Një deklaratë e para disa ditëve e ambasadës amerikane në Tiranë, e përforcuar nga vetë ambasadori Lu, u prit me entuziazëm, duhet thënë, të paktën në botën virtuale ku njerëzit e zakonshëm gjejnë mundësinë “të shfryjnë” me pseudonime.

Është fjala për mosdhënien e vizave amerikane për gjyqtarët e korruptuar, të përfolur si të tillë etj. Një listë që tek e fundit, hartohet nga vetë ambasada. Debati nëse një listë e tillë do ishte “e ligjshme”, në një kohë kur gjyqtarë të ndryshëm, të përfolur ose jo, vazhdojnë qetësisht detyrën e madje promovohen në hierarkinë e drejtësisë, ngjan si temë luksoze.

Në pamundësi të dënimit të tyre, thoshin mjaft komentues, të paktën është ngushëllues ky hap “administrativ” amerikan, që simbolikisht i shënon me njollë ata që s’marrin vizë. Dhe ne të tjerët e kuptojmë që filan gjyqtar është i përlyer, sepse sado jo të natyrës penale e juridike, ambasada ka disa fakte e të dhëna domethënëse për korrupsionin e tij. Dhe amerikani nuk flet kot.

Ndërkaq, një delegacion i lartë i opozitës, ku spikasin kreu i PD-së Lulzim Basha dhe ai republikan Fatmir Mediu, ndodhen në SHBA për një vizitë zyrtare. Nëse do zbatohet “rigorozisht” parimi i përfoljes dhe disa të dhënave për korrupsion jo vetëm për gjyqtarët, shumëkush nga parlamenti e politika shqiptare ndoshta do ta “qante me lot” vizën amerikane.

Por këta të dy sidomos, Basha e Mediu, padyshim do duhej të ishin në krye të listës ose shumë afër kreut. Dhe kjo vizitë për të diskutuar “reformën në drejtësi dhe dekriminalizimin” në SHBA, pikërisht në përvjetorin e 8-të të tragjedisë së Gërdecit (për shqiptarët) ose të “aksidentit teknologjik” (për Berishën, Mediun, Bashën etj) vërteton për të shumtën herë se në Shqipëri gjithçka mund të ndodhë.

Ndoshta zoti Lu nuk e di se çka ndodhur në Gërdec, ku elementi amerikan i ngjarjes është shumë i fortë. Po bëhet edhe film nga Hollivudi për bëmat e dy çunave hebreo-amerikanë që morën përsipër furnizimin e ushtrisë afgane me fishekë shqiptarë përmes një kontrate të majme me Pentagonin. Dhe që kur erdhën në Tiranë hasën në “mafia, në çunin sypeshkaqen të kryeministrit, në njerëz me të cilët s’bëhet shaka…”. Dhe që i sugjeruan Kosta Trebickës të bëjë kujdes. E ky i fundit, për t’i shpëtuar zallamahisë ku ishte futur, vendosi të shkëputet ca ditë për gjueti në fshatrat e Korçës. “Shplodhja” rezultoi përfundimtare.

Zoti Lu ndoshta nuk e di, por diçka duhet t’i ketë dhënë ambasadori Uidhers, pse jo edhe Arvizu. Ambasadorët e SHBA-së që kanë shërbyer në Tiranë kanë krijuar njëfarë shoqate tashmë, mbase si me rrallë tjetër vend në botë. Janë shfaqur bashkë, thonë se bisedojnë me njeri-tjetrin etj. A e di pra z.Lu se ç’lidhje ka Fatmir Mediu me tragjedinë e Gërdecit? I cili, siç pohon gazetari Guy Lawson, me të ardhura zyrtare 20 mijë dollarë në vit, 40 mijë të tilla paguante vetëm shkollën e të bijës në Teksas?

Në kohën kur shpalosej Gërdeci dhe pasojat e tij, z.Lu mbase nuk e di por Lulzim Basha po ndërtonte Rrugën e Kombit. Nga hesapi dolën mangut mbi 200 milionë euro. Mbase ambasadori nuk di se një tjetër kompani amerikane, gjigandi Bechtel ishte ndërtuesi.

