Rinovohet automatikisht mandati. Kryesocialisti: Ishte një po e fuqishme.

Nuk ka surpriza në referendumin e PS-së. Në fund të procesit të votimit 97% e anëtarësisë janë shprehur po rinovimit të mandatit të kryesocialistit Edi Rama, duke i dhënë një goditje të madhe grupimit që përfaqësohet si nga Ben Blushi, Mimoza Hafizi dhe Petrit Ago. Gjithsej ishin 81.572 socialistë në mbarë vendin që shprehën vullnetin e tyre me votë. Ata dhanë verdiktin e tyre në pyetjen e referendumit “Kur Partia Socialiste është në qeveri dhe kryetari i saj është zgjedhur Kryeministër, a konsiderohet i rinovuar automatikisht mandati i kryetarit?”.

Të drejtë vote në këtë referendum kishin të gjithë anëtarët e Partisë Socialiste të anëtarësuar deri më datë 31 dhjetor 2015. Votimi për referendumin nisi prej orës 08:00 të mëngjesit, dhe u mbyll në orën 16:00. Vetëm në Tiranë, procesi i votimit zgjati deri në orën 18:00. Ndërkohë që të dhënat e para të dala pas mbylljes së qendrave të votimit, rreth orës 18:00 të së shtunës, flisnin se vetëm një pakicë afër 3 për qind e socialistëve kanë votuar duke e quajtur të paligjshëm mandatin e tij 7-vjeçar, ndërsa të tjerët e kanë mbështetur atë gjerësisht.

Pjesëmarrja më e madhe ka qenë në Malësinë e Madhe, me 94.8 për qind. Konkretisht, sipas burimeve, në Vaun e Dejës pjesëmarrja ishte 93.6%, në Pukë 86.3%, në Has 87.9% dhe në Tropojë 83.8%. Ndërsa në Lezhë, pjesëmarrja ka qenë 76.7 për qind. Nga 1.906 anëtarë votuan 1.525, nga të cilët vota të vlefshme dolën 1511. Sipas të dhënave, 1.468 anëtarë votuan pro, ndërsa 43 kundër.

Fotografimi i fletëve të votimit qoftë kjo në një proces zgjedhor, apo dhe në një votim si ai i djeshmi, për një referendum për çështjet e brendshme të një partie, është një fenomen tashmë i pashmangshëm nga votuesit shqiptarë. Kështu ka ndodhur edhe dje me një nga fletët e votimit nëpërmjet të cilës anëtarësia e majtë do të votonte me “Po” ose “Jo” në lidhje me rinovimin e mandatit të kryetarit të partisë tashmë që ai është edhe Kryeministër i vendit. Por në këtë fletë votimi, anëtari i PS-së ka zgjedhur të rikujtojë dhe të bëjë thirrje për rikthim të ish-liderit të së majtës, Fatos Nano, sesa të aprovojë apo jo legjitimitetin e Ramës në krye të partisë. “Aman o Fatos ktheu”, është thirrja që një nga anëtarët e PS-së ka shkruar fletën e votimit për referendum, duke e çuar kështu këtë fletë votimi të pavlefshme, pasi ka plotësuar me shenjën kryq në dy opsionet.

Rama
Edhe pse referendumi u mbajt për mandatin e tij, kryetari i PS-së, Edi Rama, ka votuar ashtu si herën e parë për delegatët, në zonën e tij në Surrel të Dajtit. Rama e cilësoi këtë një moment me rëndësi për socialistët, të cilët sipas tij, po bëhen vendimmarrës për partinë. Rama theksoi se është me rëndësi arritja e objektivit të partisë për të numëruar 150 mijë anëtarë në 25-vjetorin e PS. “Pavarësisht se moti nuk ishte në mbështetje të pjesëmarrjes, unë kam besim se sot anëtarësia do të shfrytëzojë këtë instrument demokratik, për t’u shprehur lidhur me një çështje të brendshme të Partisë Socialiste, që edhe një herë tjetër dëshmon se është një forcë transformuese, jo vetëm në qeverisjen e vendit, por edhe në demokracinë aktive të brendshme. Është një moment shumë i rëndësishëm, sepse është hera e parë në këtë histori të re të pluralizmit, që një parti i drejtohet instrumentit të referendumit dhe u jep mundësi të gjithë pjesëtarëve të familjes së saj për të qenë pjesë e një vendimmarrje me rëndësi. Dua të them se kjo është e para, por nuk është e fundit herë që ne do të përdorim edhe referendumin, për të zgjeruar hapësirat e pjesëmarrjes dhe aksesin në vendimmarrje të çdo anëtari dhe anëtareje të partisë sonë, në një proces që është me rëndësi të veçantë, pasi Partia Socialiste është rihapur, po zgjerohet dita-ditës, po rritet me anëtarë të rinj”, tha Rama.

