përshtypje leximi

Me këtë varg sekstinë (gjashtësh) na prezantohet në titull ky libër i epiko-lirikut tonë shqiptar, Namik Selmani. Jo pa qëllim e përmenda kategorizimin rrokjor të titullit, (mos u hutoni nëse aty dalloni gramatikisht 5 apo 7 rrokje, sërish ky varg hyn më së shumti tek gjashtë-rrokëshet, çfarë na prezantohen kryesisht bejtet shqiptare në lirizmin e tyre, sa të thjeshta e të këndshme), pasi në brendësi të librit, (në pjesën e parë sidomos), kemi të bëjmë më së shumti me epikën 8 deri 12 rrokëshe, e biles me ato subjekte ... Ah le të themi më mirë kontacione, për t’mos e zvogluar ngërthimin që na jep vargu epik, në këtë rast i autorit tonë, si atdheu, malet, dituria, kurbeti, panvarsia, jeta (si një krua i përjetshëm), liria, trimëria, vetmia, miqësia, dhimbja, e të tjera në lidhje me persona aq mbarë-kombëtarë dhe krahina po ashtu të ngritura në piedestale gati mitike. Ky trok epik na nderet rëndë e i avashtë, si ata kalorsiakët mesjetarë perëndimorë, të fshehur pas një mburoje dhe veshje metalike, e gjithë pompozitet trokëllin në kujtim të së shkuarës më së shumti, se sa të tashmes.

E donim atdheun

Edhe kur trarët e doganës na ndalën ëndrrën

Edhe kur fjala na ngeci si në lukth si kockë e mbrapshtë

O, në gjunjët e gjakosura merrnim uratën e nënës

Dhe këngës së gjyshit i mernim magjinë e lashtë 

Ja, me këto vargje sa epike dhe anti-epikë e nis autori librin e tij, duke dashur ndoshta t'i thotë lexuesit, se subjektiviteti i tij do të konkurrojë epikën e popullit, të cilit ai i përket, e pse jo, subjektiviteti i tij do të identifikohet me këtë epikë! Këndo, hyjneshë, mërinë e Namik Selmanit,/ që shumë hidhërime e kobe shqipesh solli,... Ja, këto dy vargje të para të Iliadës (me pak ndryshim nga unë) na kujtohen kur lexojmë (gati) banalizimin që ky autor bën me ca lartësi tavanesh dogane në kontacionet e larta që përmban vargu epik! Sa peshë kanë e sa lart na ngrenë vargjet e kujtuara homerikë, sa lehtë na tërheqin këndej poshtë me gjithfarë subjektesh dhe problemesh të rëndomta vargjet e poetit tonë shqiptar! Sa domethënie kanë figurat homeriane, e sa pa domethënie na jepen figuralizmat e autorit tonë në vargun e tij epik, (nga pikpamja gramatikore, të paktën)!

Nuk e diskutojmë dashurinë e autorit për atdheun, nuk e vemë në dyshim nostalgjinë e Namikut për qytetin e tij, Beratin, nuk e shpërfillim adhurimin e poetit tonë për figura të ndritura të popullit! Përkundrazi, e lavdërojmë atë, e përkrahim dhe nxisim më tej në këtë drejtim, e brohorasim me zemër në përkushtimin e tij poetiko-atdhedashuror. Por poeti ynë (duhet thënë në thonjza kjo), përveç kësaj çiltërsie dhe dashurie për të mirën, për lirinë, për njerëzit e nderuar, që don të shprehi shpirti i tij, nuk shpreh për lexuesin kurrgjë në këtë pjesë të parë të librit! Vargu i tij epik i përngjan atij plugu, të cilin e tërheq një gërdallë e pafuqi, dhe i cili le pas një gërvishtje të lehtë mbi tokë, pa kthyer plotësisht dheun dhe pa bërë të mundur hedhjen e farës!

Pikën e syrit të patëm, pikën e dritës së shpirtit,

Me ty dora u forcua e dritëloti i gaztë syve na rodhi

Në ugarin e lirisë së pambjellë buisi kah shekuj filizi

Në fjalën e gjyshërve mentarë ëndrra shtat na hodhi.

