Në zgjedhjet e fundit të 26 shkurtit për ulëset në parlamentin iranian, të ashtuquajturit Reformistë, bënë çudinë e madhe në Teheran, duke ua marrë të 30-ta vendet Radikalëve, veçse kujdes, ndryshimi që pretendon Perëndimi është ende i largët. Në fuqi janë sërish mullatë dhe shteti që funksionon sipas mënyrës së vet duke respektuar Ligjin Islamik, traditën dhe identitetin…duke i bërë sfidë fillimisht vetes së vet dhe duke kërkuar në planin afatshkurtër të kapin normat e para-sanksioneve, që do të thotë pompimi i rreth 4 milion fuçive nafte në ditë!!! Ky është qëllimi kryesor, të tjerat vinë pas…  

Nga Teherani (fund-shkurt 2016), Ben Andoni

Ai është ditë e natë aty. Është në detyrën e një manekini të gjallë, veshur me një si biçim redingote rekuizite teatri ngjyrë çiklamin, me siguri veshje tradicionale e kushedi kujt zone gjeografike të Iranit. Qëndron i ulur rreth një si mangalli të dekoruar bukur dhe fton myshterinjtë me një lumë fjalësh drejt një hyrje, nga e cila duken ca shkallë që të çojnë poshtë. Kam disi siklet të hyj brenda prej gatimit pikant dhe moskuptimit të Farsit prej gojës së tij, gjuhës kombëtare të iranianëve, njërës prej degëve gjuhësore me interesante të pemës indio-iraniane. Kaloj përditë dhe ndjej se ndiqem nga ai me sy. Po kë mund të votoj vallë ky personazh xhuxh, që duket si i dalë nga thellësitë e shekujve të persëve?

Prej ditësh në Iran, i ftuar si vëzhgues zgjedhjesh nga media, mundohem të ndaj njerëzit se për kë do votojnë: Radikalët apo Reformistët?! Çfarë rebusi? Propaganda dhe lajmet që vinë në kontinentin tonë këta i bën krejt t’zi. Organizojnë dy zgjedhje sëbashku, ato parlamentare dhe Kuvendin e Ekspertëve. Janë 55 milionë votuesve, por dy ditë më vonë thonë se vetëm 60 për qind kanë arritur të marrin pjesë në votime. I mirëkuptoj prej mungesës së infrastrukturës dhe kushteve gjeografike të vendit gjigand prej 1.648.195 km2 shtrirë mes Turqisë, Irakut, Pakistanit, Afganistanit, Turkmenistanit, Armenisë dhe Azerbaixhanit. Por edhe se në votime janë rreshtuar një divizion me 4844 kandidatë, duke përfshirë rreth 500 gra, që konkurrojnë për një ulëse në parlamentin 290-vendesh ose Mexhlisin e tyre. Në votimin tjetër, tejet të koklavitur, një total prej 159 kandidatë garon për Kuvendin 88-anëtarësh të Ekspertëve, i cili ka detyrë kushtetuese të zgjedhë një lloj Senati, që nxjerr Liderin Suprem ose Ajatollahun e madh, kur lind nevoja.

Në kishën e bukur armene të Teheranit mbërrijmë rreth orës 11.30 të së premtes së 26 shkurtit. Është ditë pushimi dhe dita e madhe e zgjedhjeve. E Premtja e tyre është e Diela jonë. Kjo ditë ka nisur e qetë, krahasuar me zallamahinë e zakonshme të trafikut që përcjell një ndotje pakufi në Teheranin 8 milionësh. Jam i caktuar aty dhe mrekullia e liturgjisë në kishë më shkëput krejt nga detyra. Armenët e mbledhur në navatën kryesore më shikojnë me bisht syri, sepse nuk më identifikojnë të jem nga grigja e tyre pak qindramijëshe në Iran. Në ligjin zgjedhor ata votojnë thjesht për kandidatët e komunitetit të tyre dhe pikërisht në kishë. Persët i kanë lënë të lirë këtu pas mureve të kishës për shërbesat dhe respekti është dy palësh në jetën pas mureve.

