Do ketë qenë shumë e çuditshme për popullsinë shqiptare të mesit të shekullit të XIX, të shikonin mes rrugëve, shtigjeve dhe shkrepave të tyre gra udhëtare që përshkruanin vendin e tyre. Në kulturën dominante mashkullore vendase, kjo gjë ishte diçka e paperceptueshme dhe e paimagjinueshme, ndërsa në kulturën angleze viktoriane, sapo kishte filluar të merrte udhë. Kultura është kontakt dhe bashkëveprim, por sot në fakt ne njohim vetëm përshtypjet e zonjave angleze që udhëtuan nëpër Shqipëri të mbledhura si gur mozaiku në këtë punim me shumë vlerë nga profesor Afrim Karagjozi, dhe për fat të keq, nuk kemi edhe shënime nga eksponentë të kulturës shqiptare të asaj kohe rreth përshtypjeve të tyre nga udhëtimet e këtyre zonjave angleze në Shqipëri. Fillimisht kishin qenë zonjat e ambasadorëve që shoqëronin bashkëshortët e tyre në udhëtimet diplomatike dhe më vonë, me fillimet e Revolucionit industrial, përparimet teknologjike dhe përmirësimi i mjeteve të komunikimit, fillojnë të udhëtojnë në Ballkan dhe gra të shtresës së mesme dhe të profesioneve të lira, kryesisht infermiere dhe studiuese.

Ky fenomen i njohur mirë në kulturën angleze i nisur që herët dhe i emërtuar si Grand Tour për fisnikërinë dhe shtresat e pasura, udhëtim të cilin e kishin ndërmarrë Lord Byron dhe Hobhouse, dr. Henri Holland, Thomas Hughes dhe Disraeli nga gjysma e dytë e shekullit XIX, do të bëhej i mundur falë zhvillimeve të mjeteve të transportit, rritjes së interesit të publikut nëpërmjet literaturës së botuar prej tyre edhe për shtresën e mesme, tregtarë, administratorë, studiues etj. Si rezultat i këtyre zhvillimeve, numri i udhëtarëve europianë që vizitonin Shqipërinë, vazhdoi të rritej ndjeshëm. Për herë të parë në këtë kohë, vendin tonë e vizitojnë edhe udhëtare femra siç është rasti i udhëtares dhe antropologes Mery Edith Durham, e cila ka lënë disa shënime interesante, ka botuar libra rreth Shqipërisë dhe ka koleksionuar kostume popullore që sot ruhen dhe ekspozohen në muzetë e Britanisë së Madhe. Për shkak të kontributit dhe përfshirjes së saj në çështjen kombëtare shqiptare, emri i saj është shndërruar në një mit që dëshmon pjesëmarrjen e të huajve në pavarësinë e Shqipërisë, por në të njëjtën kohë ka lënë paksa në hije shënimet e udhëtimit dhe librat me tematikë shqiptare të udhëtareve të tjera angleze që u përfshinë në fenomenin e udhëtimit që nga mesi i shekullit XIX e në vazhdim në Shqipëri.

Përshtypjet dhe mbresat e zonjave angleze që vizituan Shqipërinë, sigurisht, ashtu si e gjithë literatura e udhëtimit, para se të jenë tekste të mirëfillta dëshmitare të ngjarjeve dhe dukurive sociale të kohës, janë edhe tekste që mbartin në vetvete orientalizmin dhe paragjykimin e tjetrit, koncepte që përcaktoi qartë Edward Said në veprën e vet, “Orientalizmi”(1978). Shqipëria dhe territoret ku banonin në shumicë shqiptarë në gjysmën e dytë të shekullit XIX, vazhdonin të ishin ende të panjohura dhe të ngjallnin kërshëri në Europë. Kjo mosnjohje dhe kërshëri, përkthehej shpeshherë në përshkrime për të shuar etjen e një publiku që dëshironte të njihte sa më shumë për këto territore që konsideroheshin si Orient, por në të njëjtën kohë ishin shumë afër, në Europë. Saidi përcakton në veprën e vet se “orientalizmi është një shpërndarje e shqetësimit gjeopolitik në tekste estetike, shkollore, ekonomike, sociologjike, historike dhe filologjike”. Ky shqetësim gjeopolitik reflektonte edhe politikat britanike në rajon në ruajtjen e status quo-s të vazhdimit të dominimit osman në Ballkan, si kundërpeshë e ambicieve sllave dhe austro-hungareze. Për këtë arsye, shpeshherë gjejmë përshkrime romantike, si dhe të udhëtarëve më të hershëm të kostumit popullor shqiptar, të përfaqësuar nga fustanella, dhe shumë pak detaje rreth jetës politike dhe ambicieve për përparim të popullsisë shqiptare.

