Kuvendi i Shqipërisë ka votuar me votat e mazhorancës ligjin e vetting-ut për përzgjedhjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve, konkretisht me 88 vota pro dhe 1 abstenim.

Deputetët e pranishëm në seancë në momentin e votimit kanë qenë 89, të cilët kanë votuar në mënyrë elektronike fillimisht në parim e më pas nen për nen, deri në votimin në tërësi.

Opozita, sikurse kishte paralajmëruar, ka braktisur sallën pak momente para votimit me argumentin se, “nuk do të bëhej pjesë e një farse që synon kapjen politike të sistemit të drejtësisë”.

Halimi: Vetting-u, nga njerëzit e besuar të Ramës dhe Tahirit

Deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi, në fjalën e tij në seancën e jashtëzakonshme plenare ka dhënë arsyet përse opozita e kundërshton variantin e ligjit të vetting-ut. 

Në fjalën e tij, Halimi ka përmendur 3 arsye përse ky draft bie në kundërshtim me kushtetuten e re e që provojnë sipas tij pretendimet e opozitës se qeveria synon kapjen e sistemit të drejtësisë. 

“Së pari, vetting-un duhet ta kryejnë Komisioni i Vetting-ut që do të krijohet sipas Kushetutës, por anëtarët e Komisionit të Vetting-ut, një komision i konceptuar si i pavarur e që do ketë pushtetin për të larguar gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar e të paaftë, sipas nenit 24 të këtij ligji do të jenë nën monitorimin  e plotë të kujt thoni ju? Të Edi Ramës. Antarët e komisionit do t’i monitorojë drejtori i DPPP-së që është një Alket Hyseni, kryetar i komisionit të garancive statutore në PS. Kaq më mjafton”, ka thënë Halimi. 

Së dyti, ka vijuar deputeti i PD, palët kishin rënë dakord më 22 korrik se vetting-un, kontrollin e pasurisë, të njohurive dhe të figurës për gjyqtarët do ta bënte eksluzivisht komisioni i vetting-ut. 

“Këtë thotë neni 179 e vijues i Kushetutës. Kurse pr/ligji i njëanshëm që keni sjellë vendos rol aktiv dhe përcaktues organe të kontrolluara apo nën varësinë e pushtetit ekzekutiv, ILDKPKI dhe DSIK, që pa dyshim sjell kontroll tërësor të qeverisë në të gjithë komponentët e procesit të rivlerësimit, duke lënë jashtë çdo kontrolli apo drejtimi nga organet e vetting-ut. Ky fakt bie ndesh me pikën 5 të nenit 179/b, ku specifikohet se rivlerësimi kryhet nga KPK. Gjithashtu, kjo bie ndesh me pikat 3 dhe 4 të nenit Ç të Aneksit të Kushtetutës”, ka saktësuar Halimi. 

Motivi i tretë dhe sipas opozitës më “paradoksali” është kontrolli i figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve në kapitullin e pestë. 

“Drejtori i SHPÇB-së të ministrit të Brendshëm dhe drejtori i Edi Ramës për informacionin e klasifikuar, të dy emërime politike, njerëz të lidhur kokë e këmbë me Partinë Socialiste. Këta drejtore të Edi Ramës dhe Saimir Tahirit do mblidhen dhe do thonë se gjyqtari X apo Y duhet të ikë nga detyra jo se është i korruptuar apo i paaftë, por se këta, drejtorët e Edi Ramës me demek, paskan foto dhe dëshmimtarë se i paskan parë me njerëz të papërshtatshëm dhe duhet të largohen se ky me demek është standard europian”, ka shtuar Halimi.

Meta: Reforma, jo për hakmarrje politike

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, në fjalën e tij në seancën parlamentare për votimin e ligjit të vetting-ut ka deklaruar se klasa politike është e vonuar në këtë drejtim për një sërë arsyesh. 

“Jemi shumë vonë për miratimin e ligjit për vetting-un në raport me procesin e reformës, por në mënyrë të veçantë, në raport me plotësimin e detyrimeve tona në kuadër të procesit të integrimit evropian. Sepse jo vetëm ky ligj, por edhe disa ligje të tjera kyçe, normalisht duhet të raportoheshin me datën 1 shtator si të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë”, ka thënë Meta. 

Kreu i LSI ka shprehur keqardhjen e tij që “e gjithë kjo kohë që ishte në dispozicion prej disa javësh nuk u shfrytëzua me efektivitetin e duhur”. 

Ndër të tjera, ai është shprehur skeptik për një konsensus eventual me opozitën për këtë ligj, por u ka dhënë një mesazh pretendimeve të saj. 

“Për të gjithë ata të cilët përmendin konsensusin e 21 korrikut dhe apelojnë në vazhdimësi për konsensus, dua t’u bëj të qartë se ka një dallim themelor midis konsensusit për Kushtetutën dhe konsensusit për ligjet në zbatimin e Kushtetutës”, ka thënë Meta. 

