E ardhmja e një terminali të planifikuar multimilionësh të naftës dhe gazit në Shqipëri është vënë në pikëpyetje pasi pronarët - biznesmenët e profilit të lartë Vojin Lazareviç dhe Damir Fazlliç - përballen me borxhe të shumta dhe urdhra të konfiskimi.

Sipërmarrësi serb i energjisë, Vojin Lazareviç, dhe partneri i tij në biznes, boshnjaku Damir Fazlliç, kishin planifikuar ta transformonin një tokë moçalishte të pavlerë afër portit shqiptar të Durrësit, 30 kilometra në perëndim të Tiranës, në një terminal ndërkombëtar të naftës dhe gazit.

Por plani i tyre ka bërë një kthesë të madhe prapa pasi që 15 hektarë tokë të blerë nga dyshja në Porto Romano përmes një rrjeti kompanish jashtë vendit, janë sekuestruar nga bankat shqiptare, dëshmojnë dokumentet nga Gjykata e Tiranës.

Sipas dokumeteve të siguruara nga BIRN në gjykatat Serbe njëra nga kompanitë kryesore në këtë skemë investimi–Alpha Shpk me seli në Tiranë – rrezikon gjithashtu të kolaterizohet nga Intesa Bank në Serbi si pjesë e e procedurave të falimentimit të filluara kundër firmës së Lazareviçit me seli në Beograd, Rudnap Group AD.


Vojin Lazareviç dhe Damir Fazlliç

Kompania, e cila ka qenë një ndër operatorët më të mëdhenj në tregun e energjetikës në Ballkan me një qarkullim vjetor prej 600 milionë euro, ka shënuar humbje në vitin 2013 dhe 2014 dhe ka dështuar ta paguajë një kredi prej 24 milionë euro nga Banka Intesa.

Auditorët e Grupit Rudnap kanë raportuar një “rënie të konsiderueshme të volumit në tregtinë me energji elektrike” në tremujorin e fundit të vitit 2014, ndërsa nuk ka pasur fare shitje gjatë dhjetorit të po atij viti.

Kjo gjëndje e kompanisë ka një ndryshim të madh me periudhën ndërmjet viteve 2007 dhe 2011, kur Rudnap arriti majat dhe ishte vazhdimisht në mesin e tre importuesve dhe eksportuesve më të mëdhenj të energjisë në Serbie.

BIRN po ashtu ka zbuluar që Fazlliç, që ka një rrjet të fortë aleatësh përfshirë edhe ish kryeministrin shqiptar Sali Berisha dhe përfaqësues të lartë nga Partia Republikane në SHBA, ka hasur vështirësi në pagesën e kredisë për apartamentin e tij 7 milionë dollarësh në Uashington DC.

Huadhënësi, Banka JP Morgan Chase, ka bërë një “ankesë për sekuestrimin e pronës” në tetor në një gjykatë në kryeqytetin amerikan. Procedura e sekuestrimit është pezulluar në janar, ndërkohë që prona është e listuar për shitje.

Huadhënësit në kërkim të borxheve 

Në Shqipëri, dy kompanitë e Fazlliçit dhe Lazareviçit, Crown Acquisitions dhe Alpha Shpk, nuk kanë paguar dy kredi bankare dhe kanë dështuar të paguajnë kompaninë ndërtuese Vega Shpk për punën e saj si kontraktore në terminalin e tyre të gazit dhe naftës, sipas të dhënave nga gjykata të marra nga BIRN.

Ndërmjet viteve 2006 dhe 2010, Fazlliç kishte blerë 20 hektarë tokë pranë parkut ekzistues energjetik të Porto Romanos në Durrës.

Vlera e tokës u rrit pasi ish Kryeministri Sali Berisha, një mik i ngushtë i Fazlliçit, mori një vendim kryeministror për të zgjeruar kufijtë e parkut për të përfshirë edhe pronat e reja të mikut të tij, duke i hapur rrugën zhvillimit të saj.


Pronat e Fazlic në Porto Romano

Më vonë, pronësia e tokës u kalua tek një firmë jashtë vendit, pasi Crown Acquisitions dhe Alpha Shpk u shitën te firma e regjistruar në Qipro Altaria Research Limited – kompania kryesore e Rudnap Grup të Lazareviçit.

