përshtypje leximi

Nuk është korrekte –thuhet– të bësh një kritikë letrare, apo –thjesht– një përshkrim të një libri, pa e lexuar të gjithë atë. Biles do shtoja, nuk është kjo as e hijshme e as e këshillueshme, sepse libri ka uljet dhe ngritjet e veta “sinoptike” gjatë faqeve të tij! Ndaj dhe emocionet e para mund të mos i përgjigjen atyre emocioneve dhe ndjesive që lexuesi merr gjatë leximit të mëtejshëm të këtyre faqeve. Një libër jo i pëlqyeshëm në fillim, hidhet tej me fjalët: libër koti, apo thjesht: nuk më tërheq. Kaq! Por një gjykim të tij nuk mund të bëjmë! Megjithatë, ndonëse unë kam lexuar vetëm fillimin nga romani “Dashuri apo urrejtje” të Brunilda Zllamit, dhe as kam qejf të lexoj më tej, do ti lejoj vetes ti bëj një lloj kritike letrare të veçantë këtij libri, le të themi një kritikë konstruktive, që kjo ti vlejë autorve të rinj.

Me një gjuhë paksa të thjeshtë, e pak të tej-mbushur me dialogje, ngjarjet e romanit nisin me dashurinë e dy të rinjve, të cilët vendosin t’ua bëjnë të njohur edhe prindërve këtë lidhje të tyre, deri tani të fshehtë. Mamaja e djalit, (pasi babai i ka vdekur vite më parë), Enea, fillimisht gëzohet për lajmin e bukur, por ... me të dëgjuar emrat e prindërve të vajzës, ftohet dhe shfaq pakënaqsi. Po kështu, dhe ca më keq biles, prindërit e vajzës e kundërshtojnë hapur këtë lidhje të dy të rinjve, me të marrë vesh emrin e mamasë së djalit. Për më tepër, ata sapo i kanë treguar vajzës së tyre interesimin e një alamet djali për ‘të, një afaristi të zotë, që do ti dhurojë asaj në të ardhmen një jetë të lumtur. Vetkuptohet se vajzës as i hynë në vesh fjalë të tilla. Ndërkohë kujtimet e dy grave na çojnë në kohra të kaluara, nga ku marrim vesh se të dy mamatë e sotme kanë qenë dikur shoqe të ngushta me njëra-tjetrën; jo vetëm kaq, por mamaja e vajzës, Diana, na paska gisht në dënimin politik të burrit të shoqes së saj. Dhe ca karakteristika të karaktereve të dy grave, Eneas dhe Dianës, na shpalosen po ashtu qartë qysh në këtë fillim libri. Më tej, unë nuk e di si rrjedhin ngjarjet e bukura dhe tërheqëse. Ndonëse disa variante të hipotetizuara nuk është vështirë të merren me mënd, duke përfshirë këtu edhe ato plotësime kujtimesh nga e kaluara “socialiste”. Por nuk është kjo arsyeja e mosleximit të mëtejshëm të librit. Kjo arsye do të shfaqet pak më poshtë. Më parë do sjell disa pasazhe nga ky fillim libri.

Pranvera ishte në prag. Tirana kishte përfituar njëfarë dritësimi në atë pasdite të kthjellët. Me këto dy fjali fillon libri. Disa faqe më tej: Ilda u kthye atë pasdite nga Durrësi, e kapluar nga një mall i madh për Tiranën. Nuk arrinte ta kuptonte nëse malli në të vërtetë kishte të bënte me qytetin apo me Gertin. Dy ditët që i kaloi në plazh te kushuriri i saj, vërtet e kënaqën, por edhe e bënë të ndihej e vetmuar. A do ta shihte Gertin atë pasdite? Sa e kishte marrë malli!  Dhe disa rreshta më tej: Ilda nxitoi, sepse e kishte marrë malli për të atin. –Babush, ja ku u kthye edhe kukulla jote! –Kukulla qënka kthyer, por e paska harruar zakonin e vjetër, -e qërtoi ai, ngaqë Ilda nuk iu hodh në qafë, siç kishte bërë që e vogël. –Jo, babi, jo. Nuk e kam harruar, -tha ajo dhe e përqafoi. I ati i lëmoi flokët e derdhur. Mes tyre kishte patur gjithmonë një lidhje të veçantë, një mënyrë komunikimi pa zë, që e kuptonin vetëm ata të dy

Pak më tej: Ilda nuk dinte ç’të bënte. Ishte ngritur nga tryeza dhe vështronte herë të atin e herë të ëmën. Dukej aq e pafajshme. Por edhe aq e këndshme me ata sytë e bukur të ngulur mbi tapet dhe me flokët e gjatë, që e bënin të dukej si një princeshë

Dhe, duke kaluar sa nga e kaluara tek e tashmja, kemi në f.18-19 këtë përshkrim:  Por Enea, ndonëse tip ëndërrimtareje, kishte diçka të veçantë në vetevete. Herët apo vonë, ajo dinte si t’i plotësonte ëndrrat. Disa kohë më vonë, kur Diana kishte shkuar të shihte Festivalin e Pranverës, spikerja përmendi një emër jo të panjohur për të. Para syve të saj u shfaq një vajzë flokëverdhë e sykaltër, që të zilepste nga bukuria. Më vonë fama e saj do të përhapej në të gjithë vendin. Që atëherë Enea renditej ndër këngëtaret më të pëlqyera.

