Edhe pse ky shkrim e merr titullin nga një roman i njohur i James Fenimore Cooper i vitit 1826, në fakt ai bën fjalë për fatin e shtëpisë së fundit që ka ngelur në këmbë në lagjen e Vllehëve të Tironës përbri hotel “Tiranës” (15-katëshit), dhe që me shumë gjasa do të shembet e gjitha nga forcat e specializuara të bashkisë së kryeqytetit këtë të premte të fundit të prillit (e cila qëllon të jetë edhe e premtja e zezë e Pashkëve Ortodokse).

Dënimi me vdekje i shtëpisë zë fill në shkurt të këtij viti, kur u u miratua projekti për ndërtimin e Unazës së Vogël të Tiranës. Sipas këtij projekti, pjesa fundore e trotuarit me gjerësi 3.5 metra në zonën mbrapa 15-katëshit do të prekte pak cepin lindor të shtëpisë, në një sipërfaqe prej 4 m2 nga rreth 160 m2 që kap shtëpia plus 24 m2 oborr/truall.

U njoftuam zyrtarisht, sipas ligjit, për këtë shpronësim prej 4 m2 objekt; dhe po zyrtarisht brënda afateve ligjore, krahas të tjerave, kërkuam të njihemi me  hartën treguese të prishjeve për pronën tonë; dhe më konkretisht të pjesëve që do të na shpronësoheshin, në mënyrë që të mernim vetë masat e duhura për ndërhyrje ndaj banesës dhe për të hequr pjesën/cepin prej 4 m2 pa dëmtuar pjesën tjetër të shtëpisë.

Nuk morëm asnjë përgjigje per kërkesën tonë, çfarë na bëri të shpresojmë se mos investitori (Bashkia Tiranë) do të hiqte dorë nga prishja e 4 m2 të kësaj shtëpie; edhe për faktin se kjo banesë e ndërtuar në fillim të viteve 30 të shekullit të kaluar jo vetëm që ruan edhe sot tiparet më karakteristike të ndertimeve të asaj kohe, por edhe sepse në korrik të vitit 2015 ishte shpallur monument kulture i kategorisë së dytë nga Ministria e Kulturës.

Kjo shpresë nuk zgjati më tej ditës kur, nga Bashkia Tiranë, sektori i Inspektimit dhe Mbrojtjessë Territorit, na erdhi kërkesa me shkrim për lirimin e shtëpisë, pasi do të prishej e gjitha?! Nëse, me vendim të Këshillit të Ministrave nr.236, datë 30 mars 2016, do të shpronësoheshin vetëm 4 m2 për të cilat edhe do të shpërbleheshim, tani doli që Bashkia e kërkonte krejt pronën.

Dhe ja pse.

Loti nr.3 i ndërtimit të Unazës së Vogël, që përkon me segmentin nga Bulevardi në drejtim mbrapa 15-katëshit dhe përmes godinës së INSIG-ut me dalje te kryqëzimi i rrugës së Dibrës me atë të Barikadave, përmban mu në mes të tij, edhe sot që po shkruaj, nënstacionin elektrik funksional 110 kv, me një shtrirje prej rreth 600 – 700 m2. Ky nënstacion nuk mund të qëndrojë më aty ku është tani meqë, sipas angazhimeve/premtimeve të Kryebashkiakut, Unaza e Vogël duhet të përfundojë brenda muajit maj. E vetmja zgjidhje e shpejtë dhe shpëtimtare është spostimi disa metra më tutje (deri te pjesa fundore e trotuarit të unazës në krahun e 15-katëshit) i aparaturave dhe pajisjeve të tjera ndihmëse të këtij nënstacioni elektrik.

Pengesë për këtë zhvendosje sipërfaqësore është pikërisht shtëpia e ndërtuar nga stërgjyshi im Theofan Zoga Niça, e cila duhet sakrifikuar për “mbrojtjen e territorit”. Me këtë rast dua t’i ftoj të gjithë kureshtarët apo edhe dashamirësit e “Mohikanit të fundit” të marrin pjesë, këtë të premte, në ekzekutimin e kurbanit.

