analizë e shkrimit: Anti-psikologjizmi te Kanti, Hegeli dhe Marksi” nga Gent Carrabregu tek gazeta MAPO

                                                                   – 3 –

Në paragrafin e tretë të shkrimit, (më i gjatë ky, ndaj dhe po e përmbledhim shkurt), autori ynë është pak më i qartë, por sërish në pozicion jo objektiv. Ai vazhdon t’ua kundërvej tre filozofët gjermanë (Kant, Hegel, Marks) atyre tre britanikë (Lok, Hjum, Berkël), më saktë filozofinë e tre të parve atij psikologjizmi anglez, që na mbahej si filozofi. Problemi këtu është se autori ynë thjesht ka kopjuar ndonjë autor tjetër më të futur në filozofi, e i cili do ketë kapur vetëm ato kritika direkte të Kantit ndaj Lokut apo Hjumit, pa iu futur thellë vetë filozofisë së Kantit, që në fund të fundit nuk është gjë tjetër veçse një dhomë e mbushur plot me moral. Pra, ky psikollogjizëm anglez i përshtatet jo keq edhe Kantit, por ky është një problem i gjatë që nuk mund ta rrahim në këtë analizë.

I vetmi “argument” që autori ynë sjell për të treguar këtë kundërvënie të idealizmit gjerman ndaj atij psikollogjizmi anglez është përsosmërimi i rregullit të artë nga Kanti, të cilin e njeh çdo kush, nga ai “trajto të tjerët ashtu siç do të doje që të tjerët të të trajtojnë ty”, në këtë më të avancuar: “Sillu në atë mënyrë të tillë, që parimi ku mbështeten dëshirat e tua të jetë në të njëjtën kohë parimi i çdo ligjësie.” (Përkthimi që unë dhashë këtu është pak më i ndryshëm nga ai i autorit tonë, apo dhe nga disa përkthime të tjera, por më i saktë në domethënien kantiane.) Natyrisht, për këtë parim kantian ka me miliona artikuj dhe broshura, dhe nuk është vendi këtu ta diskutojmë këtë parim, ndryshe: tezë (urdhër) moralizuese. Këtu duam vetëm të tregojmë se nuk është e vërtetë ajo që na thotë filozofi ynë i ri shqiptar, ajo se ky parim e çpsikologjizon tërësisht pikëvështrimin moral [,] sepse e bazon atë në racionalitetin e pastër të njeriut si qenie e lirë. Vetë imperativi (urdhëri) si kategori e caktuar është një moral dhe psikollogji e caktuar. Pa iu futur pastaj metafizicitetit të saj, që flet vetëm për një periudhë dhe vend të caktuar. Mendoni p.sh., që një amerikan duhet të sillet në një xhungël afrikane njëlloj siç do të duhej të sillej në Amerikë! Apo që një italian i shek. të XIX duhet të sillet njëlloj siç sillet në shekullin e XXI, apo e kundërta! E gjithë kjo metafizikë nuk na vlen, pasi në çdo shoqëri kemi njerëz, kemi veprime, kemi parime të cilat i kapërcejnë kufijtë e vendit dhe kohës së tyre, duke na treguar dhe çuar shoqërinë në një etapë më të zhvilluar. Pikërisht kjo dialektikë hegelianë nuk ishte parashikuar në imperativin kategorik të Kantit. Mirpo "filozofit" tonë të ri shqiptar i ka mbetur ora në shekullin e XVIII.

