Eksodi dhe grindje për mustaqet e Çelos

(Fjalët dhe fjalitë kursive (të pjerrta) janë origjinale nga Bibla.)

Eksodi nisi mirë. Për fat edhe koha qe sinkron me entuziazmin e turmës. Ishte si një eskursion të rinjsh, gjithë gëzim dhe hare. Për të ngrënë e për të pirë, fillimisht kishte boll. Mosiu bisedonte ditë për ditë me Zotin dhe ky e udhëzonte nga të shkonte. Do ti biesh këndej pak gjatë, i tha Zoti Moisiut, duke i shmangur fillimisht nga rruga e shkurtër e vendit të filistejve, sepse kish frikë mos binin në luftë qysh në fillim me filistejtë dhe rrezik të ktheheshin të gjithë në Egjypt. Si urdhëron, ia ktheu Moisiu dhe iu vu shkretëtirës gjithë gëzim. Zoti para, Moisiu mbrapa e më pas i gjithë populli. Mirpo ec e ec, e karkaleci ngec, thotë fjala e urtë. Donte qerrja vaj, më saktë, populli donte ujë, por ujë nuk kishte se ishte shkretëtirë. Këmbët po u dhimbnin dhe lodhja po ashtu nuk durohej. E ia nisën ankesat, oi-oij, ç’na morri koka erë dhe dëgjuam këtë budallain! Ore Moisi, ia nisën ata më të vjetrit, po nuk kishte varre në Egjypt që na solle të vdesim në shkretëtirë! Po kini durim a derbardhë, ua ktheu Moisiu, Zoti do bëjë gjithshka për ju. Dhe vajti Moisiu tek Zoti. Dhe ky ia ktheu: pse më bërtet mua? Thuaj atyre të ecin para! E të nesërmen Zoti i ndihmoi me anë të bastunit të Moisiut të nxirrnin ujë nga toka. Ohh, një çlirim i madh u ndje. Etja u zhduk, mirpo u ndje uria pas kësaj! Shiko trastat! Të gjitha bosh! Ushqimi kish mbaruar me kohë. Mos u mërzisni, u tha Zoti, dhe s’kaloi një ditë e ata panë shkurre me mana. Do hani mana për 40 vjet, u tha Zoti, se kanë vitamina C dhe B. Vuuu, të gjithë duke shkulur mana. Mirpo nuk dinin të pushonin, dhe Zoti u tha se ditën e shtunë do e bënin pushim. Kush nuk bënte pushim, do i ikte koka në satër.

Gjatë rrugës erdhën amalekitët dhe e luftuan popullin e Zotit. Moisiu i dha urdhër Jozeut të luftonte, se shkopi i Zotit që ai mbante në dorë e me të cilin ai bënte çudira, kish për ti ndihmuar. Jozeu vajti të luftojë dhe, kur Moisiu mbante shkopin lart, si dirigjenti para orkestrës së tij, Jozeu fitonte. Kur e mbante shkopin ulur, (sepse i lodheshin duart), fitonin amalekitët. Atëhere ç’bënë Aaroni, vëllai i Moisiut, dhe Huri!? I gjetën një gur Moisiut, e ulën aty dhe të dy ia mbanin duart lart. Kështu që lufta u fitua vetvetiu, nga duart lart të Moisiut.

Ec e ec prapë, Moisiu na takon vjehrrin e tij, Jethron me të bijën, pra me gruan e tij të ndarë, Seforën, e cila kishte tashmë dy fëmijë, nga një që kish patur më parë me Moisiun. Ky u përqafua me vjehrrin dhe u ul për tu llafosur. I tregoi Moisiu të gjithë odisenë e deriatëhershme, kështu e kështu. Jethro tundte kokën e nuk fliste. Pastaj Jethro dhe Aaroni bënë flijime për hir të Zotit. Të nesërmen, filloi avazi i përditshëm, nga mëngjezi e deri në darkë, njerëzit mblidheshin tek Moisiu dhe praqisnin ankesat, kërkesat, mosmarrveshjet, gjithshka i shqetësonte. Dhe Moisiu futej tek kthina e tij, e bisedonte me Zotin mbi të gjitha problemet e njerëzve. Dhe i jepte gjithsejcilit përgjigjen e Zotit. Jethro, duke e parë gjithë këtë teatër aq të mundimshëm të dhëndërrit të tij, (tashmë 90 vjeçar), i tha: A je në vete, more ditëzi!? Po a e di se do vdesësh nga ky stëmundim që i jep vetes!? Dëgjo këtu, i vuri dorën në gjunj Jethro, do bësh disa ligje, të cilat populli do ti zbatojë! E do zgjedhësh disa njerëz të ndershëm, të cilët do të shikojnë zbatimin e ligjeve! Kështu do jetë më mirë për ty dhe për popullin tënd! More vesh? Mora, thuaj! Ajd shëndet! Dhe Jethro iku në punë të vet.

