Qielli i Tiranës tashmë ishte nxirë. Mbi qytet “lundronte” gjysmë-hënë e qartë. Qyteti tanimë dukej si labirint me pengesa. Dalloheshin nga lart veç ndërtesat kryesore si “Muzeu Kombëtar”, “Xhamia e Et’hem Beut”, ndonjë kullë e lartë e ngritur së fundmi dhe padyshim ndërtesa simbol “Pesëmbëdhjetë katëshi”. Ditët e muajit prill kanë ardhur të ngrohta, moti dukshëm ka ndryshuar gjë që ka bërë që njerëzit të tunden e të shkunden teksa dalin dhe argëtohen nëpër vende të ndryshme.

Mirëpo kjo ndodh vetëm ditën kur dielli rrezenxehtë e lëshon verbërisht dritën e tij. Me të rënë reja e zezë e natës, njerëzit në kryeqytet struken dhe veç një pakicë e vogël mbetet – kryesisht në bare dhe restorante pranë vendit të njohur si “Blloku”. Njerëzit dalin kryesisht në orët e vona për dy arsye kryesore: Për t'u llafosur pas sfilitjes në punë të përditshme ose për të parë ndeshje futbolli.

Kështu Tirana e Shqipëria nga pak kanë nisur t'i ngjajnë Italisë duke formuar kështu një “piccola Italia” në brigjet e Adriatikut. Njerëzit këtu flasin shumë e pak punojnë, merren thuajse tërë kohës me thashetheme dhe politika ngjan show i gjallë.

Poashtu mungon thuajse tërësisht industria apo fabrikat dhe vendi është mbushur me tekstile. Italianët më së shumti kanë “zbritur” këtu dhe punësojnë shqiptarët me paga tejet të ulëta. Një skllavëri e re mund ta quash ose kolonizim i butë. Edhe kafenetë e shumta janë dëshmi e faktit se Shqipëria tenton t'i ngjajë Italisë.

Këto mendime më vinin ndërmend teksa isha ulur tek kafe “UFO” e më servirën një çokollatë të zezë e cila më mbeti në fund të barkut. Gjithsesi këtu isha ulur sepse kisha prerë biletë për të ikur në Kosovë.

Tashmë rruga për në Kosovë është shkurtuar, kufijtë vetëm sa janë fizikë e duket sikur më kot thuhet se po ikën në ‘shtet tjetër’.

 

Udhëtimi

Përpara se autobusi të nisej, u grumbulluam të gjithë personat që do të iknim drejt Prishtinës. Gjendeshin më së tepërmi shtetas të Kosovës, por mes tyre edhe një djalë nga Shqipëria. Djali në fjalë kishte një sjellje dhe një vështrim që diçka m'u duk i dyshimtë dhe ndaj bëja të mos i afrohesha fort. Me disa pasagjerë, autobusi u nis rrugës. Për karshi meje ishte ulur një bullgare me ngjyrë dhe se edhe kjo më ngjalli dyshime për arsyen e vërtetë të udhëtimit të saj. Si bullgarja, si djali nga Shqipëria, si duket e kishin Kosovën si “pikë tranzicioni” për të ikur më tej drejt Gjermanisë, apo shteteve të tjera europiane dhe një dreq e di se me ç’mund të merreshin atje. Në një ambjent, ku secili shihte punën e tij dhe ku aspak thuajse nuk e njihnim njëri-tjetrin, udhëtimi nis qetësisht. Fillimisht nuk ndihej asnjë zë dhe po e shijoja udhëtimin. Rrugës kaluam me rradhë qytete të vogla si Miloti, Fushë-Kruja, Rubiku e më tej Rrësheni e pranë kufirit Kukësi. 

Ajo çka përjetova ishte kaplimi nga një ndjenjë e trishtë për atë se këta vendbanime sa e kishin emrin qytete pasi në të vërtetë në përmasa janë tejet të vogla. Emigrimi masiv drejt jugut të Shqipërisë, Tiranës dhe shteteve europiane që iu ka ndodhur këtyre zonave vështirë se iu ka ndodhur vendeve të tjera në rajon e në mos në kontinent. Duke qenë vetë një verior i shkëputur që andej për të jetuar në Tiranë, m'u dhimbs realitet i braktisjes masive të qyteteve veriore të Shqipërisë.

Gjithsesi pak përpara se të mbërrinim në Kukës u ndalëm në një bar-restorant. U ulëm unë, djali po nga veriu i Shqipërisë me të cilin krijova distancë qysh në fillim, bullgarja dhe shoferi i autobusit. Si për çudi shoferi dhe bullgarja nisën të flasin me njëri-tjetrin në bullgarisht, gjuhë të cilën shoferi e fliste për shkak se kishte udhëtuar disa herë në Sofje. Kur këta të dy rastiste që nuk merreshin vesh, ndërhynte kamarieri, i cili e fliste shkëlqyeshëm bullgarishten. E pyeta kamarierin për kuriozitet nëse ishte goran i Kukësit derisa e fliste mirë bullgarishten. “Jo Jo. Ngaqë vijnë shumë të huaj dhe sidomos maqedonas dhe bullgarë e kam mësuar”, më tha. Nuk e di nëse e tha të vërtetën, por pasi mbaruam së ngrëni bëmë të çoheshim nga restoranti. Ndërkohë gjatë bisedës në sfond na kishte shoqëruar gjatë gjithë kohës kënga e këngëtarit repist Gold Ag “Shqiptar 2”, e cila di edhe se ka shkaktuar debate të mëdha në Kosovë.