Kanë kaluar 8 vjet dhe tragjedia… teknologjike e Gërdecit është kthyer në një kuriozitet historik, gati-gati në zhanrin dossier ku konkurron me ngjarje si ardhja e Princ Vidit apo revolucioni (ose puçi, sipas shijeve të secilit) i qershorit 1924. Ndërsa mega-vjedhja e një aksi 60 km të gjatë është arkivuar, mesa duket, përgjithmonë.

Sepse yjeve në ngjitje nuk ka lezet t’u nxjerrësh pengesa të tilla ordinere në karrierë.

Këta dy personazhe, pra, e meritojnë vizën amerikane dhe shkojnë të diskutojnë me politikanë amerikane se ç’rrugë do marrë reforma e drejtësisë në Tiranë, dhe dekriminalizimi i politikës dhe jetës publike.

Zoti Lu mund ta dijë ndërkaq, se ata nuk janë të kënaqur me çfarë po ndodh me këto dy procese. Jo, jo. Opozita rrudh buzët me mefshtësinë dhe ngurrimin e mazhorancës (po që kanë të drejtë në këtë pikë?!) dhe propozojnë ta lënë drejtësinë për pas zgjedhjeve të reja. Që qenkan të domosdoshme për ta nxjerrë vendin nga ngërçi ku duan ta fusin po ata dhe ustai i tyre politik. A do marrin Basha dhe Mediu urdhër në SHBA që të miratojnë gjithçka, pavarësisht se ç’thotë Berisha? A do tundin kokën me miratim dhe pastaj do bëjnë të kundërtën? A po shkojnë thjesht për të shitur ca foto në portalet dhe mediat e Tiranës? Shumë shpejt do ta mësojmë.

Por një gjë e dimë. Dimë dobësinë e politikës dhe kalbëzimin e drejtësisë sonë, por dimë gjithashtu se të bësh palë në procese të tilla delikate, personazhe si Basha e Mediu, e largqoftë pastaj Berisha, do të thotë ta shtrosh çarçafin e sapolarë të drejtësisë së re me duar gjithë graso, barut. Ose gjak.

Ndërkaq, në SHBA ndodhet edhe një ish shef shtabi i Forcave tona të Armatosura. Është aty që pas ngjarjes së Gërdecit, nga e cila u nda me një dënim 5 vjet burg. Mbase Basha e Mediu e takojnë dhe i thonë, “po ti pse ike kështu mor vlla? Të kishe ndenjur ca kohë në heshtje, të dilje për gjueti e pastaj të rikthenim në detyrë…”.

Por qartaz Luan Hoxha, edhe sikur të mos dilte për gjah, zgjodhi një listë tjetër amerikane, atë të azilantëve. Zoti Lu duhet ta dijë se këtu ka një nonsens: Ose ish gjenerali duhet ekstraduar në Shqipëri për të vuajtur dënimin, ose z.Mediu nuk mund të shkojë dot në SHBA.

Por mesa duket këto janë teknikalitete. Ndoshta dhe vetë Gërdeci ishte aksident teknologjik dhe shumë fshatra të tjerë shqiptarë janë të gatshëm të bëjnë therror nja 20-30 vetë, me kusht që t’i rindërtojnë nga e para, me rrugë e shtëpi. Dhe nëse bëhen zgjedhje të reja dhe votojmë siç duhet, kjo është plotësisht e mundur. Tunelet tona ushtarake nuk kanë mbaruar ende.

6 Komente

Po ishte per gjygjtaret e korruptuar pra lista. Gjygjtaret. Keta nuk jane gjygjtare.

Eh sa ka zanati.

Bravo autori, megjithse nuk e mora vesh se kush ishte. 

Po pse e lejoni te hyj ne Amerike kontrabandistin e Droges, Ministrin e Gerdecit dhe su,lepiresin e nipit te Sheqeres o Ambasada Amerikone???

NccNcc po pse pak kontrabandiste droge emigrant Shqiptar kemi ketu nga anet tona...ncccnccc qe te ma sillni edhe nje ish Minister kontrabandist???? Po ne nje trafikant ju lame atje ...njecke...edhe ate do na e sillni ketu ku jemi plot???

Per çdo ambasade (qofte dhe ate amerikane) eshte e veshtire tu refuzoje vizen parlamentarve per vet faktin se keta kane nje status te veçante. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).