Zbukurimi i historisë –pasojë interesash dhe kompleksesh

                                                             – 3 –

Në kapitullin e tretë, autori ynë thotë se do merret me mbretëritë dhe mbretërit më të spikatur ilirë. Në fakt ai merret me të gjithë mbretërit e kësaj zone europiane, që përmenden në histori. Por më parë ai përmend atë tezë aq të ditur e të diskutuar qysh dy shekuj më parë mbi historinë; vetëm se përkufizimi i tij është fëminor, çfarë tregon se ai është rrahur pak me këto diskutime të shumta mbi shkencën e historisë. Ja ç’thotë ai, (f.76): „Historia është ajo që ka ndodhur dhe nuk zhbëhet, ndërsa historiografia ajo që e rrëfën dhe interpreton atë. Nëse mungojnë mjetet dhe burimet e kësaj të fundit për të depërtuar në kohë dhe hapsirë të historisë, kjo nuk do të thotë se nuk ka patur histori.“

E sqarojmë autorin tonë me ato çfarë janë sqaruar njëherë e mirë për historinë. Historia është ajo çfarë ne shkruajmë dhe tregojmë. Këto histori të shkruara apo të treguara përbëjnë historiografi të caktuara! Ndërkohë që të parat shkruhen, tregohen dhe mbrohen qoftë edhe nga njerëz të veçantë, nga individë të ndryshëm, të dytat janë pjesë e një grupi të caktuar njerzish, kryesisht këta persona juridikë, që do të thotë : institucione të ndryshme, akademi të ndryshme, shtete të ndryshëm. Dhe ngjarjet e ndodhura janë ato që nuk zhbëhen më, sepse koha nuk kthehet mbrapsh, por ato hyjnë në histori vetëm pas tregimit, shpjegimit, interpretimit që ne njerëzit (subjektet) u bëjmë atyre. Kaq!

Unë nuk mund ta kuptoj se për cilën histori të pazhbëshme flet autori, kur kjo histori ka nevojë për treguesit e saj. Këta tregues jemi ne njerëzit, që i japim cilësdo ngjarje objektive shpjegimin tonë subjektiv. Se sa ne i afrohemi ngjarjes dhe ngjarjeve të ndodhura realisht me tregimin tonë, ky është sërish një problem subjektiv, pra që varet nga shumë premisa të karakterit dhe interesit tonë, si dhe premisa fizike. Një ngjarje mund të tregohet nga 100 vrojtues apo historianë, por sejcili jep versionin e tij subjektiv, ku premisa fizike, si afërsia në hapsirë dhe kohë ndaj ngjarjes ndikojnë në tregimin e ngjarjes në fjalë. Por jo vetëm këto premisa fizike, por edhe interese të ndryshëm hyjnë pastaj në lojë. E së fundi edhe veçori psiqike dhe psikollogjike të treguesit ndikojnë në historinë e përhapur më tej. Të gjitha këto pështillen edhe nga sasia e diturisë mbi ngjarje të njëjta, të cilat ndikojnë tek dëgjuesit, çfar d.t.th. se një historian me emër do të besohet më shpejt nga një pa emër. Lëre pastaj të diskutojmë se, pse dhe kush e ngriti një historian dhe historiografi të caktuar më lart! Vetëm dija e tij apo subjekte të tjera Ndaj do thoja, se edhe këtë tezë të njohur mbi historinë, autori ynë e jep të ngatërruar, duke konfonduar ndodhitë me historinë, (kjo e fundit merr kuptim –si shkencë e caktuar– kur ka tregues e dëgjues), dhe duke ndarë me thikë historinë nga historio-grafitë e ndryshme, të cilat nuk e dimë ku e kanë kufirin e tyre, pasi çdo histori është një lloj historiografie, kur mbështetet nga një shumicë historianësh, apo dhe nga shtete të ndryshme.