Kurse kamarieri në të ikur, në nder të bullgares, e cila ishte me ne, na tha si me gjysmë shaka “Zdrava”. “Ç’do të thotë Zdrava?”, ia ktheva . “Zdrava do të thotë mirupafshim”, më tha. “E mirë. Mirupafshim”, i thashë.

Hipën sërish në autobus. Avash iu afruam kufirit. Bëmë gati pasaportat dhe kartat e identitetit. Shoferi na i mblodhi dhe ia dorëzoi doganierit. Na i ktheu pasaportat për as dy minuta dhe vazhduam rrugën. Hymë tanimë në territorin e shtetit të Kosovës. Po ecnim për nga “Rruga e Kombit” dhe përpara nesh u shfaq një qytet tejet i madh. Ishte Prizreni. I thashë shoferit se kam dëgjuar se Prizreni është qyteti i dytë për nga madhësia pas Prishtinës. Ma ktheu se qyteti i dytë për nga madhësia pas Prishtinës ishte Ferizaj. Isha i bindur se ishte Prizreni, por nuk ia ktheva më. Sidoqoftë ramë dakord se shqiptarët e Kosovës i kishin ruajtur qytetet e veta nga betonizimi i tepërt, krejt ndryshe me çka kishte ndodhur me qytetet e Shqipërisë. Dhe vërtetë që kur hyje brenda në Prizren gjeje plot hapësira boshe dhe vetëm shtëpi 2-3 katëshe dhe jo pallate gjigande që ia zënë frymën natyrës. Qytet i mrekullueshëm me hapësira boshe e të gjelbërta dhe me plot jetë.

Këtu në Prizren ndalonte autobusi ynë pasi na priste tjetër mjet udhëtimi. Autobusi që na priste na çonte drejt Prishtinës, porse shkonte edhe më tej në Slloveni, Hungari e Gjermani. Personat përgjegjës na pyetën këtu nëse udhëtoje më larg se Kosova. Pyetja që e bënin ishte “Ndonjë problem. Deportim nga Europa?!”. Kur erdhi radha ime “Jo” i thashë dhe hipa në autobus. Ndërkaq kur hipi djali tjetër nga Shqipëria, në pyetjen “Deportim nga Europa?!”, ai tha “Po”.

Pavarësisht faktit se djali që kishte udhëtuar me mua kishte deportim dhe se kjo dukej qartë gjatë udhëtimit të tij pasi ishte i tensionuar tërë kohës, më pelqeu disi fakti që e pranoi se kishte masë karshi tij. 

Këtë herë u ula në sediljen e parë të shoferit dhe nisa të llafosem me të. Shoferi paksa për çudi ishte nga Tropoja dhe jetonte në Kamëz. Kishte dy fëmijë të rritur të moshës 25 dhe 23 vjeç, të dy beqarë dhe diku me punë e diku pa punë. Më tej konsumuam edhe pak muhabet politik. Folëm edhe për atë se jeta sa po vjen dhe po vështirësohet - fjala që ma tha dhe se besoj ishte më e goditura ishte “Kapitalizmi është i egër”. E kush më mirë se shoferi mund ta thoshte këtë, pasi ai flinte ditën dhe bënte udhëtime natën sa në Kosovë, në Maqedoni e shtete të tjera të rajonit. Kur iu afruam Fushë-Kosovës më tha se këtu Millosh Kopiliqi ka vrarë Sulltanin dhe se e kishte dashuruar historinë qysh i vogël. Kështu me ngadalë iu afruam Prishtinës. Autobusi u ndal në Stacionin e Autobusave të linjës Tiranë – Prishtinë – Tiranë.

 

Në Prishtinë

Zbres në tokën e kryqytetit të Kosovës aty nga ora 04.00 e mëngjesit. Nuk kisha ngrënë për shumë gjatë dhe aty pranë Stacionit të autobusëve gjej një mencë e cila rrinte 24–orë hapur. Kamarieri u tregua shumë zemërgjerë. Më shërbeu për të ngrënë dhe për të pirë. Më tha se kushtojnë 4 euro, por se unë kisha veç lekë shqiptare. Më tha se lekët e Shqipërisë sigurisht që i kishte dëgjuar, por nuk dinte sesi konvertoheshin në euro. Shkoi vetë dhe i theu lekët në euro tek një shofer i linjës Prishtinë – Tiranë. Edhe pse mencë, dëgjoja këngë mjaft të bukura dhe tejet interesante. Më së tepërmi këngë popullore disi të lëna në harresë nga koha, por me nota të ndjera muzikore.

