Tri marrëveshje të rëndësishme për bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe të shkencës janë nënshkruar një vit më parë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, si dhe homologu i saj kosovar, Arsim Bajrami, kanë rënë dakord për marrëveshje bashkëpunimi në fushën e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor; marrëveshje për organizimin e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë (në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës së Kosovës); si dhe marrëveshje për bashkërendim institucional për përparimin dhe zhvillimin profesional të mësimdhënësve në arsimin parauniversitar, sipas asaj që bën të ditur "Telegrafi".

Të dy këto dikastere kanë marrë pjesë me ekipe të përbashkëta në procesin e draftimit të ligjit për Arsimin e Lartë, duke ndarë vizionet e tyre dhe qasjet e reja, me perspektivë cilësinë në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor.

Nga këto marrëveshje, në fund të vitit të kaluar filloi në Prishtinë takimi i grupeve të punës për jetësimin e marrëveshjes Kosovë-Shqipëri për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).