Pas mbylljes së procesit të votimit, kreu i PS-së ka realizuar një tjetër postim, duke falënderuar anëtarësinë për pjesëmarrjen në votim.

“Mirënjohje e thellë për familjen tonë të madhe politike që sot dha një provë shumë kuptimplotë të vetëdijes dhe angazhimit demokratik. Referendumi kaloi pritshmëritë për pjesëmarrjen falë angazhimit të të gjitha gjeneratave të socialistëve. I falënderoj me dashuri dhe respekt që të gjithë, nga 90-vjeçarët që ishin dëshmia më emocionuese përpara kutive të votimit, deri te 16-vjeçarët që janë dëshmitarët më të rinj, të të parit referendum partiak në Shqipërinë e këtyre 25 vjetëve. Referendumi i sotëm ishte një ushtrim demokratik e organizativ plotësisht i suksesshëm, i cili rrit energjitë pozitive të akumuluara në familjen tonë të madhe gjatë procesit nëntëmujor të hapjes, zgjerimit e fuqizimit të partisë. As unë e as shumica dërrmuese e shokëve e shoqeve të trupës drejtuese të PS, nuk kemi dyshuar asnjë çast se anëtarët e familjes sonë politike që, bashkë me qindra mijëra qytetarë të tjerë, na dhanë besimin dhe privilegjin e jashtëzakonshëm, për të drejtuar qeverinë e Shqipërisë pas fitores së zgjedhjeve të 23 qershorit, e kanë mirëkuptuar e mbështetur plotësisht mosmbajtjen e zgjedhjeve për kryetar partie pas marrjes së detyrës së Kryeministrit nga ana ime”, shkruan Rama. Për liderin socialist, “referendumi i sotëm, e konfirmoi katërcipërisht bindjen tonë, ashtu sikundër mbështeti me një “PO” shumë të fuqishme, vendimin e kongresit të ri për ndryshimin përkatës në statutin e Partisë Socialiste, lidhur me mandatin e kryetarit kur ky i fundit ka edhe detyrën e Kryeministrit. Kjo ditë na dha të gjithëve një arsye më shumë për të qenë krenarë për Partinë Socialiste, ndërsa mua vetë edhe një arsye më shumë për t’i shërbyer me mish e me shpirt familjes sonë të madhe politike, në radhë të parë duke e bërë me ndershmëri, përkushtim e dinjitet, detyrën e lartë të Kryeministrit të Shqipërisë”.

MAJKO:
Nga 1500 anëtarë të PS që janë në njësinë numër 5 në kryeqytet, deri në mesditë kishin votuar rreth 800 socialistë. Numri i votuesve është më i lartë se votimi për delegatët. Nuk ka pasur asnjë parregullsi

TAHIRI:
Ne jemi të hapur, transparentë, gjithëpërfshirës dhe anëtarësia thotë fjalën e vet. Ata përballë flasin me dhunë dhe me bllokim. Këto janë dy qasje të ndryshme brenda partisë…

NIKOLLA:
Anëtarësia u është drejtuar QV-ve për të shprehur mendimin e tyre për vendime kaq të rëndësishme. Ky është një hap demokratik, përmes votimit një anëtar, një votë. Qëndrimi i Blushit le të mbetet si i tiji.

