Do të nisesha për në Krujë me synimin për të parë muzen e këtij qyteti. Kur thua se do të ikësh për në Krujë përnjëherë të vijnë ndërmend një sërë aspektesh që lidhen me këtë qytet. E para është se do të shkosh të vizitosh një qytet i cili mbart histori sidomos në Mesjetë. Tjetër është se për historinë që e mbart Kruja ke parasysh edhe vargje të poetit tonë kombëtar Naim Frashëri  si ajo “Krujë o qytet i bekuar”. Ky lloj romantizmi të shkonte disi në mendime kur merr me mend se fundja do ikësh në një qytet shumë pranë Tiranës dhe që ndodhet diku në një rrëzë mali. Isha nisur në kërkim të një makine që do të më çonte në Krujë, teksa më vinin ndërmend këta mendime.

Fillimisht prita për pak kohë tek “Kthesa e Kamzës”, më saktë përpara kompleksit “Garden City” duke menduar se makinat që niseshin që nga Tirana dhe shkonin në Fushë- Krujë do të ndalojnë edhe këtu. Ishte ora 6 e mëngjesit dhe mundja të shihja sesi nga një qetësi e madhe që mbretëronte gjithandej njerëzit filluan të dalin nga shtëpitë e tyre sikur të ishin milingona. Dhe kjo për një hark kohor as njëzetë minuta. Gjithsesi pyes aty dy burra që po bënin muhabet me njëri –tjetrin nëse këtu vijnë makina që të çojnë për në Fushë-Krujë dhe më thonë se në gjashtë e gjysmë vjen makina. I bindur se do të vinte në këtë orar, pres për pak kohë. Dhe vërtetë që në gjashtë e gjysmë erdhi një mikrobus i cili kishte tabelë përpara në xham “Fushë – Krujë”. Isha unë dhe një tjetër person që ngritëm dorën, por se shoferi nuk u ndal por filloi rrugën. U habita nga veprimi i shoferit. Pyes sërish dy burrat që ndodheshin afër stacionit dhe më thonë se sa duket shoferët kishin marrë urdhër nga ana e bashkisë që të mos ndalen kërrkund. I mërzitur jo pak kaloj nga ana tjetër e rrugës dhe marr një autobus që nuk e mbaj mend mirë tani që po shkruaj nëse ishte i Institutit apo i Kamzës. Pyes aty një burrë dhe ky më thotë se stacioni i autobusëve që të çojnë në Fushë-Krujë ndodhet tek Zogu i Zi dhe i shtova se mos ishin aty ku janë furgonat e Shkodrës. “Po aty afër i ke”, më tha. Zbrita tek Zogu i Zi, aty ku e dija se akoma ndodheshin furgonat që të çojnë për në Shkodër. Por se aty fusha ishte bosh, e tëra me beton dhe me një lokal ku punëtorët e pijnë zakonsiht kafen e mëngjesit.

Ndodhej diku aty edhe një grua e cila shiste mallra me vlerë të vogël. Shitëse ambulante. Sapo më pa se po kërkoja furgon më tha se këtu më nuk kishte asnjë furgon. Më tha se duhet të drejtohem për tek “Dogana” sepse atje ishte Stacioni i Madh i Autobusëve. I hip dhe njëherë urbanit. Zbres tek stacioni i “Doganës”. Shkoj tek sporteli dhe aty një djalë që e kisha patur në klasë paralele në shkollë të mesme më thotë se këtu ndodhet vetëm Stacioni i Autobusëve të Jugut dhe se ata të veriut ishin lart, përballë Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”. Edhe njëherë unë i ziu mora furgonin dhe shkova pikërisht tek stacioni ku vërtetë ndodheshin furgonat që të çonin për në Fushë- Krujë. Aty ishte Stacioni i Autobusëve që të çontë për në qytete si Peshkopia, Burreli, Bajram Curri, Shkodra etj. Por se për dreq kishin vendosur që stacioni të ishte në një vend ku pak më tutje dergjet një pallat i tmerrshëm dhe gati në rrënim dhe se kushtet ishin ende që linin për të dëshiruar. Si për ti shpëtuar këtij lloj ambjenti gati depresiv e kishin vendosur një kafe aty rrotull dhe përpara se të nisesha e piva një kafe.

Aty mendova se plani për ti ndarë autobusët në ata që nisen drejt Veriut apo drejt Jugut ishte përgatitur nga Bashkia e Tiranës. Dhe kjo mu duk gjë e mirë, pasi stacionet kanë qenë kaq të tmerrshëm dhe të shpërndarë kudo në qytet.