Ajo që tregon se ky filozof (në thonjza) nuk kupton as edhe një gjë nga ato që shkruan, është vetë shprehja: “... e bazon atë në racionalitetin e pastër të njeriut...”! Të më fali lexuesi i analizës time, por unë akoma nuk mund ta mbaj dot të qeshurën kur lexoj të tilla shprehje të kopjuara e të pakuptuara nga vetë shkruesit dhe kopjuesit e tyre! Shprehje të cilat nuk na thonë gjë! Shprehje aq realtive, sa nuk di ku t’ia nisësh kuptimit të tyre, e ku mbarimit! Vetë fjala “racional”, “racionalitet” na tregon diçka; na tregon të kundërtën e iracionalitetit, të kundërtën e një ngatërrese, një pështjellimi, një të tëre të pandarë. Vetë fjala racion është ajo ndarje që bëjmë nga e tëra. Këtu nis rregulli. Pra nga e parregullta nis rregulli. Në filozofi, racionalistë u quajtën ata që në njohjen e natyrës vinin arsyen e njeriut si primare; me kalimin e kohës kategoria e filozofëve racionalistë u vendos si kundërvënie ndaj kategorisë së filozofëve empiristë, gjë që po ti futesh të “dy grupimeve” dallon se këto kategori –aq më pak filozofët e tyre– nuk qëndrojnë aq në kundërti të njëra-tjetrës. Këtu autori përpiqet ti qëndrojë asaj pikpamje të kundërvënies së idealistëve gjermanë ndaj atyre empiricistë anglezë, duke zgjeruar tani grupin kundërshtar ndaj empiricistëve anglezë, kështu duke u kundërvënë atyre të gjithë racionalistët (francezë, hollandezë e gjermanë), por duke na lënë shprehje pa kuptim, si kjo “racionalitetin e pastër”! Nëse ka ndonjë që mund ta shpjegojë se kush është racionaliteti i pastër i njeriut, apo racionaliteti i pisët i njeriut, apo jo aq i pastër, apo ashtu dhe kështu, le të dalë e ta ndihmojë filozofin tonë të ri! Por kam frikë se nuk do të dali njeri, pasi këto shprehje relative e kanë mbaruar misionin e tyre qysh në shekullin e XIX, ndaj dhe nuk i përdor më njeri në botë, përveç ca dallkaukëve të sotëm që marrin dëftesa dhe tituj me para, fenomen ky që ndodh jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kinë, në Amerikë, Angli, Gjermani, e kudo, fatkeqësisht.

Në paragrafin e katërt, po ashtu të gjatë, autori ynë vazhdon të fishkëllejë po në të njëjtën birë të zënë, pa e kuptuar se flet shumë pa na thënë gjë, (shiko shkrimin e plotë të autorit Gent Carrabregu tek gazeta MAPO). Ai hapet kot në pikpamje nënvleftësuese të Hegelit mbi historinë, për të na sjellë një paçavure të tijën në mbrojtje të historisë, duke harruar kështu se ishte pikërisht po ai vetë që deri tani mbronte kampin e idealistëve gjermanë ndaj atyre anglezë, -këta të fundit na hiqeshin si filozofë, por ishin thjesht vetëm disa moralistë psikologë, -siç u tha! Ja ç’thotë filozofi ynë: “Përkundrazi, filozofia ka për detyrë që të tregojë se si dhe pse historia është e mundshme të rikonstruktohet racionalisht si shpalosje gjithnjë e më eksplicite e një norme si liria, e cila është karakteristikë definuese e qënies njerëzore.”

