Unë do ta marr kalanë nga jashtë, thosh në formë shakaje poeti-shkrimtar Petraq Risto gjatë një interviste në TV-n e Durrsit para disa vitesh, duke patur parasysh kalanë e letërsisë shqiptare, e duke u bazuar në një jehonë të shtypit meksikan mbi një poezi të tij, vargjet e së cilës shoqërojnë emigrimin e përvitshëm të një kolonie fluturash nga Kandaja në Meksikë e anasjelltas, një fenomen i bukur ky mbi qiellin e kontinentin verior amerikan. Me librin poetik “Lojë shahu në shekullin e XXI”, por edhe me libra të tjerë në varg dhe prozë, mendoj se Petraqi e ka “pushtuar” nga brenda një pjesë të kalasë së letërsisë shqiptare, megjithë indiferencën e publikut shqiptar ndaj letërsisë së vendit të tij dhe megjithë injorimin e pakrahasueshëm me tërë kohrat njerëzore, që ky publik i ka bërë gjatë këtyre viteve të fundit poezisë shqiptare. Por do të shtoja, se vargu ristojan nuk është i atij lloj pushtuesi kalash, tek i cili dallojmë furtuna, stuhi dhe hobe shigjetarësh që lënë shpirtëra dhe zemra të plagosura mbi tokë, jo, vargu i tij shtrihet si një melhem plagësh të lehta, si një ilaç qetësues dhe kthjellues i mëndjes, më tepër si një lojë, se sa si një betejë.

Çdo mbrëmje pas orës 8 me kodin Epidamus/ luaj shah në internet/ shah me një spanjoll, kinez, italian, brazilian/ me një rus, anglez, amerikan, indian/ shah: paralelet dhe meridianet krijojnë kuadratet/ një shah i përbotshëm me fatet tona/ ... Çdo mbrëmje luajmë shah ne të çmendurit e botës, të pagjumët e botës/ ne që ndjejmë se bota po vdes mbase para rilindjes/ ... një palaço – veshja e tij me kuadrate/ fushë shahu në lëvizje të lirë./ Shahu u krijua para palaçove/ apo palaçot krijuan shahun mbi shpinë... 

Në këto vargje kuadratikë, apo kuadrate vargjëzues, (të cilat i dhashë këtu të rreshtuara si prozë, për kursim vendi), ecën vetë poeti me shpirtin dhe mëndjen e tij, ecën, përpiqet, lufton, (jo me jatagan, as me pistoleta dhe goditje grushtash), biles lëviz paksa racional, siç dhe kuadratet e kushtëzojnë lëvizjen e tij, fatkeqsisht paksa edhe fjalën e tij, aq sa duket sikur ai edhe udhëtimet e tij midis Europës dhe Amerikës, midis Shqipërisë dhe Nju-Jorkut, midis Tiranës dhe Bronxit, i ka të kuadratizuara, përderisa gjemë në përshkrimin e këtyre udhëtimeve vetëm kuadrate vendosjesh, lëvizjesh të vogla, (të kushtëzuara pra) të tij, herë-herë edhe të mendimit të tij kërkues dhe shërues.

Ime bijë më thotë se në Nju-Jork jetojnë si gurët e shahut në katror:/ nga dhomat e shtëpive në vagonat e metrosë,/ pastaj në auditore dhe pastaj në zyra/ nga zyrat në metro, pastaj sërish në shtëpi, sërish në metro e sërish në zyra./ Katrorë të përmasave të ndryshme: muret, tryezat, pianot, librat, pasqyrat./ Kështu dhe trupi bëhet katror, koka gjithashtu/ dhe njerëzit nisin të ngjasojnë me trungje/ ku veç gjethja e zemrës vjeshtake bie/ në Manhatan/ te Katrori i Orëve

Por shpirti i poetit ka hopet e tij, ka shpërthimet e tij, vetvetiu shkelës të rregullave kuadratikë. Ky shpirt shpalos në varg këto hope shpërthyese, ngujues e shërues në blamat njerëzore, për t’na shpënë sa në një gjëndje në një tjetër, sa nga njëri breg i mendimit në tjetrin, sa nga një kohë e lashtë në tjetrën “moderne”. E ç’jemi ne: një pikëz loti gjysmë e tharë në faqen e parruar të galaktikave./ Vuajmë ende sindromin e mollës së Adamit dhe vrasjes së Kainit./ Stërgjyshi Abel mijëra vjet vërtitet gjykatave me dëshmi të reja krimi./ Sa pranë janë fjalët krim dhe krimb!/ Rri i heshtur: zog në fole të vjedhur/ S’guxoj të këndoj ndaj jam i vdekur./ Sa pranë janë fjalët hi dhe himn