 

Udhëtimi dhe Fushë- Kruja 

Udhëtimi për në Fushë – Krujë përgjithësisht ishte i qetë. Një burrë i ri në moshë diku tek të tridhjetat dhe me flokë thuajse të rënë krejtësisht nga përpara kaptinës ishte pranë meje në sedilje. I thashë se për sa kohë shkohet në Fushë-Krujë e më tha se as për gjysmë ore. Kështu me ngadalë kaluam Kamzën dhe për pak kohë vërtetë që u gjendëm në qytetin e Fushë-Krujës. Ishte mëngjes dhe shihja kudo nxënës të vegjël dhe gjimnazistë që ikin për në shkollë me çanta në shpinë. Kjo ishte atmosfera në orët e para. Më tej si kaloi ora 08.00 sikur qyteti filloi të bjerë në qetësi. Shumë pak njerëz kishte nëpër rrugë dhe ata si në sonambul dhe si të tulatur. Në mendjen time gjithnjë për Fushë Krujën kisha menduar se si qytet afër Tiranës, njerëzit këtu do të ishin disi të mirëqënë. Por se realitetin që e pashë mu duk shumë larg kësaj. Njerëz që realisht ishin si të hutuar, që ecnin duke menduar rëndshëm a thua se po zgjidhnin me mënd ndonjë ekuacion matematike apo formulë fizike. Mu duk qytet i tmerrshëm me pak fjalë. Katrahurë urbane dhe me njerëz që o ishin kapur pas ndonjë biznesi ose i kishe në rrugë. Mundet që paratë më të shumta këtu të vinin nga emigrimi. Ndonjë zbukurim në të rrallë vetëm ia prishte pamjen e trishtë qytetit të Fushë-Krujës, pasi në vija të përgjithshme më ngjau qytet i zymtë dhe me njerëz poashtu të zymtë. Dua të shtoj se nuk më pëlqyen aq edhe vetë njerëzit për nga sjellja, mënyra sesi të kthenin përgjigje. Kur pyeta dikë në qendër të Fushë Krujës se ku ndodhen furgonat për në Krujë, ma tha vendin por me një lloj sjellje të rëndë dhe aspak të dëshirueshme. Gjithashtu edhe njerëz të tjerë kur i pyesja për diçka, në vend se të thonin fillimisht “Po urdhëro” apo ndonjë fjalë të ngjashme ta kthenin “Hë çar do”. Për një cast teksa hasja veç të tillë njerëz më vajti në mendje thënia e Fan Nolit për krutanët “matrapazë e kokëtharë”. Edhe pse e vërejta një sjellje të atillë nga ana e shumë krutanëve me të cilët bisedova, sërish mendoj se ka edhe krutanë të mirë por se në mesin e atyre të cilët fola unë nuk gjeta -  së paku në sjellje. Gjithsesi më duhej të drejtohesha për tek vendi ku ndodheshin furgonat që të çonin në Krujë dhe se pasi eca vërdallë nëpër qytet e gjeta stacionin. Aty pikërisht në vendin ku prisja u ula në një kafe. Kjo ishte kafja më e mirë në qytet dhe ndoshta e vetmja që kishte edhe gazetë, edhe kafe. Të dyja i mora dhe më shijuan jashtëzakonisht pasi ishte akoma mëngjes. Kafja quhej “Shtatë yjet” dhe ishte e vetmja që vërtetë mund ti meritonte disa yje. Për shkak se kafenetë e tjera ishin si “copy-paste” dhe krejt bajate e pa shije estetike, por si kafene lagjesh ku shërbehej kryesisht kafe turke.

Nga Fushë Kruja në Krujë

Mora furgonin për të udhëtuar nga Fushë-Kruja drejt Krujës. Fillimisht rrugë e drejtë e asfaltuar dhe më tej kjo rrugë gjarpëronte. Kur hyje në një pyll që sa dukej ndodhej nën Krujë vërtetë që diçka filloi të ndryshojë. Natyra më e qetë ishte tanimë dhe kishte tepër gjelbërim. Gjithashtu edhe rrugët ishin vërtetë magjepsëse. Teksa shkuam më tej u zhduk disi pylli dhe u shfaq qyteti. Mjaft pamje e bukur dhe mbresëlënëse. Kruja ishte vërtetë hijerëndë ndoshta siç ka qenë edhe dikur kur kishin dashur ta vënë nën sundim por nuk ia kishin arritur dot. Dukej sikur Kruja e mbante vellon e peshës së madhe të historisë. Ngjante që nga poshtë qytetit sikur nga humnera po ngjiteshe drejt malit. Pallatet e vjetra nuk mungonin, por se vura re se kryesisht mbizotëronin pallatet dy, tre apo pesë katësh të ndërtuar në komunizëm. Me ngadalë furgoni u ndal në kërthizë të qytetit dhe më la aty. Pikërisht në këtë vend kishte disa njerëz të moshuar të huaj të cilët sa duket do të shikonin muzeun. Përmes tabelave po orientohesha drejt vendeve më të rëndësishme të qytetit, që sigurisht ishin pazari, kalaja dhe muzeu i heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skëndërbeu.