Moisiu bëri tamam siç i tha vjehrri, futi ligjet juridike dhe u lehtësua nga puna e rëndë vara-vingo, sa tek populli e sa tek Zoti. Edhe Zotit duket i erdhi mirë nga këto ligje, se dhe ai nuk bënte një minutë pushim i shkreti, ndaj nuk bëri as gëk as mëk e nuk foli fare kur Moisiu futi ligjet juridike. Gjithshka nisi të ecte me ligje juridike, por prap, përmallimi i njerëzve për ta parë Zotin ishte akoma i zjarrtë. Kështu, kur arritën në malin e Sinait, Zoti i premtoi Moisiut se ditën e tretë ai do të zbriste para syve të tërë popullit. Urra, gëzim i madh, do shihej Zoti! Moisiu nuk gënjente! Dhe vërtet, ditën e tretë bubullima buçitën në mal dhe një tym u ngrit lart, si tymi i një furre. Të gjithë e panë ... tymin! Moisiu vazhdonte lart e poshtë si djalë i ri, sa tek Zoti e tek populli, e merrte këshilla të ndryshme, në lidhje me ngjitjen dhe mosngjitjen e popullit, të priftërinjve, të tij dhe Aaronit. Së fundi Moisiu zbriti me një serë urdhëresash dhe dekretesh të reja nga Zoti, dhe ia shpalosi popullit. Këtu përfshiheshin mos-vrasja, mos-vjedhja, mos-bërja e dëshmisë së rreme, e plot këshilla me vlerë. Përveç këtyre këshillave të kalibrit të rëndësishëm, Zoti i dha Moisiut edhe këshilla për probleme më të thjeshta, si në problemet e ndarjes me gruan dhe rimartesën me një grua tjetër, trajtimin e skllavit, pëlqimin e skllaves nga pronari, bërjen e një altari për Zotin, mosngjitjen e Moisiut në altarin e tij me anë shkallaresh se i zbulohej lakurqësia, pra i dukeshin koqet e varura, (ngaqë asaj kohe nuk ishin shpikur akoma brekët), e sa e sa këshilla të tjera i dha Perëndia Moisiut.

Kur mbaroi së dhëni gjithë këto këshilla, Zoti i dha Moisiut edhe dy pllaka me ligje, të shkruara me dorën e tij dhe në të dyja anët. Kësaj radhe Moisiu u vonua shumë në mal, ndaj paria e popullit, duke kujtuar se Moisiu do kish humbur rrugën, si plak që ishte, caktoi Aaronin si prijës fetar. Ky ia dinte vlerën arit, ndaj urdhëroi: sillni këtu të gjithë arin që keni mbledhur dhe fshehur nën jastekë, dhe atë që varni në qafë dhe në veshë si vathë, si dhe unazat e floririt. Të gjithë bënë siç tha Aaroni. Ky i shkriu të gjitha në një furrë dhe derdhi me arin e shkrirë një viç. Viçi simbolizonte Perëndinë që i nxorri nga Egjypti. Të gjithë nisën ti falen e nisën të këndojnë, duke hedhur valle, hava nagela. Zoti u zemërua pa masë dhe i thotë Moisiut se do ta shfarosë këtë popull! Moisiu ngriu! Si,qysh, pse! Dhe filloi ti bëj moral Zotit, duke i kujtuar sa zotimet e tij ndaj Abrahamit, Isakut, Jakobit, sa ndihmën që ai vetë u kish dhënë për ti nxjerrë nga Egjypti, sa ato ç’do fliste bota pastaj për këtë hakmarrje të tij. Kështu Moisiu ia ktheu mëndjen Zotit, që mos ta shfaroste këtë popull.

