“Si-do-re-la”, roman nga Fatos Kongoli

Nëse do kërkoni nëpër në librari një roman vere, një vepër nga ato që klasifikohen tek të ashtuquajturit bestseller, një prezantim klasik i të ashtuquajturës letërsi bulevardeske, -ky është romani “Sidorela” i Fatos Kongolit. Gjithshka është e parashikuar në një roman të tillë, kërshëria juaj, eksitimi seksual dhe papërlitja emocionale. Aq më tepër nga një stil i bukur shkrimi, si ai i këtij autori. Gjithshka përthithet, përtypet dhe ... harrohet më së fundi. Ky fat është gati i njëjtë për bestsellerë të tillë, të cilët ngjisin për pak kohë në kujtesën e lexuesve kalimtarë nëpërmjet pllakatave reklamuese të titujve të tyre, –si gjithnjë me një femër gjysëm-lakuriq në sfond; të cilët ngrihen në qiell nga mediat e çdo vendi, –karakteristikë demostrative kjo e kultit perëndimor; të cilët përfundojnë pas disa muajsh në spumatriçen e harresës kolektive, –si ato çorapet pak të grisura të grave të sotme moderne. Njëlloj, siç këto çorape janë hedhur dhe nuk kujtohen më nga zonjat e tyre, megjithse mund të kenë kaluar netë dhe seranata të ëmbla dashurie, kështu hidhen dhe harrohen “Sidorela”-t e Kongolëve, megjithë kujtimet e bukura që u kanë lënë lexuesve gjatë leximit të tyre. Dhe kjo ndodh se dashuritë janë dashuriçka, kjo ndodh se tragjeditë janë e shumta disa çaste mërzitie. Siç thotë ajo fjala e urtë shekspiriane: gjithshka ka rëndësi, dhe gjithshka s’ka rëndësi!