Gjithshka përmbledh vargu i tij, gjithshka don të shprehi, por pak arrin të na thotë ky varg! Si një bashkim arnash, që na japin një kostum, shpalosen fillimisht vargjet e autorit, gati si në një kostum bufoni cirku! Këto bashkime dhe hapje të panevojshme shtyjnë vargun me hapin e një Rosinati të pafuqi, kështu shkëpusin edhe vëmëndjen e lexuesit nga mesazhi i vargut epik.

Vargjet e mësipërme, që (duhet t)i këndojnë flamurit tonë kombëtar, përmbledhin gjithë ato kontacione, përmbajnë mendim mbi mendim, dhe përçojnë së fundi një vakum ndjesor. Duket sikur autori ynë ka ndenjur me orë të tëra duke rreshtuar fjalë dhe vargje, njëlloj siç rreshtojmë ato puxlat e vogla në lodra kalamajsh, për të ndërtuar një figurë dy ose tre dimensionale. Dhe në fund atij i mungon jo vetëm flamuri kombëtar me ngjyrat e tij, por edhe çdo send që do të na kujtonte atdheun dhe historinë tonë. Nuk e dimë nëse gjithkjo vjen nga një strukturim matematikor i punës dhe jetës së tij, pasi edhe në ngjarje të dëgjuara historike dallojmë këtë tejmbushje mendimesh racionale.

Unë kam me vete përherë një copë fjongoje Salamine

Ca dete ku dielli kërkon të marrë leje që të lindë

Këtu më vijnë nën këmbë si kone nimfat nga brigjet

Në male koralesh më presin me dafina si mysafiri më të ri.

...

E më fort se Odiseut, më shfaqen Sirenat mikluese

Kukama e nënave ç’po rrënqeth farët e ndezur

Varkëtari pa det ngre pishtarin me dritë verbuese

Në sinorët e Lavdisë fjala kokën ka mbështetur. 

Siç e shihni autori tregon. Vështirë të gjejmë një rrëfimtar kaq racional përmes vargjesh të stisur, e pa atë lavdi pretenduese! Gjithkush e di se ky emër (Salamina), më shumë se një toponim i zakonshëm, më shumë se një betejë e përgjakshme, na ngre në piedestal qëndresat fillestare europiane ndaj atyre aziatike. Salaminës i kanë kënduar poetët duke qarë, kanë qarë mëmat duke kënduar. Por, tregimi racional i rrëfimtarit tonë shqiptar jo vetëm nuk ngre peshë gjokset e lexuesve, por vështirë të mbajë ngritur për kohë të gjatë sytë e tij deri në fund të vjershës.

Të njëjtën gjë vërejmë edhe tek poezia mbi krroin e jetës, në kujtim kjo poezi për nënën e tij. Të njëjtën gjë dallojmë tek disa poezi mbi heronjt kombëtarë. Të njëjtën gjë ndjejmë tek poezia e babait, apo ndonjë shoku të ndarë para kohe nga jeta. Vetë për atë dhimbje të Karl Gegës, dhimbje ndoshta më e madhe se e malit të zgavruar, dhimbje e shpërndarë po aq fuqishëm ndër miqtë dhe bashkombasit e tij, na vjen në vargjet e Namikut mjaft racionale dhe e zbehtë.

Në tunelet e botës

Me sytë shqiptarë do bashkoj sërish alpet gurqiklopikë

Në duart e tua

Përrallat përrallojnë të vërtetat e prekshme hyjnore

Një monument tjetër

Do ta ve në gjoksin e poetëve të mënçur të kombit tim

E kreninë e pafshehur

Si lule do t’ia jap djemve ndër fjalët dritshkronjore.

