Ka vargje të cilat burojnë më së shumti direkt nga Muza e Poezisë, sa të ashpra aq dhe të ëmbla, sa të bukura aq dhe tragjike. Por ka edhe vargje që presin në shpirtëra të ndrydhur të kalojë kjo Muzë përshkuese, e pastaj –me një leje sa të matur aq edhe të arsyeshme nga llogjikë e mëndjes– lëshohen të rreshtuara në trishtimin dhe gëzimin e tyre, në dhimbjen dhe kënaqsinë e shpirtit të tyre. Këto të dytat janë vargjet e Lorenca Bejkos në librin poetik „Njëherë në jetë“, të urta e të sjellshme, të vrara e të plagosura, të bukura e plot mendim. Duke lexuar ato, nuk përfshihesh menjëherë brenda tyre. Biles të duket se ti i shikon ato të rreshtuara në një copë të qiellit, duke ecur e fluturuar, disa të rëna për tu ngërthyer me tokën, e disa për tu shkrirë me abstraksione të patejdukshme.

Qiell i mërgimtarit,

qiell i mëkatarit,

qiell i tradhëtisë,

qiell i dashurisë,

edhe pse i stermadh,

nën velin e meijtë na mbulon,

mbetesh qielli im,

i shpirtit tim përgjithmonë...

Ndoshta është dhe vetë qielli kështu i matur si vargjet e Lorencës, ndoshta është edhe ca më shumë e matur vetë hyjnorja qiellore, ndoshta është vetë matësia një kalibër lidhës i shpirtit të njeriut dhe dritë-errësirës së Gjithësisë!?

...Në rreth fildishi,

në rreth argjendi,

shihja qiellin,

qirinj mbi hu...

dhe vështroja teksa përplasej,

mbi dallgë shpirti,

mbi dallgë qielli,

tek-tuk pirgje resh,

re të bardha,

fantazmorike....

Nuk është rastësi që shpirti i kësaj poete duket sikur kërkon shpëtim nga qielli dhe retë e bardha, ashtu siç shumë shpirtëra poetësh, të plagosur e të vrarë mbi tokë nga njerëzia, të shtypur e të dërmuar nga nxitimi i kotë, të batërdisur e të katranjosur nga materializmi dhe makutëria. Ndaj dhe mendimi i paraprin jo rallë asaj ndjenje aq universale si dashuria, e strukur kjo diku nën gjurmët muziane të kësaj qënie femërore me dëshira të pastëra si dhe kjo sublime universale.

Brenda askush s’e vë re,

Brenda meje,

Kam kaq shumë ndjenja,

Mirpo kjo botë e pasur ka nevojë për më pak mendim, për më pak llogjikë, për më pak sintezë. Ndoshta është mosha e saj e rritur, që na jep një Lorencë të pjekur, çfarë e vret poezinë!? Ndoshta janë studimet juridike të saj, ato që e lodhin me ngërthimin e tyre ndaj njeriut dhe shoqërisë!? E ndoshta është ai metropol i mbyllur Tirane që e vret shpirtin e saj të lindur dhe rritur në hapsira malesh të Tepelenës, nga Lorenca na vjen? Kushdo qoftë, ajo nuk e fsheh lodhjen e saj; patjetër një lodhje metaforike e saj.

Le të hedhë në erë gjithshka,

dosje, dokumente...

U lodha...

Durimi ka kufij...

Por shkova drejt infinitëve,

Tashmë...

E di...

Është e mundimshme,

E di...

U lodha...