Rebusin e pyetjes sime Radikalë apo Reformistë ma zgjidh një kolege perse e “Teheran Times”, që sapo mbaron para meje intervistën me primatin armen të Kishës së Lindjes së Mesme kryepeshkopin Sebouh Sarkissian. “Radikalëve, thuaj Principalistë dhe Reformistët ashtu, si po ma thua mua! Kështu, drejtoju!”, më thotë me një anglishte të mrekullueshme. Bëj intervista tip vox-pop dhe përshtypja që nuk më ndryshon deri në fund është dëshira e të gjithë iranianëve për të votuar dhe procedura e ngatërruar.

Ali Ahmadi, njeriu që ka marrë përsipër të më shoqërojë, përkthen nga persishtja në një anglishte të paqme perse. Mban me vete certifikatën time të sigurisë, krejt të pakuptueshme por të këndshme prej alfabetit të mrekullueshëm, ku unë kam nënshkruar se duhet të respektoj ligjet e shtetit Islam.

“Më thuaj se çfarë duhet të mos bëj?!-ia pres, kur për badge time një grua e mbuluar krejt më bën një foto dokumenti. Aliu, një 35 vjeçar tepër i qetë dhe i sjellshëm më sqaron qartë: “Ushtarët, zonat ushtarake, femrat, klerikët, nëse nuk të lejojnë…Dhe merr leje, kurdo e kudo. Kujdes, kemi kërcënime dhe këtu nga ISIS, edhe pse ua kemi treguar vendin…”.

Kjo është matrica, pra dhe korridori im i lëvizjes. Në fakt harroj shpesh, edhe kur nuk marr leje për foto, iranianët e thjeshtë në përgjithësi janë dashamirë. Votimi zgjat shumë dhe orari zgjatet tre herë nga autoritetet, dita e votimit rezulton torturuese, por dëshira e njerëzve për të votuar është ngazëllyese.

Ngado radha të gjata dhe njerëz që rrinë ngjitur në një ditë të ngrohtë. “Pse nuk hapni më shumë qendra?”-i them dikujt në komisionin e votimit të armenëve, që është po aq konfuz sa komisionet tona.  Ngre supet.

“Kemi hapur me qindra në xhami dhe në shkolla, por janë 33 milionë që duan të votojnë”, ma pret, një nga deputetët armenë, që është në mandatin e fundit në parlament. Iranianët e mbajnë vetë rregullin, kurse policia me disa lloj veshjesh dhe pak ushtarë, gjenden jashtë qendrave me armën karakteristike. Pak orë më vonë në distriktin jugor të Teheranit, i avitem një dinjitari mysliman veshur me rrobën karakteristike të klerikut, rrethuar me shumë të fortë, që nuk e lënë kaq lehtë. Ndërrojmë pak fjalë. Aliu përkthen. Autoritetet na kanë lejuar ne gazetarëve të huaj, që mund të lëvizim kudo. Madje, nuk na pengojnë dhe ushtarakët e ndryshëm, që i ruajnë nga afër zgjedhjet. Kuptohet e shprehin hapur bezdinë.

Në pjesën e Jugut, ose të ashtuquajturat bastione të radikalëve, njerëzit janë më të paqëm dhe më të varfër, kurse në Veri tek të Moderuarit, njerëzit duken më indiferentë, por janë dhe më trendi në veshje dhe shumë të çlirët. I afrohem dinjitarit dhe i bëj pyetjen evropiane se kë mendon se do të fitojë nga dy kahet:  

“Në Islam, nuk ka ndarje të tillë, dhe “të moderuar “do të thotë  “rrugë e drejtpërdrejtë”, më thotë. “Ajo që është në kundërshtim me rrugën e moderuar nuk është radikalizëm, si e quani Ju por devijim nga rruga direkte!! …. Por, në vijë të drejtë, disa njerëz mund të shkojnë më shpejtë dhe disa ecin më ngadalë”. Është një lloj arsyetimi që të merr mendjen me sofizmin, por këtu filozofia është mënyrë jete.

