Duke nisur nga shërbimet dentare, pastaj operacionet plastike, kirurgjitë e ndryshme në klinika të specializuara, si dhe shërbimet e kurimit dhe relaksit pranë burimeve termale – të gjitha këto janë paketa që Shqipëria ofron për të huajt e interesuar. Përpjekje për të ofruar cilësi, krahas një standardi thuajse të vendosur. Kryefjala e të qenit atraktiv është vetëm një: çmimi i ulët…

Ishin italianët ata që praktikuan të parët turizmin mjekësor në Shqipëri. Shërbimet dentare, shumë herë më të lira se në Itali tërhoqën, që pas viteve ’90 shumë prej tyre në vendin e shqiponjave. Tashmë që industria mjekësore ne vend ka përparuar, është shtuar gama e shërbimeve, që zbatojnë teknologjinë dhe metodat e fundit, Shqipëria ka shansin ta zhvillojë më tepër turizmin mjekësor, përmes avantazhit konkurrues të çmimeve të lira, ashtu siç kanë bërë Hungaria, Rumania, Turqia e të tjera shtete në zhvillim.

Kirurgjia plastike, spa-të, fertiliteti janë disa nga shërbimet që po tërheqin turistë të huaj së fundmi në Shqipëri. Vendin kryesor e zënë shërbimet estetike. Edhe autoritetet shtetërore po punojnë ta kthejnë këtë dukuri në një shërbim të organizuar. Sidomos në vëmendje janë burimet termale të vendit.

Turizmi i kirurgjisë plastike

Ndërhyrjet plastike në vend po ofrohen gjithnjë e më shumë me standardet më të mira europiane dhe aktorët e tregut pohojnë se të pasurit kirurgë, kryesisht italianë, tërheq më shumë vizitorë të huaj. “Ne po ecim në rrugën e shtruar nga të tjerë para nesh, atë të zhvillimit të turizmit mjekësor”, – pohon Skerdilajd Faria, drejtuesi i klinikës “Keit”. Të gjitha klinikat e ndërhyrjeve plastike në kryeqytet tregojnë se kanë si synim shndërrimin e Tiranës në një pikë turizmi për kirurgjinë plastike, ku shumë të interesuar, sidomos të rinj italianë, vijnë në vendin tonë për të marrë një shërbim të së njëjtës cilësi, por me çmim sa një e treta e atyre italiane.

Turizmi dentar

Shkaku i ardhjes së turistëve dentarë vijon të jetë një: çmimi dhe vetëm çmimi. Klinika të ndryshme në kryeqytet tregojnë se sidomos për shërbime dentare, si: proteza, implantologji etj., çmimet janë deri në 70% më të lira se në Itali, nga ku mbërrijnë pjesa më e madhe e pacientëve.

“Nëse në Itali, për një implant duhet të paguash deri në 1500 euro, në Shqipëri, çmimi nuk i kalon 650 euro”, – pohon stomatologia Jonida Haloci. Të kontaktuar nga “Monitor”, drejtuesit e klinikës “Balikci” në Vlorë, turizmin dentar e kanë një pjesë të pashmangshme të aktivitetit të tyre. Ata tregojnë se marketimi i shërbimeve të tyre bëhet me diferencën e madhe të çmimeve dhe me cilësinë e njëjtë. “Ju mund të kurseni 60-80% të kostos më tepër se sa marrja e këtyre shërbimeve në Europë apo SHBA”- pohojnë ata, duke shtuar se cilësia e materialeve është e njëjtë, shërbimet ofrohen me garanci. Një tjetër fakt që ata pohojnë është përpjekja që të jenë gjithëpërfshirës jo vetëm në shërbime, por edhe në komunikim. “Duke qenë se kemi klientë nga shumë shtete europiane dhe rajoni, është bërë domosdoshmëri të njohurit e gjuhëve kryesore të huaja”,- tregojnë ata. Mjekët nga klinika “Toronto Dental” tregojnë se çmimet në klinikat vendëse janë 30% më të lira se në klinikat në rajon, por te ne “çalon” akomodimi për të huajt, që Serbia për shembull dhe Maqedonia e ofrojnë më tepër në formë paketash. “Kemi kërkesa nga klientë të huaj, por mungon bashkëpunimi i frytshëm me hotelet për të krijuar një paketë të plotë. Në këto raste, çmimi rezulton i lartë nga akomodimi”,- pohojnë ata.

