Edhe festivali i 32-t i filmit të shkurtër në Hamburg përfundoi! Prezantimi i denjësishëm i Albanisë dhe titujt e saj të panumërt të mbushin me frymëzim dhe hare!... Për pak sa nuk thashë halè, sepse në fakt bëra një shaka pa kripë, çfarë d.t.th. se nga Albania ka vite që nuk dalin filma të shkurtër, gjë që e di çdo kush, fakt ky që –në lidhje me filmin e shkurtër– e rendit këtë vend më poshtë se një fshat të humbur të Papua-Guineas, ku ndonjë turist bën ndonjë dokumentar të shkurtër me xhepin e vet, dhe e prezanton këtë filmim në ndonjë festival. Kjo situatë pa-prodhimtari e filmit të shkurtër shqiptar ka vite që ekziston. Ndonëse gjithkush e di se krijimi i një filmi të shkurtër, (artistik, dokumentar, multiplikativ, etj), mund të bëhet edhe pa ndonjë shpenzim paraje, apo qoftë me një buxhet të vogël xhepi.

Filmat e fundit të shkurtër shqiptar i prodhoi "Albafilm", bebja e Kinostudios “Shqipëria e re” kjo, diku aty në vitet ’90, disa filma multiplikativë për fëmijë. Mirpo dhe kjo bebe, po si e ëma, vdiq pa hyrë akoma mijvjeçari i tretë i erës sonë. ("Shqipëria e re" jetoi 40 vjet, ndërsa "Albafilm" jetoi nja 4 vjet!) Megjithatë, nja dy-tre djem të talentuar vazhduan edhe pas kësaj kohe të prodhonin diçka me forcat e tyre, në mos gaboj, duket me shpresën se do ti linin aty në ambientet e Kinostudios, mirpo bolemëdhenj të tjerë kishin me kohë gishtrinjë e tyre në këtë vend të Tiranës, pasojat e të cilave i shohim sot në atë zonë.

Unë e ndjek festivalin e Hamburgut prej rreth dy dekadash e gjysëm, si festivali më i madh i filmit të shkurtër në Gjermani, me filma nge e gjithë bota, dhe –të them të drejtën– nuk e kam vrarë shumë mëndjen nëse edhe Shqipëria prezantohet me ndonjë film, apo jo! Në fund të fundit filmi dhe arti në përgjithsi janë gjini të individit më parë, e pastaj përfaqsojnë një komb apo një shtet të caktuar. Mirpo, shumë vite pa ndonjë film nga autorë shqiptarë, të tërheq sëfundi vëmëndjen. Dhe kjo për më tepër, kur sheh çdo vit se si nga Kosova vijnë një, dy, apo tre filma të shkurtër. Këtë vit ishte një film Co-produksion i Kosov-Bosnje-Herzegovina-Belgjik, me regjizor boshnjak, film që tregonte ato skena të para-disa muajve me largimin e mijra kosovarve nga vendi i tyre për shkak të papunësisë. Filmi ishte çka, do thoja, pa emocione të forta, por ... sidoqoftë në Kosovë nuk flenë gjumë, arti lëviz, me artin edhe njerëzit, kështu vjen edhe përmisimi tek ‘ta.

Ndërsa në vendin e shqiponjave nuk ka as sorra, e lëre më shqiponja! Mezi dëgjohen fare pak cicërima zogjsh. Gjithshka ka vdekur, apo është duke vdekur. Individë artistë krijojnë herë këtu e herë atje, kuptohet, me forcat e tyre, e po me forcat e tyre prezantohen diku e matanë. Disa të tjerë rrinë dyerve të ministrive për ndonjë lek, e disa të tjerë nuk kanë nevojë të trokasin dyerve, sepse kanë njerëzit e tyre pas atyre dyerve dhe marrin her pas here ndonjë lek, sa për të mbajtur frymën, se për të krijuar, as që bëhet fjalë! Paketa magjike e Brukselit për Shqipërinë prej rreth 300 milion eurosh po mbaron. Një pjesë e atyre eurove ikin sërish jashtë për larjen e borxhit, një pjesë tjetër poashtu ikën jashtë për imazhin e Shqipërisë, pra edhe të shqiptarve, inkluzive aty edhe të politikanve, dhe ç’mbetet shpërndahet për vepra arti të ndryshme brenda vendit, si bie fjala një recitim vjershash diku, një mbledhje arti më tej, një sesion shkencor pa as një të dhënë të re shkencore, po të mos llogarisim masturbimin e pa-lodhshëm shqiptar, që është kthyer në shkencë më vete.

Eh, festivali i 32 i filmit të shkurtër në Hamburg mbaroi edhe për këtë vit, por vitin tjetër ai rinis sërish. Të shohim ç’rinisje do na sjellë bota e zogjve të ngordhur, bota e zogjve të vrarë, thuaj!          

2 Komente

Artikulli ishte interesant persa i perket faktit te evenimentit, por une do te shtoja nje pyetje per KM tone ketu, se, Pse nuk ben vete nje film te shkurter sic u quakan keto, me nje kamer te vogel dhe ta paraqesi ne te kete festival ne emer te Shqiperise.

Pjer,

po i bie kot më qafë KM me këtë historinë e kamerës së vogël - është njëlloj si të shkruaja në një nga ato botimet e tua: ".. pse nuk hap nje bursë të vogël në Tiranë për të realizuar idetë e tua ekonomike?".

Ajo çka është për t'u lëvduar në artikull, përveç pasqyrimit të "evenimentit" Kurzfilm, është mënyra dinamike e të shkruarit, paraqitja zbavitëse e gjendjes katastrofike të filmit shqiptar.

Për ta thënë ndryshe - dhe kësaj here për KM - shkrimet e tua janë fort interesante kur vijnë si Kurztext.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).