Fazlliç, që ka mbetur drejtor i të dy kompanive shqiptare, i tha BIRN-it gjatë një intervistë vitin e kaluar që ai i kontrollon 50% të aksioneve në të dy kompanitë shqiptare – Crown Acquisitions dhe Alpha Shpk.

Në të njëjtën intervistë, Fazlliç ka thënë që ai dhe Lazareviç tashmë kanë investuar 30 milionë euro në projektin për terminalin e naftës dhe gazit por u duhen edhe 40 milionë për ta përfunduar atë.

Sidoqoftë, siç tregojnë dokumentet nga gjykata këto plane duket sikur po fundosen, pasi tashmë dy banka shqiptare i kanë sekuestruar 15 nga 20 hektarët nëpërmjet padive gjyqësore për shkak të kredive të papaguara.

Banka Tirana është tani në proces të shitjes së tetë hektarëve për të mbledhur borxhin e papaguar të kredisë prej 3.5 milionë eurove nga Crown Acquisitions dhe Alpha Shpk.

Banka Union ka hapur gjithashtu një ankand publik për 7 hektarët që ishin përdorur si kolateral për një kredi prej 840,000 eurove për Crown Acquisition.

Në të njëjtën kohë, firma e ndërtimit Vega Shpk, e cila ka kryer nivelimin e terrenit në tokën e blerë nga Fazlliç dhe Lazareviç, ka paditur me sukses Alpha Shpk për 933,000 euro dhe ka kërkuar leje nga gjykata për të shitur të njëjtit tetë hektarë aktualisht të vendosur në ankand nga Tirana Bank.

Problemet serbe 

Vështirësitë financiare për dyshen e biznesmenëve nuk përfundojnë me kaq. Në mars të vitit 2015, dega serbe e Bankës Intesa bëri një kërkesë në gjykatën komerciale të Beogradit për të hapur procedurat e falimentimit për Grupin Rudnap pasi ky i fundit ka dështuar të shlyej një kredi prej 21 milionë euro, ka zbuluar BIRN.

Banka Intesa për këtë kredi ka si peng tokë bujqësore në Serbi e cila është në pronësi të degës së Rudnap, Rudnap Agrar dhe Alpha Shpk me seli në Tiranë.

Fazlliçi dhe gruaja e tij vazhdojnë të shoqërohen me elitën politike Republikane në SHBA. Fazlliç ka postuar një foto të tij me kandidatin për president Marco Rubio në një tubim të Republikanëve të mbajtur në dhjetor.Fazlliç dhe gruaja e tij Amra, gjithashtu e fotografuar në këtë ngjarje elektorale, janë mbështetës të mëdhenj të republikanëve. Amra ka dhuruar më shumë se 12,000 dollarë për partinë Republikane që nga viti 2008, ndrërsa Damiri ka bërë një donacion prej 2,000 dollarësh për fushatën e dështuar të Mitt Romney në vitin 2012.

Në përgjigje të kërkesës së Intesa-s, vetë Grupi Rudnap në muajin vijues aplikoi për të filluar procedurat e falimentimit me një plan të parapërgatitur të ristrukturimit në mënyrë që të merret me të gjitha borxhet e veta.

Gjykata ka vendosur që të merret më parë më kërkesën e Rudnap-it në mënyrë që të vlerësojë të gjitha pretendimet e ngritura ndaj saj nga kreditorët, edhe pse akoma nuk është vendosur ndonjë datë për të shqyrtuar asnjërën nga kerkesat.

Vitin e kaluar, BIRN zbuloi se në vitin 2013 Grupi Rudnap i Lazareviçit hasi në vështirësi në shlyerjen e dy kredive me vlerë prej 27 milionë euro tek banka austriake Hypo, të cilat më pas u transferuan te biznesmeni kontrovers austriak Martin Schlaff, i cili kishte qenë partner i Lazareviçit në një projekt luksoz turizmi në Mal të Zi. Në shkëmbim, Lazareviçi hoqi dorë nga aksionet e tij në projektin akoma të pandërtuar.

