- Duhet leja e popullit për t'u bërë i keq, tha kryetari i rrethit para turmës së njerëzve që ishin mbledhur me ftesë të tij, por menjëherë i ra ndërmend që s'mund të fajsonte popullin për bëmat e të akuzuarit. Madje u trembë kur mendoi që këto fjalë s’mund të ishin në fjalorin e partisë. Partia punonte për popullin, e ruante nga armiqtë, por s’e fajësonte për asgjë, e këto fjalë të pamenduara mund ta bënin armik të partisë, pastaj edhe të popullit. U rrënqeth njëherë dhe shikoi kah delegati i kryeqytetit, I cili u duk që s’po e dëgjonte. Shikoi edhe të tjërët. Askush s’e kishte mendjen tek ai dhe kjo e gëzoi shumë.

- Popull i dashur, vazhdoi më i qetë, që ke nxjerrë nga gjiri yt prijësa të mëdhenjë, dhe përmendi disa me emra, duke thënë edhe nga dy-tri fjalë për secilin. Përmendi edhe prijësin e fundit, dhe vetëm atëherë populli u duk që megjithatë e dëgjonte me njërin vesh. Njerëzit u ngritën në këmbë dhe duartrokitën gjatë. Pastaj kryetari i rrethit tregoi arsyen përse ishin mbledhur, megjithëse këtë tashmë e dinin të gjithë.

Në qytet kishte ndodhur diçka shumë e pakëndshme. Antoni, një burrë rreth të pesëdhjetave, që partia ia kishte besuar një dyqan pëlhurash, kishte vjedhur rreth dhjetë metra pëlhurë nga dyqani që e kishte  në mbikqyrje, dhe njerëzit e partisë këtë e kishin vënë re. Më kot arsyetohej Antoni, faktet flisnin vetë. Partia kishte konfiskuar edhe fustanet e gruas e të vajzës së Antonit, të bëra me mallin e partsë dhe i kishte sjellur në shesh si provë materiale. E duke pasur këto fakte, ishin thirrur njerëzit, që megjithatë ish shokut të tyre mosmirënjohës t'i bëhej një gjygj i ndershëm. Antoni, ndonëse e mohonte fajin i kishte kërkuar disa herë falje njerëzve të partisë por ata i kishin thënë që s'ishte në dorën e tyre ta falin e as ta dënojnë. Këtë do ta bëjë populli, që tani si nxënësi në klasë, rrinte e dëgjonte ligjeratat e njerëzve që ndërroheshin në foltore, e që pothuaj thoshin të njëjtin fjalim. Mbase ishin fjalë të marra nga ndonjë plenium i partisë, ku zbrazej dija apsolute, a fjalë  nga ndonjë libër i ndonjë udhëheqësi, që ishte edhe dijetar i madh, por gjithsesi fjalë të tjera për këtë ngjarje të pahijshme nuk mund të priteshin.

Foli edhe delegati nga kryeqyteti.

- Shokë, tha ai, partia që na çliroi dhe e bëri vendin të begatë, na ka mësuar të jemi vigjilentë. Një hap para armiqve, që duan të minojnë atë që ne kemi arritur me mund e sakrifica. Armiqtë e jashtëm e të brendshëm nuk janë të paktë ne numër, por partinë e popullin të bashkuara si një trup i vetëm, s'ka forcë në botë që mund t'i thyej.

Masa e njerëzve duartrokiti gjatë. Ata e dinin që partia i ka gjërat në dorë. Edhe vendi po lulëzonte. Lajmet e mira, ku partia tregonte për të arriturat në çdo cep të vendit, ishin bërë të përditshme.

- Shoku ynë i deridjeshëm, vazhdoi ai, është rreshtuar në krah të armiqve tanë, por shokëve të partisë, e popullit që është edukuar në frymën e partisë, nuk mund t'i kaloj asnjë e keqe pa u vënë re. Ai u zbulua para se të bënte ndonjë dëm edhe më të madh, tha pas një pushimi të shkurtër. Kështu do të zbulohen të gjithë keqbërësit e do të dalin para gjygjit të popullit që të marrin dënimin e merituar.

Delegati i kryeqytetit foli gjatë. Foli edhe për kushtetutën e vendit socialist që ishte shpreje e vullnetit të popullit, e padyshim ndër më të mirat në botë. Foli edhe për vendet borgjeze ku populli nuk pyetej, të cilat i quajti vende diktatoriale. - Duhen shumë diktatorë të vegjël për të lindur një diktator të madh, tha. Vendet borgjeze e bënin njeriun egoist, një diktator të vogël, e për pasojë kjo lindte diktaturën borgjeze ku këta njerëz më s'pyeteshin për asgjë, ndryshe nga diktatura e proletariatit ku populli dhe partia ishin një.

Folën edhe të tjerë. Edhe ata thanë disa fjalë edukative për popullin dhe dënuan ashpër veprimin e Antonit.