Vendin e Zarathustrës, që po e botoj prej javësh te “Milosao”, të zbulon gjithnjë të papritura. Më qesh dhe ndahemi. Mban radhë si të tjerët. Më ndjek me vështrim dhe i qeshim shpesh nga larg njëri-tjetrit. Kap episode. Paqartësitë. Si mbajnë rregullin. Dorëzojnë në fillim pasaportat dhe shenjën me ngjyrë në mollëz e përdorin dhe si firmë. Iranianët votojnë bashkë. Disa i hedhin të dhënat që nga celulari! Edhe gratë me hixhab më lenë të lirë dhe badge e autoriteteve për ne të huajt është si bekim. Vetëm se nuk lëviz shpejt. Kam mbërritur vetëm pak orë më parë dhe një dhimbje e paduruar, gati më mban t’thyer në mes…Qetësohem.

Ulem diku dhe shikoj një invalid me një parullë në persisht dhe një djal të ri që në anglisht ka të shkruar keq një parullë mbështetëse për Ajotallahun. Duket krejt i mpirë, por edhe pak artificial, këtu ku janë shumë të huaj. Ka shumë të rinj, 3 milion syresh votojnë këtë vit për herë të parë. Rrinë kokë më kokë dhe mbushin një fletë plot emra. Seriozë.

Votimi në Teheran është i mundimshëm, pasi për të zgjedhur 30 emra duhet të seleksionohen 1.121 kandidatë për Mexhlisin e tyre. Mundohem të kuptoj më shumë prej studentëve. Një i tillë më thotë se po rritet një klase e mesme e moderuar që përcjell shumë ide ndryshimi. Kjo është në Teheranin e Veriut. Këtu njerëzit dallohen nga veshjet por edhe nga mënyra sesi femrat e mbajnë krejt të ulur hixhabin por edhe nga lirshmëria sesi mund t’u afrohesh. Në Teheran, sipas disa statistikave 84 përqind të popullsisë e përbën klasa e mesme, që kërkon ndryshimin në zgjedhjet e para të vendit që nga marrëveshja historike bërthamore me fuqitë botërore.

Dy ditë më parë, Lideri i Revolucionit Islamik Ajatollah Sexhid Ali Khamenei, një burrë i vjetër, dhe që diku lexoj se është i sëmurë, deklaron se armiku ka dështuar të parandalojë besnikërinë e popullit iranian nëpërmjet presionit gjatë 37 viteve të fundit pas revolucionit. Rebusin tim dhe kolegëve të mi e quan “bipolaritet të rremë”. Më duhet të sqaroj se e vlerësoj që ndryshimi këtu ndodh ngadalë por nuk kuptoj sesi ende arrin e kontrollohet gjithçka!!!

“Është e thjeshtë: Mullahët janë ende në krye, Garda e revolucionit po ashtu”, më thotë një evropian, që do të bëjë një stand-up. Vetë zgjedhja e Hasan Rouhanit si president konsiderohet si një moment moderimi në historinë e shtetit tejet të kontrolluar. Por jo aq. Perëndimi gjithnjë flet për një shtet teokratik, ndërkohë që zgjedhjet na dhanë pamjen e një Konsensusi të papritur, kur tradicionalistët e  Reformatorëve bashkuan forcat me Principalistët (radikalët) e moderuar për t’iu kundërvënë forcave radikale në të dyja krahët e spektrit politik. Në fakt, ky koalicioni i moderuar nuk e ka fituar kontrollin e parlamentit dhe Ekspertëve, pasi nuk janë lejuar për të kandiduar  në të gjitha juridiksionet. Janë skarcituar shumë emra. Një koleg i huaj më thotë se në disa rrethe janë vetëm kandidatët konservatorë…Kjo më ikën ngaqë shikoj një vajzë të trukuar çuditshëm. Me buzë të lyera krejt jeshil më thotë se është bërë kështu ngaqë do votojë hapur për Reformistët! E fotografojmë të gjithë…