Historia e Karl Gegës është për të qarë, si shumë e shumë histori të tilla. Një histori tej njerëzores, e kapërthitur sa me dijen dhe përkushtimin për punën, aq dhe e njëhësuar me ndjenjat më fisnike të njeriut, dashurinë dhe përkushtimin për njerzit. Shpesh, sa më e madhe kjo dashuri për njerëzit, sa më i madh ky përkushtim për dijen dhe punën, po kaq e madhe është nganjëherë edhe urrejtja dhe cmira e njerëzve të vegjël e pa dije ndaj të parve. Jo më ndryshe ndodhi në historinë sa madhështore, aq dhe tragjike të Karl Gegës! Por poeti ynë nuk ka parë duket më parë njeriun, pas të cilit do të dallohej vetvetiu edhe bashkombasi i tij! Jo, ai ka parë më parë bashkombasin e tij, duke harruar kryesoren, njeriun. Ndaj vargjet e tij çalojnë dhe kanë shpesh paterica.

Për tu habitur është që trevat e detit Jon, ato të Çamërisë shqiptare dhe greke, në të cilat autori duket se ka shëtitur me ëndje, (ndoshta edhe mund të ketë një prejardhje familjare nga ato anë), i japin vargut të tij më tepër freski dhe rimë. Këto treva poeti ynë arrin ti kombinojë aq bukur edhe me treva të tjera shqipfolëse, jo thjesht si një metaforë, por realisht në koloritin e tyre jetësor, muzikor e tradicional.

Kuqon lulja bjeshkatore tek nis vallen vajza çame

Si të ishte valë nga Joni, sikur shkelte mbi petale.

Pret lahuta këngën çame si të ishte eho bjeshke

Si të ishte fjalë piskame si një det i dalë prej zemre

Çamëria shamiblertë vjen te pragu të puthë bjeshkën

Ndër janar ku zbardhet kreshta të bekojë vite dhe shekuj.

Edhe në pjesën e dytë të librit, “Gurgullima e shpirtit”, freskia dhe rima e vargut kanë më tepër vend. Herë në varg poetik e herë në varg bejte, autori hidhet në shumë brigje të zemrës dhe shpirtit të tij. Janë kërcime drithërimash që e zgjojnë lexuesin dhe e mbajnë të mbërthyer me një erë pranverore.

Ah, ai çast mbeti i zgjuar në Kalendarin e Shpirtit

Pa shkronja, pa daltadhe, pa tingëllin e këngës

U mbytëm në detin e ngrohtë të përqafimit

Me mollëzat e djersitura prekëm sinorët e ëndrrës.

U dehëm bashkë në një lumë buzësh të etura

Mes ofshamës magjike të gjithë drurët i zhveshëm... 

Ka shumë vargje lirikë në këtë pjesë të dytë të librit ... ndoshta këtij libri të jetës së autorit. Ato burojnë vetvetiu si gurgullimë e një burimi uji. Janë vargje të bukur e të bëjnë për vete. Të gjithë nuk i nxe letra ti jap, ndaj po i mbyll këto përshtypje leximi me pak vargje nga poezia ku është marrë titulli i librit.

Bëj të zë me vrap prej ere

Ti më bëhesh fllad pranvere.

Lum kush syrin tënd ta preku

Si të ngjitej majë direku.

Si të mbante gjoksit detin

Sa tre qiej dritëmëngjezi.

Bëj të zë me frymë fushe

Ku çel lulja petalushe.

Po ti shkon e nuk po dukesh

Më le dorës një krah fluture.

Më rizgjon një peng rinie

Si një lis që nuk bën hije...  

6 Komente

Nga nje autor Selmani, ne mos gaboj per mbiemrin, kam lexuar nje novel para ca vitesh, m'duket histori personale ne Hollande, me nje grua te vjeter smiley por te hijshme smiley

E ke vene re ti Pjer qe ky Karli nuk u pergjigjet komentatoreve tek temat qe sjell!!

smiley

Gabon Pjer. Mbiemrin e kishte Selami ...  dhe nuk ishte novele por roman ... historia ka ndodh ne Luksemburg ... gruaja qe e re dhe e pa hijshme ... por mund te jete, ne mos gaboj, edhe e kunderta m'duket ...

Bëj të zë me vrap prej ere

Ti më bëhesh fllad pranvere.

Lum kush syrin tënd ta preku

Si të ngjitej majë direku.

smiley

maje direku... e pacmuar!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).