Drama e këtij libri nis me ... më falni, desha të them, ngjarjet e këtij libri nisin, (sepse po të kishin drama, të tillë bestsellerë medialë nuk do të ishin pasqyrim gati besnik i jetës metropolitane, paçka se në këtë rast të një vendëzi me drita të zbehta, me tabanë asfaltesh të plasaritur deri në shpirt, të mbushur me gjysëm-fshatarë dhe ku koha nuk ka rëndësi, një vendi ku dramat reale janë të përditshme, por jo në faqet e librave të tillë), pra faqet e librit –të themi më mirë– nisin me gjetjen e një të vrari në një dhomë hoteli, pranë plazhit të Golemit. Mos u shqetësoni! Libri nuk merret me të tilla tragjedi reale! Kjo është thjesht një nga ato hyrje interesante të librit! Thjesht interesante! Kaq! Siç dhe disa të tjera të tilla sekuenca, që shoqërojnë këto (tele)novela lart e larg në sfond, shkurt e turbullt, njëlloj si kalimi i atyre figurantëve në prapaskenë, por jo kaq shpesh sa këta të fundit, thjesht sa për lidhje, si të thuash, sepse i vrari na del që është një batakçi i rëndomtë, ndonëse drejtor në një ministri, e mbi të gjitha na del se është ish-shefi i personazhit kryesor të librit, ky i fundit po ashtu ish-nënpunës i thjeshtë ministrie, djalë i ri natyrisht, (me një plak, shkrimtarit do i mbetej pena tek çlidhja-lidhja e ushkurit të pantallonave të tij, në takimet rutinë me ndonjë prostitutë të abonuar në dhomza motelesh, gjë që do i jepte faqeve të librit ngjyra humori dhe sarkaizmi!), me këtë të ri ngjarjet e librit shëtisin lirshëm në bulevard, shpesh me “Fordin” e tij te telefosur, sa tek njëra kafe e tek tjetra, në kërkim, në pritje, në zhgënjim të dashuriçkës së tij, shpesh i vetmuar, me shenja të pandryshuara nga kohë gjimnazi, siç ia pohon pas rreth 13 vjetësh vetë ajo bukuri flokë-derdhur, të cilës personazhi ynë i këndon qysh nga ajo kohë gjimnazi motivin si-do-re-la, një motiv shoqërues ky tashmë përgjatë gjithë këtij bulevardi, përmes gjithë ngjarzave të personazhit tonë, të cilin e quajnë ... dreqi e marrtë, e harrova, por natyrisht kjo s’ka aq rëndësi, apo më duket se vetë Kongoli e ka lënë pa emër, nejse, (personazhe me emra kanë vetëm dramat dhe tragjeditë), ky i ri i larguar nga ministria, as vetë nuk e di pse e kanë larguar, dyshon por nuk beson se e kanë larguar për ironinë e tij mbi fjalë eprorësh, si “atdheun e dashur”, që ai e krahason gjithë ironi me “prostitutat e dashura”, por dhe kjo nuk ka shumë rëndësi para dyshimit më të madh të tij, atë, nëse atë mëngjez në sallën e aeroportit, tek po përcillte prindërit për në Amerikë tek i vëllai, a po e këndonte ai refrenin e tij të dashur të kohës së gjimnazit: si-do-re-la, apo jo, kur kjo perlë po i kalonte papritmas pas kaq e kaq vjetësh para këmbëve, aty në pritje të përcjelljes së prindërve!? Ja këtu, në këto-pritje-përcjellje nisin vazhdimin e tyre ngjarjet e bulevardit, të rrjedhura nga kohë pa kohë, si vazhdim i asaj teke të dikurshme të tij për t’iu afruar Sidorelës në bankën e klasës, për ti qëndruar pranë simfonisë së tij ëndërruese, e ku arrin biles ti fusë edhe dorën ndër shalë, bërr, fërkim i çjerrë, vetëm prej disa sekondash me sukses, si një fërkim shteke violine në telat e kësaj të fundit, por jo gjatë simfonisë së vërtetë, por atyre provave përpara shfaqjes, ku instrumentistët provojnë veglat e tyre, duke i fërkuar shtekat e veglave muzikore, duke bërë më tepër zhurmë se melodi simfonike, por në bulevardin tonë kongolian edhe zhurma është simfoni, një simfoni pa fillim e fund, si dhe jeta e bulevardit, ku zhurma është simfonia e tij, një simfoni post-moderne, në këtë simfoni-roman prej katër notash me ngjyrë të njëjtë tingëlluese.