Dy vjet më vonë, Diana u martua me Astritin. Por historia e “dashurisë” së tyre ishte krejt e veçantë. Në vitin e tretë, kur ajo vazhdonte shkollën e lartë, Astrit Dhamo, djali mjaft simpatik, dashuronte një shoqen e saj të kursit. Diana e shihte me zili Almën, jo ngaqë ajo ishte dashuruar pas Astritit, por sepse kishte dëgjuar se babai i tij ishte ministër. Dhe kjo kishte shumë rëndësi për të. Ato ditë e shtoi miqësinë me Almën, ngaqë mendonte se, kur ajo të martohej me Astritin, do ta ndihmonte për emërtimin në Tiranë. Në atë kohë ndodhi mrekullia, ose magjia, të themi, që ia ndryshoi rrjedhën jetës. Babai i Almës ishte ngatërruar me ca sabotatorë, siç quheshin atëherë, dhe përfundoi në burg. I ati i Astritit u tmerrua dhe e urdhëroi të birin që të ndërpriste çdo marrdhënie me Almën. Se çfarë i kishte thënë në të vërtetë Astriti Almës, ajo nuk e dinte, por e kujtonte mirë atë ditë, sepse Alma kishte shkuar me vonesë në klasë. Ishte e lagur, me sytë e enjtur nga të qarët. Qe ulur pranë saj dhe mezi merrte frymë. “Ç’ke, Alma? –i kishte thënë ajo me njëfarë shqetësimi. –Ç’të ka ndodhur?” –Diana, Astriti...” –“Ç’farë?” –“Ai më la!..” –i kishte thënë shoqja me një zë të këputur. “Si të la?” –e kishte pyetur Diana e habitur. “Ashtu e kanë urdhëruar në familje. Për punën e babait!...”

Dianës i kishte ardhur zogu në dorë. Në fillim u shoqërua me të si i dashuri i shoqes, më pas si i dashuri i saj. S’kaloi veçse një javë e ata u gjendën të fejuar. Ajo sa s’fluturonte. I dukej vetja se kishte rrokur qiellin. Të nesërmen kishte sjellur llokume për të qerasur shokët. Kur i ishte afruar Almës, dora i qe dridhur. “Diana, pse e bëre këtë? –i kishte thënë ajo me sytë e përlotur. –Pse u tregove kaq e pamëshirshme?” –“Alma!” –kishte belbëzuar ajo nën vështrimin zhbirues të shokëve. “Utregove e ulët” –i kishte thënë Alma, pa e fshehur armiqësinë. “E po në fund të fundit, -ia priti Diana me cinizëm, -ty nuk të deshi më. Pse ç’kujtove ti, se do të merrte vajzën e një sabotatori? Je vetëm një budallaqe, ja ç’je!” –“Kurse ti, Diana, je një nepërkë që mos e provoftë njeri!” –kishte thënë Alma dhe kishte dalë jashtë duke ia përplasur në surrat llokumin.

Po i mbyll këtu këto pasazhe libri me dy paragrafë të vegjël, pakëz më tej. –Po ti e do Astritin, Diana?” E donte apo jo, kjo ishte puna e saj. Në të vërtetë, ajo nuk e kishte njohur kurrë dashurinë. Ajo njihte vetëm dashurinë për pushtet, për të qenë mbi të tjerët. ... ... Në qytet ra muzgu. Tirana ishte si një mbretëreshë që mbante brenda stoli të mrekullueshme rinie. Rrugët e saj u mbushën me çifte të rinjsh e të moshuarish e që të gjithë kishin diçka të përbashkët: dashurinë

Besoj se pas këtyre pasazheve nga fillimi i librit, çdokush dallon karakteristikën e këtij romani. Dhe kjo është pikërisht lloji i rrëfimtarisë së tij, lloj i cili është tërësisht ai i një përralltari. Pra, kemi të bëjmë më shumë me një përrallë se sa me një roman. Pikërisht kjo është ajo që ta ndal leximin e këtij romani-përrallë. Përralla të tregon qysh në fillim dritat dhe hijen. Ajo është gati bardhe e zi. Emocionet e vetme, që ajo të ngjall, janë ato të kureshtjes mbi ndëshkimin që do marri personazhi i keq! E të mos harrojmë, edhe një pendim i personazhit të keq në fund të ngjarjes, edhe një aksident nga fuqi natyrore/ qiellore, është një ndëshkim i merituar për këto personazhe. Ndaj, shpesh një përrallë pa plot-pointe të shumtë brenda saj dhe pa aksione, është mjaft e mërzitshme.

