Potenciale të mrekullueshme, kërcënime serioze, projekte shpresëdhënëse: Mbi shanset e sfidat e turizmit shqiptar për Deutsche Welle, drejtori i GIZ, Shoqatës Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Hans-Juergen Cassens.

 

Intervistoi: Ani Ruci

DW: Z. Cassens, që prej një viti GIZ* është duke zbatuar një projekt që synon përmirësimin e kushteve të jetesës së popullsisë rurale në Rajonin Bregdetar Jugor të Shqipërisë, që kjo popullsi të përfitojë nga zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit në këtë rajon. Cilat janë ndërhyrjet që ky projekt po bën për të arritur qëllimin?

Hans-Juergen Cassens: GIZ realizon mbështetjen gjermane në emër të Qeverisë Gjermane. Gjermania është e angazhuar në projekte si ky, pasi perspektiva e mjaftueshme ekonomike për njerëzit është një interes përtej kufinjve kombëtarë. Prandaj ne fokusohemi veçanërisht në ato segmente të popullsisë që kanë më shumë vështirësi për të marrë pjesën e tyre nga zhvillimi ekonomik i vendit. Së pari kemi dhënë kontribut në planet territoriale në nivel kombëtar, veçanërisht në planin për zhvillimin e rajonit bregdetar jugor, edhe pse duhet të them se procesi është i drejtuar në mënyrë të shkëlqyer nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Agjencisë Kombëtare e Planifikimit të Territorit, kështu që pjesa e kontributit tonë ishte e vogël. Së dyti ne analizojmë bazën institucionale që kërkohet për të promovuar turizmin dhe siguruar shërbime të mira. Për këtë po punojmë me Agjencinë Kombëtare të Turizmit, Qarkun e Vlorës dhe Bashkitë, ku bashkia e Himarës është tani partneri qëndror në nivel lokal.

Së treti ne zhvillojmë aktivitete turistike dhe ndihmojmë për të përmirësuar shërbimet në zonat rurale, që turistët të mund të gjejne një shumëllojshmëri me të mirë ofertash. Së katërti ne mbështesim markën dhe promovimin e turizmit në Shqipëri sidomos në tregun ndërkombëtar. Që në fillim kemi organizuar forume lokale me pjesëmarrjen e shumë fshatrave, që janë larg nga bregu i detit, që banorët rezidentë të këtyre fshatrave të informohen për qëllimet e nxitjes së turizmit në zonën e tyre që të kenë mundësi të japin idetë e tyre për veprimet që duhen ndërmarrë dhe të kenë besim për të nisin inisiativat e veta në sektorin e turizmit.

DW: Z. Cassens, sipas informacionit në web site të GIZ, ky është një projekt dy vjeçar që mbaron në Mars 2017. Me çfarë buxheti do të arrihen objektivat e këtij projekti? Çfarë është arritur deri tani, në gjysmën e kohëzgjatjes së tij?

Hans- Juergen Cassens: Angazhimi i përgjithshëm i Qeverisë Gjermane për këtë projekt është 1 milion Euro për punën tonë në dy vjet, pra është relativisht një program i vogël. Gjatë vitit të parë kemi mbështetur zhvillimin e planit rajonal për rajonet bregdetare, plan që tani është në fazën përfundimtare të miratimit. Ne kemi ndërtuar gjithashtu lidhje të forta me të gjitha nivelet e qeverisë dhe me komunitetet lokale. Kemi qënë të aftë të forcojmë perceptimin e një turizmi të qëndrueshëm, sidomos në Himarë. Kemi identifikuar dhe përgatitur hartat për 10 shtigjet më tërheqëse të ecjes me këmbë në këtë rajon dhe kemi përshkruar secilin prej tyre në një broshurë të vogël, ku kemi shënuar gjatësinë e shtigjeve, kohën që merr secili shteg për ta përshkuar më këmbë, nivelin e vështirësisë dhe shenjat dalluese përgjatë shtigjeve. Të njëjtën gjë kemi bërë edhe me shtigjet malore – jashtë rrugës automobilistike- ku mund të ecet me biçikletë; janë identifikuar 10 shtigje të tilla, dhe janë përshkruar në të njëjtën mënyrë. Çdo shteg ka një temë drejtuese si psh ”Nën hijen e Malit të Çikës” apo “Larg nga ngutja, kthim pas në kohë”.