Peizazhe të fjalës

19 Komente

Nje shkrim, tre probleme te medha e te dukshme si dhe shume te tjera me te vogla. Mbi te gjitha, nje hall i madh per nje familje. Problemi i pare eshte ai i ngritur edhe nga Lubonja, se kjo unaze nuk zgjidh shume pune. Pra sa e nevojshme eshte kjo unaze?!. Problemi i dyte eshte qe projektet mbi Tiranen nuk duhet te behen cdo kater-vjecar, ku cdo kryetar i ri sjell plan te ri, por ky/keto projekt/e duhet te behet nga nje grup specialistesh te institutit te urbanistikes, plane keto qe duhen zbatuar nga cfardo lloj partie qe kryeson. Problemi i trete eshte ai, se nuk merr pergjigje nga zyrat perkatse, ndonese ato  kane per detyre te pergjigjen, aq me teper per te tilla raste! ne kete rast, nese autori i prekur hedh zyrat perkatse ne gjyq, ne kete rast cdo punim pezullohet! Probleme te katerta e me radhe jane ato ku kjo shtepi eshte monument kulture dhe serish nderhyhet per ta prishur!!! Akoma nuk dihet mire nese do prishen disa metra katrore, apo e gjithe, apo vetem gjysma!!! Te gjitha keto nderhyrje te sotme jane pasoje e atyre ndertimeve pa plan dhe sistem, gjithashtu me leje te paguar me leke nen dore, te ndertimeve te viteve 90 e ca me pas. Nje problem tjeter eshte se ndonje plan i ardhem mund te parashikoje nje deri dy-tre nen-kalime ne qender dhe ne bulevard, cfare e ben unazen e vogel te pa-rendesishme! E sa e sa probleme te tjera nxjerr ky shkrim!

Ne fakt planet jane bere disa vite me pare, por jane zvarritur per tu zbatuar se s'ka patur vullnet te plote dhe para nga bashkia. Do jete me interes qe bashkia ose ta demshperbleje mire pronarin e shtepise, ose ta spostoje pakez unazen dhe shpia te ruhet si monument kulture, siç eshte edhe ne te vertete. 

Mu kujtua nje fotografi e nje kinezi qe jetonte ne banesen e tij rrethuar nga gradacela. Edhe ne Kinen komuniste veshtire me ja marr pronen tjerit pa kaluar nje seri gjyqesh. Ne Shqiperi ta marrin per te zhvendos nje stacion elektrik dhe te njoftojne sot per neser. Sa keq qe kjo shtepi simpatike do shembet, aq me teper qe paska vlera historike arkitekturore dhe qe ka qene prone e te njejtes familje per 100 vjet.

Jo po pse po ikin gjermoni. Mos te rafte kapelja, jo prona, thuj. 

jo vetëm që ruan edhe sot tiparet më karakteristike të ndertimeve të asaj kohe, por edhe sepse në korrik të vitit 2015 ishte shpallur monument kulture i kategorisë së dytë nga Ministria e Kulturës.

Dhe me tipare karakteristike dhe monument kulture dhe me grila te bardha...

Se ti me thua qe une i bi me qafe kot asaj qupes se kultures, Shqines se PS-se. Urno, i kane marre paret robit me ja ba monument kulture e mbaj 6 mujsh i kerkojne pare per te mos ja prish po keta. Tani do ja shpronesojne sic dine vete.

Kane dhene firme per ta prish se nuk kuptohet ?

Me beso , ajo eshte xhins makutesh.

E lexova e lexova. Para disa ditesh ishte dhe dicka tjeter per kullen e sahatit. Eshte mendesi dhe as qe iu rruhet se çfare thote ata qe jane si alternative, por kjo zonja eshte monster fare, po fare , fare.

Mendesi Vrima duhet qujt. Pra, Mirela Shqina ose Mirela Vrima. smiley

 

 

Keto restaurimet duan persona te specializuar, jane shkolla te posacme, jo punetor te thjeshte. Mire kjo, po kryeministri si artist sja vret syrin fare...

Nuk di te them qfare po ndodh  nga pikpamja teknike, por mekanizmin e njoh.

Psh perse e mori qmimin e bibliotekes per ate librin Vëra ajo botuesja, qe ja dha Mirela si paprit e pakujtu.

