përshtypje leximi

Hiri, kjo gjurmë e një zjarri të farosur, kjo blamë e një ngrohtësie të perënduar, na shpupuroset përpara syve me të gjithë metaforat e gjuhës, në romanin “Hiri” të Flutura Açkës, pa përshkëndezur as edhe një xixëllonjë të fjetur. Aq sa domethënës dhe të nënkuptuar na e sjell titulli, aq pak të mbingarkuar ndjesërisht na e përcjellin faqet e librit. Aq sa përshkrimi i shkrimtares mund të radhitet në një nga kryeveprat letrare për pasurinë morfologjike, semantike dhe metaforike të romanit shqiptar, aq më poshtë mund të radhitet vetë sublimja e jetës, dashuria, në këtë roman, (çfarë duket se pretendon), ose të shprehemi me një pretendim më të thjeshtë, vetë emnesa* e romanit, apo-apo diçka e papërcaktuar, një lloj ndjenje amorfe e kohrave të sotme post-moderne, e cila kacavirret hopërisht në dihamat e një narraviteti epileptik. Kaq, sa në përfundim të këtij romani shkon shprehja e urtë intelektuale: një përshkrim akrib, deri diku iracional, i një peme të dashurizuar me të tëra fijet ndjesore, në një vakum sinelogjik** të pyllit jetësor. (Përshkruajmë pemën në hollësi dhe harrojmë çdo të thotë pyll!)

Pa diskutim dhe sinqerisht ky roman është një pasuri e paçmuar frazeologjike. Ke kënaqsi kur e lexon. Por po aq pa ndjerë rrëshqet leximi, pa ngecur në një ngjarje a objekt! Më keq akoma, pa mbërthyer asnjë nga dy aktorët e romanit, si të jenë të dy prej një hiri jo-material. Sa hidhësi, tek sa në një pasuri korrelacionesh të gjithanshme, me përshkrime metaforike dhe magjepse, na përviten zbehtësisht ndjesimet më sublime të njeriut, të të dy aktorve të romanit, të të dy aktorve të vetvetes, një piktori dhe një gazetareje, të dy të njohur e të dëgjuar në piacën post moderne të fshatit ballkanik, i pari ndoshta i tabllove ngjyzarake të jetës tiranase dhe e dyta e tabllove fluturake të një jete pa fundament, siç po duket sot kudo, në post-modernizëm! Kjo botë e tyre më shumë përvidhet se shpaloset në disa nën-shprehje (si) rastësore, të dua... më mungon... dua tani të të kem pranë... Këto më së shumti nga fundi, si prelud i filozofisë popullore, kur e humbet, e vlerëson! Kjo kërkesë, kjo dëshirë, daravitet si ato lavjerrsit pranverorë, më tepër e epur, e epshur për ngjitje, (lart dhe jo afër), se sa për një rrënjëzim fundor stabiliteti, ca arkaik ky i fundit, ndaj dhe i demolueshëm për kohët tona.

Do ta ndaja këtë roman në tre pjesë, në atë të faqeve të para, në atë të shumicës së faqeve të tij, dhe në atë të faqeve të fundit. Dhe ja më konkretisht: Ndodhte që një kafe, të mos e kishte më kuptimin e thjeshtë të një kupe kafeje. Diçka më shumë./ Flirte, brirëvënie, qi e ik./ Tani ishin në modë. Ndoshta kishin qenë gjithëkohë, por asaj i ishin bërë më të dukshme pas divorcit. Një si ethe po i kthente shqiptarët në shpellësi. Të pasurit e kishin një lidhje të dytë, të tretë, të disatë, ishte e zakonshme./ Një koperturë, si të plotësoheshe, të realizoheshe. Lidhjet paralele, ishin shenjat e tribusë moderne tiranase. Tranzicioni i gjatë, për shqiptarët po bëhej edhe i vështirë. Burrat e kishin pasur gjithkohë lojë të tyre, gratë sapo e kishin filluar –për kinse burrave./ Libidinosus. Shoqëri epshore. Gjasë e re, edhe pse e vjetër sa bota. Shqiptarët kishin ndryshuar.

Ky ngjyrim kështu i përgjithshëm i faqeve të para të romanit, apo siç i quajta, pjesë e parë, nuk ripërsëritet në vazhdim. Është sa origjinal aq dhe konkret! Është sa hyrës, aq dhe mbyllës. Por po të njëjtën pamje prezanton edhe vazhdimi i librit, pse jo, i ngjarjes, ndonëse më individual. Nuk i kish mbetur më, veç atij kërkimi pas qelqesh të mjegullt mbi sheshin e zbrasur. Opakësi e dukshme. Qartësi e mjegullt. Deri në mëndjen e saj dita që po zbriste lehtë, buiste duke i derdhur verbëri... Ju keni hyrë prej kohësh në ngjarje, në një shpirt të lënduar, (thuhet shpesh: nga trahalli e kohës), dhe vazhdoni të hyni sërish e sërish në një monotoni ekzaltimesh pa fund e fillim. Ajo është lëngojë. Shqisat e saj të ngathëta flenë dhe rizgjohen si pulse, të varura nga tekat e një butoni të dikurshëm, të padukshëm. Ajo po mbarset me një marrinë, që e përligj vetëm një gjendje e tillë: Një dashuri munguese!  Mos e ngatërroni këtë kurrë me dashurinë munduese, e cila i përvidhet dy heronjve të romanit tonë! Por as mos e nënvleftësoni, sepse angshti i kraharorit bulçon edhe në momente pritmake, (munduese këto në këtë rast, sidomos kur kemi të bëjmë me zemra femërore), dhe ja në vazhdim: Fshehtësia e herës së parë. Kureshtja e përputhjes. Ritmi i bashkfrymëmarjes. Fjalët e ndërklithmës. Timbri i zërit në klimaks. Aritmia e shkaktuar nga fundi i njëkohshëm./ Të gjitha bashkë, e bënë gruan ta priste me frikë lëshimin e tij

