E keni dëgjuar fjalën “masakër”? Sigurisht që e keni dëgjuar. Jo jo. Kjo që po e tregoj nuk është ashtu siç e ke dëgjuar dhe që iu shkon përnjëherë në mendje. Nuk është “masakër me gjak”, as krim i tmerrshëm me kufoma e me njerëz, as pastrim etnik as…as…

Është masakër urbane. Po ç’është masakra urbane? Pse kaq lemeri, tmerr e llaftari qenkërka? Për një sy të thjeshtë që e vëzhgon për të parën herë të tillë pamje mendon se është thjesht periferia e një qyteti “metropolitan” si Tirana. Jo pra nuk është kështu. Është krim. Tmerr madje është.

Është tia veshësh një njeriu kapuçin tek këmbët dhe çorapet tek koka. Është ti bësh transplant një njeriu të cilit zemrën ia vë tek këmbët kurse trurin tek zemra.

A vritet ky njeriu po qe se ia kryejnë në të tillë mënyrë operacionin?! A e dëmton? Po ç’thua more. E masakron. E vret në vend.

Kështu pra edhe qyteti i Tiranës po përjeton hemorragji sepse veshkat ia kanë ngatërruar me zorrët, zemrën me trutë, kurse palcën me kokërdhokët e syve.

Kështu e kanë sakatuar, e kanë përçunduar, sikur një njeriu ti biesh me sëpatë pas kokës. A çohet ky njeriu pasi i ke rënë me shat’ e me sëpatë m’u në tëmël të kokës?! Çohet thua?

Kështu pra i kanë rënë edhe qytetit. E kanë mbytur në rrugë, asfalt, pluhur, baltë e gjithëçfarë lloj aromash të pakëndshme.

Kështu duket pallati sikur është i bukur, i lartë, kurse pranë tij janë plehrat, balta, rrugicat copa-copa dhe një rrugë-baltë e hapur pasi mbi të kanë kaluar me mijëra njerëz. Këtu është Lana, janë kanalizimet e gjithandej  ndjese për fjalën por aromë urine vjen në të katër anët. Fjalën diç jo të duhur nuk po e them për ta veshur me banalitet situatën, por i tillë është realiteti prej vërteti.

U qartësove tani? Akoma jo?! A i sheh fushat?! Po këta shtëpitë 2-3 kate që katin e parë e kanë me shtylla, të dytin e kanë për banim kurse të tretin një dreq e di se për çfarë e kanë ndërtuar. Po këto i sheh. Fushat e mbushura me plehra dhe me barëra të këqija?

S’mirret vesh as se kush i ka këto fushat e derisa rrinë kështu djerrë kushedi pronari mundet të jetë më i zoti se shteti. Individ mbi shtetin. Ke parë ti kështu? E kupton tani?

E pra: Ka masakër si krim pasioni me gjakra e kufoma por se ka edhe kështu krimi. Tani a do ta dish se cili nga këto krime është më i rëndë?!

Ja ta them unë. Sigurisht që ky krim të cilin po e sheh me sy. E di pse?! Sepse krimi i pasionit e merr jetën e një personi, dy apo të disave.  Kurse ky që e sheh ti është “krim i qetë” por me përmasa tragjike.

Po çuditesh? Hiç mos u çudit. Hiç fare. Kjo pamje që po e sheh ti është krim tejet i rëndë. E para ta lartpërmenda se nuk i dihet se e kujt është toka dhe se shteti nuk e përdor dot atë tokë për të ndërtuar parqe, lulishte etj. Individë mbi shtetin. Ke parë ti?!

Edyta shtëpi mbi toka buke, mbi bar dhe mbi lulishte. Pallate mbi natyrë. Ke parë ti?! Individë prapë mbi shtetin. Shtet që nuk i planifikon dot individët e vet.

Prit se akoma nuk kemi ardhur tek “krimi final”. Po cili është “krimi final” do thuash?! Këto krimet që ti përmenda kanë si pasojë ajrin e ndotur plot pluhur e llum.

Këto krime “na e hanë” përditë shpirtin ngadalë dhe na e shkurtojnë jetën. E pra krim me pasoja tepër të rënda. Që shkurtojnë jetë. Mbi shumë njerëz.

Po tani çfarë mendon? Ajo që po e sheh nuk është thjesht një pamje. Është vend krimi.

 

 

4 Komente

Ja dhe nje emigrant tjeter qe leshon vrer per Albanie.

Po ça te bejme.o Dionis? Ne Tirane kane emigruar nga te gjitha skajet.e.shqp. Disa me.deshire disa i kane detyruar me vote plebishitare, kjo eshte historia. S kemi ç te bejme!

Ky nuk mund te quhet reportazh, eshte thjesht opinion. Per te qene te sakte.

Shkruesi duhet t'i referohet statistikave te bashkise per ta kuptuar sa jo e drejte eshte pershkrimi qe i ben Tiranes. Te gjithe e kane gabim, edhe nderkombetaret kur flasin me shifra per ndotjen makabre te mjedisit, edhe kur akademiket e mirenjohur nderkombetare flasin me dashuri e qetesi per zhvillimin paqesor me mireqenien ne plan te pare te metropoleve. 

Edhe qyetaret e thjeshte e kane shume gabim kur ankohen per barin, lulishten, hapesiren e blerte qe ja heqin me dhune nga mushkrite e tyre. Edhe doktoret aty ketu e kane shume gabim te ankohen per rritjen e numrit te madh te semure me kancer ne mushkeri nga ndotja, pluhuri, betoni. 

Paria thote e kane gabim. Nuk mund te kete mendim ndryshe. Komuna mbi te gjitha. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).