Plot-pointi i deritanishëm në këtë përrallë-roman është interesimi i një afaristi të ri për dorën e Ildës, bijës së personazhit të keq. Si e ka zhvilluar shkrimtarja këtë linjë, unë nuk e di? Kjo të bën vërtet kureshtar. A kemi vërtet në këtë përrallë një zhvillim të papritur në këtë linjë? Deri ku shkon marrdhënia Ilda-dorëkërkuesi? E, sido të zhvillohet kjo linjë e panjohur në fillim të librit, ne jemi të sigurtë se kjo nuk do ta ndryshojë ndëshkimin e të ëmës së Ildës në fund.

Ndërsa aksioni në këtë përrallë-roman është përpjekja e dy të rinjve për të mbi-kaluar pengesat e prindërve të tyre, sidomos ato nga ana e prindërve të vajzës, më së shumti ato të së ëmës, Dianës. Se si do të zhvillohet kjo përpjekje, kjo dashuri alla përrallash Grim, unë nuk e di! Nuk e di as përfundimin e saj! Por edhe sikur një përfundim të keq të ketë, (çfarë nuk e besoj kollaj në autorë përrallash), sërish kjo do të jetë një ndëshkim i madh për prindërit e Ildës! Në këtë rast përralla do të ketë zgjatime në plot-plointin e mësipërm, ku afaristi mund të martohet me Ildën dhe sëfundi të bjerë në burg si trafikant, e pse jo, si trafikant i Ildës së dashur. Diçka e bukur, ky lloj drejtimi, ë!?

Por nuk e besoj se naiviteti i tregimtares tonë do të na shpjerë në ato skena makabre të mashtrimit dhe vrasjes së një drenushe aq të ëmbël, si Ilda e saj! Ka shumë mundësi që romani-përrallë të na tregojë më shumë përrallë nga e kaluara, ato skena bardh e zi të shoqërisë “socialiste”, ku të zinjtë (një pjesë e njerëzve të pushtetit) u prishin karrierat artistike të bardhëve (njerëzve të zotë) nga zilia dhe cmira. Nuk e diskutojmë se në një diktaturë, si ajo që lamë pas, skenat bardh e zi janë të shumta. Por ato janë material për rrëfenjësit, për historianët. Ndërsa një shkrimtar/e ka si detyrë të zbërthejë edhe këto dy ngjyra pa ngjyrë, , e të përshkrojë me stilin e tij/saj të gjithë rrugën “evolutive” të kësaj cmire dhe zilie të personazheve negativë. Shkrimtari letrar është jo thjesht një përshkrues ngjarjesh, por edhe një eksperimentator; ai duhet po si Njutoni të eksperimentojë me ngjyrat e ngjarjeve dhe personazheve, pasi brenda dritës së bardhë fshihen të gjitha ngjyrat e tjera. Mbi të gjitha, një shkrimtar/e nuk duhet ti lejojë vetes ti përzihet personazheve të tij/saj, aq sa ne të dallojmë menjëherë pas një personazhi (pozitiv, vetvetiu) mëndjen dhe zemrën e shkrimtar-it/es!

Unë ia fal një shkrimtareje përshkrimet përrallore mbi qytetin, me ato drita të përshkëndezura! Ia fal edhe ato përshkrime përrallore mbi flokë të derdhur prej ari të një vajze! Helbete, sytë, mëndja dhe dora e një autoreje do të ndalen në këto përshkrime më gjatë se sytë, mëndja dhe dora e një autori. Por nuk mund t’ia fal përshkrimet përrallore mbi karakteret dhe tipat e personazheve! Pse? Sepse këtyre personazheve u mbyllet kështu rruga e ndryshimit, udha e përsosjes!