Pazari

Tashmë që nga pazari apo qendra e Krujës mund të vije re nga larg shtëpitë e shumta dhe të dukej sikur këta shtëpi i kishe nën këmbë. Ishte ndjesi e bukur kjo. Ndërkaq që pasi e kishe parë këtë pamje, këmbët të çonin drejt pazarit të Krujës. E kisha dëgjuar shpesh Pazarin e Krujës dhe se këtë qytet e kanë vizituar poashtu shumë persona, por ja që unë tani në moshën 24 vjeçare vetëm e vizitova qytetin historik. Tek pazari më pëlqyen më tepër pllakat tek të cilat ecje. Kishte një butësi në ecje. Pllakat sikur nuk ishin nga guri, por nga një lëndë e butë, e përthyeshme. Pazari siç dihet kishte më së tepërmi qilimë me shqiponjë dykrenare, punime artizanale dhe të tjera punime mjaft me vlerë dhe që përbëjnë shpirt të traditës shqiptare. Më pëlqeu fakti se në atë pazar mundeshe të gjeje edhe sende nga e shkuara jonë. Ai pak vend aty në pazar përbën një ansambël të vërtetë vlerash foklorike. Këtu më së shumti gjeje në statujë të vogël Skëndërbeun, i cili ishte edhe heroi që më së shumti ngrihej në peshë thuajse në tërë vendet kryesore të Krujës. Pazarin duhet ta kaloje modeomos që të gjendeshe më tej tek Kalaja.

Kalaja e Krujës

Hyra në kalanë e Krujës. Fillimisht kishte mure dhe mundeshe të mirrje me mend se kushedi se ç’beteja e ç’përballje gjakësore janë zhvilluar në këto mure. Mendoje sesa shpata ishin kryqëzuar këtu, sa gjak ishte derdhur dhe sesa fuqi kishin lëshuar ushtritë kundra njëra-tjetrës. Këto gjëra po më vinin në mendje. Por se realiteti ishte ai që përballë syve të mi u shfaq një burrë i moshuar që shiste libra për historinë e Krujës dhe të Skëndërbeut. Ia bleva një libër dhe më pyeti më tej se nga isha. “Nga Dibra jam”, i thashë. Ndoshta ngaqë ia bleva librin më lavdëroi dhe lëvdoi edhe krahinën nga isha. Folëm pak dhe i thashë edhe se Skëndërbeu është nga Dibra në fakt dhe se fjalimin e parë që e ka mbajtur ka qenë përpara popullit dibran. Si për çudi burri i moshuar ma aprovoi informacionin, ndryshe nga ç’kishte ndodhur me disa bashkëfolës të tjerë që mbronin tezën se Skëndërbeu ishte nga Kruja. Në fakt e di fort mirë se në Krujë thjesht ka luftuar, por se fshati Sinë e Dibrës është pika e origjinës së tij dhe familjes së Kastriotëve. Madje në Dibër sot e kësaj dite gjendet një fshat që ka pikërisht emrin Kastriot. Megjithatë thjesht e transmetova si informacion e jo me lavdërime se Skëndërbeu mund të kishte lindur në çdo lloj krahine dhe ky fakt pak rëndësi ka. Dhe se më tej më tepër dëgjova fjalët e burrit të moshuar sesa fola, për shkak edhe të moshës së tij.

Muzeu “Gjergj Kastrioti Skëndërbeu”

