[pjesa e parë e këtij shkrimi mund të lexohet këtu]

Shtëpia akoma nuk është demoluar. Në këto ditë shiu të pazakonta të majit qëndron e zymtë në pritje të ekzekutimit kapital. Por edhe në kantierin e ndërtimit të Unazës së Vogël, loti nr.3 (segmenti mbrapa 15-katëshit) ka ditë që makineritë nuk punojnë e punëtorët nuk duken gjëkundi. E gjithë zona përreth ndërtimit, brenda së cilës është  e përfshirë edhe shtëpia e rrethuar këndshëm me gardh metalik , gëzon një qetësi të nderë, ashtu siç ndodh zakonisht përpara stuhisë. Edhe stacioni elektrik “provizor” mbitokësor dergjet tashmë mbi karexhatën e ardhshme, tamam si qentë e braktisur që shtrihen ku të mundin në rrugët e Tironës.

I vetmi person aktiv që lëviz në këtë territor të zymtë por të mbrojtur dhe të qetë, është 86-vjeçarja teze Landa, që ka lindur në këtë shtëpi dhe ndoshta është banorja më e vjetër e kësaj lagjeje dikur karakteristike tironsish. Është miqësuar me teknikët dhe rojet e kantierit dhe mundohet me të vetën të zhbirilojë prej tyre ndonjë gjë të re, gjithmonë në kërkim të besimit që shtëpia nuk do t’i prishet.

Mbas shkrimit të parë “I fundmi i Mohikanëve”, ku mes të tjerash përmendja faktin që kjo shtëpi ishte edhe monument kulture i kategorisë së dytë, mësova nga një gazetare  se Këshilli Kombëtar I Restaurimeve (KKR-ja) me vendimin Nr. 247, dt. 18.12.2015 (që mund ta shihni këtu), i kishte propozuar Ministrit të Kulturës heqjen e statusit monument kulture të kësaj shtëpie dhe se ky vendim hynte në fuqi menjëherë. Meqë kryetar i KKR-së është zonja Mirela Kumbaro, njëkohësisht edhe Ministër i Kulturës, besoj se edhe ministria e saj do ta ketë miratuar këtë vendim të KKR-së.

Pra, shtëpia nuk është më monument kulture! Edhe pse nuk është shpjeguar gjëkundi, se cilat nga arsyet për të cilat e kish marrë atë status, paska qenë e gabuar ose e pamjaftueshme. Vallë të jetë dhënia dhe heqja e statusit monument kulture vetëm një monedhë banale shkëmbimi, në tregun e shfrytëzimit të trojeve për interesa të momentit? Me fjalë të tjera: çfarë garancie jepka ky status, kur mund të hiqet me një të rënë të lapsit?

Më duket e kotë t’ju lodh me hamendësime se si ndodhi që njerëz të shkencës e të kulturës, mes tyre me siguri edhe doktorë e profesorë, anëtarë edhe në Këshillin Shkencor të Institutit të Monumenteve të Kulturës, të firmosin dhe miratojnë këtë vendim, pas gjase ngaqë ky monument kulture i deridjeshëm vetëm sa prek, me cepin e vet, fundin e një trotuari me gjerësi 3.5 metra? Në botën ku ne duam të shkojmë, ndodh përkundrazi që arkitektët dhe ndërtuesit ta devijojnë rrugën apo ta kalojnë atë poshtë objekteve të mbrojtura (monumentale) dhe as që bëhet fjalë për t’i sakrifikuar, kur shtetit i duhen 4 metra katrorë.