Edhe më poshtë autori e shtjellon gjërë tezën e tij mbi historiografitë e ndryshme, pa kuptuar se është ai vetë që përpiqet të japë një version krejt tjetër nga çdo lloj versioni tjetër, dhe këtë pa prova. Kështu ai thotë (f.78) se në të kundërt të tezës së mirnjohur të evolucionit të njeriut dhe shoqërive, ku në fillim ishte fisi, pastaj u ngritën qëndrat urbane, kështu u formuan shoqëritë e para, e më vonë shtetet, (autori u bie shumë shkurt këtyre etapave!), ai vazhdon: „Shoqëritë parake që nuk dihet të kenë lëvizur, apo së paku nuk përmendet ndonjë ardhje e tyre prej diku, nga veriu, jugu apo lindja (e këtu duhet vërejtur se për ilirët nuk ka të dhëna apo dëshmi që të kenë ardhur prej diku, por vetëm hipoteza në të nëjtën linjë gjykimi si për të tjerët), mund të kenë pasur një jetë institucionale shumë më të zhvilluar [,] dhe se dyndjet emigratore i kanë përligur, iu kanë përthithur vlerat lëndore e shpirtërore, e më pas për shkak të energjisë së vërtetuar të ardhacakëve, kanë humbur shkëlqimin e qytetërimit të mëparshëm.“

Dhe këtë autori e mbështet tek citimi i tij me rastin e etruskëve. Ne do i shtonim kësaj teze dhe rasti, që autori na sjell, edhe dhjetra raste të tjera, si ajo e kulturës egjyptase, babilonase, etj., ku dyndjet ndikuan në zvetënimin e këtyre kulturave, gjë që ne e shohim dhe e përjetojmë edhe sot në kulturën perëndimore, me ardhjen e qindra mijrave deri milionave emigrantëve nga vënde aziatike me arsimim të ulët dhe rite të shumta fetare. Por në të gjitha këto raste të ndikimit të kulturave të ndryshme emigruese në perëndimin e qytetëruar, ne kemi prova të shumta. Ndërsa në rastin e fiseve ilire nuk i kemi këto prova të tilla.

Përveç kësaj, nuk është e ndershme që të flasësh për raste të tilla të njohura në histori dhe, inkonjito si dhe hipotetikisht, të fusësh në këtë vorbull rënie kulturash edhe ilirët. Autori flet për këtë fenomen të rënies së kulturave të zhvilluara nga ndikimi emigrator i të huajve, çfarë është normale, dhe në kllapa ai përmend ilirët, por detyrimisht hipotetikisht, përderisa pas mbylljes së kllapave ai vazhdon: …mund të kenë pasur një jetë institucionale shumë më të zhvilluar… Kështu duket se dhe ilirët bëjnë pjesë në këtë fenomen të shoqërive të zhvilluara institucionalisht, por të rëna nga këto dyndje ardhacakësh, çfarë në fund të fundit, duhet të nënkuptojmë (atë çfarë autori nuk ka aftësi ta deduktojë), se jemi ne shqiptarët e sotëm ata ardhacakët që ndikuam në zhdukjen e kësaj kulture të lartë ilire! A nuk është për të qeshur me këta historianët tanë të rinj!? E të mos harrojmë se autori Qemal Velija është edhe më serioz nga turma e autorve të tjerë të rinj, që përmendëm më lart.

Ajo çfarë nuk duket serioze tek shkrimi i mësipërm i autorit, është teza e tij e re, mbi mospatjen e një fakti të ardhjes së ilirve në trojet e tyre. Kjo nuk është e vërtetë. Ilirët dhe të gjithë fiset dhe popujt antikë kanë gojdhënat (mitet) e tyre të ardhjeve. Biles këto gojdhëna, që në gjuhën e sotme shkencore quhen mite, kanë nga dy e më shumë variante për çdo fis dhe popull tjetër, çfarë na tregon më e pakta përzierjet e fiseve dhe popullsive. Ecim më tej.

Edhe në këtë kapitull të tretë, ku lexuesi pret më shumë për këto mbretëri dhe mbretër ilirë, ai merr shpesh ankesa të autorit mbi trajtimin e ilirve nga historiografi të ndryshme, të cilat i konsiderojnë –sipas tij– fise, gjë kjo që është vetëm pjesërisht e vërtet, pasi qysh me Badhylin (sh.IV p.e.s.) e me radhë, Glaukun, Agronin, Teutën, Gentin, historiografia shqiptare dhe ajo e huaj i ka konsideruar këto shoqëri (të ashtuquajtura) ilire si mbretëri të caktuara dhe formuara mirë. Që këto mbretëri-shtete nuk mund të krahasohen me ato helene apo atë romake, ky është një fenomen që ka shoqëruar të gjithë historinë e njerëzimit, -dikush ka qenë më i zhvilluar e dikush më i prapambetur në marrdhëniet superstrukturore të shoqërisë së vet.