Mos u stepni! Kaleidoskopi kongolian jua sjell bulevardin me një pamje aspak të mërzitshme! Ndërkohë që realiteti monstruoz, (këtë fjalë e keni nga unë, mos ia hidhni fajin autorit!), jo rallë edhe qesharak, përshkon shkurt e me ngjyra të zbehta sfondin përtej të vështrimit tuaj, për t’mos i ngelur si çengel në tru lexuesit naiv, si bie fjala ajo vrasja në hotelin e Golemit, shqetësimi i ish-koleges së personazhit tonë, Eridës, për disa ndodhi negative në ministri, afera politiko-biznesi të zakonshme, përthithja e shtetit nga njerëz mafiozë dhe të paskrupullt, kriza financiare, rritja e papunësisë, një shqetësim prindëror, marrja në pyetje nga një hetues në lokalin e tij të preferuar, disa protesta anti-globaliste në Romë, etj., realiteti bulevardesk në të kundërt ze të gjithë skenën përpara syve tuaj, aq sa juve ju duket se jeni brenda në ‘të, (falë penës fine kongoliane), ky realitet lëviz nga bulevardi e në aeroport e nga aeroporti në bulevard, kjo pa-domethënie, ashtu si rastësisht, (se mos i shkojë dikujt mëndja –larg qoftë– se ky popull bën vetëm këtë rrugë në jetë të tij!), e si ndalesa të kësaj lëvizje bulevardeske kemi disa lokale me emra të bukur, biles edhe me libra, këto nëpër rafte, për zbukurim, si të thuash për ta bërë më të shijshme pirjen e kafes. E përveç lokaleve personazhi ynë ndalet i zhveshur edhe në shtëpi, nuk ka rëndësi nëse në të tij apo në të saj, në të tyren, kështu që kështu jeta e moteleve i përket të shkuarës, (ndonëse edhe ajo kishte disa ndjenja). Por kjo nuk është kryesorja në romanin tonë bulevardesk, këtu qëndron edhe merita e tij, sepse ai nuk është roman erotik. Janë ato mendime, dëshira, emocione, harresa, të personazhit tonë, (dreqi e marrtë, që s’po na kujtohet emri i tij!), të cilat i japin më shumë kuptim asaj kategorie letrare të quajtur narracion, panvarsisht se në një bulevard ky duket se vjen vërdallë tutje-tuh, apo ndryshe, si në një rreth vicioz. Gjithë këto emocione në lëvizje të vazhdueshme, (çdo faqe me thuajse një plot-ploint të ri), të mbajnë ngjitur pas faqeve të tij. A ka fjetur Erida me ministrin? A do të ribashkohet e dashura, Xhuli, me ish-burrin e saj? (Sa për dijeni, i shoqi i të dashurës, një biznezmen me fat, don të kanditojë për deputet, ndaj dhe do të ribashkohet me gruan e ndarë.) Po dhe fati i së bijës të së dashurës, Anikës, e shqetëson personazhin tonë! Asaj të cilës, shoku i tij Laerti do ti kish dhënë me kënaqsi një dackë të fortë bythve! A do ta ketë bërë sefte seksin piskuriqe Anika, shqetësohet ai. Pa llogaritur këtu edhe ato raste aksidentesh, shtrimesh në spital, arrestimesh të largëta, të cilat i mbushin ngjarjet bulevardeske, si në simotrat e tyre të përnatshme e pa fund, telenovelat melodramatike. Shqetësime dhe dyshime të përjetshme mbi seksualitetin dhe biseksualitetin e dikujt, tradhëtinë dashurore, simpatisë për të tjerët, dhimbje koke, hutim i çpërfytyruar përpara mosgjetjes së verës së kërkuar, si përpara fatit despotik-fatalist të humbjes së diçkaje të shtrenjtë në vlerë monetare, (sa për dijeni të atyre pa shkollë: sendi e merr vlerën e tij monetare kur këmbehet), zhgënjime kolegesh për mosrealizim takimi, qoftë edhe të pirjes së një kafeje, asaj shije të hidhur që të jep mendimi se e dashura po fle me të shoqin, apo dyshimit qesharak për mos tu bërë një Laokont trojan me paralajmërime kurthesh, e biles panorama bulevardeske kongoliane përshkon çuditërisht edhe numrat judej-biblik 6-ën, e atë botëror-biblik-sundimtar 12-ën, (për reklamë? për tu shitur?), kuptohet, të gjitha këto sipërfaqshëm, si në një bulevard, si në një bulevardeskë, për tu ndalur para fundit pa fund edhe tek lexuesi, po-po, mos u çudisni, një moment mjaft të shkurtër ai ndalet tek lexuesi i një shkrimtari gjysëm-bulevardesk me pseudonim, ku personazhi ynë ka vajtur për vizitë sëbashku me simfoninë e tij të shkurtër, Sidorelën e bukur katër-rrokshe. E ndoshta ky kompliment për lexuesin, që lëshohet nga goja e shkrimtarit me pseudonim, mund të jetë lëshuar nga pena kongoliane, pra për ne!? Po ç’rëndësi ka kjo tani!?..