Të dhëna nga gjykata në Uashington DC tregojnë që apartamenti luksoz i Fazlliçit në kryeqytetin amerikan ishte në proces sekuestrimi nga Banka JP Morgan Chase, edhe pse kjo padi është pezulluar “me pëlqimin e palëve” më 11 janar, çfarë sugjeron që Fazlliç dhe Banka kanë arritur një marrëveshje.

Apartamenti 370 metra katrorë mbetet i reklamuar për shitje për vetëm 7 milionë dollarë në disa uebsajte të pasurive të patundshme në Uashington DC. Agjentët imobiliar e përshkruajnë si “i rinovuar tejmase bukur” me “një biblotekë të mahnitshme druri të kuq dhe qilar vere me klimatizator”.

Zyra e Tatimeve në Tiranë gjithashtu e ka akuzuar Fazlliç për shmangie të taksave  dhe i ka vendosur një barrë prej 8,500 euro, ndërkohë ka ngrirë llogaritë e tij në vend deri sa borxhi të ripaguhet.

Fazlliç nuk i është përgjigjur kërkesave të BIRN për koment në lidhje me gjyqet e ndryshme të borxheve ose për fatin e projektit të terminalit të naftës dhe gazit në Shqipëri.

Ndryshe Grupi Rudnap ka dhënë këtë deklaratë: “Grupi Rudnap është në proces të ristrukturimit që përfshin negocimin me kreditorë në harmonizim dhe pajtim për një plan të pranueshëm.

“Të gjitha projektet janë të mbuluara nga ky plan dhe zhvillimi i mëtejshëm i tyre do të harmonizohet sipas marrëveshjes mes kompanisë dhe kreditorëve të saj.”

15 Komente

Po dhe nje rast investimi qe iu paraqit Shqiperise se varfer nga dy kotheraxhinj, u dhje ja dhjevsha racen smiley 

O fazllico na rrofsh per vere. 

Problemet financiare te Damir Fazllic marrin te tatepjeten - sikur e permban dyfish pohimin ky titulli

Pse nuk e ndihmon Argita me Zenin? Miku i mire ne keto raste njihet

+1

Po te bosh foto me zgjebarakun Marco Rubio tatepjeta kthehet ne pingul dhe arrin me shpejt ne fund. 

Ja dhe njeriu qe leket/paret e fituara nga puna e lodheshme si kryedoganier smiley  me ne fund i ka investuar

Cudi si ska nje koment të vetem nga armiqte e qeveriste betonfashiste smiley

aha, s'ndihen jo ... smiley

Pse ç'kujton ti, kollaj eshte me vra baben??

Oh Stalker, nuk di ne do te ishte e mundur te komentohej me me pak lidhje. Gjithashtu, per aq sa eshte neverites afrimi i opozites me protestat ambientaliste, eshte po aq i tille zhvleresimi i tyre si politike, antiqeveritare, pro-opozitare, etj. Te ridikulizosh nje kauze te tille do te thote te jesh privuar nga principet, bonsensi dhe aftesia per te njohur interesin qytetar... Per hir te simpative partiake? E trishte, Stalker.

Hahaha, 

Birni merret me drurin e kuq mahogany te bibliotekes se ketij ne vashingtua, smiley  , por nuk na skjaron per mekanizmin se SI, QYSH dhe TEK na u be kaq i fuqishem ne Shqiperi ky boshnjaku i vogel. smiley

Gazete Investigative kjo aspi! smiley

Investigativja e bythes. 

Plus qe shqipja, tamom si e nji robi qe ka msu me shkrujt ke budrumi i shpise ne Podujeve, me 3% e Bim Rugoves.

Mizerje! 

Ndoshta te ka shpetuar?

Vlera e tokës u rrit pasi ish Kryeministri Sali Berisha, një mik i ngushtë i Fazlliçit, mori një vendim kryeministror për të zgjeruar kufijtë e parkut për të përfshirë edhe pronat e reja të mikut të tij, duke i hapur rrugën zhvillimit të saj.

Dhe me siper kesaj thuhet qe ka lidhje te forta me Berishen. Jo cdo artikull duhet te beje histori te detajuar te gjithe historise se personit a kompanise. Ne kete rast tema eshte deshtimi financiar i deri tanishem i Fazllic. BIRN ka shkruar artikuj te tjere qe trajtojne detaje te tjera te tij. Psh. ky artikull. Ose ky. Tjeter eshte ky.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).