Një njeri që ka lexuar mjaftueshëm në jetën e tij, kupton prej kësaj fjalie shumë. E para, autori na përsërit dy herë fjalën “historia”, kur me rregulla estetike të gramatikës, herën e dytë mjafton të shkruhet vetëm pronomi përkatës: “ajo”, dhe vetvetiu kuptohet historia. Ka shumë mundësi që ose autori nuk e ka kryer shkollën fillore, 8-vjeçare dhe të mesmen në Shqipëri, ose ka mundësi që ai ta ketë kryer atë këto vite të fundit në ndonjë fshat ose qyteze, ku mësimdhënia çalon mjaftërisht. E dyta, nëse Hegeli e shikon historinë jo si shkencë, (gjë që autori ynë nuk e shpjegon qartë si dhe pse), ndoshta sepse ajo nuk ndikon në historinë e mëtejshme, siç ndikojnë shkencat e tjera në degët e tyre, do të thonim në këtë rast që detyra e historisë është vetëm ti përshkruajë ngjarjet në objektivitetin e vet, ndërsa ndryshimin e bën njeriu pikërisht nga mësimi prej kësaj historie sa më objektive. Por kaq gjë të thjeshtë autori ynë e tejshkalon, duke dashur të na japë më shumë, (nuk e dimë nëse nga vetja apo nga ndonjë tjetër, ku ka kopjuar), tek thotë se filozofia mund të ndikojë tek historia nëpërmjet rikonstruktimit racional! Nëse këtu marrim kuptimin popullor të fjalës “racional-isht”, do të thonim se këshilla e autorit tonë është rreth 2500 vjet e vonët, pasi historia ecën pikërisht nëpërmjet këtij racionaliteti, (ndarjeve të ndryshme në etapa, shekuj, vite, vendesh, kulturash, periudhash, etj.). Nëse këtu marrim kuptimin filozofik të fjalës “racional-isht”, do të thonim se autori ynë nuk bën gjë tjetër vetëm se na lëshon një moralizim të shplarë dhe shumë relativ, i cili nuk na thotë më tepër se sa i thotë një prind fëmijës së tij: arsyeto, biri i babit! A nuk është kjo një këshillë relative, që interpretohet në të gjitha rrymat dhe idetë e njeriut!? Autori ynë nuk e kupton se i ka tejkaluar në moral dhe psikollogji edhe tre psikologët e tij “armiq” anglezë, që përmendi më lart! E treta gjë, që bie në sy në fjalinë e mësipërme, është fjala “eksplicit-e” (qartësi mjaft e thjeshtuar), një fjalë neo-latine kjo, e përdorur sot në gjuhët romane; këto dekada dhe vite të fundit përdoret gjërë edhe në gjuhët e tjera europiane, nga duket e ka marrë autori ynë, gjë që do tregonte se, aty ku autori ynë është mbështetur për shkrimin e tij, kemi të bëjmë me autorë të rinj që flasin shumë e thonë pak. Pra autori ka tradhëtuar veten, duke treguar se mbështetet jo në leximet e tija direkte tek empiricistët anglezë, as tek ata idealistë gjermanë, dhe as në tekste të vjetra shkolle të filozofisë, që janë mjaft të kompletuar. Por ai mbështetet në tekste autorësh të rinj, që e mbulojnë –po si autori ynë– injorancën e tyre nëpërmjet përdorimit të fjalëve “të mëdhaja”! E katërta që bie në sy në fjalinë e mësipërme është kategoria e lirisë, liria e njeriut në këtë rast, e cila na u bënka kusht për racionalitetin filozofik të historisë! Çdo kush ngre këtu pyetjen: përse liria qenka kusht i këtij racionaliteti të historisë? Fare mirë mund të thonim: edhe besnikëria ndaj të vërtetës është kusht i racionalitetit të historisë! Po ashtu, edhe ndershmëria, edhe morali, edhe evolimi i ligjeve juridike, edhe kontrolli dy-anësh, edhe besimi në Zot, edhe gjëndja e mirë ekonomike, edhe një përparim teknollogjik, do të na thoshte Hegeli, edhe ... pa fund, janë kushte të racionalitetit të historisë! Nëse ju jeni i ndershëm, natyrisht shkruani një histori më objektive nga një i pandershëm, kështu edhe ndikoni në përfitimin sa më objektiv të përvojës. Nëse ju besoni në Zot keni frikë të gënjeni, ndaj shkruani sa më objektivisht historinë. E kështu pa fund! Vetëm se problemi që na del këtu, (problem i sqaruar qysh në shekullin e XIX nga materializmi dialektik), është ai se çfarë quhet i ndershëm, kush quhet besnik, cili moral na detyron të jemi sa më objektiv, etj! Pra, koncepti i lirisë që na hyn këtu si kategori e caktuar në ndikimin mbi historinë, nuk ka pse të absolutizohet! Por duket, autori ynë na tregon edhe shkrimin ku ka kopjuar, duke na dhënë të kuptojmë se ai ka kopjuar ndonjë shkrim, që ka bërë fjalë kryesisht për lirinë si koncept dhe si kategori e caktuar në marrdhënien e saj me historinë! Përndryshe nuk kishim pse të kishim vetëm këtë koncept këtu!

Ja pra se sa kuptuam nga një fjali, pa llogaritur gjëra më të vogla e më të imta, që tradhëtojnë boshësinë e autorit tonë, si bie fjala: liria si karakteristikë definuese e qënies njerëzore! Se çdo të thotë këtu autori, unë nuk arris ta kuptoj! Po në këtë fjali ai na e trajton lirinë si normë (e një norme si liria), më tej në fjali e kemi si karakteristikë! Lëre pastaj ti futemi këtij ndikimi mbi historinë nëpërmjet racionalitetit filozofik, ku nuk e kuptojmë se si mund të shpaloset kjo liri e njeriut nga ky racionalitet!?! A bëhet këtu fjalë për lirinë e njerëzve që përshkruan historia, apo bëhet fjalë për lirinë e një autori të historisë!?! Të duket se bëhet fjalë për rastin e dytë, ku kjo liri autori është ndihmuar nga racionaliteti filozofik, por në fund të fjalisë bëhet fjalë për lirinë e njeriut në përgjithsi, që kjo histori përshkruan! Unë nuk e di, cili njeri mund ta zbërthejë këtë fjali në formën më të thjeshtë? Të flasim dhe ne me fjalë “të mëdha”: kush mund ta zbërthejë këtë fjali në formën më semplice dhe eksplicite!?!

