I nderuar zoti LU,

të ndihmuar materialisht nga EU dhe moralisht nga USA, të ndikuar dhe influencuar deri më tani nga ambasadorët amerikanë dhe të dërguar të tjerë të EU-s, media shqiptare ka arritur në ato maja të larta të lirisë dhe demokracisë për veten e saj, sa që unë detyrohem t’ju shkruaj sot juve me pseudonim, pasi po të jap emrin tim të vërtetë, këto media nuk do ta botojnë kurrën e kurrës këtë letër të hapur. Pra e kuptoni, nën ndikimin e përgjithshëm zyrtar perëndimor, vendi ynë ka arritur në atë pikë sa të kufizojë shumë mendime jo-përputhëse me disa nga ato zyrtare perëndimore. Ndaj më falni që po ju shkruaj me pseudonim, jo prej dëshirës time por prej punës tuaj dhe asaj të parakaluesve tuaj!

Tani hymë në temë! E kam fjalën për reformën në drejtësi, saktë-saktë jo aq për reformën, sepse unë nuk kam njeri nga familja dhe farefisi në punëra shtetërore, apo gjykatëra, e kështu të prekej ndokush direkt nga kjo reformë, jo-jo, të gjithë janë morrsa nëpër punëra të rëndomta, një pjesë fshatarë, dhe pjesa më e madhe –siç dhe 2/3 e këtij populli– janë të ikur nëpër botë. E kam fjalën më tepër për atë idenë tuaj madhështore të mbylljes së Edit dhe Lulit në një dhomë, të dy të ngujuar derisa të bien dakort për votimin e reformës në drejtësi. Zoti LU, jeni sa origjinal aq dhe simpatik me këtë idè. Më nxitët jo vetëm t’ju përgëzoj, por edhe t’ju nxis më tej ta shpërndani këtë idè në vende të tjera. Ja bie fjala, sipas shumë statistikave dhe emisioneve televizive këndej në perëndim, korrupsioni është shtuar mjaft edhe në vendet perëndimore. Po se mos vetëm korrupsioni!? Edhe veprimet raciste! Ja, në vendin tuaj kampion i demokracisë, USA, vrasjet raciste të policëve të bardhë dhe atyre me origjinë latine ndaj njerëzve me ngjyrë (afro-amerikanë) kanë marrë përpjestime galopante. A nuk do të ishte mirë që Obamën me disa guvernatorë, si dhe me disa shefa policie ti ngujonim në ndonjë shtëpi zezaku, derisa të binin dakort për arritjen e një marrveshje që do të dënonte rëndë cilindo polic, i cili do të qëllonte një afro-amerikan/e, si këto dhjetra raste të dy viteve të fundit!?! Apo edhe këtu në Europë, bie fjala, ja para dy ditësh, sipas emisionit Monitor ka patur në Gjermani gjatë vitit të kaluar 2138 denoncime ndaj dhunës policore, nga të cilat prokuroria ka lejuar hetimin në vetëm 33 prej tyre. Po të fusim këtu rritjen e korrupsionit, po të fusim këtu shmangiet që shteti gjerman bën ndaj shkeljes së disa rregullave ndërkombëtare të tregëtisë, që vetë i ka firmosur (po sipas këtij emisioni), po të fusim këtu lejimin që ky shtet i bën fanatikve dhe fundamendalistave islamikë nëpër kampe refugjatësh, të cilët rrahin dhe terrorizojnë emigrantët e tjerë myslimanë që nuk agjerojnë gjatë festës së Ramazanit (po sipas këtij emisioni), e sa e sa fenomene të tjera negative po të duash të numëroj, për të cilat ka përgjegjësi pak apo shumë ky shtet dhe qeveria e tij, i bie që edhe Merkelin ta ngujojmë në një dhomë së bashku me kryetarin e opozitës, (ndonëse në qeveri ky), zotin Gabriel, e të dy të rrinë aty të ngujuar derisa të pranojnë një reformë ligjesh të reja, që bën të mundur kontrollin e qeverisë dhe opozitës nga jashtë, kur të dy qeverisin!?! E pse jo z. Lu, unë mendoj se edhe juve duhet të ngujoheni në një... (dhomë?), jo-jo, në një haur të fshatit Manzë, sepse shtëpitë u dëmtuan aty nga një firmë kanadeze e kërkimit të naftës me metodën fracking, dhe juve –sipas një emisioni investigativ shqiptar, STOP– i keni dhënë urdhër prokurorisë shqiptare –në kundërshtim me të gjitha ligjet shqiptare, për të cilat jeni betuar se do ti respektoni– që të ndali