VELIAJ:
Moti i keq nuk i ka ndaluar socialistët të votojnë. Socialistët po konfirmojnë mandatin e Ramës. Rama na ka çuar në 2 fitore, që përkthehen në reforma dhe në një ekonomi që po shkon më mirë.

XHAFAJ:
Ka kohë që PS nuk ka pasur një proces referendumi, kjo është një risi. Unë bëj pjesë tek ata që kanë debatuar nëse do të kishte apo jo një referendum. Sipas meje, statuti e zgjidh dilemën sesi zgjidhet kreu i PS dhe kur zgjidhet.

RUÇI:
Referendumi është një proces i rëndësishëm për PS-në. Kjo e treta herë që në vendin tonë bëhet referendum. Jam krenar që jam pjesë e një force politike si PS. Gjithë procesi ka ecur pa incidente.

Blushi nuk voton: Më heq të drejtën e kandidimit

Vetë grupi i deputetëve që kontestuan që në fillim vendimin e Kongresit për të mbajtur një referendum në parti dhe jo zgjedhje për kryetarin e saj, ka kundërshtuar edhe dje procesin, duke thënë se ai kishte parregullsi, duke lënë kështu hapësirë manipulimi.

Vetë Ben Blushi nuk ka marrë pjesë në votim për referendumin duke thënë se procesi u kontrollua nga rilindja kundër PS. Sipas të dhënave të Blushit, me përjashtim të Tiranës dhe Durrësit, pjesëmarrja është nën 50%. “Nuk votova për referendumin që u sajua për të më hequr të drejtën e kandidimit personalisht mua dhe të drejtën e zgjedhjes gjithë anëtarësisë të PS-së. Ky referendum u krye në shkelje të plotë të Statutit dhe rregullave të partisë. Lista e zgjedhësve u manipulua duke u reduktuar me afro 20% për të bërë të mundur pjesëmarrjen e cila duhet të jetë 50 plus 1 në mënyrë që referendumi të quhet i vlefshëm. Tri javë më parë, lista e anëtarësisë ishte rreth 94 mijë, ndërsa sot ajo ishte 81 mijë. Arbitrarisht në këtë referendum nuk u lejua të kishte palë kundër megjithëse ky është rregulli numër një universal i çdo referendumi. Nuk u lejua të ketë fushate nuk u lejua të ketë vëzhgues nuk u lejua të verifikohet lista e zgjedhësve dhe nuk u lejua të ketë numërues. Pyetja është kush e vëzhgoi këtë proces? Kush vendosi, kush është dhe kush nuk është në listën e votimit? Kush do t’i numërojë votat? Kjo dihet. Gjithë procesi u përgatit dhe u kontrollua nga Rilindja kundër Partisë Socialiste. Rilindja e organizoi e trukoi e vëzhgoi dhe do e numërojë”, tha Blushi. Ai ka paralajmëruar se, “beteja për të rikthyer zgjedhjet e lira në Partinë Socialiste do të vazhdojë pa u ndalur”.

Ndërkohë që deputetja, Mimoza Hafizi, ka evidentuar disa nga shkeljet që janë bërë në Qarkun e Shkodrës, për të cilat ajo që në orët e para të mëngjesit iu drejtua me një letër Kujtim Prronit, kryetar i Komisionit Zgjedhor për Referendumin në Shkodër, ku i kërkonte informime në lidhje me pretendimet që ajo kishte për parregullsitë në procesin zgjedhor. Ajo ka kërkuar të njihej me përbërjen e këtij komisioni nëpërmjet një shkrese zyrtare. Kërkesën e dytë zonja Hafizi e drejton në formën e një pyetjeje: “Përse ky komision nuk është mbledhur asnjëherë të paktën deri dje pasdite”.