Aty nisa të bisedoj edhe me kamarierin. E pyeta se me cilën parti ishte dhe më tha se simpantizonte PDK-në, sepse sipas tij partia e Hashim Thaçit i mbështeste të rinjtë. I thashë se Thaçi deri diku më pëlqen dhe se më tepër kam simpati për Vetëvendosjen. “Jo ata s’bëjnë. Veç zhurmë, sherre e potere. Veç për kësi senesh janë”, më tha. Më tej e pyeta nëse kishte qenë ndonjëherë në Shqipëri e më tha se kishte qenë në Tiranë, për pak kohë. Shtoi se shqiptarët e Kosovës i duan shqiptarët e Shqipërisë, kurse të Shqipërisë janë më gjakftohtë. Dhe vërtetë që konstatimi ngjan të jetë thuajse i saktë. Kamarieri ishte drenicak me origjinë, jetonte në Fushë-Kosovë e natyrisht që për nga origjina nuk kishte si të mos e simpantizonte UÇK-në.

Prej mencës, e cila ndodhej tek Stacioni i Autobuzëve, marr rrugën tatëpjetë për në qendër të Prishtinës. Ecja në autostradë dhe po ndjeja aromën e qytetit. Prishtina akoma nuk kishte zbardhur mirë. Përballë meje u shfaq në horizont një uzinë e vjetër që me siguri datonte qysh nga koha e komunizmit të Jugosllavisë. Pavarësisht rrokullisjes së viteve dhe modernitetit, Prishtina ka ditur ta ruajë mjaft mirë historinë e saj duke mos e dëmtuar. Në mes të autostradës vë re se kishte hyrje-dalje disi të komplikuara e me shkallë për të kaluar nga njëra anë e autostradës në tjetrën. Këtë s’e kisha parë ndonjëherë. Tek kaloje nëpër këto shkallë dhe përfundoje në disa “dhomëza” poshtë autostradës gjeje më së shumti stampa të skuadrave të futbollit, kryesisht “Plisat”, por edhe slogane kundër PDK-së apo LDK-së, të vendosura nga rebelët e Vetëvendosjes.

Gjithsesi vazhdova dhe po i afrohesha qendrës. Tashmë diç filloi të zbardhë. Pak njerëz filluan të dalin nga shtëpitë. Kur mbërrita në qendër më ngjau realisht mrekulli. Aty i gjeje bashkë paqen e luftën të përjetësuara në imazh – Ibrahim Rugova nga njëra anë dhe Zahir Pajaziti nga ana tjetër. Gjithashtu përshtypje më lanë ndërtesat e paprekura fort dhe thuajse perfekte në arkitekturë.

Pasi pashë qendrën, eca tutje për nga “pedonalja”. Të tillë emër ia lashë vetë pasi nuk e dija se ç’emërtim kishte. Shpërfaqja në qendër vetëm e shqiptarizmës e kishte kundër-efektin e vet aty: në një shtëpi në "pedonale" ishte vendosur flamuri malazez. Me siguri për të demonstruar se “edhe ne sllavët jemi këtu”. Më vonë mora vesh se nuk ishte iniciativë private e ndonjë personi apo familjeje, por thjesht aty në një apartament të thjeshtë ishte Ambasada e Malit të Zi.

Më pas mora rrugën poshtë për tek Kuvendi i Kosovës. Rrugës tek-tuk shihje ndonjë polic, i cili ecte si i shushatur e me pamje jo fort të mirë. Për kuriozitet po shëtisja pranë lagjes ku ndodhej Parlamenti. Ngjante vërtetë një mrekulli. Shtëpi të vjetra të mbetura ashtu të paprekura, me limonë ndër oborre e me karrige të nxjerra jashtë ku me sa dukej bëhej muhabet. Kishte qetësi, lashtësi e thjeshtësi mu në zemër të Prishtinës.

Tek-tuk gjeje edhe qoshe apo rrugica të Prishtinës të veshura me petkun e një qetësie të thekshme dhe me inicialet e së hershmes. Më vonë tek ora shkoi 07.00, Katedralja e qytetit e lëshoi “zërin” e saj.  Ndër rrugë në këtë orar shihje dy lloj njerëzish kryesisht: zyrtarë disi fodullë e me krevata dhe endacakët e mëngjesit.

Pasi e vëzhgova plot kuriozitet për një farë kohe rrezen më të afërt të kryeqytetit të Kosovës, pyes dhe hyj në një internet diku për të komunikuar me një shok me të cilin e kisha lënë të takohesha. Nja tre adoleshentë, në karrige të ndryshme, ia kishin këputur gjumit pasi si duket e kishin kaluar gjithë natën në lojëra kompjuteri. Sidoqoftë lidhem pak në internet dhe komunikoj me shokun nga Prishtina.

 

Kafe në Prishtinë

I shkrova që nga internet-kafeja shokut tim në Prishtinë Sefer Zogajt se do ta prisja në orën 09.00, tek stoli që ishte për karshi statujës së Zahir Pajazitit. Ndryshe nga ç’më ndodh mua zakonisht, kur më duhet ta pres tjetrin me minuta e në mos me orë, këtë herë Seferi u paraqit fiks në orar. Takohemi dhe në bashkëbisedim e sipër ecim për nga sheshi “Nënë Tereza” në një kohë që dielli sapo kishte shpërthyer. Seferi më tregoi sheshin “Skëndërbeu”, objektin e qeverisë së Kosovës dhe një xhami të vjetër, e cila gjendej aty. Ulemi në kafe dhe flasim gjërë e gjatë. Kujdesem që bashkëbiseduesi, si njohës më i mirë i terrenit, të flasë më tepër.