Me dy pllakat e Zotit në duar Moisiu nisi të zbresë nga mali. Po kjo hare ç’është, pyeti veten kur iu afrua kampit. Kënga e vallja buçiste në kupë të qiellit. Ç’të shihte!? Një viç prej ari! Moisiu u tërbua! I hodhi pllakat e Perëndisë dhe i la të thyheshin, duke u sulur mbi viçin prej ari, njëlloj si toreadorët spanjollë mbi demin. Nji ta marrë këtë dhe e shkriu të tërë, derisa u bë pluhur. Dhe pluhurin e arit e morri dhe e përzieu me ujë, dhe ujin ua dha ta pinë të gjithë populli i tij. Pastaj thirri Aaronin dhe i dha këtij një dush të ftohtë me kritika, që t’mos i shkonte më mëndja për viça. Dhe me urdhër të Zotit u bë një masakër në kamp, ku shtiza preu  jo shumë, nja tre mijë veta.

Zoti i shkroi dy pllaka të reja Moisiut dhe i dha sërish një lumë me urdhëra të rinj. Zotin nuk e pa asnjë, dhe vetëm Moisiu u lejua ti shihte këmbët. Kaq, jo më shumë. U bënë pastaj mesha fetare dhe ... aksidentalisht, dy djemtë e Aaronit, që po merrnin pjesë në ritet fetare si ndihmësa të priftërinjve, u përpinë nga flakët dhe u bënë shkrum e hi. Vetë Moisiu heton ngjarjen tragjike dhe gjen, se fajin e kishin vetë dy bijtë e Aaronit, që i ishin afruar zjarrit aq shumë, nga dashuria e madhe për Zotin! Dhe pas kësaj Moisiu shpall edhe shumë ligje të tjera nga Zoti për priftërinjtë dhe kryepriftin Aaron. Biles, me këtë të fundit Zoti është zemëruar pak më shumë, ndaj urdhëron Moisiun ti thotë të vëllait, të mos hyjë në çfardo kohe në shenjtërore, përtej perdes, përpara pajtuesit që ndodhet mbi arkë, që të mos vdesë, sepse unë do të shfaqem në renë mbi pajtuesin. E kështu udhëtimi nëpër shkretëtirë vazhdon, Zoti përpara si tym në formë reje, duke dalë nga çadra e Moisiut, (ndërsa natën dukej si zjarr në çadrën e Moisiut), dhe karvani prapa. Dyzet vjet udhëtim do bëjë populli i zgjedhur i Zotit, për tu përmbushur mallkimi i tij, që populli i vet të lëngojë e të vuajë 40 vjet.

Gjatë rrugës bëhet një numërim i popullit, i ndarë ky në 12 fise. Por udhëtimi mundues në shkretëtirë nuk mbaron, ashtu siç nuk mbarojnë edhe urdhërat e përditshëm të Zotit. Një nga këta urdhëra është heqja e stolive prej ari që populli ka, dhe këto ia japin Moisiut, kur kanë mbrritur në malin Horeb. Ky mal na është as më shumë e as më pak se mali i Sinait, pra turma vjen vërdallë në një vend, si kali në lëmë. Dhe gjithë këtë udhëtim duhet ta përballojnë, siç u tha Zoti, duke ngrënë mana. Mirpo një pjese të turmës, këto mana u erdhën në majë të hundës. Boll, bërtitën, duam të hamë edhe mish, edhe qepë e udhra, si në Egjypt! Moisiu u friksua dhe iu drejtua Zotit. Ky ia kthen gjithë zemërim, se do u jap mish sa tu dali prej hunde. Ku do ta gjejmë, vazhdon i merakosur Moisiu, kemi rreth 600 mijë njerëz, duke harruar se vetëm meshkuj janë nja 603 mijë pa llogaritur gratë, fëmijët, si dhe priftërinjtë nga fisi i Levit. Zoti ikën dhe u sjell aq shumë mish sa të gjithë filluan ta mbledhin dhe ta hanë. Kur kishin akoma mishin ndër dhëmbë dhe nuk e kishin përtypur akoma, zemërimi i Zotit kundër popullit u ndez dhe ai e goditi popullin me një plagë shumë të rëndë. Kështu ky vend u quajt Kibroth-Hataavah sepse aty u varrosën njerëzit që ishin dhënë pas epsheve. Por revoltat nuk kishin të sosur. Motra dhe vëllai i Moisiut, Mirjami dhe Aaroni iu kundërvunë Moisiut me fjalë për shkak të gruas etiopase me të cilën qe martuar; në fakt ai qe martuar me një grua etiopase. Dhe i thanë: «Mos vallë Zoti ka folur vetëm me anë të Moisiut? A nuk ka folur ai edhe nëpërmjet nesh?». Dhe Zoti dëgjoi.

