nga nje emision televiziv

Nje pyetje e ngritur nga njeriu qysh në kohrat e lashta, një pyetje me disa përgjigje të ndryshme, një pyetje e cila do të nxisë edhe në të ardhmen kureshtjen e njeriut! Në emisionin e Discovery Comunications, 2011, “Univers i pafundëm”, me moderator dhe producent Morgan Freeman, (artisti aq i njohur i Hollivudit, që luan rolin e Zotit tek filmi Bruce Almighty – Bruci i gjithpushtetshëm), kemi një manifestim modest të teorive më të fundit mbi këtë pyetje, përfshirë disi aty edhe mendime mbi funksionin e kësaj Hapsire, të cilën ne e quajmë Univers. Sa kërshëri ka njeriu të mësojë për Kozmosin, me sa interes ai dëgjon të diturit e kësaj bote, sa i kënaqur është ai në fund nga dija e zbrasur?!...

Emisioni i Morgan Fridmanit nis –si me të gjitha seritë e tjera shkencore të këtij artisti– me një copëz nga jeta fëminore e tij, në këtë rast me një aspekt të kohës ku ai shkonte përditë rrugës për në shkollë poshtë një muri të lartë, e ku ai shpesh mbështeste kokën për të marrë vesh se ç’kishte përtej këtij muri. Kjo kureshtje nuk i është ndarë artistit të njohur sot e kësaj dite. Dhe diçka duket se i përmbush atij këtë instikt njerëzor. Nëse po!?

Me Nik Kornish (Nick Cornish), fizikant dhe kozmolog në universitetin shtetëror të Montanas, USA, nis jo vetëm emulsimi i kësaj kureshtje, por edhe përfundon një ide e hershme antike mbi Universin, ajo e filozofit grek Arqitas prej Tarentit, ajo se Universi është i pafundëm. Sipas Nik Kornishit, nëse Universi do të ishte i pafundëm, qielli do të ishte plot me yje, aq sa ne do të shihnim vetëm dritë (!?). Por, ngaqë yjet janë aty-këtu-atje, pra të ndarë dhe larg njëri tjetrit, kjo na tregon se Universi është i mbyllur. Këtë shpjegim profesori amerikan e bazon në shpejtësinë e dritës, çfarë d.t.th. se ne shohim tek yjet të kaluarën. Sa më afër nesh, aq më afër dhe kjo e kaluar: sa më larg nesh, aq më e largët dhe kjo e kaluar, -një vështrim ky i cili na ka çuar deri më sot –sipas të gjithë shkencëtarve– rreth 13 miliard vjet më parë në yjet më të largët. Gjithashtu kjo na ka çuar edhe në një fillim Universi, i cili është quajtur Big Bang. Por, por –përsërit shkencëtari amerikan– nuk përjashtohet mundësia që Universi të ketë qenë gjithnjë i pafundëm, dhe ne shohim kështu deri në një farë largësie, pra në një farë të shkuare.

Megjithë këtë qëndrim dualist të profesorit amerikan, megjithë këtë qëndrim mes dy të kundërtash, diçka mbetet e paqartë për cilindo dëgjues; përse kjo distancë e yjeve na provon fundësinë e Universit dhe e kundërta –shpeshtësia e yjeve– do të na provonte pafundësinë e Universit!?.. A përmblidhet kjo dilemë në një trajtim filozofik të saj, apo thjesht fizik, siç dhe e shtron profesori amerikan?...

Dijetari i dytë në rreshtimin e kureshtjes së Fridmanit është një matematiciene dhe teoriciene në Kozmologji, Zhana Levin (Prof. Janna Levin), e universitetit të Kolumbias (USA), e cila i përngjitet një mendimi mjaft të vjetër, (të paktën prej një shekulli), atij se Universi është i pafundëm në kuptimin që nuk ka fund, siç dhe toka jonë, tek e cila vimë vërdallë duke mos hasur gjëkundi një fund, por sërish –po si Toka– është ky Univers i fundëm. Dhe jep një krahasim me një lojë kompjuterike, ku figurat dalin nga njëra anë e ekranit dhe futen sërish në anën tjetër. Ky lloj vizioni është vërtet i vështirë për tu kapur nga mëndja jonë, por të paktën i kuptueshëm. Biles këtij shpjegimi, Prof. Nik Kornish i shton edhe aspektin kohë, çfarë d.t.th. se drita e lëshuar nga njëra anë e Kozmosit dhe e marrë nga ana tjetër e Tij pas miliarda vjetësh, (kupto: teorikisht), do të na sillte neve të pasqyruar një tjetër kohë; nëse ai (teorikisht) do të shihte veten të pasqyruar në anën tjetër të Universit (parakuptuar si i vogël Ky), ai do të shihte veten e tij si një fëmijë të vogël.