Dhe ja si vazhdon autori pas kësaj ankese „fisesh“, f.79: „Në anën tjetër, këto formacione politike në shqyrtimet historiografike shihen të lidhura pashmangërisht me problemet e etnogjenezës së këtyre fiseve apo grupeve fisnore, duke shmangur kështu objektin studimor nga rrafshi i historisë politike në atë të etnologjisë.“

Duhet thënë se ne kemi sot nga historiografia zyrtare shqiptare dhe ajo zyrtare e huaj më së shumti të dhëna mbretërore-shtetërore mbi këto (të quajtura) shoqëri ilire. Dhe më pak kemi të dhëna etnogjeneze dhe etnokulturore. Pra dihen si quheshin mbretërit, ç’bënë ata, me kë luftuan dhe bënë vasalitete. Por ne nuk dimë akoma se ç’gjuhë flisnin ata, biles nuk dimë mirë as se kujt kulti fetar i përkisnin, çfarë në ato kohëra ishte karakteristika kryesore e një shoqërie të caktuar. Pra, kjo që na thotë autori ynë më lart nuk i përgjigjet realitetit.

Më tej autori ynë na flet për shtetin adrian. Nuk shohim të dhëna të reja, por vetëm pak nga ato që janë thënë e stërthënë më parë. Ndaj nuk kemi ç’të analizojmë e komentojmë, por sqarojmë lexuesin qysh këtu, se këto mbretëri –të quajtura më pas ilire– kishin karakteristika të ndryshme nga njëra-tjera, si dhe në vetvete përgjatë një periudhe disa shekullore; në vend tjetër merremi me ‘to.

Më tej kemi mbi mbretin Agron, e më tej akoma për gruan dhe pasuesen e tij, mbretëreshën Teuta. Për të dy kemi fakte të përmbledhura, që dihen e që gjinden me shumicë sot edhe në internet, pa përmendur Historia e Shqipërisë, me autor: Akademia e Shkencave (grup autorësh).

Flotën detare të Agronit, autori ynë e merr si pikmbështetje të tezës së tij të një shteti ilir me institucione të zhvilluara. Është fakt se në këtë kohë (shek. III p.e.s.) dallohet ndonjë mbretëri e fuqishme ilire dhe mirë e organizuar, fakt ky që nuk është vënë ndonjëherë në diskutim nga historiografitë dhe historianët e ndryshëm. Pra fakt i stërnjohur!

Më tej flitet për mbretin Gent. E më pas për mbretërinë e enkelejve. Për këta të fundit jepen edhe ca mendime më shumë, duke përfshirë shumë mendime dhe hipoteza mbi ‘ta, të cilat i gjejmë si tek Historia e Shqipërisë, si në shumë shkrime të tjera, ashtu dhe në internet, tek Vikipedia, etj.. Kjo duket vjen jo aq nga mitet që i shoqërojnë, si ajo e prejardhjes nga Kadmi fenikas, se sa nga përplasjet dhe luftrat e hershme me maqedonët, dhe shpërnguljet e tyre drejt veri-perëndimit.

Por nga autori ynë Q.V. nuk kemi as për enkelejtë ndonjë gjë të re, përveç (f.101): „Mund të hedhim edhe një hipotezë tjetër, se autorët që kanë shkruar për një realitet të tillë, [është fjala për shpërnguljet dhe vendosjet e enkelejve drejt veri-perëndimit,] nuk janë përpjekur të japin përmasat e vërteta të shtetit ilir me të cilin janë përballur, dhe ka gjasa që shteti të jetë shtrirë në kohë dhe hapsirë ndryshe nga sa konceptohet sot. Domethënë që enkelejtë, ardianët, desaretët, dardanët e të tjerë grupe lokale, mund të kenë qenë pjesë e arealit të bashkuar nën një shtet unik. Vetëm se ata që i kanë përshkruar nuk kanë patur njohuri ose interes për ta theksuar këtë gjë. Nuk ka mundësi që, në të njëjtën kohë që në njërën pjesë të arealit ilir, si tek enkelejtë e shekullit IV, të ketë një formacion shtetëror, ndërsa tek të tjera pjesë, që shtrihen bregdetit adriatik, të jenë organizuar nëpër fise.“