Më thotë se nga sa kishte mësuar nga të afërm dhe nga miq, Serbia kishte vrarë e masakruar të rinj, dhunuar fëmijë e gra e se si kishte miq që ende i vuanin pasojat e tmerrshme të asaj që kishin përjetuar ata vetë ose familja e tyre. Për një person që vjen në Prishtinë si “spektator” apo turist, të tilla histori duken të trishta, por më pak të ndjeshme krahasuar me vetë pasojat e krimit: dhimbja e lënë ndër zemrat e shqiptarëve të Kosovës është një përvojë të cilën veç ata e dinë.

Seferi vijon të thotë se Prishtina pak është prekur nga lufta e fundit. Miqtë, të cilët ia kishin dëftuar luftën e rëndë të Serbisë, thotë se i ka më tepër nga Gjakova e nga Drenica, dy fortesat e qëndresës anti-serbe dhe furisë të ushtrisë mercenare të Serbisë.

Më tej e pyes për faktin e çuditshëm se përse Adem Jashari nuk e kishte një bust në Prishtinë e nëse kjo kishte ndonjë prapavijë politike. Më thotë se nuk e dinte sigurt nëse mungesa e statujës së Adem Jasharit në Prishtinë kishte prapavijë politike, porse heroi kishte statujë në Drenicë dhe se atje nderohet siç e meriton. Për shkak të luftës së rreptë të kësaj krahine kundër Serbisë, Drenica quhet ndryshe edhe “Drenica e kuqe”.

Në muhabet e sipër po shihnim edhe qytetarët që ecnin për nga sheshi “Nënë Tereza”, krejt të papenguar dhe që e shihnin punën e tyre. E kishim një ide të përbashkët, e kjo ishte se pavarësisht se komb i vuajtur sërish jemi në thelb njerëz kryesisht të lumtur e se qeshim plot gaz në shpirt.

Çohemi nga kafja me Seferin pasi kishim konsumuar mjaft muhabet, si për vendin edhe për politikën e brendshme. Më tej shohim Bibliotekën e Kosovës, Akademinë e Shkencave të Kosovës, fakultetet dhe një manastir të braktisur, i ndërtuar qysh në kohë të Millosheviçit.

Pasi i pashë të gjitha këto, përshëndetemi shumë miqësisht. I thashë se do ta pija edhe një kafe të fundit përpara se të ikja nga Prishtina. Dhe kështu bëra. Zgjodha lokalin me pamjen më fantastike të Prishtinës, porosita një pije energjike dhe po vëzhgoja në mëditje. Pronari i lokalit përfundoi së stivosuri ca mallra të lokalit dhe u afrua për të më mbajtur me muhabet. “Më bëre pak përshtypje kur hyre në lokal.  Nga dialekti që e flet nuk besoj se je nga këtu”, më tha.

“Jo, nga Tirana kam ardhur që në mëngjes. E kam shëtitur Prishtinën thuajse tërë ditën dhe sa të pi këtë kanaçe do largohem”, i thashë.

E pyeta se nga ishte e më tha se ishte prishtinali i vjetër - edhe në Prishtinë ishte sikundër në Tiranë: gjeje shqiptarë nga të katër anët e  Kosovës.

Më tej pronari i lokalit e ndezi për vete një cigare dhe ma afroi një edhe mua. Pavarësisht se cigaren ndodh ta pi shumë rrallë, e ndeza për muhabet më tepër.

Këtu nisëm të flasim pak për politikë. Më tha se ndër liderët e Kosovës më i miri ndër të këqinjtë ishte Hashim Thaçi. Për Haradinajn mendonte se duhet të ishte hero, por s’bënte më qysh prej kohës që kishte hyrë në politikë. Kurse për Albin Kurtin mendonte se ishte demagog dhe se akoma nuk ishte bërë Kosova e jo më të bëhej “Shqipëria etnike”. Më tregoi se simpatizonte Adem Demaçin, pak Qosen e disi Rugovën. Më tha se e kishte simpatizuar Sali Berishën si çdo shqiptar i Kosovës, por kishte filluar ta donte Edi Ramën qysh kur kryeministri aktual “e plasi bombën” në Beograd e tha se Kosova është shtet i pavarur. Jo vetëm ai, por shumë shqiptarë të Kosovës kishin ndryshuar mendim për Ramën që pas deklaratës së tij të fuqishme në Serbi.

Pronari i lokalit më shpjegoi më tej se kishte punuar në Austri, Gjermani e në Zvicër e më tha se për Kosovën problem madhor mbetej ekonomia , më saktë papunësia. “Mbi 90 përqind e shqiptarëve të Kosovës mbahen me paratë e emigrantëve. Këtu veç ndonjë zyrtar i kapur pas partive jeton mirë, por ata janë të rrallë. Të tjerët veç mbijetojnë”, u shpreh ai.