Në fund të fjalimeve, përsëri në foltore doli kryetari i rrethit dhe u kërkoi njerëzve të mbledhur që keqbërësit t'ia jepnin dënimin e merituar.

Në shesh për disa çaste askush nuk foli. Të dukej sikur populli po mendohej për dënimin që duhej dhënë. Ndoshta s'po kujtohej për dispozitën e ligjit penal ku parashihej edhe sanksioni për vepra të tilla, a ndoshta secili po priste që të fliste tjetri. Por s'kaloi shumë kohë, e dikush që ishte kah mesi i turmës e dha propozimin e vetë, me piskamë, që mbase në atë heshtje të thellë, u dëgjua në të gjithë qytetin.

-Me varje!, bërtiti ai.

Menjëherë pas tij bërtitën edhe disa të tjerë po të njëjtën fjalë, ndërsa britma e radhës që doli nga të pranishmit si nga një gojë e vetme, ishte edhe më e fuqishme.

- Me varje!, dhe të gjithë u ngritën në këmbë.

Kryetari i rrethit, nga foltorja u bëri me shenjë që të uleshin, e njëkohësisht i falenderoi për gjykimin.

- Vendimi u dha, tha ai dhe shikoi kah gjykatësi, i cili e mbajti shënim vendimin e popullit. Iu desh edhe atij të ngriste pak zërin pasi që masa e njerëzve s'po qetësohej ende. Ai më shumë se njëherë i luti të pranishmit që të mbanin qetësi, pasi që duhej të fliste edhe Antoni. Edhe ai e kishte të drejtën e fjalës.

Antoni, që deri atëherë kishte ndenjur kokëulur, dhe ishte lutur për një denim të butë, u ngrit ngadalë, si njeriu që pengohet nga plagët që ka marrë në trup. Dora i shkoi tek qafa ku do të vihej litari dhe për një çast u drodh, por e harroi veten kur mendoi që vendimi s'ishte vetëm për të. Tani edhe familja e tij ishte familje e një armiku që populli e ka dënuar me varje në litar. Shikoi njerëzit. Edhe ai ishte pjesë e tyre e do të bërtiste njësoj për dikë tjetër që do të ishte në vend të tij. Por jo më, e do donte shumë të kishte mundësi të ndryshonte.

- Unë, foli Antoni ngadalë, megjithë respektin që kam për partinë e për popullin, mendoj që dënimi është më i rëndë seq duhet, megjithatë partia e di më mirë, tha. Por... një dënim më i rëndë është padrejtësi, mbase e bërë pa dashje, e kam frikë se padrejtësia që bëhët ndaj secilit prej nesh mund ta mbys dashurinë që ne kemi për vendin. Një shtet i padrejt e mbyt njerëzoren e me të edhe patriotizmin e unë nuk do të doja që ne të rrëshqasim andej, e të bëhemi pre e lehtë për armiqtë tanë që nuk janë të paktë në numër, por unë..., unë nuk jam një prej tyre. Unë e dua këtë vend, e dua edhe partinë dhe do doja që dënimi të më zbutej, që unë të mund t'i shërbej partisë e vendit me aq sa mundem. Më lejoni që jetën time t'ia kushtoj partisë e vendit dhe ky vendim i popullit le t'më rrijë si shpatë mbi kokë nëse unë bëjë edhe një gabim sado të vogël, tha Antoni dhe ngadalë u ul.

Pas tij foli kryetari i rrethit që fjalën e Antonit e kishte ndjekur nga foltorja. Ai tha që populli tashmë e kishte marrë vendimin, i cili ishte i drejt. Ne s'mund të lejojmë këto veprime që na dëmtojnë ne, e kënaqin armiqtë tanë, tha.

Trekëmbëshi u soll dhe u vendos para tribunës. Antoni, duarlidhur, eci ngadalë por pa u ndalur drejt tij. Vdekja do t'më shpëtojë, ngushlloi veten dhe e paramendoi vdekjen si një mikeshë të mirë që vjen në një moment kur njeriu i ka punët aq keq sa s'duron më. Në këtë moment vjen vdekja dhe e shpëton. Kështu e paramendoi takimin me vdekjen kur litari do t'i shtërngohej rreth qafës. Kjo edhe e ndihmoi në këtë përjetim të fundit.

Ai,që pati një vdekje ceremoniale, u la për ca kohë i varur në litar, pastaj u hoq dhe u varros pa ceremoni.

Njerëzit u shpërndanë. Vetëm njëri ndenji në një cep të sheshit duke parë atë pamje që s’do donte ta shihte. Shikonte trupin e pajetë e mendonte për popullin e partinë. Me mendje dëgjoi edhe njëherë fjalën e kryetarit të rrethit. Atë fjalë të thënë padashje e mbase me naivitet, por që ky e gjeti si të qëlluar. Duhet leja e popullit për t'u bërë i keq, përsëriti me vete.

 

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).