Vërtet Zoti i dëgjonte të gjitha, por nganjëherë nuk dilte fare në skenë e të jepte mendimin e tij për gjithë këto zënka, se nuk dinte kujt t'ia prishte e kujt t'ia ndreqte! Kështu i linte të gjithë këta prijsa priftërinj në zëniet e tyre, se kush ishte më i besueshëm tek Zoti, aq sa kjo punë dikur u trash dhe një grup kompllotistësh e akuzuan Moisiun keq. (Lufta e klasave, promotorr i zhvillimit të njeriut dhe shoqërisë, zhvillohej edhe në gjirin e priftërinjve. Vetëm se tek këta ndërhynte asaj kohe Zoti orë e çast, për fat, duke vendosur drejtësinë hyjnore!) Moisiu, i zënë ngushtë, iu ankua Zotit, i cili rrinte gatitu pas perdes së tabernakulit për çdo problem që i dilte Moisiut. E rregulloj unë këtë punë, i tha Zoti, dhe urdhëron të merrnin të gjithë temjanicat e tyre, sepse ai do të zgjidhte atë që ai donte. Dhe Zoti zgjodhi në fund temjanicën e Moisiut, dhe ata të tjerët i mbyti në një gropë. Po me kaq nuk mbaroi kjo punë! Sa e sa të tjerë në kamp gjithashtu kaluan në tehun e shpatësh!

E duke u sjellë turma vërdallë në të njëjtin vend, edhe ngjarjet e etjes, urisë, epsheve, luftës së klasave dhe përpjekjeve për karrierë, vrasjeve dhe hamarrjeve të ndryshme, luftrave me popuj dhe fise të tjerë, të gjitha përsëriten po ashtu në këtë eksod biblik, ashtu siç përsëriten në eksodin e përjetshëm të njeriut dhe shpirtit të tij. Në këtë rrotullim turme, edhe Zotit biblik i merren mendë, duke dhënë urdhëra të kundërt, tek një herë i jep urdhër një prijsi, Baalamit, të nisej për një udhëtim, e më pas, pasi ky shalon gomaricën e tij dhe niset, Zoti zemërohet me ‘të sepse ai u nis. Dhe historirat me Baalamin dhe gomaricën e tij oratore, që flet më bukur se Ciceroni i Romës antike, nuk kanë të sosur! Ndaj unë po e sos këtu këtë histori eksodi, pa ju treguar luftrat e panumërta e të ripërsëritura të pasardhësit të Moisiut, Jouzeut, për shkak se ne sot kemi ligje juridike për të garantuar paqen dhe jo luftën, duke ju dhënë nga eksodi vetëm lajmin e vdekjes së Moisiut para se populli i Zotit të hynte në tokat ku rridhte qumësht e mjaltë, si një simbolikë e bukur kjo, që na tregon se varrosja e një bote fetare me ligje të dala nga despotë të çmendur e futi njeriun në rrugën me qumësht dhe mjaltë të ligjeve juridike, atyre ligjeve që propozoi vetë vjerri i Moisiut, Jethro.

4 Komente

Ah, paska dale ky shkrim i hershem i imi!?... Prapa skene!?.. Si Lipe Shtogu, prapa liste! Se perpara ne skene na prish imazhin! E mire, po ju nis pas ca ditesh historine e radhes, se dhe dy jane, jo me shume!

Please don't !!! Have mercy !

Je kritikuar shpesh nga Pjeri qe ne shkrimet qe sjell nuk merr pjese ne debat , kjo mund te kete patur ndikim tek Adminet qe shkrimet e tuaja ose te mos i sjellin fare ose ti mcefin , pse ca e kujt Pjerin ti smiley

E vertete, Pjeri per inat con gjithe popullin tek ambasada amerikane. Por problemi eshte se une nuk kam kohe per llogje Kavaje qe don Pjeri.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).