Kishte shkuar vonë e për një orë nisej autobuzi. U përshëndeta me pronarin e lokalit dhe mora rrugën tëposhtë për tek Stacioni i Autobusëve. Rrugës takoj një djalë të ri në moshë, pak a shumë sa unë. Pasi hyj në muhabet me të, më thotë se është nga Mitrovica e Jugut. “Isha ditën në Prishtinë se i kisha disa punë e po kthehem në shtëpi”, tha mitrovicaliu.

Më tha se aty ku banonte shumica ishin shqiptarë dhe se edhe nga Mitrovica e Veriut pak ose aspak konflikte ka tanimë. “Nuk ia vlejnë tensionet. Po edhe serbë pak janë. Siç e sheh Prishtina është e gjitha shqiptare. Edhe andej nga jam unë drejt kësaj po shkon. Gjithçka po kthehet në vendin e vet”, më tha. Kështu pasi u ndamë mbërrita për tek Stacioni i autobuzëve që të çonin drejt Tiranës.

 

Kthimi dhe ndalesa në Kukës

Nga ç’kisha parë gjithë ditën nëpër Prishtinë, përgjithësisht kisha marrë përshtypje të mira dhe pozitive. Prishtina kishte veç shqiptarë dhe asnjë serb nuk gjeje. Ose ndoshta edhe gjeje po të kërkoje qëllimisht. Prishtina frymonte shqip. Tjetër fakt është edhe se popullata aty është në masë dërrmuese myslimane, sidoqë në mes të qytetit ishte katedralja katolike. Popull dukej tolerant dhe vihej re një hare dhe gëzim në mënyrën sesi njerëzit e jetonin jetën. Një qytet i qetë dhe modest, porse tejet i rregulluar. Siç më thanë edhe disa bashkëbisedues këtu, Prishtina pak ishte prekur edhe nga dorë e fortë e Serbisë. Nëpër sy më kishin kaluar pa fund edhe parrulla të Lëvizjes Vetëvendosje, si “Jo Zajednicës” apo stampimet nëpër mure me fytyrat e Isa Mustafës dhe të Kadri Veselit.

Sic pashë Prishtina nuk ishte e bukur veç në qendër të saj, por edhe nëpër rrugica. Edhe ndër lagje të tilla si “Dardania”, “Ulpiana” kishte gëzim e hare që ndihej në ajër. Kjo ishte Prishtina me pak fjalë e parë ndër sytë e mi.

Tashmë i kisha hipur autobusit dhe qyteti po shuhej ngadalë. Kosova edhe ndër rrugë pasqyronte bukuri të pastër natyrore. Autobusi ecte dhe kaluam me radhë qytete disi më të vogla, derisa mbërritëm në Prizren. Qyteti i Prizrenit, përpos se i madh në përmasa, e reflekton qartë faktin se mbart goxha histori. Nëse Prishtina ngjan paksa qytet artificial dhe si i krijuar, Prizreni është këtu autokton qysh prej lashtësisë. Pasi e lëmë pas Prizrenin hijerëndë vijmë në kufi e pas kontrollit të pasaportave hyjmë në Republikën e Shqipërisë.

Tanimë ndodheshim në Kukës, ku ndalemi për të ngrënë. Dreka e ngrënë në një vend si ky të shijon ndryshe. Qyteti ndodhej më tej e Drini gjarpëronte në rrugën e vet. Natyra baritore e përzier me hijeshinë e kreshtave të maleve krijonin një pamje magjepsëse.

Kukësi mund të jetë qytet i ri dhe i ndërtuar në komunizëm, por natyra këtu, Drini, malet, janë që në kohë të vjetra dhe ta ngrohin zemrën. Mall kisha sidomos për Drinin, i cili për shkak të gjelbërimit përreth merr ngjyrë jeshille. Kjo më kujtonte fëmijërinë dhe Drini ka qenë pjesë e pandarë e hapavë të mi të parë. Kjo natyrë e bukur dhe magjepsëse ta ndriçonte zemrën. Sidoqoftë, pasi hamë drekë nisemi drejt Tiranës. Rrugës mund të dalloje brezaret ndër kodra, të cilat janë krijuar nga vetë shqiptarët në kohë të komunizmit, kur në fuqi ishte parrulla “Gjithçka me forcat tona”. Mendoje sesa tmerr fshihnin ato brezare, ku me siguri ishte mbjellë patate – e cila ishte edhe bukë edhe gjellë. Është tmerronjëse sepse veç mundesh ta imagjinosh sesi kanë punuar njerëzit për të kthyer në tokë buke kodrën dhe malin. Mund e stërmund do ketë qenë.

 

Mirdita

Kaluam Kukësin si rreth gjeografik dhe u gjendëm në rrethin e Mirditës. Natyrë thuajse e virgjër. Përposa rrugës, e cila është bërë beton dhe i ndan fshatrat në ca këtej e në ca andej, gjithçka këtu është gjelbërim. Fshatrat dukeshin një mrekulli më vete. Ato i kishe ose piktoreske, ose disi të vjetra, dhe të kujtonin deri kohë të Skëndërbeut e të Kanuneve të Maleve.

Fshatrat këtu janë shumë të vegjël. Njerëzit kanë ikur dhe i kanë braktisur shtëpitë. Shumica e banorëve kanë ikur në emigrim ose në Tiranë. Përshtypje të veçantë më lanë shtëpitë-kulla, që i gjen ngado në këto anë. Diku kishte kulla, ku me siguri ruhej traditë e kanun, e diku shtëpi të braktisura e të vetmuara.