Ndonëse tek kjo shprehje e autorit tonë nuk kuptohet nëse bëhet fjalë vetëm për enkelejtë, (si ata me mbretëri të caktuar në zonën e sotme të liqenit të Ohrit, ashtu dhe ata që u shpërngulën më pas drejt bregdetit veri-perëndimor), apo bëhet fjalë për disa fise ilire, ne nuk e kuptojmë analizën dhe hipotezën e autorit, pasi mund të pranohet fare mirë që një ose disa fise mund të ishin mirë të organizuar në një mbretëri të caktuar, dhe disa të tjera të mos ishin mirë të organizuara në një mbretëri të caktuar. Apo dhe të kemi një popullsi të caktuar me të njëjtën gjuhë dhe të njëjtin mbret, influenca e kësaj mbretërie në shumë zona periferike të saj mund të jetë e dobët. Apo shumë nga këto zona të largëta periferike mund të kenë kulte të tjera fetare, siç ishte e zakonshme në kohrat antike, -në këtë rast gjuha apo dialektet e përngjashëm nuk luanin rol fare.

Pra, hipoteza e hedhur këtu nga autori ynë, nuk ka të bëjë fare me këto fise, shoqëri dhe mbretëri antike ilire, por ka të bëjë vetëm me përshkrimin që bëhet nga autorë të ndryshëm mbi këto fise, shoqëri dhe mbretëri, të thirrura më së shumti me emrin e tyre të veçantë, por në ndonjë rast edhe me emrin e përgjithshëm përmbledhës, ilire.

Po të llogarisim pastaj se me ilirë janë quajtur thjesht ato fise, shoqëri dhe popuj, të cilët nuk bënin pjesë në shoqëritë helene (hënore), pra ishin ata të lirët, që kishte kuptimin se nuk ishin nën mbrojtjen dhe juridiksionin e shoqërisë së tyre hënore, (tezë kjo e njohur dhe e përkrahur edhe nga unë), i bie që në këto fise ilire të kemi lloj-lloj fisesh dhe popujsh, ku etnia dhe kombësia nuk merrej fare parasysh dhe as luante ndonjë rol kryesor, pasi dominonte përkatsia fetare, -gjë që e di çdo kush. Nuk e kuptojmë përse autori ynë është kaq i varfër në hipoteza!

Më tej autori merret me shtetin taulant, e më pas me mbretin Epidamn-us, themeluesin e Epidamnit ≈ > Dyrrahut. (Para se të vazhdojmë më tej, e sqarojmë lexuesin, se këtë emër e gjemë shpesh edhe si Epidam-us, pra pa „n“ në fund. Si dhe pse shkruhet herë me „n“ dhe herë pa „n“, këtë nuk e dimë! Ndoshta sepse në shkrimet greke gjindet më së shumti me „n“, por gjuha shqipe e eleminon bashtingëlloren „n“ pas bashtingëllores „m“.)

Ky mbret me këtë emër është një mbret mitik, pra që justifikon themelimin e këtij qyteti me të njëjtin emër, siç ishte e zakonshme të thuhej për cilindo qytet në kohrat antike. Që autori ynë e bën këtë mbret mitik si një person real, kjo është sa fëminore, aq dhe jo serioze.

Që çdo qytet ka patur si fillues një prijs apo mbret, kjo dihet. Dhe ka dhe raste kur ky qytet merrte emrin e këtij prijsi apo mbreti. Por, më së shumti edhe ky mbret kishte një emër-tim, që i përgjigjej disa karakteristikave të caktauara, dhe e dyta, këto emra qytetesh viheshin në bazë të disa karakteristikave që mbizotëronin në mbretërinë, e cila ngrinte këtë qytet. Kështu në rastin e qytetit Epidamnus, ka shumë mundësi të kemi aty një ndarje, e pë(r) (n)damun(sin), pra një mbret që do jetë ndarë nga mbretëria kryesore, apo nga qendra, apo nga kulti fetar i mbretërisë së tij. Ky shpjegim ka shumë mundësi, pasi dhe luftrat që janë bërë për Epidam(n)usin (Dyrrahun) kanë qenë pikërisht midis hënorve jugorë të trinitetit me ata të filozofisë dyzuese të fesë, që vonë u përqëndrua në Romë.