Në fakt edhe Muzeu ishte brenda Kalasë, por në tre katet më të larta të saj. Bleva biletën për të hyrë në Muzeun që i kushtohej thuajse tërësisht figurës së Skëndërbeut. Bileta ishte 200 lekë të reja. Pas meje kishte edhe nja dy-tre tufa me nxënës nga shkollat 8-vjeçare që e vizitonin shpesh këtë muze. Ndërsa muzetë ndahen në disa pavione, ky kishte veç në fillim Pavionin e Lashtësisë dhe më tej gjithçka ishte rreth Skëndërbeut dhe glorifikimit të figurës së heroit tonë kombëtar. Tek Pavioni i Lashtësisë thuhej se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve dhe se për demonstrim jepej një statujë e një luftëtari ilir si dhe armë nga koha e Ilirisë. Pas kësaj gjithçka i dedikohej veprimtarisë 25-vjeçare të Skëndërbeut. Ajo që nuk më pëlqeu shumë ishte fakti se gjithçka trajtohej sikur e mësojmë në histori. Skëndërbeu që për 25 vite me rradhë kishte ndalur ushtritë turke të cilat kërcënonin Europën. Madje kishte edhe një hartë për këtë gjë sesi kishte ndodhur mësyjma osmane kundër Evropës. Kishte plot piktura të realizuar nga piktorë të ndryshëm për Skëndërbeun, piktura të betejave të Skëndërbeut, harta e Arbërisë, si dhe karrige që përdorej nga vetë Skëndërbeu dhe princërit e tjerë shqiptarë të kohës. Nuk kishe çfarë të komentoje më tepër se ajo që aty mund të shihje të njëjtën gjë që na është treguar në histori rreth periudhës 25 vjeçare të luftimeve të Gjergj Kastriotit Skëndërbeut. Aty tregohej harta e betejave të Skëndërbeut, më tej luftëtarë dhe heronj që bashkëpunuan ose bashkëkohës me heroin tonë (Gjergj Arianiti, Vrana Konti, Lekë Dukagjini etj.). Për çudi ndër ata statuja veç busti i Hamza Kastriotit nuk ishte, që kurdoherë në histori e kemi quajtur “tradhëtar”. Edhe një lloj glorifikimi i tillë kaq shumë i Skëndërbeut nuk është se më pëlqeu  shumë. Ndoshta ndjesi personale, por se nga ana tjetër mund të jetë figura e vetme publike që e kemi e që na nderon, sidomos në Europë. Kjo sepse ndër të tjera Skëndërbeu ka kontribut për mbrojtjen e krishtërimit në Europë, për shkak se Perandoria Osmane u ndal pikërisht në Arbëri për të mos vijuar dot pushtimet në anën tjetër të Adriatikut. Kjo ishte arsyeja se përse Skëndërbeun e adhuronte si Huniadi ashtu edhe Mbreti i Napolit, i cili tregohet se ka qenë mjaft i tmerruar nga ndonjë invazion i mundshëm turk. Ja pikërisht nga fundi i Muzeut shfaqej Skëndërbeu së bashku me aleatët e tij më të ngushtë: Huniadin e Hungarisë dhe Mbretin e Napolit. Thuajse i kisha parë të tre katet e muzeut i cili ishte brenda Kalasë dhe se ndërmend më vinte se pikërisht në këtë vend kushedi ç’tmerre, ç’makthe e ç’lemeri është përjetuar. Sa topa mund të jenë lëshuar për këtu nga ushtria osmane, sa gjak mund të jetë derdhur, sa…sa… Por se dola në ballkonin e Kalasë dhe të Muzeut njëkohësisht dhe që aty shihje sërish Krujën magjepsëse që nga larg dhe flladi të përplasej në fytyrë. Horizont i pafund. Përnjëherë mu çlirua disi koka duke menduar për historikun e Kalasë dhe ndjeva aromë freskie, natyre e disi lirie.

Në vend të mbylljes

Teksa përmend Krujën sërish në mendje më vjen historia dhe pas kësaj edhe Gjergj Kastrioti – Skëndërbeu. Më saktë betejat e tij të lavdishme. Në të ardhur nga Kruja në mendje më shkoi se qyteti historik ndoshta duhet të kishte edhe njerëz më të mirë që të konsiderohej vërtetë i tillë. Këtë përputhsmëri që e kërkoja nuk e gjeta. Shpresoj ta vizitoj sërish Krujën, por tjetër herë jo veç me historinë e saj të lavdishme, por edhe me njerëz tepër më të kulturuar.

 

 

5 Komente

Pjeri do kishte arrit me shpejt ne Kruje.

Asaj nuk i dihet Brado, se me ate rregullim te çrregullt qe i bojn stacioneve te autobuzave, rrezik edhe une do isha çorientuar. 

Artikulli ishte i bukur dhe me nxiti te shkoj ne Fush-Kruje dhe Kruje, qe fatkeqesisht akoma nuk kam qene, akoma nuk i kam pare smiley veç nga larg

Pergezime Dionis, pershkrim i hollesishem i asaj se si duhet te gjesh rrugen ne Albanié kur je ne kushtet e nje turisti te thjeshte (dmth mision i pamundur). Fatkeqesisht, me duhet te bie dakord se nese do kishe shfletuar VQ-ne me shpejt do ishe orientuar.

Udhetim interesant! Mire qe e mirembajne kalane dhe muzeun, se nuk lidhet vetem historia mesjetare me ate, por edhe historia moderne, po te kujtojme viziten e De Kuejarit ne 1990, dhe hapjen e Shqiperise pas kesaj. Persa i perket fushkrujsave, e mamurrsave, ata keshtu kane qene gjithe jeten, te serte dhe nervoze.

. Në të ardhur nga Kruja në mendje më shkoi se qyteti historik ndoshta duhet të kishte edhe njerëz më të mirë që të konsiderohej vërtetë i tillë. Këtë përputhsmëri që e kërkoja nuk e gjeta. Shpresoj ta vizitoj sërish Krujën, por tjetër herë jo veç me historinë e saj të lavdishme, por edhe me njerëz tepër më të kulturuar.

wow.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).