Lumi Mat i çante më dysh fshatrat dhe qytetet e kësaj ane. Aty nga Oroshi hipën në autobus një djalë diçka më i madh në moshë se unë. “Po, po, këtu ruhet akoma Kanuni dhe funksionon në shumë raste. U ktheva për ta parë shtëpinë e vjetër të prindërve dhe të gjyshërve. Këtu pak njerëz kanë mbetur. Shumë kanë ikur”, më tha.

Bashkëbiseduesi nga Mirdita shtoi se Kanuni dhe besa këtu ka funksionuar gjithmonë. Më tej si me gjysmë-shaka shtoi se këtu për 5 shekuj nuk kishte hyrë turku, por hyri rruga e autostrada. Aty për aty përpara nesh u shfaq Rrësheni, qyteti kryesor i Mirditës. Bashkëbiseduesi nga Oroshi kishte tepër dashuri për qytetin e Rrëshenit. Sidoqoftë Mirdita përbën një tokë pak të shkelur, mbushur me tradita, zakone e bukuri natyrore edhe të panjohura. Me siguri që po të hysh thellë në historikun e dokeve, normave dhe kullave të zonës do të zbulosh një mozaik më vete.

 

Pranë Tiranës

Avash-avash autobusi po i afrohej Tiranës. Kaluam një sërë qytetesh të vogla përpara se të hynim në kryeqytet. Kaluam Rrëshenin, Rubikun, Mamurrasin, Fushë- Krujën, Laçin e Kamzën. Këto janë qytete të krijuara më shumë për shkak të dyndjes masive të veriorëve pranë kryeqytetit, ose në zona periferike të tij. Vala ndër vite e emigrimit ka qenë kaq e lartë saqë është populluar jo vetëm Tirana dhe periferia, por popullata është shtuar ndjeshëm edhe disa kilometra larg kryeqytetit të Shqipërisë.

Zbres në Tiranë. Tashmë ajri më dukej disi më normal dhe sikur u riktheva në mënyrën e jetes së përditshme të kaosit të kryeqytetit tonë. Prishtina më kishte lënë mbresa të veçanta. Kryeqyteti i Kosovës vërtete kishte qenë më i vogël në përmasa dhe më modest, por shumë herë më i pastër dhe i qetë. Tirana ta merr frymën dhe pluhuri për çdo ditë na i shkatërron mushkëritë. Këtu ajri është vërtetë shumë i rëndë. E sa herë që do të ndotem nga ajri i rëndë i Tiranës, në mendje do të më vijë Prishtina modeste, por e pastër.

Prishtinë 12 prill 2016

 

24 Komente

Dionisit kane filluar t'ia vjedhin stilin e te shkruajturit shume pseudo reportere por ai eshte origjinal. Nuk ka banalitete kuzhine apo mejhanesh, jo pershkrim erotiko folklorik te personazheve, gjuhe e paster, pa zhargone... Ja keshtu behet nje pershkrim udhetimi!

Ja keshtu behet nje pershkrim udhetimi!

Mos harro qe kemi dhe dike tjeter midis nesh qe pershkruan udhetime. Apo ngaqe te shan kusherirrin ja ul vlerat?

Po pse mo gjembi me krediton gjera qe nuk kam thene. Une nuk kam share dike. Thjesht kam vene ne dukje talentin e z.Xhafa. Por ti  me duket ato qe mendon vete  thua qe jane te te tjereve.  

E kisha fjalen qe nuk i jep kreditin (meqe perdore fjalen krediton) dhe dikujt tjeter qe shquhet per pershkrimet e udhetimeve.

Une kam pershjtypje shume te mira nga ato pak kontakte qe kam pas me kosovaret,pamvarsisht opinioneve negative rreth e rrotull. Ata kan pas mendsi me te avancume kah perendimi,gja qe neve s'na pershtatej. Per natyren e vrazhde tonen,sidomos pjeses se veriut, dhe nje sjellje civile dukej si bythqimllik. Njerez te qete,me edukate,neper lokale ka nje mirsjellje qe ktu nuk e gjen kerkun.Ne kemi qan te c'vesh nga intresat,kurse ata jo. Menaxhimi qe u bajshin interesave te veta;i nxirte sta te kqinj ne syte tane. Sigurisht qe Shqipria ne ate padituri totale ne fillimet e demokracise,ishte nje terren ideal per mashtrusit. Nilloj sic ka qan mashtru katunari i shkret kur binte n'qytet. I pat shit kulln'e sahatati katunarit ai tironci.

Mu m'ka bo pershtypje ke lokalet e kosovarve kamarieret t'rrine pronto. Te ato t'albanezve shumica sikur po u ha buken.

Shqiptaret e Kosoves jane me te prirur per biznes. Po te shikosh dhe ketej nga jemi pjesa derrmuese e tyre punojne ne bizneset.e.veta. 