Si votojnë

Kolegut gazetar, që nuk ma tregon identitetin, i pëlqen shumë të rrëfejë. Vjen. Ikën. Shkëputem. Më mbarojnë bateritë dy herë. E lë të bëjë foto me një aparat të stërmadh. Dua të punoj vetëm. Irani është shumë i lakmueshëm, sido që ta vështrosh. A ka ndryshuar diçka? Nuk e di. Duhet të jetosh vite ta kuptosh një vend, ca më shumë Iranin, me atë traditë të madhe kulture dhe politikë të ngatërruar. Ulem në tokë dhe flas sërish me disa studentë, që rrinë këmbëkryq. Janë të grumbulluar dhe hedhin sytë nga fleta e njëri-tjetrit. Dikush nxjerr të dhëna nga një celular. Njëri me një anglishte të keqe më shpjegon se votojnë bashkë se lista është me shumë emra për Këshill. Nuk ekziston dhoma e fshehtë por vetëm pak ndarje. Më vjen çudi se fotografoj në një vend një person të vetmuar dhe në atë vend të gjithë kolegët e huaj bëjnë të njëjtën gjë. Iranianët përdorin shumë të ashtuquajturin Telegram, What’s Up-in tonë. Krijuesi i saj rus mëton se qeveria iraniane po e tepron me kontrollin ngaqë do të ketë akses në informacionin e përdoruesve, ndërsa Irani mbrohet me faktin se duan akses vetëm kundër pornografisë dhe terrorit. Ky program i kalon sot të 100 milion përdoruesit dhe është i shtrirë në Rusi dhe SHBA. Në këtë rast, Telegram i ka ndihur shumë votuesit të shikojnë mendimin e atyre që i këshillojnë!!! A lejohet? Kush do t’ia dijë!

Vështirësitë dhe jeta

Irani ka një pafundësi portretesh antropometrikë, që gjithsesi ti e kap tipin vendas, por jo veshjen. Veshja është shumë qytetare, përveç mullave të shumtë dhe femrave, ku dominon hixhabi i zi. Të rinjtë janë shumë modernë dhe përdorin celularë të shtrenjtë…Janë shumë socialë, që do të thotë kanë jetë të pasur, ndërsa në masë shfrytëzojnë parqet e shumta, ku kalojnë kohën e lirë dhe bëjnë sport. Klubet dhe restorantet apo fast-food e tyre janë plot. Kinematë japin dhe filma amerikanë, por jo të fundit, që duhet të filtrohen. Stalone dhe Shvarcenegeri mund t’i marrësh në vidioteka. Llojshmëria e dyqaneve s’është shumë e madhe, dominojnë gjërat për të ngrënë dhe veshjet. Gruaja është dominuese në shtëpi dhe ligji i jep shumë të drejta në rast divorci, kjo është arsyeja që tradhtia bashkëshortore paguhet shtrenjtë. Grua e bukur, i them Aliut për një grua me një pamje shumë krenare, që na pret udhën.

“Po, por ne nuk themi kurrë grua e bukur sepse quhet ofendim”, më pataks.

“Ne nuk e themi kurrë, apo më keq t’ia themi në sy sepse atë duhet t’ia thotë vetëm i shoqi apo njerëzit e familjes, kurse kushdo tjetër shpreh qëllim jo të mirë. Kujdes!”, më thotë. Po, por ajo ishte vërtetë e bukur, i them naiv. “Për shtëpinë e vet”, ma mbyll. Pështyjnë njësoj si ne në tokë. Nuk duan t’ia dinë. Kurse po u përplase rrugës në kalim, harroje pardonin! Anipse, janë gati të ndihmojnë dhe janë shumë miqësorë. Iraniani është dashamir dhe i edukuar.