Dhe me këtë afekt të përjetshëm, më të lashtë se sa dhe njeriu, hymë në kapitujt e fundit të ngjarjes, ... ah, se gabova, nuk ka kurrfarë ngjarje, kjo është merita e romanit, aspak dobësi, (falë stilit të mrekullueshëm të shkrimtares), ku narraviteti fatalist damkos epilepsinë e një vazhde pa fund pritje-përcjelljesh. Njeriu është pre paranojash, i gatshëm të shpikë pamundësinë në emër të një qetësimi, qoftë dhe të rrejshëm. E më tej, pas disa abstraksionesh të evolguara të personazhit kryesor, Enorës, në zbërthim të emrit të saj përmes disa pikturave të kohëve par-moderne, (socialiste pra), kemi dalë e ngadalë rrjedhimet sintezore: Instinkti nuk dinte radhë punësh. As kishte ditur ndonjëherë./ ...Enora ishte një kalimtare e rastit në magjistralen e tij. Ai në të sajën. Ishin përpjekur ta mbanin ndryshe lidhjen e tyre, por, mbase, e trazuar nga kjo tunikë e pazakontë që kishin dashur t’i vishnin, ishte mërzitur nga klasi, nga superania.  A nuk duket sikur autorja na thotë: nga piranjat!? Por ka dhe më! Dashuritë ende nuk e kishin gjetur mbrojtësin nga vaniteti. Dashuritë ishin të kërcënuara nga vegjetimi emocional. Nga njohja e relievit të mishit të dashur.

Ky ishte hiri i një ... dashurie? Jo-jo, le të themi, i një lidhjeje, i një zjarri hopor (me hope). Dhe i treguar me një stil të mrekullueshëm metaforik. Nëse autorja na perifrazon dhe profetizon përmes gojës së personazhit të saj: amor omnibus idem = dashuria është e njëjtë për të gjithë, ne do ti perifrazonim në këtë rast: amantes amentes = të dashuruarit janë të çmendur (i dashuruar – i çmëndur), çfarë në shoqërinë obezive të dy personazheve të Flutura Açkës nuk mund ta kemi. Tranzicioni shqiptar i la shqiptarët me shumë mangësira, por u plotësoi në anën tjetër instiktin e dashurisë për mishin, siç thotë dhe autorja.

Romani i dytë në këtë libër, “Vetmi gruaje”, na duket si një nga ato sved krimi, nëse i keni parë ato filmat suedezë me zbardhjen e një krimi, ku rreth kufomës përzihen ngjarje më të hershme, njerëz të kaluar, familjaritete të ditura e të paditura, sigjithnjë edhe dashuri të kaluara, apo edhe dashuri të sapo përjetuara, këto të fundit gjithnjë me reduktim, për shkak të një ngërçi mistik, pranë një lumi, një bregu, një faqe mali, një pylli të pabanuar. Përjetimet rreth kufomës së gruas së vrarë na shpien deri në Firence, e na sjellin sërish mbrapsh, si ato valët e një deti të trazuar. Pikërisht ky trazim i gjithanshëm jete i bën të dy romanet e Flutra açkës pa një shtangë ekuilibruese, pa një bosht centrues. Megjithatë të dy romanet janë tërheqës. Lexojeni librin, sepse është mjaft i bukur!

_______

* ngjarje për tu mbajtur mënd.  /  ** pa llogjikë

5 Komente

Karl Marks, morra vesh, ne mos gaboj, se ke bere nje reçension per VQ, eshte e vertete apo jo. 

Nuk e morre vesh, por ta thashe une ketu tek nje koment, pasi ti disa here ke kerkuar ta lexoj VQ-n e famshme dhe nje here shkrove po ketu posacerisht. Biles the tani vone se do u kerkoje adminve ta nxjerrin kete analize, por duket ata te mbajne me hater qe nuk e kane nxjerre. Po deshe po ta hedh ketu, po qe se je kurioz i madh, vetem thuaj qe ta hedh si koment ne disa pjese.

Me kete rast doja ti pyesja lehte adminet e peshkut, se pse u kane dhe kaq rendesi dy shkrimeve te mia te fundit me pak humor mbi fene, kesaj radhe mbi krishterimin dhe muhamedizmin, perderisa nuk i kane nxjerre!? Mendoj se edhe keto dy shkrime, qe e mbyllin kete seri temash fetare nga ana ime, nuk kane ndonje ndryshim nga ato tre shkrime te meparme mbi historite biblike, te cilat ju i nxorren para disa javeve. Nejse, ju e dini me mire, si administratore te kesaj faqe. Por thashe mos u keni dhene shume rendesi atyre dy shkrimeve pa ndonje peshe shkencore, thjesht me pak humor, e keshtu i mbyllni rrugen mendimit te lire, duke i lene rruge vetem fetarve fundamendaliste, qe vete prrallisin cfare te duan, ndersa te tjeret i konsiderojne blasfemiste dhe ofendues!  

mqs keta nuk po e nxjerrin analizen na hiq ndonje kureshtje te vogel nderkohe: sa here e ke lexuar qe bere kete analize? 

Karl, duke qene se e paske lexuar dhe e paske konspektuar, pra i ke bere nje reçension, dhe adminet nuk po e nxjerrin, athere fute tek rubrika; Pa Censure, me pjese-pjese. 

E ka gjëmbi, po s'do te ta jap.

Ose s'di me ja lyp, ca te te themi ne.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).