Mendoj se ajo eshte tjeter gje, dmth iniciativa per te bere biznese. Une e kisha llafin per dicka me te thjeshte por dhe me thelbesore, respektin per punen, biznesin qe ne fund te fundit eshte per vehten. Kamarieret prej Albanie me shume kane pordhe, dhe mbase pasqyrojne  ato te pronarve. Edhe une s'dua te bej pergjithesime, por kjo eksperience me ka ndodhur shpesh. Kurse kosovari rri lepe e peqe e buzen ne gaz. Nuk e di mbase se tek ne per kohe te gjate puna shihej si burri i nones.   

Kështu Tirana e Shqipëria nga pak kanë nisur t'i ngjajnë Italisë duke formuar kështu një “piccola Italia” në brigjet e Adriatikut. Njerëzit këtu flasin shumë e pak punojnë,

 

dmth italjanet punojne pak, sipas teje ?!.smiley

ku ta gjenim ti ngjanim sado pak Italise, ku ta gjenim !  -nese ngjan me ndonje shtet Shqiperia, ai eshte Greqia !  ne politike, ne zhvillimin e demokracise, ne berjen e shtetit.. si na e hedh dhe na tall shteti,  si ja hedhim shtetit.. ne korrupsion, ne llafe e thashetheme, etj etj..

edhe Tirana i ngan shume Athines, per nga ndertimet /betoni, rremuja, rrokopuja... ke dhene nje shembull vet me poshte qe perforcon kete, por qe vet nuk e di....

. Emigrimi masiv drejt jugut të Shqipërisë, Tiranës dhe shteteve europiane që iu ka ndodhur këtyre zonave vështirë se iu ka ndodhur vendeve të tjera në rajon e në mos në kontinent. Duke qenë vetë një verior i shkëputur që andej për të jetuar në Tiranë, m'u dhimbs realitet i braktisjes masive të qyteteve veriore të Shqipërisë.

 

....pikerisht,  pikerisht. kjo i ka ndodhur Greqise.  nga vitet  50-60-70 e tutje, ka pasur nje emigrim masiv te grekeve nga skajet,  jug-veri-ishuj, drejt Amerikes, Australise, Evropes dhe Athines.   keshtu, Greqia sot ka rreth 10-11 miljon banore. gjysma e tyre,  5 miljon, jeton ne Athine.smiley. sikurse gjysma e popullsise se Albanies sot, jeton ne Tirane.  eh sa i ngjan Shqiperia,  Greqise sa i ngjan,  per fat te keq !

Eh, ngjashmerite me Greqine jane po aq siparfaqesore sa ato me italine, apo kedo vend tjeter. Gjithashtu mos harro qe athina kishte 1 milion+ njerez perpara luftes se dyte boterore kurse ne shqiperi me zor gjeje qytet me mbi 20 mije banore... imagjino ndryshimin ne mentalitet e zhvillim ketu pa marre parasysh faktin qe komunizmi nuk na beri shume ndere kurse greqia u ndihmua nga plani marshall + evropa.

Ne fakt per nga natyra i ngjajme me shume italjaneve mendoj une. Jemi popull tolerante, pamvaresisht se harbute ne sjellje. Plus njerez me shije dhe te gatshem ta harxhojme lekun per gjerat e bukura. Kurse greket (keta te sotmit) jane kurnace si cifutet.

Mendoj se Dionisi kete ka pasur ne mendje kur e ka krahasuar Tiranen me Italine, atmosferen e pergjithshme. Ndersa si shtet nuk kemi si te krahasohemi me asnje pasi hyjne ne loje shume faktore.

"Jemi popull tolerant"smiley e diele eshte por jo me doza elefendi. Aty robt vriten pse me pe shtremet a per nje gervishje makine, pa bere hesap vijat e ujit, trungjet etj. 

Pse Tirona te duket se kemi nisur ndonje lufte apo i kemi rene m'qafe njeriu? Biles gjithe popujve qe kane emigruar ne Ballkan ua kemi leshuar nje cope vend. Shikojme punen dhe per me teper interesin tone; nuk jemi agresive. Me duket se ti ngaterron miresjelljen ose civilizimin siperfaqesor qe kane popuj perendimore me tolerancen. Prandaj biles thashe qe jemi harbute, dmth te pa patinuar.

Ndersa ato shkaqet e vrasjeve qe permend nuk jane perfaqesuese dhe per me teper jane krime banale gjakenxehtesie. Shiko cfare ndodh ne Amerike, tjetri planifikon 1 vit me ndergjegje te plote, si do qelloje brenda nje shkolle.

S'i kemi ra ne qafe se aq e kemi pas takatin. Po dhe i kemi ra nen hijen e perandorise, lexo icik Qerem Vloren, se mos na nigjo profi. Dhe kryesorja i bime ne qafe njoni-tjetrit. Komuniteti maro ke dera e shpise. Pranej kemi bo shume hajer. Do thush ti s'jemi zhduk. Aq pra mo. Edhe demokracine e 10me.

Bukur, me pelqeu. Ne mos gaboj per Prishtinen kam shkruar edhe une para nja 2-3 vjeteve. 

