përshkrime leximi

Në këtë roman, po ashtu si në pikturat e Rubensit apo Rembrandit, do të gjejmë pas një dritare një tjetër panoramë, e pse vetëm një, por jo disa, këto jo aq në miniaturë, se sa më jetësore, me të gjitha prapaskenat e shoqërisë shqiptare. Kjo telajo letrare të mban gjatë gjithë kohës të lidhur pas faqeve të romanit, duke patur si pikënisje zhdukjen e gruas së një moderatori të njohur televizioni, histori pas të cilës do të dalin në skenë vjedhjet dhe korrupsioni me paratë e shtetit, dalja pa lagur e zyrtarve të lartë, futja sa krahu tek njerëz pa mbrojtje, e sa e sa të tjera fenomene, me të cilat është e molepsur kjo shoqëri e sotme shqiptare! E të mendosh, se dedektivi kërkues i gruas së bukur e të humbur të moderatorit, nuk është një burrë, por një grua, e cila do t’na shpaloset në fund me gjithë dhimbshurinë e saj femërore, në ndihmë të të persekutuarve të rinj, që lufta e përjetshme e klasave hedh sa andej-këndej të dërmuar e gjymtuar.

Panorama-histori e shkrimtares Diana Çuli nuk është bardh e zi. Të thuash se ajo paraqet ngjyra të shumllojshme, edhe kjo nuk i përshtatet këtij romani. Historia i përngjan atij filli Tezeu, i cili na fut në labirinthe korrupsioni, duke na çuar deri në gryka malesh të ftohtë, në motele dhe hotele të drunjtë, për t’ na nxjerr andej me vështirsi me dy gra të shpëtuara nga Minosi modern shqiptar i makutërisë materialiste, njëra prej të cilave sapo-vejushë, një financiere e paaftë e një ministrie, e komanduar nga shefi i saj ministër, ky i fundit shok i ngushtë i moderatorit me grua të humbur, pikërisht asaj shumë të kërkuare, edhe kjo e shpëtuar sëfundi nga Minosi shqiptar i kësaj makutërie gjithë-ngrënse. Ky fill Tezeu na fut në labirinthe më komplekse se ato të korrupsionit shqiptar, ky fill na fut në botët e brendëshme e të padukshme të këtyre njerëzve, ky fill përshkon shpirtërat e tyre si ato dritëzat e përrallave, që përshkojnë mure dhe guva të mbuluara. Njeriu është një pus i thellë! Ky është filli ideor i këtij romani, do thoja, duke perifrazuar fjalët e shkrimtares dhe personazheve të librit. Ky njeri ka paraqitjen e tij të jashtëme, ky njeri ka dhe botën e tij të brendëshme! Atë të padukshme! Edhe nga vetvetja!

Si fillim kjo shpaloset në roman me moderatorin tonë, i cili e sheh dikur veten të pasqyruar në media. Tituj ogurzij e prezantojnë përpara lexuesit dhe shikuesit! Hera e parë që ai e sheh veten në vendin e atyre që kish prezantuar vetë më parë. Hera e parë që ai kupton fuqinë e mediave. Hera e parë që ndërgjegjia e tij përballet me vetveten! Sa e hidhur dhe kuptim-plotë! Sa e dhimbshme dhe e dobishme për ‘të! Vetmia e mbulon! Vetmia e shkatërron! Vetmia e shëron së fundi! Nga i trashur e me pala, kthehet në një të dobët e të hequr. Është po ai, pa shokët e dikurshëm, i lënë dhe braktisur nga të gjithë. Përfunduar në burg me gjithë vetveten e tij, i shpëtuar dhe gjithë gëzim, duke takuar të shoqen në dhomat e takimit.

Edhe kjo, personazhi më kompleks i romanit, i ndërthurur me fije të padukshme e të mbuluar nga pluhuri i kohës me thuajse të gjithë personazhet e tjerë të romanit, duket se nuk zhduket vetëm nga skena e dukshme e jetës, nuk largohet vetëm nga gjiri i ngrohtë i familjes, nuk ikën vetëm larg nga kontaktet e punës dhe kolegëve të saj! Ajo i fshihet mbi të gjitha vetvetes së saj! Është një lloj largimi nga pasqyrë e ndërgjegjes, që njerëz të ndjeshëm kryejnë gjatë jetës. Është një lloj kërkim pendese, që shpirtra të butë kujtohen të kryejnë përpara përplasjes me vetveten. Është një lloj larje dhe shplarje që nënvetëdija e njeriut kërkon të kryejë përpara gjyqit të madh, jo atij të përtej botës reale, por atij të vetvetes në këtë botë, në këtë jetë. Pikërisht kjo grua e bukur, kjo qënie e ndjeshme, kjo figurë komplekse, Ariana, (çfarë emri!?, rastësi!?, është po ai emër –Ariadne– i vajzës së Minosit kretian, që ndihmoi Tezeun për tu futur dhe dalë nga labirinthi mizor ku rrinte Minotauri, njeriu-kafshë që hante vajzat e bukura e i cili u vra së fundi prej Tezeut), kjo grua-personazh është njëfarësoj kjo shoqëri shqiptare, e larguar nga vetvetja, e braktisur prej vetvetes dhe sejcilit individ, e pamundur të gjejë dritën e daljes në labirinthin ku është futur. Kjo figurë ruan diçka nga e kaluara, ruan ëndrra të pastra e të dlira, por gjindet ndërkohë si e humbur dhe në gjysëm-errësirë. Ky personazh femër, aq pak sa duket në roman, aq shumë na thotë me zhdukjen e saj. Sa mistike, aq dhe domethënse!

Natyra dhe stili femëror, që shoqëron romanin, e shpëton këtë qënie në fund. Ky besim femëror i shkrimtares e tejkalon pakëz këtë realitet mashkullor shqiptar, duke dashur të na tregojë shpresën e pahumbur. Dhe mirë bën! Ndoshta kjo natyrë femërore, me pjesmarrjen përherë e më të madhe në jetën e këtij vendi, mund ta përmisojë sado pak këtë shoqëri! Ashtu siç edhe e zbukuron jetën e saj! Ndaj do thoja, romani nuk zbehet as në fund, tek na prezanton një realitet paksa dëshirues. Biles, duke shkarë pakëz edhe në ngjarje-stilore bulevardeske, me disa të huaj dhe fije të tjera kërkimi. Romani “Hoteli i drunjtë” i Diana Çulit mbetet unik nga fillimi e deri në fund në stilin e tij (saj). Gjejeni, merreni, dhe do ta lexoni me një frymë! 

1 Komente

Kujtoja se Diana Çuli ishte autore e ndaluar në Gjermani.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).