindrafish me te madh, mafio-tendera, humbje parash ne dogana, vjedhjen e bankes se shtetit me thase, formatimin e serverit te tatimeve, etj.

Koloretoja nga i zhgenjyer tani doli hapur kundra Rilindjes , sa keq qe svjen me ne peshk.

Pse do vijn ne peshk ? Ketu nuk pagun kush asgja , te pakten keshtu e mendojm!

Si eshte ajo shprehja - qeni leh aty ku i japin me hanger ...

 

Po se ka pas ardhe shpesh pranej .

Tani eshte i zanun me kausa te medhaja, jo lojra ....! Ketu ka pase edhe prof. dr po ku jane sot ?

Po per keto kendet e tjera te lojrave ne Tirane kur do behen merak Ajatollah i Rilindjes dhe minime-u i tij? Do e cojne edhe tek keto vende policine dhe resurset e tjera te shtetit qe te beje lufte dite e nate "per te miren e femijeve"? 

mendova se Mini-me ish karakterizuar Mero Baze

gjithe ky lume njerezish kunder betonit perballe vetem 2 apo 3 qe e duan betonin

Vete e paten fajin se i perzune ata te PDs. Ata s'e kane me policin "ua mami mos gjuaj",po i kishin shtyp me betonieret e veta. smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).