hetimin ndaj kësaj firme kanadeze!!! Se sa ky lajm është i vërtetë, unë nuk mund të ve dorën në zjarr, por një letër e juaja drejtuar prokurorit të përgjithshëm shqiptar doli në ekranin e TV, gjë e cila gjindet në internet për ta parë çdo kush banor i këtij globi tonë të vogël. Natyrisht ju keni të drejtë ta mohoni këtë fakt të sjellë nga ky emision, duke na treguar fallsifikimin e emisionit në fjalë. E Vërteta është Perëndia më e madhe për të gjithë ne. Dhe mua ma do interesi që rasti i prezantuar nga emisioni investigativ të jetë i sajuar, pra jo i vërtetë, sepse më tregon mua që gjëndja e këtij vendi nuk ka rënë deri në atë pikë, sa një ambasador të sillet si Luigji i XIV. Dhe, panvarsisht këtij rasti, ju z.Lu keni shancin ta provoni ngujimin shqiptar sipas idesë tuaj, pasi reforma që keni mbrojtur deri tani ka ndryshuar aq shumë, sa vetëm reformë nuk mund të quhet, e për çudi ka lënë sërish ato pika që e vendos të gjithë sistemin e drejtësisë së këtij vendi (Shqipërisë) nën mbikqyrjen dhe varësinë e disa institucioneve krejt të reja të huaja, të cilat nuk ka kush ti kontrollojë nga pala shqiptare dhe ato internacionale! Pra, ju doni thjesht disa kukulla në krye të këtij vendi, të cilat do të bëjnë gjithshka do tu thuhet nga Uashingtoni, Brukseli, Berlini. Mirë se ne besojmë sot, se ju dhe padronët tuaj në Uashington, Bruksel dhe Berlin janë më të mirët dhe më të drejtët në botë! Por sikur pas disa vitesh dhe dekadash të vinë në ato qendra botërore njerëz jo kaq të mirë sa ju dhe padronët tuaj!?! Ç’do të bëhet me këtë vend që ju do ta keni vendosur nën komandën e këtyre qendrave?!? Të bëhet revolucion këtu e të shkatërrohet gjithshka!?! Se pak është shkatërruar deri më tani!?! Dhe, të mendosh se gjithshka të këtyre 25 vjetëve të fundit e kemi nga bota juaj dhe shërbyesit jo aq të bindur shqiptarë, si Nanorat, Berishërat, Ramërat, Bashërat, etj., kuptohet se në ngujimin tuaj duhet të bashkohen edhe të tjerë ambasadorë parakalues, përfshi dhe disa emisarë europianë si Vllahuin e të tjerë. Që, në haurin ku ju do të ngujoheni, do të ketë aty rastësisht ndonjë lopë, besoj se kjo nuk do t’ju ngushtojë dhe aq, përkundrazi, do të keni rast të mësoni si milet lopa dhe se si patrohet një haur, një punë kjo e cila do t’ju mësojë juve se si nxirret buka e gojës nga një shumicë njerëzish të këtij vendi, fjala e të cilëve nuk mund të arrijë kurrë tek ju, sepse jeni ju shtetarët perëndimorë, mos tu hamë hakun edhe atyre turq dhe arabë, që paguani mirë direkt dhe indirekt këto media shqiptare, pikërisht për ti patur nën kontroll, (gjë që e keni arritur), pikërisht për t’ju servilosur juve, (gjë që ata e bëjnë me kënaqsi), pikërisht që të mos lejojnë zërat e atyre të dëmtuarve nga bota juaj të jehojnë në shtypin shqiptar, (detyrë e kryer deri tani më së miri nga media shqiptare). Jam i sigurtë, se pas këtij ngujimi ju do të përhapni në botë këtë metodë shqiptare të prezantuar nga ju, e kështu të gjithë dallkaukët drejtues të këtij planeti ta provojnë se çfarë është puna fizike dhe e lodhshme, ta dinë se si e nxjerrin bukën e gojës masa të tëra njerëzish dhe, kryesorja, ta dinë se si zëri i këtyre masave të tëra punëtore nuk arrin kurrë në veshët tuaj, nuk jehon kurrë në hapsirën mediatike, nuk vihet kurrë në peshë zyrtarësh, qeveritarësh, deputetësh dhe gjykatësish, sepse kudo ka nisur të komandojë paraja, -këtë të fundit e keni ju, pra klasa dhe kasta juaj.

Së fundi, më falni edhe një herë z.Lu për anonimitetin tim, më falni që letra ime mund të mos botohet dhe as ka për tu marrë vesh prej jush!

Me respekt K.M. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).