Në fakt është edhe një klasë tjetër, ata që janë pasuruar frikshëm në këto vite pas luftrave. Këta janë cinikët. “Ata u pasuruan, ndërkohë që njerëzit e thjeshtë luftonin në Irak dhe shteti i mbante, ndaj duhet të kuptosh hendekun e pasurisë dhe atdhedashurinë e iranianëve”, më thotë Aliu. Mu këta të pasurit, janë ata që përcjellin fotot e frikshme të luksit. Po pse nuk tatohen?-më shumë. “Duhet të futemi në një diskutim të gjatë për periudhën pas Luftës me Irakun dhe shtresëzimin social”, më thotë. Vitet e fundit, çmimet e naftës, përcaktuesi kryesor i rritjes ekonomike në Iran, ka rënë me tre të katërtat që kur Rouhani mori detyrën, dhe fati i keq i tij ishte se marrëveshja bërthamore mori shumë më tepër kohë për t’u nënshkruar. Irani pati një inflacion të frikshëm dhe ndaj u detyrua të ndjekë politika të shtrënguara monetare dhe fiskale. Rezultati ishte negativ: 300.000 më pak vende pune në qytete, kurse shpenzimet për frymë ranë 13.8 përqind në zonat rurale dhe 5.4 për qind në zonat urbane, ndërkohë që 1.3 milion njerëz në mbarë vendin jetonin me minimumin e tyre jetik, që është nën 5 US$ për person. Një shifër që gjithsesi është dyfishi i asaj që deklarohet për ne, në mos gaboj. Gjithsesi e gjithë kjo politikë e ka ulur në 10 për qind inflacionin. Kjo e bën Presidentin Rouhani të jetë krenar dhe tani i nevojitet miratimi i shumicës në parlament, për t’i vënë reformat e tij ekonomike në praktikë. Në ditët e qëndrimit hasem me shumë luftëtarë të luftës Iran-Irak, që kanë dhënë gjithçka dhe besojnë verbërisht te vendi i tyre. Familjet e tyre janë ushqyer nga shteti, ndërkohë që ata luftonin krenarisht.  Iranianët kanë përdorur madje një si triskë për të varfrit dhe njerëzit e luftës. Njësoj si ne dikur, zhvillohen me plane pesëvjeçare, por ndryshe po mendojnë për reforma pro-tregut. I them Aliut se edhe ne kemi ecur kështu dikur. Dëgjon. S’më kupton. Njësoj dhe unë. Më shpjegon sesi funksionon. E veçantë është se të gjithë të flasin hapur dhe për sikletet më të thella. Me disa kolegë në një nga agjencitë e tyre të shumta të lajmeve bëjmë një bisedë të gjatë për Shqipërinë dhe Iranin. Janë të çuditur me pritjen e muxhahedinëve në vendin tonë, e më shpjegojnë se nuk e dimë sesa të rrezikshëm janë, ndaj më duhet t’u shpjegoj gjenezën e mikpritjes sonë, por edhe detyrimin ndaj SHBA-së. Më duket se e kuptojnë. Në Iran, pretendojnë se kanë media të pavarur, por nuk e kuptoj opozitën e tyre, teksa nuk mund të lexoj gjuhën e tyre. Çudia më e madhe është se të gjitha financohen nga shteti!!! Ndryshimi po ndodh ngadalë edhe këtu por kjo i shqetëson fare pak. Iranianët krejt ndryshe nga evropianët e duan dhe e respektojnë në thelb shtetin e tyre. Për evropianët, kjo ka pak rëndësi dhe ende po i lodhin. Disa banka të mëdha evropiane nuk i kanë ngritur ende sanksionet ndaj Iranit dhe kjo përbën një sfidë tjetër për diplomacinë e vendit.