Sido qoftë historia e këtij qyteti, ne i kujtojmë autorit tonë, se ai është shpejtuar me këtë mbret mitik, apo siç i quan drejtë gramatikisht këta mbretër mitikë Arsim Spahiu, eponimë. Pra që justifikojnë thjesht emrin e qytetit, por jo se provohet se kanë qenë realë. Ndaj dhe godina madhështore në Kashar, duhet ti definojë mbretërit mitikë dhe ata realë, ndryshe historia bëhet çorap dhe bota do të na qeshë.

Më tej në libër na vjen mbreti Glauk, kuptohet me jo më shumë të dhëna se sa ka tek Historia e Shqipërisë dhe tek vepra e Plutarkut: Jetët paralele, e përkthyer pjesërisht në shqip. E më tej kemi për mbretin Monun, mbi të cilin cilado historiografi ka pak material; po kështu edhe nga autori ynë.

Më tej flitet për shtetin e Epirit në kohën e Pirros, i cili renditet nga autori ynë gjithashtu si një shtet ilir (!?). Në fakt çdo kush e di se emrat e mbretërve epiriotë ndryshojnë nga ato të mbretërve ilirë. Por ky fakt nuk përfillet nga studjuesit shqiptarë, të cilët i bëjnë edhe epiriotët me një të rënë të lapsit si ilirë, nga fakti që Glauku strehoi në oborrin e tij Pirron e vogël, para se ai të bëhej mbret, një ngjarje kjo, e cila si shumë ngjarje të lashtësisë dhe antikitetit mund të jetë simbolike (metaforike); dhe sido të jetë, epiriotët muarën përherë e më tepër zakonet e helenve, pa llogaritur kontradiktat e tyre të brendëshme.

Në përgjithsi studimet shqiptare, (jo rallë edhe ato të huaja), nuk i vërejnë kohët e ndryshme dhe ndryshimet në këtë territor gjatë disa shekujve. Po ky është një problem i gjatë, që do ta trajtojmë në tjetër vend.

Përsa i përket Epirit, dallohet qartë që banorët e kësaj zone nuk janë hënorë të pastër, për t’mos thënë që pjesa e brendshme (Mollosia) nuk është fare, pra mund të jenë deri diku pasues të pellazgëve, thënë ndryshe: parakalues të bektashijve të sotëm, e deri diku, kristianve ortodoksë. Këtë tezë, që unë e kam rrahur edhe më parë, nuk është vendi ta rrahim këtu. Por s.d.q., duhen thënë disa gjëra që dihen, apo që dihen pak. P.sh. aleancat e tyre me helenët më vonë dhe afrimi me ‘ta, si dhe disa prishje me maqedonasit; pa harruar këtu luftra me ilirët, që na përshkruajnë autorët antikë, ndonse të vogla këto. Në këto konflikte dhe marrveshje të caktuara përfshiheshin këtë kohë mjaftërisht edhe interesat personale të familjeve mbretërore, të cilat merrnin e jepnin me njëra-tjetrën. Po ashtu duhet theksuar, se kultura e tyre fetare e kohës është në një proçes ndarje, pra nuk dallojmë kulte fetare strikte. (Për Epirin ka boll material edhe në Vikipedia. Në gjuhën shqipe gjejm për Epirin hipoteza të diskutueshme deri në ato fantastike.) Nga autori ynë kemi të njëjtat broçkulla që na japin thuajse të gjithë autorët e rinj shqiptarë. Ja p.sh., f.120-121:

Studjuesit përgjithsisht këtë entitet, që për mendimin tonë ndërthuret organikisht me të gjithë arealin ilir, e kanë trajtuar përherë në lidhje apo në raportin etnik e identitar me helenët,…“

E para (e fundit në fjali), përsa i përket përfundimit të autorve të huaj mbi identifikimin e etnitetit epiriot me atë helen, unë nuk po merrem fare, pasi për mua si epiriotët, ashtu dhe helenët nuk përbëjnë etnitete, por entitete. Nëse duam ti trajtojmë ato si etnitete, për këtë duhet një punë shumë e imët, çfarë është shumë-shumë e vështirë, pasi autorët antikë na flasin më së shumti për shoqëri me karakteristika fetare, ndërsa karakteristikat nacionale –siç i kuptojmë sot– mund të dallohen tek autorët antikë me shumë vështirsi.