Po shume thjesht : zonja ne fjale, botuesja,  ka te drejten per te botuar te gjithe librat e gjuhes per te gjitha klasat e ciklit 9 vjeçar. Pra qdo prind i nje femije qe meson gjuhe shqipe i jep kesaj zonjes se Vërës 10 mije lek te vjetra çdo vit. Libri bashke me fleten punuese a si i thone.

E boton vetem ajo dhe nuk ka zgjedhje tjeter.

Pastaj ndodh rishperndarja e te mirave materiale. Njera dore lan tjetren, te dyja lajne fytyren.

duket shkrim i mire, dmth i besueshem per cfare thote.

NUk shof ndonje plan per tiranen ne kete cope rruge gjasme unaza e vogel, por vetem nje perkedhelje disa millionshe e nje njeriu qe perpiwet te mbuloje paaftesine e tij me genjeshtra disa millionshe.  E ka fajin Sala rrofte Rama !

Tmerri eshte se kjo prone po zerohet vetem per t'i lene vend nenstacionit provizor.

Pra jo per nevoja te rruges apo dicka tjeter.

Po prishet nje monument kulture dhe po zerohet nje prone vetem per paaftetesine ne parashikimin e problemeve dhe daljes punes para.

TMERR!

Skandal.

po le ti venë nenstacjonin emrin e gjyshit, tip Nenstacioni Elektrik Funksional 110 kw "Theo Z Niça" dhe ja ku u lane moralisht smiley

jo se u ankoshit qi sboni gjo Luli.. smiley

E mo mire sa te madhe e beni dhe ju. Ja, do bejne nenstacionin provizor, nja dy vjet sa te harrohet gjindja, do heqin provizorin e do ngulin nje permanent, por jo nenstacion, por kulle (kulle o kulle) se do ja japin dikujt qe ka pas toke ne malesi per kompensim prone (keshtu eshte bere gjysma e Tiranes).

Per monument kulture, vari teneqet pastaj se jane prish me dhjetra vila te bukura te Tiranes se vjeter dhe jane bere monstra betoni.

@Fiqo, sa per Bashen lene mos e pyt se ai deshte me e vene e bardha mbi te zeze (apo e zeza mbi te bardhe?) qe gjithe pjesa e Tiranes se vjeter (njesia 8 ku i ka rene koka dhe atij dhe te doreshkruarit) te kishte te drejte te nderronte gjeografine e ndertesave (dmth, ato qe kane per se gjeri te kishin mundesi t’i ngrinin per se larti, se gja zinin me pak vend dhe keshtu na dilte gjithe ajo hapesire per lulishte e gjelberim, no joking, really).

@Komentues, keto qe thoshe per kete kyltyristen e Pashkeve per Krishtlindje nuk i kam marre seriozisht por qenka teper rende, sinqerisht.

Dhe sa per lali Erin, mos i bini ne qafe se deri tani ka prishur asfalt e ka bere asfalt (se si hidhen leket e atij popullit per reklama me drone, nje zot e di), kur te filloj te prishe asfalt e te beje beton atehere flasim (i sigurt qe do te vije shpejt dhe ajo dite se brenda unazes e ne bulevar eshte bere keq per truall ndertimi – derisa do ndertojne mbi stadium).

E di, e di shume mire, po sna boni hajer smiley

na u shkriftu qerpiçi tuj prit melejen e atij smiley

por edhe sepse në korrik të vitit 2015 ishte shpallur monument kulture i kategorisë së dytë nga Ministria e Kulturës.

 

-shiko mbase te ben pune zj. Kozeta Angjeliu....

Ne ate zone eshte vendosur te ndertohet nje stacion elektrik permanent, projekti i te cilit eshte per tu futur nen toke i gjithi. Kjo gje akoma nuk eshte bere publike, por nen rogoze jane duke u pergatitur te gjitha aktet e nevojshme ligjore perfshi edhe ate te shpronesimit te trojeve private kuptohet per 2 leke nga ky shtet i shkundur i cili ne kete rast po ndihmohet edhe nga nje kredi e bankes boterore. A do te jene ne gjendje pronaret e shkrete qe te mbrojne trojet e tyre nga shpronesime me vlere qesharake, kur ne fakt vlera e tregut aty shkon diku tek 3000 Euro m2?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).