Në shkrimin e mëparshëm, demolimin e shtëpisë e arsyetova me argumentin se duhej bërë trualli gati për zhvendosjen e stacionit elektrik provizor mbitokësor, por nuk paskam qenë tërësisht i saktë. Përveç kësaj zhvendosjeje të detyrueshme dhe ndoshta të përkohshme, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike – OSHEE, po përgatit të gjithë dokumentacionin e nevojshëm ligjor dhe, nëpërmjet ministrisë përkatëse, do t’ia dërgojë qeverisë për shpronësim të pronarëve të këtyre trojeve në një sipërfaqe prej rreth 1600 m2 për të ndërtuar aty, kësaj radhe nën tokë dhe mbi tokë, një nënstacion elektrik 110 kv të përhershëm, i mbështetur edhe nga një financim i Bankës Botërore.  Pra, një stacion elektrik 110 kv të përhershëm mu në qendër të Tironës.

Ç’ka këtu për të mos u gëzuar?

5 Komente

Kjo heqja e statusit si monument kulture, bika ere e qelbur. 

Pra ne Korrik i kane dhene statusin monument kulture kategoria e 2 dhe po ata qe kane bere kete ja kane heq mbas 6 muajsh !?

Ta kan heq se nuk ke pagu paret ne kohen e duhur or mik e po qe puna per pare Mirela Shqina nuk te fal. E paske pas fajin vete. Po kujdes nga keto qe vijne nga shoqeria civile e gjuheve te huaja, si puna e Klodeta Dibres, se keto nuk stepen para asgjeje. smiley

Me nje ndjenje percmimi per veten, (sepse na duket nganjehere vetja si ata personazhet e tregimit te bukur te Azis Nesinit, qe dine te japin aq kollaj keshilla), po te japim ndonje keshille, per tu mundesuar te dalesh nga ky kolaps i shkaktuar nga zyra te ndryshme.

E para, ti paske mjaft material diskretitues per aparatin shteteror, keshtu bej qysh sot, neser, pasneser, nje padi ne prokurori kundra personit juridik te paidentifikuar, qe po perpiqet te ta ktheje pronen e paluajtshme ne mall tregu. Me i sigurte je po te besh padi direkte ne Gjykate, p.sh. ate administrative, apo pse jo edhe te zakonshme, per prishje te paligjshme te shtepise, por ne kete rast duhet te kesh pak para dhe nje avokat te mire, ose ti njohesh vete ligjet. Ne kete rast duhet te pezullohet cdo lloj nderhyrje ne pronen tende. Kuptohet teoria nga realiteti ndryshojne shume ne Shqiperi, por sic thote ajo fjala e nje filozofi: po luftove mund te humbesh, po nuk luftove je i humbur. Gjithmone kjo duke besuar se ke nje shtepi te vjeter e te ndertuar ketu e 80-100 vjet me pare, pasi nese do kishe nje shtepi nga ato te ndertuara pas 1990-es, keto duhen larguar ne te tilla raste edhe pa shperblim fare.

Me kete rast duhet thene se kjo unaze e vogel me duket se do sjelle me shume rremuje me veturat dhe autobuzet, pasi nderpret disa rruge, ate te Dibres ne fillim te saj, aty tek librari Flora, po keshtu edhe unazen e zakonshme, po ashtu rrugen prapa Bankes qe del tek (ish) Gjykata e Larte, pra si rruget ashtu dhe pedonalja do jete e ster-nderprere nga vargu i pafundem i makinave. Nje tmerr dhe kaos trafiku, po edhe per kembesoret! Eronua do bente mire te keshillohej me specialistet e urbanistikes dhe te policise rrugore, para se ta niste kete unaze pa kuptim!

Mire thua ti ti drejtohet gjykates po perderisa i kane hequr statusin si monument kulture shteti vjen e ta merr pronen per interes publik e te shperblen me nje shperblim qesharak. Dhe gjykata s'ka c'ben se eshte e sanksionuar ne Kushtetute.

Ne fakt ne Kushtetute eshte thene qe prona merret per interes publik kundrejt nje shperblimi te drejte e te aresyeshem. Po derisa ta gjesh vertet kompesimin e drejte e te aresyeshem neper gjykata i bie te rrish ne qiell te hapur se aq sa ta vlereson shteti ti s'blen dot as nje gazoniere.

Ja dhe njecik sa te behet reforma ne drejtesi e shpetove. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).