Turizmi i mirëqenies

Drejtuesit e qendrave Spa në kryeqytet pohojnë se të huajt po bëhen klientë besnikë të tyre, jo vetëm ata rezidentë të përkohshëm, por edhe vizitorë, duke bërë që kjo ‘industri’ të jetë tërheqëse edhe për turistët. “Të shumtë janë vizitorët e huaj që në momentin që vizitojnë Shqipërinë për turizëm kulturor apo të bukurive natyrore, afrohen pranë qendrave tona për të marrë shërbime Spa, të cilat i preferojnë së tepërmi”,- tregon Emona Begolli, menaxhere në “Velur Spa”, Tiranë.

Ekspertët pohojnë se shërimi për klientët, krahas relaksit, është tashmë forma më inovative e mjekësisë popullore. Vendi ynë është i pasur me burime të ujërave termale dhe “kurative” dhe me qendra të ndërtuara pranë tyre, ndër të cilat mund të përmendim: Ujërat termale të Bilajt, në Fushë-Krujë, të pasura me sulfat dhe lëndë minerale, të cilat kanë efekte kurative të reumatizmit, lëkurës dhe sistemit nervor. Llixhat e Elbasanit, ujërat e së cilës kanë vlera të larta terapeutike, ku dhe trajtohen sëmundje të shumta të rrugëve të frymëmarrjes, stomakut, lëkurës. Llixhat e Elbasanit kanë edhe vlera për trajtime kozmetike dhe janë shfrytëzuar që nga periudha romake.

Llixhat e Peshkopisë përmbajnë kalium dhe sulfate, ndihmojnë në trajtimin e sëmundjeve në rrugët e frymëmarrjes, reumatizmat, sëmundjet e lëkurës dhe problemet gjinekologjike.

Ujërat termalë të Vronomeros në Leskovik, banjat e avullit të Postenamit, si dhe ujërat kurative të pijshme, siç janë Kroi i Bardhë në Komunën e Selitës në Mirditë, Kroi i Nënës Mbretëreshë në Parkun Kombëtar të Qafë Shtamës etj. Ujërat termale të Bënjës njihen me emrin Banjat e Bënjës. Gjenden 14 kilometra larg qytetit të Përmetit, Komuna Petran, ku 6 burimet kryesore dalin në rrëzë të shkëmbinjve masivë në të dy anët e lumit të Langaricës. Burimet e ujërave termale të Bënjës kanë vlera të veçanta për trajtimet e lëkurës.

Turizmi i fertilitetit

Shqipëria konkurron me çmime të favorshme jo vetëm në trajtimet shëndetësore, por edhe në gjithçka tjetër që i nevojitet një të huaji për të përmbushur një paketë të mirë qëndrimi dhe rehabilitimi të këndshëm disaditor. Menaxherja e marketingut pranë Spitalit Amerikan, Oriela Cano, duke theksuar se ka nisur të zhvillohet turizmi i fertilitetit në Shqipëri, pohon se cilësia e shërbimit është po aq e mirë sa ajo që ofrohet në klinikat më të mira perëndimore. “Shqipëria, një vend që synon të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, ka ende shumë sfida e probleme për të kapërcyer, por përbri sfidës së shërbimit mjekësor, duhet të vendoset një ‘ticket’ pohuese. Dhe këtë e pohojnë të huajt. Në spitalin tonë, ndër vite janë trajtuar pacientë të huaj për probleme të ndryshme shëndetësore”, – tregon znj. Cano. Sa i përket turizmit të fertilitetit, ajo tregon se çmimet për një ndërhyrje të tillë janë disi më lirë krahasuar me tarifat e vendosura nga klinikat në Bashkimin Europian. Ndaj dhe në vendin tonë, nuk duhet të presësh në radhë e të vendosësh emrin në listë për një kohë të gjatë. Përveç promovimit, ajo tregon se zhvillimi i një turizmi të tillë ka ardhur edhe nga përvoja e gjatë e mjekëve, qoftë vendës dhe të huaj, si dhe metodat e avancuara për të ngjizur një fëmijë.