Ekonomia

Kjo e fundit ka se çfarë të thotë. Përveç angazhimit në Siri tani do të zërë vendin e saj në politikën e botës. Irani është eksportuesi i parë i naftës në Lindjen e Mesme dhe në shekullin e fundit ka bërë para duke shitur thjesht burimet e veta natyrore. Kjo mënyrë e lehtë dhe disi dembele i ka zbutur pak taksat, ndërkohë që i ka dhënë mundësi qeverisë të ketë mundësi financiare për investime me petrodollar…Pra paratë janë bërë me naftën dhe nuk e kanë vështirësuar pjesën e taksave, për të cilën iranianët, në vitet e ardhshme do përballen me sfida reale xhepi. Sistemi i taksave nuk është ende lodhës për kurrizin e tyre, por është disi arkaik. Nëpërmjet një ligji të ri mendojnë që t’i dyfishojnë taksat, por edhe ta modernizojnë sistemin në mënyrë që të ndikojnë direkt në GDP…Iran ka një bursë, e cila ka akronimet TSE (Tehran Stock Exhange) dhe që në ditët ku jam unë mbetet aktive, por me pak humbje. Konkurrencën ekonomike nuk është se e duan hë për hë. Shteti ende vëzhgon me kujdes gjithçka. Kurse për të tërhequr investimet e huaja kritikët i ke njësoj si nga e Moderuarve por edhe nga  Principalistët. Presidenti Rouhani i pëlqen që njësoj si paraardhësit e tij të ketë një mandat të dytë katër-vjeçar në vitin 2017, e cila i duhet të tregojë në terren sesi mund ta kthejë fitoren e tij diplomatike në negociatat bërthamore në transformim ekonomik modern. Një profesor armen më shpjegon se fitorja e parë ekonomike është se uli inflacionin, ndërsa ka filluar realisht lëvizjet pro Perëndimit. Ka të drejtë. Gjermania është vendi që e këqyr dhe po e mendon Iranin realisht si një treg të madh për të ardhmen e saj. Ministri gjerman i Ekonomisë Sigmar Gabriel do të çojë një delegacion ekonomik me mbi 100 kompanitë kryesore gjermane industriale dhe tregtare në Teheran, ndërkohë që përfaqësuesit e 70 kompanive iraniane, të kryesuar nga ministri i Energjisë Iraniane sapo u kthyen prej Berlinit. Rezultati: Siemens nënshkroi një marrëveshje me grupin iranian MAPNA për të ndihmuar modernizimin e infrastrukturës energjetike të Iranit. Dhe po Siemens ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për të përmirësuar infrastrukturën hekurudhore me 1.5 miliard euro (1.6 miliardë $). Ndërkohë që makineri, kimikate, aparatura të kujdesit shëndetësor po i tregojnë firmat gjermane, si përfituesit më të mëdhenj të hapjes së tregut iranian. Në ditët e qëndrimit shikoj një përmirësim të marrëdhënieve me Indinë, vendit ku persishtja ishte dikur gjuhë zyrtare e perandorisë Mughal…India dhe Irani mbështesin NATO kundër Talibanëve. Dhe, jo më kot, Irani jep 250.000 fuçi nafte në ditë si furnizuesi i gjashtë i saj…Potenca ekonomike ka bërë që fuqia e votës së Iranit të jetë rritur edhe në përfaqësimin në FMN në 0.75 nga 0.62 %, që ishte më parë. Kuotat respektive të vendeve bazohen në mesataren e GDP, hapjen, variabilitetin ekonomik dhe rezervat e llogaritura ndërkombëtare…

Kujdesi për mjedisin, shëndeti dhe turizmi

Mu pikërisht këto i kanë bërë që të kalkulojnë qartë edhe politikat e tjera. Nga 20 që i kanë vdekjet foshnjore për 100.000 lindje duan t’i zerojnë më 2030! Veçse nuk mund të fshehin problemin e alkoolit, që megjithëse është i ndaluar, konsumohet shumë. Në vend janë ngritur shumë qendra detoksinimi, ashtu si kanë shpallur një luftë ndaj cigares, që ata e llogarisin në gati 50 milion paketa në vit, që përkthehet si shkaku i 90% të sëmundjeve respiratorë, 80% të bronkiteve dhe 25 % të komplikacioneve të tjera. Këtë më shumë e përkthejnë në problem ekonomik, pasi duhanpirësit iranianë shpenzojnë rreth 8 milion dollarë për duhan çdo ditë, ku vetëm kostoja e trajtimit të sëmundjeve të lidhura me të është dy-fishin e kësaj shifre. 1.4 milionë iranianë kanë karta donacioni organesh dhe deri më tani 1,000 transplante të mushkërive janë kryer në vend duke e bërë shëndetësinë vendase më të mirën në të gjithë rajonin. Dhe ndotja. Kjo është e tmerrshme në Teheran dhe kudo janë ngritur tabelat që japin parametrat e momentit. “Sot, jemi mirë, më thotë Aliu ditën e votimeve, duke më bërë me shenjë nga një tabelë që tregon dioksidin e karbonit dhe elementët e tjerë të ndotjes. Ka ditë që nuk sheh fare prej ndotjes”, më sqaron.

7500 ton plehra prodhohen në Teheran përditë dhe autoritete thonë se një ton plehra është përgjegjës për prodhimin e 1.4 ton ndotësve të tilla si monoksidit të karbonit dhe dioksidit të karbonit. Kanë kuptuar qartë se u duhet të përmirësohem pasi duke iu referuar statistikave kanë një rritje 12-14% për qind në numrin e vizitorëve të huaj në Iran gjatë dy viteve të fundit, e pritet që vendi do të presë rreth 20 milion turistë në vitin 2025. Që duhet thënë se Flota Ajrore me 250 aeroplanët por që 150 duhet t’i heqë menjëherë, nuk i mban dot më. Jo më kot, qytetarët iranianë blenë 12 miliardë USD bileta nga 2012-2015…!!! Vendit, prej hapjes, do t’i duhet për të blerë 500 avionëve komerciale të modeleve të ndryshme me një kosto prej 50 miliardë dollarë, ku 100 aeroplanë do i merren direkt Boeing-ut, si pjesë e një plani për të rinovuar flotën iraniane të aviacionit.