E gjitha kjo jep mundësi udhetimesh të lehta gjysëm –ditore, psh për ata që duan të rrinë në plazh por edhe për ata që duan të shetisin me biçikleta, që u pëlqejnë sfidat dhe qëndrimi një natë në fshatrat larg bregut të detit, për të gjithë ata që duan të ndjekin shtigje të pashtruara në mjedise natyrore shumë të bukura. Broshurat për shtigjet e ecjes me më këmbë dhe të shetitjes me biçikletë janë ne dispozicion on-line. Ka progres lidhur me standartet e tabelave për të dyja llojet e shtigjeve si edhe të shenjave dalluese përgjatë shtigjeve . Ato do të vendosen së shpejti që turistët ta gjejnë lehtë rrugën. Janë përgatirtr disa shoqërues turistësh për ecje në shtigjet e maleve, që ne e kemi kryer bashkë me aktivitete të tjera të mbështetura nga GIZ në very- lindje të Shqipërisë. Bukuria e 14 fshatrave të Himarës është fotografuar dhe publikuar në broshura. Çdo fshat ka tani broshurën e vet. Është menduar që ato të jenë si aperitiv për turistet, për të ngacmuar kuriozitetin e tyre. Projekti ka mbështetur kryerjen e një inventari të detajuar të pikave turistike dhe shtëpive pritëse – guest house- ne rrethinat rurale. Pronarët e guest house janë treinuar në shtëpitë e tyre pritëse për standartet e shërbimit dhe plotësimin e pritshmërive të turistëve. Kemi mbështetur edhe hapat e para në markën e turizmit në këtë rajon. E kemi quajtur “Jugu Misterioz” dhe “Rajoni Bregdetar Jugor ju frymëzon”. Kemi përgatitur një logo që tani sa shkon e po përdoret më shumë si një identitet i përbashkët në promovimin e rajonit. Në këtë kontekst është krijuar një faqe interneti për të siguruar një informacion më të larmishëm.Trajnimet për bashkitë do të kombinohen me mbështetje për bashkinë e Himarës për të ngritur dhe drejtuar një zyrë informacioni para se të fillojë sezoni turistik.

DW: Cila është sfida më e madhe në përmirësimin e kushteve të jetesës së popullsisë rurale, pra për përfitimin nga burimet dhe bukuritë natyrore, me të cilat ky rajon është bekuar?

Hans- Juergen Cassens: Padyshim, rajoni bregdetar jugor ka një potencial të jashtëzakonshëm që është për t'u vlerësuar dhe përzgjedhur. Në fshatrat larg brigjeve të detit vështirë se ka patur ndonjë aktivitet dhe shërbime turistike, përveç disa grupeve të pakta që organizojne ecje dhe shumë pak vizitorëve në disa prej fshatrave. Nuk ka ende ndonjë histori suksesi larg prej zonave ku janë plazhet. Ne kemi nevojë për të mos harruar që turistët, që janë zhgënjyer nga një destinacion turistik, do të përhapin mesazhin shumë shpejt. Asetet, për të cilat po flasim duhet të harmonizohen me standardet e shërbimit dhe aktivitetet turistike. Një kërcënim për përfitime të qëndrueshme nga turizmi është zhvillim i pakontrolluar që ka përkeqësuar pjesë të bregdetit, por natyrisht edhe kushtet e mjedisit, sidomos mbetjet e ngurta dhe ujrat e zeza në disa zona.

DW: Z. Cassens, çfarë misteresh janë zbuluar nga ky projekt deri tani , qe premtojne një zhvillim të qëndrueshëm të turizmit? Në median sociale të administruar nga GIZ për “Jugun Misterioz” ka me qindra “like” për setin fotografik, përfshirë edhe të miat, si një fanse e hershme e këtij rajoni?

Hans- Juergen Cassens: Ka shumë mistere në rajonin bregdetar jugor: malet, deti, fshatrat, historia që ende është e pranishme, traditat, peisazhet kulturore dhe naturore, legjendat, të gjitha këto elemente, të kombinuara, të marrin dhe të çojnë në një zbulim të gjatë në kohë. Për shumë ditë, një vizitor mund të zbulojë gjëra të reja dhe të ketë përvoja të reja ngaqë gjithë këto elemente të ndryshme bashkohen përsëri dhe përsëri në kombinime dhe variacione vazhdimisht të reja. Bëhesh kureshtar se çfarë mund te ketë pas kthesës tjetër, pas malit tjetër dhe ajo mund të jetë një pamje befasuese, që të lë pa frymë, një tjetër fshat tradicional, një luginë lumi, një faltore, një bari apo shumë gjëra të tjera. Ne kemi kapur vetëm një pjesë të vogël të saj, pasi nuk mund të bëjmë më shumë se sa duke punuar në baze te një modeli, por thesaret që duhen zbuluar janë shumë më tepër.