-S’ka më të mrekullueshme se sa të jesh lexues! Ata janë elita e shoqërisë! –i thotë dy të rinjve shkrimtari me pseudonim i romanit. Nuk e di nëse kjo është një e vërtetë e shkrimtarit në libër, apo një “lajthitje” e Kongolit tonë, pasi këtu lexuesi, e bashkë me lexuesin edhe personazhi ynë, Ardi, (dreqi e marrtë, u kujtuam për emrin e tij mëse të zakonshëm), merr vesh që simfonia katërrokshe, Si-do-re-la, ka nisur të shkruajë një roman!... Dhe ky roman, po si romani kongolian, është afër fundit! Shrimtari me pseudonim do ta lexojë me të mbaruar! Hëm! Ardi, ky Ard kaq i veçantë dhe i mbyllur në vetvete, bëhet paksa kureshtar. Paksa! Dhe mëson nga Simfonia e tij katër-rrokshe ngjarjen e romanit, as më shumë e as më pak atë jetë të lodhur të Si-do-re-lës! Mallin e saj për kohën e dikurshme. Nostalgji e pakapur dot nga Ardi. Por sidoqoftë, ai bëhet kurioz për fundin e atij romani. Mirpo një aksident në Amerikë e largon Simfoninë e tij! E në ndarje ajo i thotë, edhe pa aksidentin e të bijës ajo do largohej! Eh, nuk i rrihej më në atë vend (!?). E së fundi shkrimtari me pseudonim e ka lexuar romanin e saj, (një roman bulevardesk edhe ai i Simfonisë së shkurtër të Ardit), dhe ... për çudi, nuk e ka pëlqyer!.. Hëm! Thjeshtësi kongoliane?!.. Apo pendim shkrimtarësh!?.. E ndoshta as njëra e as tjetra, sepse asgjë nuk ka rëndësi! Narracioni bulevardesk hidhet edhe një herë, për herë të fundit në vazhdën aeroportase, ku Ardi shoqëron si përherë tashmë prindërit e tij për në Amerikë. Çudi panorama e afërt skenike tregon aty edhe ministrin e dikurshëm, tashmë një ish.ministër por deputet, pas disa gjurulldive të pamësuara dot në bulevard. Ky me të shoqen përcjellin djalin. Për ku, pyesin Ardi dhe prindërit e tij! Në Europë, apo në Amerikë? Nuk bien në një mëndje! Dhe venë bast. Ha-ha, bast!..

Me “Fordin” e tij të sakafosur kthehet në shtëpi. Dremit dhe i bëhet sikur do hidhet nga kati i 12 i kullës ku punon, për të protestuar. Idiot, e thërrasin. Zgjohet dhe shkon në punë. Si gjithnjë i përpiktë. Dhe e pret një surprizë!.. Bulevardeske!.. Kolege Migena i jep një ftesë për në dasmën e Eridës me gazetar Klitin. Si shoqërim merr më shumë buzëqeshjen e ëmbël të koleges! Jeta bulevardeske vazhdon. Ai shkon në shtëpi. Dhe në dymbëdhjetë të natës bie zilja e telefonit. Ahh, telefonata e zakonshme! Prindërit kanë mbrritur mirë në Amerikë! Qetësohet. Dhe basti i mëngjezit fitohet nga njëri prej pjestarve të shtëpisë. Djali i ish-ministrit ka shkuar të studjojë në Amerikë. –Lus Zotin të mos i ngjajë atij bajgës! –i thotë i ati nga ana tjetër e botës. Amin! –ia kthen Ardi nga Shqipëria, siç ka mbetur duket t’ia kthejë edhe lexuesi kongolian, apo i përgjithshëm, atij realiteti-bajgë të bulevardit metropolitan shqiptar, pa ditur nga t’ia nisë e ku të mbarojë, siç e kanë edhe këto romane jetësorë bulevardeskë!  

5 Komente

Titull ambicioz.

Ku e gjen gjithe kete kohe te lire njehere pa mire te tjerat

Kongoli eshte shkrimtar i tranzicionit, qe e trajton mjaft mire ne te vetmin liber qe i kam lexu, me nje stil aty mes modernes e kllasikes

Mund te lexohet mjaft mire edhe per pushime

Sipas pershkrimit qe i ben Marksi librit te Kongolit, ky liber duhet te jete per moshat 30-50 vjeç. 

Duhet lexuar patjeter kete vere ky liber. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).