Këtu autori ynë quan entitet këtë Epir, po kështu quan edhe atë ilir. Pra për ‘të këto janë komponime të caktuara, (ndonëse ne fjalën komponime e përdorim më së shumti për bashkësinë e disa lëndëve të caktuara). Nga ana tjetër ai përdor një term lidhës për këto dy entitete të caktuara, termin: „organikisht“. Kështu autori ynë nuk kuptohet nëse don të na thotë, që këto dy entitete janë njëkohësisht i njëjti etnitet, apo janë dy etnitete që po afrohen!? Ai ka frikë mos e kalon seriozitetin e punës shkencore, e nga ana tjetër atij ia ka ënda të fusë apriori tezat e tij në këtë material. Ndaj ai përpëlitet midis dy terminollogjive.

Në të njëjtën fjali ai përziehet me etnitetin, teksa akuzon studjuesit e tjerë, që na e lidhin këtë entitet me etnitetin helen. Pra del se kjo ndërthurje organikisht e entitetit epiriot me entitetin ilir, na qenka thjesht lidhja etnike, pra e njëta gjuhë dhe kulturë. Këtë përfundim të autorit ne nuk po e analizojmë njëherë për njëherë. Ajo që ne ngremë këtu është pyetja: përse autori nuk e thotë këtë qartë e hapur? Përse pra autori ynë dridhet nën terminollogji dhe fjali të komplikuara!? Duket se ai e bën këtë pasi ai nuk është tërësisht i sigurtë në përfundimin e tij! Ose ai duhet të sjelli më pas prova për këtë, e tu përgjigjet pyetjeve të studjuesve të tjerë.

Ne nuk do të ishim kundra kujdo hipoteze, por këto duhen mbështetur me prova. Pasi dhe kështu popullorçe dihet mbi këtë kohë, se fiset e quajtura ilire të jugut kishin (patjetër) lidhje gjuhësore me pjesë të tjera të Epirit verior, apo dhe ato veriore helene, apo siç unë mendoj, me hënorë të tjerë si kaonët p.sh., apo ka mundësi edhe me thesprotët.

Mirpo autori ynë, në vend që të na sjelli prova apo deduktime të mbështetura në induksione të provuara, ai vazhdon me fantazitë e tij më tej, f. 123: „Por në rrafshin e historisë politike Epiri shfaqet si një entitet që marrdhëniet thelbësore politiko-social-ekonomike i ka me arealin identitar ilir, madje pothuajse në mpleksje të njësishme me të.“

E gjithë shprehja e mësipërme e autorit tonë mund të identifikohet me shprehjen popullore: ia futi si kau pelës! Çdo nxënës shkolle di se organizimi mbretëror-politik, apo klasor-politik i Epirit, gjithnjë e më shumë tentonte ti përngjante atij të helenëve, me organe deri diku demokratike të zgjedhura një herë në vit, apo më gjatë, dhe zevëndësime të caktuara prijsish fisesh të ndryshëm. Ndërsa tek ilirët nuk i gjejmë kurrë struktura të tilla drejtuese, por kryesisht ato kastore, ku trashëgimia e drejtimit nuk ka diskutim.

E më tej kjo fantazi pa prova historike nuk ka më kufinj, f.121: „Ndërkohë të dhënat që jep ky historian i lashtëisë [Thukiditi mbi luftën e Peloponezit 431-411 p.e.s. ku merrnin pjesë epiriotë dhe ilirë si të thirrur] mbi qeverisjen apo organizimin politik të këtyre njësive, [si atyre epiriote ashtu dhe atyre ilire,] që ngjajnë të mëvetësishme nga njëra-tjetra, nuk përjashtojnë hipotezën se bëjnë pjesë në një organizim të përgjithshëm politik siç kemi thënë më lart të natyrës federative, ku njësitë shfaqen këtu me qeveritarët apo prijësit vendorë të tyre.“ Dhe në citime të mëposhtëme kemi pjesë nga Thukiditi.