DW: Z. Cassens, çfarë masash duhen marrë urgjentisht që bukuritë natyrore, objektet historike dhe kulturore në këtë rajon t'i shërbejnë zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit?

Hans- Juergen Cassens: Besoj rezultatet më të mira do të vijnë nëse banorët mbështesin plotësisht drejtimin e turizmit të qëndrueshëm dhe janë ata që e çojnë atë përpara. Qeveria mund të udhëzojë, të përcaktojë kuadrin e rregullave, kushteve, të bëjë pjesën e saj për infrastrukturën mjedisore, por është sektori privat ai që e bën një sukses apo dështim turizmin e qëndrueshëm. Është shumë e rëndësishme të sigurosh përfshirjen e banorëve të këtij rajoni që ata të kuptojnë vlerën e aseteve të tyre. Turizmit të qëndrueshëm mund t'i përqasësh nga shumë drejtime. Ne po përpiqemi të kontribojmë në një pjesë të tyre. Rritja e ndërgjegjësimit për ruajtjen e pasurive natyrore dhe kulturore, zhvillimi i produkteve për struktura më të larmishme turistike, promovimi i rajonit përmes kanaleve të duhura, të gjithë këto do të kontribuojnë. Është e rëndësishme të ndërtohet mbi potencialin ekzistues: përcaktimi dhe zhvillimi i “një pike të vetme shitjeje”. Psh. sado i bukur të jetë deti Jon , vetëm deti nuk mund të jetë kurrë një “pikë e vetme shitjeje” për turistët e huaj. Ka kaq shumë plazhe shumë të bukura në botë.

Por kombinimi i të gjithave, sa përmenda më sipër, bën rajonin bregdetar jugor një mjedis unikal për shkak të shijes së vërtete të rajonit- qe nuk gjendet askund tjetër. Padyshim zhvillimi i mëtejshëm i turizmit të qëndrueshëm duhet të vijë me një dëshirë të fortë për të mbrojtur mjedisin përtej plazheve, në zonat malore rurale, kujdesin për ujin dhe mbetjet e ngurta. Një mjedis “i paprekur” është një vlerë absolute, një "domosdoshmëri" për ato pjesë të turizmit që do të vlerësojnë pasuritë e Jugut.

Ruajtja e trashëgimisë kulturore është një tjetër “domosdoshmëri”. Kjo ka të bëjë jo vetëm me ansamblet ku trashëgimia kulturore gëzon një status zyrtar mbrojtjeje, por edhe me mjedise të tjera tradicionale psh fshatrat. Fshatrat, vendbanimet e vjetra, kështjella dhe ndërtesat fetare janë pasqyrë e kulturës dhe historisë. Kombinimi i maleve, detit dhe kulturës i japin rajonit një shije unike. Duhet më shumë vëmendje për ruajtjen dhe zhvillimin e kujdesshëm të vendbanimeve të vjetra dhe për këtë është i nevojshëm një mekanizëm më i mirë.

DW: Në vitet e gjata të tranzicionit, të mungesës së shtetit, korrupsionit dhe mos zbatimit të ligjeve edhe ky rajon nuk i shpëtoi dot ndërtimeve pa kriteter, pa harmoni me natyrën dhe traditën, ku ndoshta edhe vetë banorët kanë një pjesë të fajit. Si mund te kontriboje GIZ për të harmonizuar turizmin e qëndrueshëm dhe ruajtjen e autenticitetit të rajonit?

Hans- Juergen Cassens: Para së gjithash është shumë e rëndësishme që ka një konsensus të gjerë jo vetëm në qeverisjen qëndrore dhe atë lokale, por edhe në sektorin privat dhe popullsinë që nëse asetet kulturore dhe natyrore të Jugut respektohen nga të gjithë ato do të sjellin përfitime afatgjata. Interesat individuale, psh për të ndërtuar hotele dhe struktura të tjera duhet të janë të ekuilibruara me shumë kujdes me interesin e përbashkët të ruajtjes dhe forcimit të aseteve naturore dhe kulturore. Ka një përgjegjësi të lartë nga qeveria nëtë gjitha nivelet, por edhe sektori privat duhet të mbështesë. Nuk jam kaq i sigurtë nëse banorët rezidentë janë fajtorë. Gjithsesi përvoja jonë është që shumë nga banorët në këtë rajon janë të hapur për të mësuar nga shembujt e mirë, por këta shembuj duhet të ekzistojnë. Shpresoj që po kontribojmë me ndërgjegjesimin rreth aseteve të këtij rajoni dhe në të ardhmen do të gjejmë në Jug më shumë shembuj të mirë për t'u marrë me ato me kujdes. Pa dyshim, zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit kërkon një kuadër në nivel rajonal dhe lokal. Planet teritoriale në nivel lokal dhe rajonal janë pjesë e tij.