6 Komente

kjo eshte e vertete.

 

Por siç ka shtënë mbreti i paradoksit: Shqiperia humbet me shume shance se çka takat te krijojë smiley

Ujerat tona termale mund te jene vertet shume kurative po s'besoj qe te terheqin turiste. Me sa kam degjuar nga njerezit qe shkojne infrastruktura le shume per te deshiruar. Shume shqiptare ikin neMaqedoni per llixha ku cmimet jane konkuruese dhe i ke te gjitha komfortet.

http://bdcapa.com/

ne kufi me shqiperine, te themi shqiperi, flitet shqip, cmimet spektakel, trajtimi spektakel. ketu vene tere shqipot...

na grine keta debilet me turizmin. te sillte leke turizmi nuk do ishin ne krize vendet qe mbeshteten vetem politika te tilla.

 

" .....Mjekët nga klinika “Toronto Dental” tregojnë se çmimet në klinikat vendëse janë 30% më të lira se në klinikat në rajon, por te ne “çalon” akomodimi për të huajt, që Serbia për shembull dhe Maqedonia e ofrojnë më tepër në formë paketash. “Kemi kërkesa nga klientë të huaj, por mungon bashkëpunimi i frytshëm me hotelet për të krijuar një paketë të plotë. Në këto raste, çmimi rezulton i lartë nga akomodimi”,- pohojnë ata....."  

   Per keto paketa qe tani Blendi me Penarin na i sjellin, une kam folur para shum vjetesh, jane edhe tek VQ. Mirpo kur e them une, s'quhet, kur e thone te tjere quhet. 

 

" .....Ekspertët pohojnë se shërimi për klientët, krahas relaksit, është tashmë forma më inovative e mjekësisë popullore. Vendi ynë është i pasur me burime të ujërave termale dhe “kurative” dhe me qendra të ndërtuara pranë tyre, ndër të cilat mund të përmendim: Ujërat termale të Bilajt, në Fushë-Krujë, të pasura me sulfat dhe lëndë minerale, të cilat kanë efekte kurative të reumatizmit, lëkurës dhe sistemit nervor. Llixhat e Elbasanit, ujërat e së cilës kanë vlera të larta terapeutike, ku dhe trajtohen sëmundje të shumta të rrugëve të frymëmarrjes, stomakut, lëkurës. Llixhat e Elbasanit kanë edhe vlera për trajtime kozmetike dhe janë shfrytëzuar që nga periudha romake.

Llixhat e Peshkopisë përmbajnë kalium dhe sulfate, ndihmojnë në trajtimin e sëmundjeve në rrugët e frymëmarrjes, reumatizmat, sëmundjet e lëkurës dhe problemet gjinekologjike.

Ujërat termalë të Vronomeros në Leskovik, banjat e avullit të Postenamit, si dhe ujërat kurative të pijshme, siç janë Kroi i Bardhë në Komunën e Selitës në Mirditë, Kroi i Nënës Mbretëreshë në Parkun Kombëtar të Qafë Shtamës etj. Ujërat termale të Bënjës njihen me emrin Banjat e Bënjës. Gjenden 14 kilometra larg qytetit të Përmetit, Komuna Petran, ku 6 burimet kryesore dalin në rrëzë të shkëmbinjve masivë në të dy anët e lumit të Langaricës. Burimet e ujërave termale të Bënjës kanë vlera të veçanta për trajtimet e lëkurës...." 

 

  Kam pershtypjen se ata qe e kane lexuar VQ, e sidomos pjese e Letrave, iu kujtohen keto gjera. Tani u kujtuan shqiptaret per keto probleme qe une kam shkruar para shum vitesh. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).