Nga sa pamë prej autorit tonë, aludohet pra për një federatë, në të cilën futen fiset ilire dhe ato epiriote. Ndonëse kjo nuk thuhet qartë, si shpesh tek autori ynë Q.V., duket se bëhet fjalë për këtë lloj federate, e cila në fakt nuk ka ekzistuar midis këtyre dy entiteteve, e nuk ka as edhe të dhënën më të vogël të një fedderate të tillë në këto kohra, po të përjashtojmë vetëm ristrukturimin që bëri Roma më pas me provincat e pushtuara, duke e ndarë Maqedoninë, Epirin, Helladën, fiset e lira të veriut (ilire), etj. vende, duke krijuar federata dhe provinca nga më të ndryshmet. E të mos harrojmë se vetë Epiri ka qenë një Federatë dhe jo mbretëri, si ajo Maqedone, p.sh...

Me mbretin Pirro mbyllet ky libër i autorit Qemal Velija, nënkapitull i cili nuk sjell po ashtu ndonjë të re, nga sa kemi prej Plutarkut, apo në librat shkollorë.

Në mbyllje duhet të themi se pamjes së jashtëme serioze të librit nuk i përgjigjet aq pretendimi i këtij autori, se shtetet ilire kanë përbërë organizime të zhvilluara shtetërore dhe politike. Biles do të thonim, se për politike këto mbretëri ilire nuk dallojnë fare. Autori dëshiron të fusë në historinë e tij diçka që atij ia ka qejfi, por që deri tani nuk ka patur prova.

Ah, nëse ai do të thoshte diçka për organizimin e zhvilluar fisnor-mbretëror të kaonëve p.sh., (këta duken deri diku parakaluesit e bregdetasve të sotëm shqiptarë, pa llogaritur emigrimet e tyre të pjesëshme e të vazhdueshme), këtë edhe mund ta besonim. Por dhe këtu, vetëm pas provave të sjellura. Ndësa shoqëritë veriore, ato të ilirëve, s‘e kishin arritur akoma atë organizim të tillë shtetëror (mbretëror), që të matej strukturalisht me ato helene, apo atë romak, (e biles as me atë epiriot), ku ekzistonin prej shekujsh parlamenti (legjislativ) dhe aparati i rregullt shtetëror. Kjo ka arsyet e veta dhe të shumta. Por ky është problem tjetër dhe i gjërë, që mund të diskutohet, si, qysh e pse.

Këtu po e mbyllim këtë analizë jo shumë të thellë, pasi dhe materiali i sjellë nga autori në fjalë (Q.V.) ishte i pakët dhe i njohur. Ndaj presim punime më të ngarkuara me material nga ky autor, në mënyrë që dhe kritika ndaj tij të jetë më e vështirë për tu bërë. Së fundi shpresojmë që autori të na falenderojë për analizën dhe kritikat që i bëmë, pasi ato janë bërë për ta nxitur atë –në punimet e tij vazhduese– ti qëndrojë sa më besnik të dhënave historike, të mbajë një qëndrim sa më objektiv në temat historike, të jetë vetë më parë kritik me përfundimet dhe hipotezat e tij, qofshin të gjitha këto edhe negative për kombin të cilit i përket! Vetëm besnikërria ndaj të VËRTETËS do e ndihmojë të nxjerrë punime më cilësore, kjo besnikëri do ta nderojë atë personalisht, e me ‘të, edhe kombin të cilit i përket. (Fund)

9 Komente

Per carcafin e shkruar asnje llaf! smiley 

Kisha lone i koment ktu une , e paska ngrene miu .

Osht ke carcafi tjeter plako, se zoti e di me sa pjese osht ... smiley

smiley

Spaska pune tjeter ky Qemol Velija mor vlla ?

C'e pyt mer, jon shtu qamet ...

Duke lexuar kritiken e KM ketu ndaj QV,  te shtohet kurioziteti ta blesh librin e Qemolit smiley

Pjerino, e ke te sigurte qe e ka Qemol ky i zoti i librit, e ? apo ia ke fut pordhes ? Ti shif se te kon vjedh patenten e akronimit VQ, me duket. Vetem me mcef gjurmet e shkrujn QV . Ujku fle, hasmi s'le ...

Vallaj, une se kisha nigju noi her kete autorin, por meqe kritika e ketij Marksit ketu ndaj ketij u bo sa i çarçaf, me boni kurioz per librin e ketij Qemolit smiley

E ka QemAl mer ti merr vesh se le nom. Qemoli nuk shkru libra ( kom edhe i tip historie, kshu, po deshe ta tregoj nai dite, pse ...) smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).