përshtypje leximi

Nuk është roman, por një poemë, siç edhe “Shpirtërat e vdekur” të Gogolit. Nuk na flet për kurrfarë stine, (e ku ta gjejnë stinën e tyre hijet!?), sepse hijet bëjnë hije edhe në hije. Nuk ka as fillim e as mbarim, dhe s’ka si të ketë, përderisa hijet janë të përjetshme.

Nuk kemi hije makbethiane, ndonëse edhe këtu hijet veprojnë tinëzisht pa u dalluar. Nuk kemi as hije mitesh shqiptare me Konstandinë, ndonëse ato na shoqërojnë edhe në ngjarjet e këtij libri. Por kemi hijet tona, po-po, hijet e gjithsejcilit prej nesh, të ngarthëryera në luftën për ekzistencë. (Këtë, ekzistencën, kuptojeni –si gjithnjë– relativisht!)

Nuk ka humbës, sepse nuk ka fitues! –është një nga lajtmotivet e para në këtë poemë, e pikërisht nga zgërthimi i një hije, zbërthimi, thuaj më mirë, e cila na shpie përmes të treguarit të saj në rëndomësinë e basteve sportive të javës, diku në një lagje të Athinës. E përmes kësaj rëndomësie të ditëve emigrantuese, këto tashmë të kapërthitura me vendas grekë, taksixhinj, policë hetues, matrapazxhinj, etj., dallon mes gjithë këtyre hijeve një dritë e re pafajsie, e dobët dhe e brishtë, që u jep më kuptim hijeve, e ardhur kjo nga një qytet shqiptar. E ardhur për t’mos ndenjur gjatë. Sa të marrë pak fuqi në pavionet e këtij shteti EU-ropian. Sa për tu rrjepur pak në fantazinë bastexhore të hijeve, si gjithnjë të përziera këto, shqiptaro-greke. Një bast fatal për hijen e parë kryesore, punonjësin e basteve sportive, emigrant shqiptar, i cili dallon vetveten në pasqyrën e dritës së sapo-njohur. Dhe zbythet në kërkimin hijexhi, dyshon tek vetvetja, dyshon mos bie vërtet në dashuri, oh Zot, ç’krim, ndjen turp nga vetvetja, s’di as vetë përse, derisa një mbrëmje, në takimin e fundit me brishtësinë e pafajshme kthehet në një kërkues hijeshor, por tashmë në hijen e vetvetes, i ndriçuar nga brendësia, ndoshta i shpëtuar dhe i hedhur në një planet në zhdukje me specie të tilla, siç i revokon vetes...

Ajo dritë e zbehtë na ndriçon më tej botën nga ka ardhur, atë qytetin shqiptar ku ka lindur dhe është rritur, shpirtin e të ëmës dhe grindjet e saj me të atin, për ta nxitur këtë të shkojë sa më shpejt tek vajza e tyre në Athinë, për ti qenë asaj pranë, për t’ia lehtësuar dhimbjet. Këto përpjekje prindërore për ta ndihmuar bijën e tyre, e sidomos ato të të atit, i cili bredh sa nga një zyrë në tjetrën, sa nga një qendër bamirësie në një tjetër, pa arritur të mbledhë ndopak ndihmë financiare për të bijën, përplasen në atë realitet të ri shqiptar me projekte hijesh biznesi, këto të fundit si qëllim në vetvete. Sepse qetësi nuk ofrojnë, kënaqsi nuk sjellin, për lumturi as që bëhet fjalë. Por garantojnë atë lëvizje të përdishme kaotike të mbijetesës, të shpëtimit nga ndonjë brryl i fshehur, të grabitjes me mashtrim të diçkaje me vlerë, (kjo e fundit vetëm materiale), garantojnë atë dallditje hijesh të rrënuara nga dritë e përjetësimit. Gjithshka drejt rrënimit dhe harresës së përjetshme. Nuk ka zë që ta ndalojë, sepse –siç na thotë shpirti i të ëmës në libër– edhe zëri ka hije, hije pas telefonit, pas radios, e me radhë, televizionit, gazetave, ....

Të treguarit vazhdon më tej, sepse hijet janë në lëvizje, siç thamë, në një lëvizje kaotike për të mbijetuar. Gjithkund të përziera, shqiptarë e grekë, e po ashtu edhe të tjerë emigrantë në mbijetesën e tyre. Ca bien sot në burg, e të tjerë nesër. Lëvizja nuk humbet kurrë. Kjo është e rëndësishme, dhe jo të gjitha hijet e kuptojnë menjëherë këtë. Disa e kuptojnë më shpejt e disa më vonë. Këtu varet shumë edhe suksesi i tyre për të shpëtuar, për të mbijetuar. Në tokën e Sokratit e të kompromisit, siç i lutet njëra hije një tjetre në faqet e librit, jepet mundësia për të lëvizur, për tu zvarritur, ndonjëherë si gjarpërinjtë e Meduzës. Në ato skena të përziera mitollogjie dhe moderne ngjarjet janë po ato; ndryshojnë vetëm personazhet hije...

Dhe së fundi preludi afron. Dritëza është shuar! Duket se ndriçon vetëm kujtimi i saj, ashtu si kudo. Ajo po kthehet nga vendi i Sokratit dhe kompromisit në vendin e Ismail Qemalit dhe të të shtirurit. Ajo nuk po kthehet thjesht, ajo as nuk po përcillet për herë të fundit! Ajo po kalon fshehurazi mes rrugës së hijeve, për ti shpëtuar drejtësisë së ligjeve, atyre miliarda neneve që përkulen ashtu dhe kështu, atyre paragrafëve të panumërt të hijeve drejtuese. Ajo dritëz e shuar ka bashkuar në rrugëtimin e saj të gjitha hijet e romanit jetësor. Ajo dritëz e pashuar kurrë, do të jetë strumbullari i përjetshëm i hijeve rrethuese. Ndaj ajo nuk ka si të vdesë. Ndaj ajo nuk ka si të varroset. Ajo duket e tillë, sepse ajo gjithë jetës është e dobët, e sëmurë, e pamundur. Por ajo i ndryshon hijet, i përzien, u jep kuptim. Ndaj ngelet sëfundi të thuhet metaforikisht, se hijet nuk janë as të mira e as të këqija. Thjesht ato janë hije, janë hije me brengat, shqetësimet dhe përpjekjet e tyre jetësore. Me fatet e tyre, aq të ndryshme dhe të larmmirshme. Këto libri i tregon aq mrekullisht, aq dhimbësisht...

Mos e humbni këtë libër pa lexuar! 

4 Komente

Ooo zoti Karl Marks, te rekomandoj, qe kur te shkosh ne Shqiperi, te blesh librin Vizione te Qarta , dhe te japesh nje pershtypje, pooor duhet ta lexosh horizontalisht dhe dy here minimumi, qe ta kuptosh.

smileysmileysmiley

Nuk e di pse por përtej anës artistike pashë situatën politike.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).