Aq sa mendimi na del i pjekur dhe i kalibruar në vargjet e Lorencës, aq na mungon në këto vargje një shpërthim demontesk, qoftë edhe i trilluar. Kur futesh në ‘to, ato të tërheqin si nenet e paragrafëve të shumtë juridikë përpara një akti të pazbuluar mirë, të cilin kërkon ta gjesh të zbuluar në këto vargje, të thuash më mirë: kërkon ta kapësh në flangrancë subjektin dhe aktin e kërkuar, pikërisht atë të padukshmen. Mirpo, po si në nenet e shumtë juridikë, të cilët i japin mundësi këtij akti apo subjekti edhe të fshihet e të justifikohet, kështu humbet nga sytë e lexuesit të etur për gjurmë muze poezie shpërthimi tronditës që le shpesh kjo muzë. Në vend të këtij shpërthimi gjejmë tek vargjet dritë-hije lorenciane disa gjurmë tashmë të zbehta, të cilat vetëm na venë në mendime dhe imagjinata të asaj diçkaje të ndodhur, e pse jo, edhe të pandodhur akoma. E qëndrojmë gjithë pikëpyetje si ai hetuesi në dhomën ku duhet të ketë ndodhur krimi, por pa kufomë e gjak, vetëm dritaret e hapura dhe era e marrosur na tregojnë diçka të ndodhur, si dhe ajo gotë verë e tharë mbi tavolinë, të cilën nuk mund ta cilësojmë dot nëse është pirë nga hidhësia e një trishtimi të kapluar, apo është tharë e përpirë nga era e tërbuar e shpirtërave të humbur!?..

Qielli blu brenda një gote,

Tek muzgu më merr me zor...

Më merr ...

Dehur,

Kaptuar të gjithë lotët,

i mbys me një gotë verë ...

Një lot të mbytur në një gotë verë është vështirë ta dallosh. Duhet hetues i sprovuar, thuhet. Dhe vetëm atëhere mund të kuptosh se përreth asaj gote ndjenjat janë kapërlthyer me njëra-tjetrën, ndoshta në një çmenduri dhe shpresë ekzotike!?..

Për nje sekondë je e lumtur...

Sekondin tjetër e merr vala…

Minuti s’parashikohet,

As mendohet,

Kështu duke e marrë njeriun me flatra drejt kotësisë së shpresës, duke dalë nga dritarja, e kujtuar se po fluturon, e për ta lënë erën të fshijë çdo gjurmë helmi, çdo shenjë dhimbje të kaluar e ... të pandarë përjetë shpirtit të njeriut.

dhe u nisa nderë trotuarit,

kaptuar premtimeve....

e zhgënjyer,

nga helmi i keq i zemrës time...

dhe u nisa...

tharë nën fustanin e hollë rrugës bosh,

ashtu jam nisur,

por askund s’kam ku shkoj...

sepse dhimbja është ende aty...

A nuk dallojnë tek këto vargje më shumë gjurmë të përzierjes së saj në jetën metropoliane, se sa ato gjurmë ndjenjash të marra nga vendlindja, ku natyra nuk vështron për fustane të hollë, as për rrugë bosh dhe plot!? Mendoj se pikërisht kjo jetë qyteti ka mbytur qënien e juristes së ardhme, me gjithë ato çingërrima që afron kjo jetë rrugësh, të mbushura plot me lëvizje. Kjo jetë metropoli ka vrarë jo pak edhe shpirtin poetik të saj! Mëkat! Por jeta i ka këto! Nuk është çudi që në të ardhmen ta shohim Lorencën të prezantuar në prozë, ku mendimi ka rrugë më të gjerë shpalosje, e çfarë ndoshta do ti shkonte edhe më shumë zbrasjes së shpirtit të saj prej muzeje, duke e shplodhur dhe dhënë fuqi të reja në krijimtari! 

7 Komente

ಠ_ಠ

Karlo, seriozisht e ke?

U lodha...

Tashmë...

E di...

Është e mundimshme,

E di...

"Nje here" ne jete, edhe falet. Te gjithe kemi bere vjersha ne gjimnaz.

Ehe, por kemi patur dhe aq mend ne koke, sa per te mos ja treguar njeriu, qe te lenim koqen e namit. smiley

smiley 

Tani une nje gje nuk kuptoj dhe doja te pyesja kete antarin e ri Karl Marks, se; keto shkrime jane te tijat apo jane te Lorenca Bejkos dhe KM eshte vetem postuesi. 

Shkrimi eshte i imi, vargjet jane te Lorenca Bejkos. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).