Jeta sociale shqiptare, edhe pse e përshkruar në mënyrë piktoreske, prezantohet më e plotë kur citohen detaje historike që dëshmojnë vjetërinë e shqiptarëve si etni dhe popullsi në këto territore, por ndonjëherë ajo edhe paragjykohet nga njohjet e përcipta rreth vendeve dhe popullsisë që jetonin aty. Shpeshherë, udhëtarët e huaj që vizituan territoret shqiptare kanë qenë të influencuara nga filo-helenizmi dhe  pan-sllavizimi, dy rrymave të fuqishme kulturore europiane të kohës, që në vetvete mbartnin dhe shqetësime politike dhe gjeostrategjike. Territoret shqiptare shpeshherë shikoheshin si zgjatime të natyrshme të ambicieve greke apo sllave në rajon, çka sillte dhe mospërputhje midis pritshmërisë së udhëtarëve dhe realitetit. Kjo është arsyeja që ndonjëherë në udhëpërshkrimet e tyre, gjenden përcaktime për Kosovën si “Serbia e Vjetër” apo për popullsinë e jugut të Shqipërisë, të qendrave si Delvina si helene. Gjithsesi, këto lajthitje që nuk i përgjigjeshin realitetit, pasi edhe nëpërmjet përshkrimeve të popullsisë të këtyre territoreve nga vetë zonjat udhëtare, gjejmë përcaktimet dhe karakteristikat e popullsisë shqiptare, nuk cenojnë rëndësinë e madhe të tyre kulturore dhe dëshmitare të një kohe kur popullsia shqiptare po kalonte në procesin e ringjalljes së vet kombëtare.

Shënimet e udhëtimit të zonjave angleze, mund të ndahen në shënime udhëtimi që pasqyruan me detaje botën shqiptare, siç janë shkrimet dhe librat e Edit Durham dhe Margaret Hasluck që jetuan për një kohë të gjatë në Shqipëri dhe shënimeve piktoreske udhëtimi dhe letërsie fiksionitë zonjave të tjera që rastësisht fati e solli të vizitojnë Shqipërinë. Durham dhe Hasluck dallojnë sigurisht mes tyre, sepse vepra që kanë lënë pas vazhdon të mbetet ende një burim informacioni i admirueshëm dhe që shpeshherë është marrë në konsideratë dhe nga historianët e mëvonshëm rreth Ballkanit dhe Shqipërisë. Historianët e mëvonshëm të Ballkanit, kanë përdorur rregullisht citime nga veprat e saj, ku sipas Noel Malcom, ajo ishte “një nga vëzhguesit e huaj me perceptimin më të mirë të ngjarjeve”. Në shkrimet e saj të mbushura gjithë informacion për Ballkanin, fillon e merr jetë një perceptim më realist i rajonit dhe ka një distancim shumë qartë nga qëndrimi pro-otoman i udhëtarëve të tjerë britanikë. Ajo është nga të parët udhëtarë që njeh dhe bën të qartë për shembull dallimin midis otomanëve dhe shqiptarëve myslimanë si një kombësi e veçantë. Po kështu, në veprat e saj, shqiptarët nuk thirren me emërtimin e gjuhës turke-arnaut, por me emrin që popullsia e identifikon veten si Shkypitiar. Denoncimi i ambicieve të nacionalizmit të pafre të serbëve, malazezve, grekëve dhe bullgarëve, shpeshherë u interpretua si ekzagjerim i tepruar i Durhamit dhe se shkaqet e këtyre luftërave ishin më tepër jashtë Ballkanit, sesa brenda tij. Gjithsesi, përsëritja e ngjarjeve në vitet ’90 në Ballkan, tregoi se shumë nga prognozat e saj ishin të sakta dhe shumë studiues dhe politikanë e rilexuan për të kuptuar sërish rrënjët e konflikteve. Ky tipar e bën atë krejt të veçantë nga gjithë udhëtarët e tjerë britanikë që vizituan Ballkanin, pasi ky rilexim mund të quhet kthimi tjetër i saj në Ballkan, gjë që nuk i ka ndodhur asnjë udhëtari tjetër britanik.