Këtij vizioni, (ndoshta për disa: fantazi), i shtohet në radhë Zhan-Pier Lumeni (Jean-Pierre Luminet), astronom në observatorin e Parisit, i cili –me një guackë kërmilli në dorë– i jep këtij vizioni dizajnin e bukur parizien, shijen e hollë franceze, muzikalitetin e këndshëm italian. I inspiruar sa nga TPR e Ajnshtajnit aq dhe nga tingujt e një piano, pasionant i të cilës është, ai homogjenizon (apo simbiozon) metaforikisht harmoninë muzikore me atë të Universit, duke argumentuar se kufizimi i valëve të notave/tingujve të ndryshëm muzikorë dhe mosgjetja në Natyrë e valëve pa kufi, na japin të kuptojmë se ky Univers është jo i pafundëm. Dhe, duke kërkuar tek prezantimi i formave të ndryshme të objekteve nga më të ndryshme tokësore, ai arrin në formën e këtij Universi, kështu duke e parafytyruar atë si një dodikaeda (12 faqore), ku sejcila faqe mund të jetë e formës së pentagamit (pesë këndorit). Dhe teorinë e tij Lumeneti e përfundon më atë hipotezë aq të përhapur sot, se ne nuk arrisim dot të shohim sot fillimet e Universit, pra ato milionat e parë vjetorë (në kuptimin e sotëm vjetor) pas Big Bengut të famshëm, ndaj dhe nuk e dallojmë dot këtë 12-faqor.

Ndoshta ky shpjegim nën numra simbolikë biblikë, i gjendur shpesh në shkencë sot, i ka hapur dyert teorisë së Zhan-Pier Lumenit, duke e bërë atë të dëgjuar!? Dhe po ky famozitet mediatik ka shtyrë edhe profesorin amerikan, Nik Kornishi, ta verë në provë në laborator këtë model, duke ndërtuar një 12 faqor të mbyllur (për sytë tanë), dhe në mes të tij një tollumbace, e cila fryhet e fryhet me kompresor. (Profesori i ka mjetet për të mos harxhuar frymën e tij!) Gjatë takimit të tollumbaces, pra Hapsirës së parë me sy (me teleskopë), tek 12 faqori, duhej që ne të dallonim në këtë rast 12 njolla në Univers, -sipas Nik Kornishit- gjë që vrojtimet tona me teleskop nuk e tregojnë një gjë të tillë. Ndaj teoria estetiko-biblike e Luminetit mbetet akoma një hipotezë. Apo mos ky eksperiment i Kornishit është mjaft naiv?!..

I katërti në radhë na prezantohet astrofizikanti kanadez Glen Starkmen (Glenn Starkman), i cili bën vrojtimin spektral të dritës dhe tingujve të kapur në Hapsirë, në të gjitha anët e Tokës, veri-jug-lindje-perëndim, duke u përqëndruar më shumë në dritat e yjeve dhe galaktikave më të largëta të para nga teleskopët-Rëntgen. Në krahasimin e vijave spektrale që lënë këto drita dhe tinguj të katër anëve të Hapsirës, (nga këndvëshrimi ynë tokësor), ai dallon një zhvendosje të skemës së vijave spektrale, gjë që hedh poshtë jo vetëm skemën e Lumenit, por hap horizonte të reja hipotezash.

Andreas Ollbrekt (Andreas Albrecht), fizikant në Universitetin Davis në Kaliforni, mendon se inflacioni universal, me fjalë më të thjeshta: zgjerimi i Universit, që njëkohësisht është dhe paksimi i dëndësisë së materies, duhet të marri dikur një përfundim, në të kundërtën do të plasi si një flluckë sapuni. Po edhe sipas tij Universi i pa mundur për tu parë nuk është më tepër se 20 % nga i gjithë Universi; pra ne arrisim të shohim sot 80 % të të gjithë historisë së Universit, ndërsa pjesa tjetër i përket fillimeve të Tij, apo siç quhet ndryshe, periudhës së rrezatimit të sfondit (background radation), ku graviteti nuk ka filluar akoma (!?).