Në rreth 40 faqet e lexuara autorja më dha të dalloj qartë ndarjet e personazheve të saj përrallorë, ata të bardhë e ata të zinj, të cilët në këto 40 faqe të para nuk patën as edhe një ndryshim të vogël! Autorja nuk jep të paktën një aludim dhe shenjë të vogël, se diçka do të ndryshojë tek ‘ta, tek karakteri i tyre. Jam mëse i sigurtë se ata do të mbeten deri në fund të romanit-përrallë po ata që duken edhe në fillim! Dhe unë, si një fëmijë duhet të kënaqem në fund për ndëshkimin që mund të pësojë personazhi negativ! Pra, një realitet të ndodhur, (pasi ngjarje të tilla kanë ndodhur dhe ndodhin kudo e në çdo kohë; e biles edhe më të zeza e më makabre ngjarje kanë ndodhur në diktaturën që lamë pas), autorja na e kthen në një përrallë. Kështu ne të mendojmë, ah, vërtet kanë ndodhur gjëra të tilla jo të pëlqyeshme, por ato i përkasin një kohe të dikurshme. Sot kemi tjetër pasqyrë. Ja kjo është një përrallë që unë nuk mund dhe nuk dua ta besoj. Ndaj të tilla përralla jo vetëm e tjetërsojnë jetën e dikurshme dhe atë të sotme, duke e piketuar vetëm në disa persona(zhe) të veçantë, duke i shmangur shkaqet e zilive dhe cmirave njerëzore, duke i treguar njerëzit stativë, duke i prezantuar personazhet si kuklla të ngjyrosura në trup e në karakter nga një dorë e padukshme, duke i hiperbolizuar veprimet e persona(zhe)ve pozitivë, por edhe duke ia lënë zhvillimet e shumë aksioneve njerëzore vetëm rastësisë! Kështu na le të besojmë se një Zot e di si na erdhi e na iku ajo kohë e keqe diktature, një Zot e di si na erdhi sot një kohë po ashtu e keqe, një Zot e di se ç’fatkeqësira do na sjell e ardhmja, një Zot e di pse ka njerëz të këqinj e të mirë, një Zot e di si del diçka e papritur, fat i mirë apo i keq! Ndaj unë nuk i kam qejf përrallat. Aq sa i kam dashur kur kam qenë fëmijë, aq pak ato më tërheqin sot! Aq më tepër kur ato prezantohen të kamuflluara nën tituj dhe rrëfenja roman(tike), apo romancore.

Ndaj do ti këshilloja kësaj autore për të ardhmen, të largohet nga stili i një rrëfimtareje përrallash, e të përplaset me dialektikën e ngjarjeve, duke i lënë personazhet e saj të bardhë të dalin nga kafazi i saj i artë, po ashtu edhe ata negativë nga kafazi prej katrani. Kështu të përballet me të papritura dhe të pritura, nga ku të ketë vështirsi për të dalë, ajo dhe personazhet e saj, e pse jo, të ndalet me figurat e saj sa më gjatë në këto të papritura ngjarjesh njerëzore! 

13 Komente

Si gjithnje nuk arrita ta lexoj shkrimin per arsye se sistemi im nervor nuk duron shkarkesat elektrike neuronale dyfelore (ngarkesa plus dhe minus) te stil shkrimi epoke ngambrapa me zhurma Ave rocku te Maries, prandaj te pyes o burri i Xhenit:

- Nisur nga titulli, jam kurioz: si doli neshja midis dy feleve: dashuria apo urrejtja?

(dmth plusi apo minusi?)

 

Vekuptohet o heretik qe dashuria ka patur ca perqind me shume shance te fitoje! Ne te kunderten, ti do kishe bere namin ketu!

Obobo sa kohë të lirë paske ti Karl Marks.

(sidoqoftë nuk është e drejtë që të gjykohet një vepër arti pa e lexuar atë deri në fund)

Po Brunilda Zllami eshte pseudonim apo emer i vertete?

Emri i vertete. 

Po si ka mundesi te behet publicistike me emer Brunilda Zllami??

une psh vetem ne fumetti ( ja tiku mund te na ilustroje gjekafshe me kartonet e tija), kam degjuar:

Zllam, Zllam ....Slurp

 

Mos i shiko gunen por veprat dhe ti lexosh gjer ne fund.

Kam lexuar disa romane te saj perfshire Dashuri apo urrejtje, Lakmia, Cmimi i perjetesise, Rruga e trendafilave edhe ndonje tjeter qe nuk po me kujtohet.

Pervec kritikave te vepres se saj ajo lexohet, pelqehet perderisa shiten dhe ribotohen romanet. 

smiley

As e njof fare! Ne foto te librit duket me e bukur se ajo Grida e PD-es. Ne internet pashe rastesisht se ka mundesi te jete doktoreshe neurologe, nese nuk eshte ndonje tjeter. S.d.q. kritika ime nuk eshte per ta hedhur poshte, por per te ndrruar stilin e shkrimit, qe historite e bukura te romaneve-perralle te saj ti largohen atij lloj stili prej kukullash Barbi. E keshtu te kete sukses dhe jo komplimenta feminore. 

Nje derman do ishte t'i kaloje ato 40 faqet e para, here tjeter fillo nga 50 te jesh brenda. 

Dianës i kishte ardhur zogu në dorë. 

Brunilda Zllami eshte Daniel Steel shqiptare. Nje roman te saj kam lexuar letersi roze e kendshme per ata qe s'duan ta lodhin veten shume ose per tu lexuar poshte cadres ne plazh.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).