Po në këtë paragraf, pas fjalisë së mësipërme, autori vazhdon: “Marksi, në anën tjetër, të njëjtën logjikë e shtyn të bëjë punë të re: ... “ Nuk po merremi këtu me shkrimin keq të gjuhës shqipe, (nuk duhet: të njëjtën logjikë, por duhet: e njëjta logjikë), çfarë na le dyshimin se kemi të bëjmë me ndonjë përkthim nga interneti me anë të googles; nuk po merremi këtu as me fjalët që në shqip shkruhen me dy “l”, pra me “ll”, si “psikollogji”, “llogjikë”, etj., të cilat autori na i jep me një “l”, çfarë tregon se ai ka mundësi të mos jetë rritur fare në Shqipëri, ose ai i kopjon të gjitha nga interneti pa korrigjimet përkatëse; por po merremi me atë kryesoren, se ndërsa në paragrafët e mësipërm Hegeli na doli në një grup me Kantin e Marksin, tani ai është veçuar nga ky grup! Dhe filozofi ynë i ri e korrigjon!!! Edhe për Marksin nuk kuptohet qartë, se nën cilën llogjikë shtyhet për të bërë punë të re, asaj të veçuar hegeliane, apo asaj të përbashkët anti-psikologjiane të idealizmit gjerman!?! Por vazhdojmë më mirë më tej, se këtë filozof të ri nuk ka njeri ta zbërthejë.

Paragrafi i pestë fillon: “Sa herë që mendoj për këtë aspekt të rëndësishëm të traditës filozofike gjermane, më vjen ndërmend hegjemonia gjithnjë e më e fuqishme sot në fushat e shkencave humane, ajo e psikologjisë dhe neuroshkencës. Nga përparimi i hulumtimeve shkencore në këto fusha, natyrisht, nuk kemi asgjë të keqe. Por, ajo që është për t’u kritikuar është tendenca naive natyraliste që pyetjeve të pastra filozofike tenton t’iu gjejë përgjigje në fushën e psikologjisë a të neuroshkencës. Sot është shumë e modës që të deklarohet e tejkaluar filozofia apo që koncepte kyçe të saj, si: liria e vullnetit apo arsyeja e pastër, të quhen iluzione që nuk janë shkencërisht të vërtetueshme. Me këtë rast, harrohet që teoria filozofike, ndonëse gjithmonë e kushtëzuar nga gjetjet shkencore, e ruan autonominë e pyetjes së vet. Naiviteti natyralist që është në modë sot nuk mund kurrsesi të zhbëjë këtë autonomi dhe argumentet më të mira për këtë na i kanë ofruar pikërisht treshja gjermane e filozofisë moderne –domethënë Kanti, Hegeli dhe Marksi.”

E dhashë të gjithë paragrafin për tu përpjekur ti biem sa më shkurt. Para se të filloj, do thoja se autori duket vjen nga Kosova, apo ka kontakte me njerëz nga Kosova, një vend ky me arsimim mjaft të dobët, do thoja më të dobtin në Europë. Ky dyshim të lind ku lexon në fjalinë e tretë: “... e psikologjisë a të neuroshkencës”. Kjo lidhëse “a" përdoret (për fatin e mirë të etimologëve) akoma në shkrime të shqiptarve të Kosovës. Panvarsisht nga vjen ky autor, do vazhdoja duke thënë se ai mund ta specifikonte drejtimin e shkencës neurologjike që përmend, duke mos e përgjithsuar si “neuroshkencë”; kjo do të tregonte se ai ishte vërtet i njohur me përfundimet e asaj (apo këtyre) shkence neurologjike. Më duhet ta pohoj se një term të tillë (neuroshkencës) unë e has për herë të parë në letrat shqipe. Këtë term e hasim vetëm në fillim të disa artikujve interneti, përfshi edhe Vikipedian, ku flitet në përgjithsi për shkencat neurologjike, pa i veçuar ato. Por këtu duhej sjellë të paktën një shembull, ku do tregohej se për cilën shkencë neurologjike bëhet fjalë. Përgjithsimi i autorit tonë tregon jo vetëm mosnjohjen e këtyre zbulimeve në këto shkenca neurologjike, por edhe nënvleftësim të tyre. Ai që nuk kupton, na thotë Gëte, i injoron gjërat!