Rendi

Kjo është ana e bukur dhe që i nget për të drejtat e njeriut. “Po pse keni aq të ekzekutuar?” e pyes Aliun. “Këtu nuk falesh. Kryesisht njerëzit e drogës, nuk falen, por edhe vrasësit dhe sidomos ata që janë terroristë. Nuk ka falje për ta”, ma pret serioz. Në fakt një vend i rrethuar nga prodhues potencialë droge duhet të mendohet paq. Vetëm në Jazd, provincën qendrore janë zbuluar dhe konfiskuar vitin e fundit mbi 31 ton droga ilegale. 54% më shumë në krahasim me sasinë e konfiskuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vetëm në këtë zonë janë shpërbërë 41 qendra të trafikimit të drogës dhe konfiskuar 378 automjete të lehta dhe të rënda që përdoren për kontrabandë droge. Llogarite të gjithë vendin! Iran, i cili ka një kufi 900 kilometra të përbashkët me Afganistanin, ka qenë përdorur si kanal kryesor për kontrabandë droge afgane drejt Evropës. Lufta kundër Iranit i ka kushtuar 700 milionë USD, por edhe shumë energji në parandalimin e tranzitin e narkotikëve të destinuara për vendet e Evropës, Azisë, Arabe dhe të tjera. Dhe të mos harrosh se lufta kundër tregtisë së drogës, ardhur prej Afganistani i ka marrë jetën e rreth 4,000 policëve iranian gjatë 34 viteve të fundit.

Nafta dhe gazi

Dhe, e lënë në fund, por që është kryesore është ajo që e lakmojnë të gjithë. Karburanti këtu është gati 18 cent. Aliu, teksa i biem kryq e tërthor Teheranit furnizohet deri dy herë. Pa shqetësim. Në kushte të tjera do duhej që udhëtimet tona t’i bënim me mjete publike. “Ndoshta këtu dhe në shëndetësi në të ardhmen do e ndijnë Shqipërinë që të bashkëpunojë me Iranin. Kemi doktorë të mrekullueshëm dhe gaz. Pa fund. Të parët në botë”, shprehet Aliu. Kam frikë se jemi të vonuar. Greqia propozon që nga janari të jetë porta e karburantit iranian ardhur nga Gjiri Persik për pjesët e tjera të Evropës. Hellenic Petroleum SA i ka përmbyllur bisedimet dhe Greqia është vendi i parë që bëri marrëveshje në këtë fushë që nga heqja e sanksioneve për naftën. Irani, ndërkohë shqetësimin e ka me ata që nuk e lënë të prodhojë sasinë e naftës që llogarit ajo. Duan ta ngrenë prodhimin në 4.6 milionë fuçi në ditë, që është një nivel që e ka pasur para se të imponoheshin sanksionet ndërkombëtare. Referuar Organizatës së Vendeve për Eksportin e Naftës (OPEC) prodhimi aktual iranian është ndërmjet 2.8 dhe 3.5 milionë fuçi në ditë. Ministri i tyre i naftës Bijan Zangeneh është treguar tejet agresiv por edhe me këmbët në tokë. Iranit i duhet të investojë 40 miliardë USD në industrinë e vet të naftës në dy vitet e ardhshme, sepse tetë apo nëntë fushat kryesore naftëmbajtëse që prodhojnë 75% të naftës së vendit janë më shumë se gjysmë shekulli të vjetra. Irani synon të rrisë prodhimin me 1 miliard fuçi për ditë dhe të ketë një rritje ditore prodhimi gazi në 1.1 miliard metra kub në ditë. Eksportet e gazit në dy vitet e ardhshme do ngrihen në 200 milion metra kub në ditë dhe nëse investohen, sipas parashikimit, të paktën 12 miliard USD në vit, do ketë shumë rritje punësimi…Ndaj kërkesën e armikut të tyre të madh Arabisë Saudite që ata të ngrijnë prodhimin e naftës e konsiderojnë “një shaka”…   Kanë ironizuar sepse disa vende që prodhojnë si Arabia, 10 milion fuçi në ditë nuk mund të kushtëzojnë të tjerët. Ndërkohë që Irani tashmë prodhon rreth 600 milionë metër kub gaz mesatarisht në ditë. Dhe me 34 trilionë metra të saj kub gaz natyror, Irani ka rezervat më të mëdha të gazit në botë.