DW: Muajin e kaluar Shqipëria mori pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Berlin. Ministria Milva Ekonomi solli prej andej lajmin e mirë: Shqipëria do të jetë vitin e ardhshëm partnere në panairin e turizmit në Stuttgart. Çfarë pritet, cila është rëndësia këtij partneriteti?

Hans- Juergen Cassens: Panairi i Stuttgart-it drejtohet tek klientët ndërsa ai në Berlin, ITB ka një fokus të fortë Business to Business. Në Stuttgart do të ketë interes të madh nga publiku. Të jesh partner në Panairin e Stuttgart-it do të thotë që Shqipëria do të dalë në pah gjatë panairit si një destinacion dhe prandaj ky partneritet është një tjetër hap i rëndësishëm në prezantimin e potencialeve të saj tek një gamë e gjerë vizitorësh të interesuar në përvoja të reja turistike. Gjithsesi është njëherazi një angazhim dhe një nxitje për t'u përgatitur mirë për të paraqitur Shqipërinë në mënyrën më të mirë të mundshme, por edhe për të patur shërbime të mira turistike në vend. Pra, është një hap tjetër shumë i rëndësishëm për të tërhequr vëmendjen ndërkombëtare mbi potencialet turistike të Shqipërisë.

 

*GIZ- Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (Shoqata gjermane per Bashkëpunim Ndërkombëtar)

8 Komente

Ate pune qe duhet ta beje qeveria, e ben kjo organizate gjermane smiley me nje buxhet modest. 

pasi perspektiva e mjaftueshme ekonomike për njerëzit është një interes përtej kufinjve kombëtarë. 

Nderhyrje ne punet e brendshme ... smiley

Kemi identifikuar dhe përgatitur hartat për 10 shtigjet më tërheqëse të ecjes me këmbë në këtë rajon dhe kemi përshkruar secilin prej tyre në një broshurë të vogël, ku kemi shënuar gjatësinë e shtigjeve, kohën që merr secili shteg për ta përshkuar më këmbë, nivelin e vështirësisë dhe shenjat dalluese përgjatë shtigjeve. Të njëjtën gjë kemi bërë edhe me shtigjet malore – jashtë rrugës automobilistike- ku mund të ecet me biçikletë; janë identifikuar 10 shtigje të tilla, dhe janë përshkruar në të njëjtën mënyrë. Çdo shteg ka një temë drejtuese si psh ”Nën hijen e Malit të Çikës” apo “Larg nga ngutja, kthim pas në kohë

Asetet, për të cilat po flasim duhet të harmonizohen me standardet e shërbimit dhe aktivitetet turistike. Një kërcënim për përfitime të qëndrueshme nga turizmi është zhvillim i pakontrolluar që ka përkeqësuar pjesë të bregdetit, por natyrisht edhe kushtet e mjedisit, sidomos mbetjet e ngurta dhe ujrat e zeza në disa zona.

Interviste e shkelqyer, shume e detajuar, profesionale dhe konkrete, sic e reflekton ne fakt nje angazhim real, e me kembe ne toke si projekti ne fjale. Se per turizmin flitet gjithe diten ne fakt...

Si lum keta qe perfitojne

Interesat individuale, psh për të ndërtuar hotele dhe struktura të tjera duhet të janë të ekuilibruara me shumë kujdes me interesin e përbashkët të ruajtjes dhe forcimit të aseteve naturore dhe kulturore. Ka një përgjegjësi të lartë nga qeveria nëtë gjitha nivelet, por edhe sektori privat duhet të mbështesë. Nuk jam kaq i sigurtë nëse banorët rezidentë janë fajtorë.

Marrin dhe keta cik para nga qeveria e tyre. E gjoja kane bere hartat e rrugeve te kembesorve neper male! E cfare se!? Disa gjurme te mbetura rruge dhish nga koha e kaluar!

Po cu jep parè ketyre haleve tona ky athere! Pse nuk ju thote, rregulloni njehere urbanistiken, plehrat, ujerat e zeza, ligjet e punes, pastaj flasim per turizem!?

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).