Është fat dhe njëkohësisht një koincidencë e këndshme që zonjat e rritur në moralin viktorian, gjetën në natyrën, shkrepat, jetën sociale në Shqipëri, një strehë ku primitivizmi dhe prapambetja nuk u kthyen në mjete përçmimi dhe nënvlerësimi të kulturës së tjetrit, por përkundrazi, mikpritja dhe bujaria shërbyen si pasaportat më të mira të përfaqësimit tonë në Europë. Duket sikur bota e vjetër kalorësiake e Mesjetës kishte mbijetuar në mënyrë të pavetëdijshme mes shqiptarëve, dhe vazhdonte të transmetonte ende vlera humanizmi. Në këto shënime e gjen gjithë hartën e etnosit shqiptar në Ballkan, nga Kosova, në Manastir, Ohër e Strugë, Shqipërinë e sotme, por edhe në Selanik e Stamboll, duke qenë në këtë mënyrë jo vetëm shënime dëshmi të shpërndarjes së kësaj popullsie në rajon, por në të njëjtën kohë edhe dëshmi të rëndësishme antropologjike e sociale që meritojnë një studim të veçantë.

Profesor doktor Afrim Karagjozi ka hapur siparin e një drejtimi tjetër të rëndësishëm të studimeve albanalogjike me renditjen në mënyrë skrupuloze e profesioniste të udhëpërshkrimeve të zonjave angleze në Shqipëri. Deri më tash jemi njohur me udhëpërshkrimet dhe literaturën e udhëtimit të shkruar kryesisht prej diplomatëve, piktorëve, oficerëve, pra një perspektive mashkullore, kurse tani kemi në dorë portretin e zonjave angleze, nga mund të studiohet sesi bota viktoriane femërore angleze e pa Shqipërinë. Një pasqyrë shumë e rëndësishme për të dy popujt dhe kulturat që përfaqësojnë, pra një histori sociale dhe antropologjike e shqiptarëve dhe imazhi dhe perceptimi i Ballkanit dhe Shqipërisë nëpërmjet Feminizmit, që një shekull më vonë do të kthehej në një rrymë të mendimit kulturor europian. Në këtë mënyrë, këto tekste kthehen në pararendëse të studimit të perspektivës feministe rreth Shqipërisë dhe shqiptarëve, pasi të gjitha udhëtaret, me përjashtim të Durhamit dhe Margaret Hasluck që u përfshinë edhe emocionalisht në çështjen shqiptare, janë dëshmitare të ftohta ndaj realitetit dhe shkruajnë atë çka ato konstatojnë.

Parë në këtë drejtim shënimet e udhëtimit të këtyre zonjave të nderuara angleze, rifitojnë një vlerë të çmuar përmes rileximit të krahasuar të asaj çka perceptonte dhe njihte publiku anglez rreth një shekull më parë dhe atë çka arritur të njihet sot Shqipëria dhe shqiptarët në Britaninë e Madhe. Rrallëherë ndodh që të kesh një pasqyrë ku mund të shikosh të shkuarën, jo vetëm nga pikëpamja historike përmes dokumentacionit, por edhe përmes teksteve të tilla nga perspektiva antropologjike, sociale, kulturore e feministe. Ky libër, në këtë mënyrë, është një ftesë sa për të njohur të shkuarën, po aq dhe të sotmen, ndaj me të drejtë do të radhitet në serinë e veprave albanologjike që na ndihmojnë të njohim veten, po aq dhe tjetrin.

 

3 Komente

Qekur perdor 'zonja angleze' aty ia heq fillin te gjithes

Sdq. lexuar 2/3,  verteton edhe njehere sa qejf eshte ne shqiperi ky lloj shkrimi i patetik i sterzgjatur e thuajse pa buke

 Robert Elsie thote se , 

Shqiptaret jane nje popull memec bejne zhurme e potere mes njeri tjetrit, nuk prezantojne veten e tyre shume ne bote  me studime pershkrime, ect .

Pra nuk jane ne gjendje te shpalosin vlerat e tyre, vet  tradiditat, pasurite e tyre , historike,folklorike, gjuhesore, ect, me studime serioze, Jane te huajt qe hulumtoj me shume qe studiojne  me shume dhe na bejne ne te ditur ne bote, 

Dmth dje Duhrami sot Robert Elsie 

_

Afrim Karagjozi dhe Dorian Koci  njerez te letrave, preferojne me mire te bejne recesione dhe libra per te huajt qe flasin per ne , dhe jo te bejne recesione  ,  qe tu flasin te huajve per ne ! 

Se do byth te forta me nder muhabeti , qe te besh studime te tilla  sot si inderuari Robert Elsie  dhe Duhrami dje ! 

Por ne vetvehte Ilirjano, edhe ky punim e Afrimit per zonjat angleze, edhe ne fakt nje recension per Shqiperine. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).