Një nga kryelajmet e ditëve të fundit ka qenë edhe djegia në repartin e hemodializës së Spitalit Amerikan. Nuk ishte djegie nga ndonjë defekt teknik, apo ndonjë parrregullsi në lidhjet elektrike. Difekti ishte në komunikim.

Dy pacientë gjatë seancës së kurimit hahen me fjalë për një problem a tjetrin. Njeri prej tyre, sa mbaron seancën, spërkat me benzinë tjetrin dhe i vë zhizhën. Por flakët e benzinës, që janë po aq të paparashikueshme sa flakët e fjalës, përfshijnë në çast, veç kundërshtarit edhe dy paciente që kuroheshin aty pranë.

Rezultati deri tani është tre të vdekur dhe një i djegur që lufton për jetën. E gjithë kjo batërdi për një fjalë goje, për të mos u tundur nga istikamet e përbaltura të fjalës tënde.

Në shqip shprehja frazeologjike “për një fjalë goje” shënon diçka të parëndësishme, diçka që shqiptohet lehtë dhe nuk ka thuajse asnjë vlerë siç e dëshmojnë herëpashere edhe titujt e gazetave të tillë si: “Dekriminalizimi s’është thjesht një fjalë goje”, “Burg për një fjalë goje”, “Tenton të vrasë fqinjin për një fjalë goje” etj. etj..

Të bën përshtypje se shumica e titujve që ofron Google kur kërkon lajme me shënimin “për një fjalë goje” lidhen me vrasje, krim, burg. Pra diçka fare e papërfillshme si fjala e gojës, thënë ndryshe: fjala e folur që e merr era, vjen e lidhet me dy nga gjërat më të jetike për njeriun normal: jetën dhe lirinë.

Fjala e folur, sado e lehtë dhe e papërfillshme të duket, është instrument që bën çudira. Këtë e ka artikuluar mirë shqipja kur ka krijuar metaforën ‘peshoj fjalën” dhe shprehjet që lidhen me të. Ka një urtësi të tërë popullore për të treguar kujdes me fjalën, për të komunikuar me korrektesë, modesti dhe pranim të tjetrit.

Gjithë ky investim gjuhësor ngjan se është bërë ngaqë jeta, rast pas rasti ka dëshmuar se njeriu është i prirur t’i paraqesë mendimet e veta si të vërteta të kulluara, pa lenë asnjë shteg që bashkëbiseduesi të ofrojë alternativë tjetër.

Vështirë ta gjesh se nga buron kjo prirje. Megjithatë, përbën thelbin e një difekti komunikimi që shpie deri në krime e vrasje, ndaj ia vlen t’i kërkosh rrënjët e t’i bësh të dukshme për sa më shumë vetë.

Mbase buron nga padija ose, më saktë, me dijen e kufizuar. Ka një parim që quhet ‘rrethi i injorancës’: Ajo që njeriu di është një rreth i ndriçuar, i zhytur në errësirën pafund të gjërave që s’i di. Sa më e shumtë dija, aq më i madh rrethi, aq më shumë kontakte me gjëra që s’i dimë dhe s’mundemi t’u japim përgjigje. Rrjedhimisht: sa më shumë të dish aq më shumë pasiguri ke, aq më tolerant bëhesh. Di që s’di asgjë, thoshte Sokrati i gjithëdijshëm.

Pretendimi për të thënë fjalën e fundit lidhet mbase edhe me dobësi në formimin etik. Kur bisedon me të tjerë, ballë për ballë apo në FB, duhet të pranosh disa norma etike. Një nga më baziket është: respekto tjetrin, kushdo qoftë ai, leri mundësi të flasë, të diskutojë. Ndryshe komunikimi ndërpritet. Këtu, mbase, ndihmon qasja e Niçes: egziston bindja ime dhe bindja jote, mos u lodh të gjesh të vërtetën absolute apo atë ideale, thjesht nuk egzistojnë.

Dëshira për t’i paraqitur mendimet e tua si të vërteta të padiskutueshme lidhet mbase edhe me sakatllëqe psikologjike, që i kemi brenda vetes, por nuk i dimë. Shpesh siguria e tepruar në bisedë është kompesim për pasiguri, për dobësi dhe frikëra që fshihen brenda nesh.

Duke luajtur të sigurtin, të gjithëdijshmin shijojmë iluzonin e të fuqishmit dhe sadokudo bëjmë sus pjesën tjetër të vetes, që pëshpërit të kundërtën.

Mbase këtë kishte parasysh Brehti, kur thoshte: kush është i sigurt, nuk është i sigurt.

4 Komente

fjala eshte me e rende se plumbi, çapajev. 

Gjuha eshtra s'ka dhe eshtra thyen, citat i Bibles. 

Blend. Kam idene se gabohesh kur thua per nje fjale goje...nje nga viktimat e kisha familje...ajo qe ka ndodhur eshte rezultat i asaj qe ti spo ke guxim ta denoncosh...aferat Beqaj-Spitali Amerikan...dializa eshte lufte me vdekjen, dhe kur spitali ben dallime dhe diferencime se kush e ka kete lufte me te lehte e kush nuk paguan mbi ate qe spitali e perfiton nga taksat tona, benzina ngelet mjeti efikas per ta shpalosur frustrimin...fatkeqesisht, asnje nuk ka guximin te flase per kete gje dhe ngrihet tym si e si te largohet vemendja nga ngjarja reale.

nuk e ka bere blendi artikullin por ai qe ndodhet siper faqes djathtas dhe eshte postuar tek gazeta dita.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).