Ke shkruar apo nuk ke shkruar! smiley 

Kam qene dy here ne Kosove,jo vetem ne Prishtine,dhe dallimi qe kam ndier mes Shqiperise dhe Kosoves m'u kujtua edhe para ca vjetesh kur shkova ne Hong-Kong,dallimi mes Kines dhe Hong-Kongut eshte pak a shume i njejte.Po nese shqiptaret e Kosoves na duan edhe ashtu si jemi,hongkongasit,qe supozohet te jene kineze,nuk i shohin dot me sy kinezet,po u ka zene rrota bishtin.Nejse,une do t'i beja autorit nja dy verejte per shkrimin.Kur permend qytetet nga kalon,permendi sipas radhes,jo nisesh nga Tirana dhe thuash kaluam Milotin,Fushe-Krujen.Dhe nuk ka nevoje t'i permendesh edhe kur kthehesh,aq me teper me nje pasaktesi te tille qe keto qytete na qenkan kriju nga deshira e verioreve "per me ra m'Tirone".Vetem Kamza eshte i tille.Dhe kujdes me keto superlativat,jo mrekulli,jo tejet i madh.Nuk ka ndonje mrekulli Prishtina,qytet normal dhe aq eshte.Le pastaj ta quash Prizrenin,qytet me nja 300 mije banore e shumta,"tejet i madh".Vras mendjen c'do i kishe quajtur ti keto Pekinrat e Nju-Jorkrat ti.Dhe nje gje te vogel "teknike".Nese kete reportazhin a pershtypje udhetimi na e paske shkruar ne Prishtine,si ka mundesi qe te shkruan edhe per gjera qe kane ndodhur pas lenies se Prishtines.Duket sikur nuk je i sinqerte me lexuesin dhe e ke sajuae vete pjesen e kthimit.Prandaj ose hiqe fare ate Prishtine,ose beje me mire Prishtine-Tirane.

Kur kalon nga Miloti dhe Fushe-Kruja patjeter qe Prizreni te duket teper i madh. Biles ne hapesiren Shqiptare duhet te jete nje nga me te medhenjte. E vetmja gje qe nuk me pelqeu nga reportazhi ishte nje tendence qe autori kishte per ta pershkruar veriun ( jo vetem te Shqiperise) me romantizem. Dmth aty reshkiste prej objektivizmit.

Po mire, po ishte nisur nga Tirana, jo nga Miloti. C'them une Pekin e Nju-Jork, po te jete Prizreni teper i madh, Tirana me Prishtinen duhet te jene atehere qytete galaktike. Reportazhi eshte i shkruar  disi ne menyre naive, ka sterzgjatje dhe i mungon fokusi. Me shume eshte shkruar per Shqiperine dhe udhetimin deri ne Kosove e Prishtine, sesa per Prishtinen, per te cilen titulli te le te mendosh se eshte shkruar. 

eshte pozitiv fakti qe ngadale ngadale,gazetaret e integrimit, kane filluar të çlirohen  nga komplekset muchnaniste!

kosova ështe një krahine shqiptare qe pret çastin e duhur qe ne shqiperi te vije ne pushtet ndonje force atdhetare,qe ti bashkohet shtetit shqiptar.

po ka edhe me keq! ka gazetare qe akoma habiten qe ka shqiptare jashte shqiperise!

Faleminderit per reportazhin Dionis. Me shtoi deshiren per te vizituar Kosoven, kam qene vetem kalimthi ne Prishtine shume vite me pare, dhe kam patur te njejten pershtypje: dashuri dhe mikpritje per ne shqipet e Shqiperise, thuajse te pakushtezuar, kurse une me gjase reflektoja disi skepticizmat dhe distancat tona tipike, packa se e beja pa qellim.  

Me ngjan se per rrjedhoje ke bere pak refleksim tip te jetosh ne nje qytet (me te) qete, paster, dashamires vs te jetosh ne qender te kasabase, dmth Tirane. Besoj kur te rregullohet pak mireqenia e miletit (qe te ftillohet pak mileti si nga ana ekonomike dhe aspektet e tjera) shume shqipe do e braktisin Tiranen per qytetet e tjera, Tirana eshte bere xhungel pluhuri, betoni e stresi. Tani per tani fatkeqsisht edhe ata qe duan te ikin gjetke s'kane shume mundesi punesimi. 

P.S. Nje detaj jo fort i rendesishem qe me beri te qesh pak:

Kurse kamarieri në të ikur, në nder të bullgares, e cila ishte me ne, na tha si me gjysmë shaka “Zdrava”. “Ç’do të thotë Zdrava?”, ia ktheva . “Zdrava do të thotë mirupafshim”, më tha. “E mirë. Mirupafshim”, i thashë.

Po thuaji o vlla "zdrava" sic ta thote tjetri, se s'na tkurret shqiptaria po ja kthyem tjetrit llafin ne gjuhen e huaj sic na e thote. Apo s'ishte ajo arsyeja qe ja ktheve shqip? smiley

Me shtoi deshiren per te vizituar Kosoven, kam qene vetem kalimthi ne Prishtine shume vite me pare

smiley Shiko si ben. Ty ta corren masken para disa koheve qe je gazetar nga Kosova qe flet shume mire dialektin e Shqiperise.

keshtu me kane thane se atje s'jam kane smiley por policet kosovare ishin shume me profesioniste se ata nga nahija jone.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).