Është një paradë e shpejtë, kjo që tregoj për vendin, e që e marr nga bisedat e shumta dhe leximet për vendin, por dështoj të intervistoj njerëz të kulturës. Të gjithë janë jashtë. Dhe për të dytën herë nuk takoj asnjë syresh. Në një librari afër universitetit më thonë se Nikollaj Gogol është përkthyer së fundmi në persisht nga kompania botuese Negar. Dhe një përkthim i ri në persisht i autorit të shquar kolumbian Gabriel Garcia Markez-it “Njëqind vjet vetmi”, u bë nga Kaveh Mirabbasi nga Nik Publications. I njëjti përkthyes Mirabbasi ka përkthyer nga Markezi më 1985 edhe romanin “Dashuria në kohërat e kolerës”.

Iranin nuk e perifrazon dot me pak shprehje dhe qoftë edhe me një libër, por është një shtet dhe kreu i një konfederate aktorësh rajonalë, që për shumë kohë përfshinte Sirinë dhe Hezbollahun, që synonte të sfidonte përpjekjet e SHBA-së në dominim në Lindjen e Mesme. Etiketohen vetë me termin “Boshti i Rezistencës”, për ironi të asaj me të cilën kategorizohej Irani, Iraku dhe Koreja e Veriut nga ish-presidenti amerikan George W. Bushi si “Boshti i të keqes”, në fjalimin e tij në Kongresin e SHBA për 29 janar, 2002. Tani vërtetë ata s’konsiderohen më armiq, por ndërkohë për Sirinë ndajnë shumë me amerikanët dhe me botën. Disa gjeneralë iranianë dhe trupa gjenden ende në Siri, ndërkohë që vendi po ndryshon, por sipas mënyrës së tij…Lufta është për të kapur ritmin e prodhimit të para sanksioneve. Kolegët iranianë më bëjnë një pasqyrim të luftës së tyre në Siri dhe drejtësinë, që kuptohet se nuk mund ta absorboj dot me pak ditë.

Ka ardhur koha të ikë dhe udhëtimi pas është sërish lodhës. Plakun manekin, e shikoj se është ngritur në këmbë dhe bërtet me një celular të vjetër. Për dreq, doja vërtetë të futesha të ha diçka para udhëtimit të gjatë. Iki. Dielli lodron në fytyra të shpërqendruara iranianësh të rinj, që luajnë me celularët e shtrenjtë. Është fillim pranverë 2016. Iki.

 

 

8 Komente

Jo jo, nuk presim, kemi rrugen tone.

Prape Beni me keto sixhadet e pafundme iraniane!? Arrita deri tek "Milosao" i dikurshem i tij dhe po pyes: vazhdon kjo reviste letrare apo ka "vdekur"?

Bukur, me pelqeu. Iranianet i kemi edhe ketu ne emigracion smiley dhe per çudi kane shum te perbashketa me ne shqiptaret. 

sulltan nevruzin?

Cfare te perbashketa kemi me iranianet o Pjer se le nam tani.

Apo se pime uje dhe hame buke?

Ata ne Persi ne ne Iliri,ti thua kemi te perbashketa.

I vetmi komb qe kemi vertet gjera te perbashketa jane greket,as iranianet as serbet as te tjeret,dhe kjo se greket pervec se ndajme lashtesine por ndajme edhe gjysmen e ADN-se...

Mos prisni ndryshim! Irani vazhdon udhën e vet

Gjynof Beno, ishim mpref shume! Na e le that me i llaf!

pse Mos prisni ndryshimin,

ndërkohë që vendi po ndryshon, por sipas mënyrës së tij… ?

 

bukuri, 5 smiley

aq mire, saqe vone e mora vesh qe s'ish ndonje perkthim shenimesh nga ndonje vezhgues i huaj. paska pas dy dite ketu.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).