Figurat dhe ngjarjet biblike pulsojnë jo rallë në faqet e këtij libri, ato na sjellin jo thjesht kujtime të së kaluarës se sa na paralajmërojnë për ngjarje të së ardhmes, ato janë sa deklasuese, aq dhe vet-deklasuese, ato mbërthejnë mendimin, ngadalsojnë shpërthimet poetike, ato përpëliten vetë në vargëzimin letrar të poetit, pa kursyer as figurat kryesore, ato që do të na ringjallin, ato u-ngjall-ore: Dikush më tha se Krishti ka pasur sozie/ madje sozia e tij u kryqëzua që tjetri të ringjallej/ romakët s’e kuptuan lojën dhe pastaj u mundën/ Krishti dinak/ apostujt i bëri ministra:/ burra që shkruanin libra/ që kishin provuar/ tradhëtitë dhe mëkatet/ dhe që kishin shpikur/ lojën me sozien./ Më mirë nga të gjithë shkonte me Mateun/ të cilin e la në doganë ku firmoste psallmet

Poeti beson në ringjalljen e përditshme, çdo poet, ndryshe nuk do të vargëzonte, ndryshe nuk do ta linte të lirë shpirtin dhe mendimin e tij. Poeti shkruan dhe qesh me vdekjen, ai vdes dhe rilind përditë, ai e qan dhe e përshkon tej përtej vdekjen. Përpara vdekjes, poeti duket filozof. Edhe në vargjet e Petraq Ristos kalojmë në tragjeditë dhe komeditë e vdekjes, me qetësinë e dhimbjes dhe mënçurinë filozofike. Sokrati rri i qetë para gotës së helmimit/ I qetë. Qetësia ka kurorë dafine mënçurinë/ I qetë – verë e nxjerrë nga pjergulla filozofike/ verë e vjetër që nesër do të shijoj shekujt/ me buzë njerëzimi. Apo pak më tej, tek na tregon për shitësin e farave të luledjellit: Ai ka një privilegj:/ mund të vdes në rrugë/ i rrethuar nga zogjtë. Dhe kjo ironi kthehet në një sarkazmë filozofike pak më tej, tek ai na flet për këpucët e të vdekurve: Të vdekurve prandaj u veshin këpucë të reja/ se rruga që kanë zgjedhur është e gjatë/ mbi rrugë dashurohen ylberi dhe rrufeja

Vetëm tek poetët mund të përziejmë vdekjen me jetën, urrejtjen me dashurinë, të vdekurit me të gjallët. Mund të përziejmë kohrat, ngjyrat, sendet, subjektet, gjithshka. Mund të përziejmë edhe budallenjtë me të mënçurit, pse jo, edhe fjalët e tyre. Diçka e përbashkët ekziston midis të gjitha objekteve dhe subjekteve të ndryshëm. Duhet vetëm një zemër e ndjeshme njeriu, duhet vetëm një mëndje studjuesi i paepur, duhet vetëm një sy i mprehtë filozofi të dallojë e të bëjë lidhjen e gjithshkaje. Sa bukur e dallon dhe e shpreh këtë zemra, mëndja dhe syri i poetit tonë!

Më çmëndi dikush në Manhattan, më çmendi

- Jam mason – më tha – mason

Dhe Bushi është mason dhe Macdonaldi – mason

Më çmendi dikush në Manhattan.

(Men-njeriu-bën hatan)

-Dhe Shekspiri – më tha – është mason

Shekspiri është mbarsur në Durrës

Dhe ka lindur në Angli...

Më çmendi dikush në Manhattan

(Men-njeriu-bën hatan)

dhe në atë çast çmendurie mendova:

Globus – teatri i Shekspirit

dhe shtëpia ime botuese – Globus

nga Durrësi – Ai

nga Durrësi dhe unë

O Zot,

mos jemi mbarsur nga një Perëndi

me emrin Furtunë

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).