Një astronom i NASA-s (National Aeronautics and Space Administration), Aleksander Kashlinski (Alexander Kashlinsky), në vrojtimet me ekipin e tij të sferave më të largëta të Universit, pra pranë asaj të ashtuquajture rrezatim i sfondit, ka dalluar midis viteve 2007÷2008 një fenomen mjaft të çuditshëm, lëvizjen e mjaft galaktikave dhe grumbujve galaktikash drejt një drejtimi të njëjtë, por të panjohur. Këtë ai e ka quajtur dark flow (rrymë e errët), pa arritur akoma në shpjegimin e skakut të kësaj rrymë kaq të mistershme.

Këtë lajm, (jam duke vazhduar sipas emisionit të Morgan Fridmanit), mezi e ka pritur fizikantja shqiptaro-amerikane, Laura Mersini-Houghton, e cila prej vitesh është në kërkim të fillimit të Universit tonë, Univers ky me një energji të tillë të madhe, që –sipas llogarive të fizikanes shqiptaro-amerikane nuk duhej të kishte lindur. Ndaj ajo e “transformon” fizikën në një kazino lojrash, ku shkaktësisë i jepet një shanc rastësor; (mos u hutoni nëse dalloni që dy fjalët e fundit janë tautollogji!). Kjo do të thotë që përpjekja për të nisur një univers është e shumfisht, -sipas shkencëtares. Dhe këtë ajo e shpjegon po nën ligjet e fatit në kazino, ku nën teorinë e tendave (string theory) me 11 dimensione të (mikro)Hapsirës, Natyrës/Materies i jepet shanci më i madh të nis jetën e Saj. E jo vetëm njërës Natyrë, jo vetëm pra një Universi, por disave. Dhe këtë, shkencëtarja në fjalë e demostron me një shembull në një hotel me shumë dhoma, ku disa janë të zëna dhe shumë të tjera jo. Hyrja e saj në njërën nga dhomat e pazëna, por me energji të caktuar, bën (simbolikisht) të mundur nisjen e një Universi të ri.

Por a nuk mund ta dëgjojmë ne zhurmën e dhomës tjetër, pyet Morgan Fridman në emisonin e tij! Natyrisht! Dhe zbulimi i një zone të ftohtë në universin tonë në vitin 2007 (treguar publikisht në tetor 2008) nga grupi i kashlinskit është një provë, ose mund të jetë një provë e ekzistencës së një universi tjetër jashtë këtij tonit. Për Laura Mersini-Houghton kjo zonë e ftohtë e universit tonë është një provë e sigurtë e një Universi tjetër në atë anë të universit tonë. (Për këtë ajo ka folur edhe në një intervistë vjet në gazetën Shekulli.) Dhe –e mbyll emisionin e tij Morgan Fridman– kjo foto-imagjinate e re multiversesh na hap ne horizontin për imagjinata akoma më të reja e të paimagjinueshme sot.

Vërtet, kjo imagjinatë multiversesh i hap çdo shikuesi të këtij emisioni galeri të reja pyetjesh dhe imagjinatash monstruoze, si ato ku tashmë ky takim universesh ka ndodhur ndërkohë, pasi ne flasim për zona të tilla hapsinore, të cilat ne i shohim siç ato kanë qenë para 13-14 miliardë vjetësh, (nëse konstantia e dritës ka qenë po kjo e sotmja), pra ndërkohë ne jemi bashkuar me universin tjetër, i cili mund të ketë të tjera ligje dhe fuqi energjitike, çfarë mund të përshpejtojë të gjitha funksionet e universit tonë, apo universi ynë është shkëputur (pra ka lindur) nga ai univers tjetër ... por ta lemë këtu fantazinë më mirë, për t’mos u kthyer si ai astronomi i Sadiut persian, i cili kërkonte të zbulonte yjet në qiell por nuk dinte kë kishte në shtëpi. Kështu të zbulojmë më mirë ligjet e Natyrës që na rrethon, të Hapsirës që shohim dhe studjojmë, të këtij Universi aq të madh për sytë dhe qënien tonë, sa dhe i pafundëm mund të quhet me kënaqsi.

PS: emisionet e Morganit mbi universin, jetën, misteret e ndryshme, etj. gjinden të përkthyera në gjermanisht tek ZDF-info mediathek, nën fjalët: mysterien des weltall. 9.7.2016

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).