“Në Shkodër, sipas degës lokale të PS, pjesëmarrja në votime shkoi në 80%, nga 1420 anëtarë të thirrur për të shprehur vullnetin e tyre. Kjo e drejtë nuk na u dha. Kam ardhur që dje që të marr në dorëzim listat e zgjedhjeve, të bëjë akreditimin dhe të monitorojmë procesin përmes vëzhguesve. Pjesëmarrja është nën 50%. Ky proces i cili nisi si proces i parregullt u iniciua, u monitorua, u organizua vetëm nga një palë”, tha ajo.

Ndërkohë që Petrit Ago denoncoi në media rastin e një të riu 25 vjeçar, i cili po votonte me dy fletë votim, çka sipas tij lë hapësirë për një manipulim të rezultatit final.

 

10 Komente

Ajatollah i Iranit eshte shume ziliqar ndaj autoritarizmit te Ajatolles se Shqiperise. 

Edhe Enver Hoxha bente zgjedhje formalisht, ku nje pakice e ngjashme si % mund tia hidhnin voten 'armikut'. Ajatollah i Shqiperise i subvencionon zgjedhjet ne parti me referendume private.

Pas mandatit te dyte, zgjedhjet ne parti Ajatollah i Shqiperise do t'i zevendesoje me fishkellima serenatash: kush s'eshte dakort qe une te vazhdoj te jem kryetar i pazgjedhur i partise le te fishkelleje per 15 minuta pa nderprerje para kamerave smiley

 

pyetja e referendumit qendron per mendimin tim, por ato te tilla mesiguri duhet te jene per rastet 'one time exception'.

Perqindja e larte e votimit & pjesemarrjes duhet te jete normalisht e pritshme. Jo si Hillariy ne Nevada, delegatet e se ciles, pasi fituan ne SuperTuesday, s'e begenisen te shkonin t'a votonin ne roundin pasardhes, duke ia kthyer keshtu fitoren kundershtarit (sanders) smiley 

" .....Ndërkohë që Petrit Ago denoncoi në media rastin e një të riu 25 vjeçar, i cili po votonte me dy fletë votim, çka sipas tij lë hapësirë për një manipulim të rezultatit final...." 

 

Mjafton ky fakt, qe sillet ne fund te artikullit, per te pare seç loje e piset luhet. 

me pak fjale, Shqipnia ishte pak si me bark, tashi esh pak si kaps smiley

smiley quite contrary, the engine is well oiled and ... running

“EDI, MOS E KRUAJ ME AMERIKËN”! RAMA PËRCILLET ME PROTESTA PER NË SHBA 

Sot aktivistë shoerise civile dhje qytetare të tjerë u mblodhën para sallës VIP në aeroport, nga ku niset kryeministri Rama për në SHBA.
Me flamuj amerikanë, me flamurin kombëtar dhe një foto të Ramës që kruan nga mbrapa kokën, me thirrjen “mos e kruaj me Amerikën” protestuesit i bënë thirrje Edi Ramës të mos guxojë të cënojë marrëdhëniet me partnerin strategjik të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë protestës punonjësit e sigurisë u dërguan disa herë për ta shpërndarë atë, por atyre iu bë e qartë se po shkelnin ligjin pasi tubimi ndodhi jashtë mjediseve që ata kanë detyrë të ruajnë

Megjithese nga ana proceduriale te mbajturet e ketij referendumi mund te jete i diskutueshem, logjikisht ky referendum i jep nje pergjigje racionale nje pyetjeje qe ne nje vend racional as nuk do te ngrihej si pyetje: a mund te nderpritet mandati i kryetarit te nje partie ne mes te mandatit si kryeminister? 

Hallku, si gjithmone, do sallore, dhe media sallore i jep. Si puna e asaj fletes se votimit ku lutej te kthehej ai pijaneci qe flet pa lidhje. 

 

 

   

si gjithmone, leaderat i kena ma t'mirt' krejt. Ca qanin kur e la stafeten berisha. Kto specialistat deri dje nuk pranonin qe t'behej referendumi edhe pse e kishin ne rregullore. Po me t'fol prijsi, rane dakort qe duhej bere. Fakt: populli trim librazhdar votoi 130% per prijesin. Ca me komentu mo shume?!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).