Ajo çfarë na detyroi të ndaleshim në këtë paragraf është kalimi shkel e shko i autorit në problemin që ka ngritur vetë, atë që filozofia moderne, idealizmi gjerman (!), është akoma absolute në problemet e njeriut, panvarsisht zbulimeve të shkencave të tjera. Ai e pranon varësinë e filozofisë nga zbulimet e degëve të tjera shkencore, mirpo ai nuk na shpjegon se cilat janë këto pyetje të pastra filozofike? Nëse ai do të na sillte qoftë edhe një pyetje të pastër filozofike, që na ka marrë përgjgje nga shkencat neurologjike, atëhere ne do e besonim atë në definimin si naivë të këtyre natyralistëve! Nuk diskutohet që çdo zbulim shkencor i jep drejtim filozofisë, ashtu siç edhe mund ti bëjë të pavlefshme disa nga pyetje-përgjigjet e saja të mëparme, gjë që ka ndodhur e do vazhdojë të ndodhë! Por autori nuk na sjell asnjë fakt/ rast zbulimi shkencor, ku të tregonte këtë ndërvarësi shkencë–filozofi!

Tjetra gjë kryesore që na bëri ta japim të gjithë pasazhin janë këto kategori filozofike, si liria e vullnetit, apo arsyeja e pastër, të cilat në radhë të parë nuk janë koncepte, por janë kategori filozofike. Koncept është liria, koncept është edhe vullneti. Por të dyja sëbashku nuk janë më një koncept i caktuar, por kategori e caktuar, në rastin tonë: kategori filozofike, pasi trajtohen nga një rrymë e caktuar filozofike, ajo idealiste. Materializmi dialektik i Fojerbahut, Marksit, Engelsit, dhe shumë filozofëve francezë, i ka “shmangur” nga trajtimi këto kategori të caktuara, e sidomos të tilla si “arsyeja e pastër”, që nuk i thotë kurrgjë njeriut/ lexuesit.

Autori nuk na tregon as pyetjet e pastra të filozofisë, e as se cila është kjo autonomi e pyetjes së vet! Thjesht ai cilëson si naivë “natyralistët” e zbulimeve shkencore, duke na dhënë në fund një “fakt” sugjestionues, atë se treshja gjermane i ka argumentuar të gjitha! Unë vej bast që autori nuk ka lexuar as edhe një rresht nga Marksi, ndryshe ai do të kuptonte raportin Kant-Marks dhe raportin Hegel-Marks, raporte këto krejt të ndryshëm, të cilët nuk na lejojnë ti vendosim me një të rënë të lapsit të tre në një linjë.

Së fundi, me paragrafin e gjashtë me një fjali mbyllet ky shkrim. Në këtë paragraf thjesht përmendet një emër shqiptar, Ukshin Hoti, si mendimtar, filozof-politik, gjë që më bëri kureshtar ta shikoj dhe verifikoj në google. Personi i përmendur nuk ka lidhje me shkrimin e sipërpërmendur, por në Vikipedia shkruhet se ka qenë një profesor, shkrimtar, filozof, atdhetar, lindur dhe rritur në Kosovë, i arrestuar nga autoritetet jugosllave, dhe deri më sot nuk dihet gjë për fatin e tij. Duket se përmendja e emrit të mësipërm do të jetë bërë në formë kujtese dhe përmendoreje. Si qëllim, kjo është gjë e mirë! Intelektualët, aq më tepër ata që arrestohen dhe dënohen nga autoritetet shtetërore, duhen kujtuar dhe nderuar. Por këtu, ndonëse unë nuk e njoh këtë emër, (ne në Shqipëri nuk mund ti njohim të gjithë emrat e intelektualve në Kosovë), do thoja se përmendja e tij në një shkrim kaq të dobët, si ky i Gent Carrabregut, në vend ta ngrinte lart emrin e këtij njeriu të burgosur në ish-Jugosllavi, e ka ulur padashur poshtë. Kjo na tregon mjaft qartë se padituria, edhe kur don të ngrejë dikë lart, ajo bën të kundërtën e qëllimit të saj. Kjo është mjaft tragjike! Do thoja në këtë rast, edhe e dhimshme!  (FUND) 

PS: Me këtë shkrim kaq të dobët, si dhe shumë të tjerë si ky, gazeta MAPO tregon se vetëm pamjen e jashtëme e ka të bukur, ndërsa përmbajtjen të qullur.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).