Dhe ky konsensus, sipas tij, “ka të bëjë me legjitimitetin e reformës në drejtësi, me stabilitetin e vendit dhe me besueshmërinë e të gjithë procesit”. 

“Një Parlament me kaq shumë probleme, me kaq shumë ngjarje të shëmtuara që kanë ndodhur gjatë këtyre viteve, që e kanë dëmtuar imazhin e vendit në mënyrë të jashtëzakonshme, nuk do të pranonte t’i vinte një njollë tjetër këtij Parlamenti dhe të gjitha proceseve demokratike në vend pas 26 viteve tranzicion dhe pluralizëm”, ka thënë më tej Meta. 

Sa i takon shqetësimeve të opozitës për disa institucione që janë në varësi të ekzekutivit, kreu i Kuvendit ka vlerësuar se, “çdo lloj opozite që do të ishte këtë gjë do të bënte”, “por unë nuk besoj se kjo duhet ta pengojë që ta votojë ligjin në parim dhe të monitorojë zbatimin e ligjit”, ka theksuar Meta. 

Më tej ai ka hedhur poshtë zërat se, përmes këtij ligji mazhoranca synon një hakmarrje politike. “Nuk besoj se dikush do ta merrte guximin, por edhe po ta merrte jam i bindur që do të përfundonte shumë keq për të përdorur shtetin dhe institucionet për hakmarrje politike”, ka shtuar ai.

Rama: Asnjë politikan nuk do t’i shpëtojë drejtësisë

Kryeministri Edi Rama, duke marrë fjalën në seancën për votimin e ligjit të vetting-ut, ka deklaruar se kemi të bëjmë me hapin më të rëndësishëm të të gjithë reformës në drejtësi.

“Sot jemi pranë një kurorëzimi të rëndësishëm, që është baza e reformës në drejtësi, që i hap rrugë fshesës së hekurt në pallatin e drejtësisë dhe nis spastrimin e saj nga ata që kanë marrë peng drejtësinë në këtë vend, kanë marrë peng liri e të drejta, e kanë kthyer drejtësinë në një mall që shitet e blihet dhe kanë penguar jo vetëm çdo qytetar në rrugën e vetë për të marrë të drejtë, por një popull të tërë”, ka deklaruar Rama. 

Sipas tij, ata që kundërshtojnë reformën në drejtësi kanë probleme me drejtësinë. “Ata që duan të pengojnë këtë proces të rëndësishëm janë ata që kanë frikë se çfarë vjen pas kësaj reforme”, ka thënë shefi i qeverisë, duke akuzuar opozitën për prishjen e konsensusit. 

“Ne i bëmë të gjithë përpjekjet për konsensus, por nuk mund të ketë një konsensus alla shqiptarçe që bie ndesh me atë të partnerëve, në kuadër të integrimit në BE”, ka thënë Rama. 

Ai ka paralajmëruar se, “nga kjo reformë çdo politikan, sado legjendar e sado historik do ta ketë të pamundur t'i shpëtojë drejtësisë përmes kërcënimeve dhe përmes thirrjeve një pjese të popullsisë që të urrejë pjesën tjetër”. 

“Venecia na rekomandon që këto masa janë jo vetëm të nevojshme, por të domosdoshme. Askush nuk do të mund t’i shpëtojë drejtësisë. Drejtësia vonon por nuk harron”, ka vijuar Rama.

Menjëherë ka replikuar ish-kryeministri Berisha, i cili i ka thënë parafolësit: "Kur të thash se do të t'i thyejmë turinjtë, nuk të thash se do ta bëjmë me doreza boksi", ka thënë Berisha, duke lënë të kuptohet se do të jetë një disfatë politike e kryeministrit. "Do të jesh kryeministri më afatshkurtër në histori", ka shtuar Berisha.

Berisha: Qeveria e krimit prishi konsensusin

Ish-kryeministri Sali Berisha, duke marrë fjalën në seancën parlamentare për votimin e ligjit të vetting-ut në kuadër të reformës në drejtësi, ka deklaruar se kjo seancë mbahet në një moment kur krimi ka pushtuar gjithë vendin.

“Seanca mbahet kur në vetëdijen e çdo shqiptari është shndërrimi i vendit në kanabistan. Shndërrimi i Shqipërisë në kanabistan përbën krimin më të rrezikshëm në këto vite”, ka thënë Berisha. 

Duke iu drejtuar kryeministrit Rama, Berisha ka përsëritur akuzat për kriminalizim të strukturave të shtetit. 

“Urime që zgjodhe Arben Ndokën president të Federatës së Mundjes. Kjo është piramida më e rrezikshme me të cilën përballen Shqipëria dhe shqiptarët”, ka thënë Berisha. 

Ai i ka kujtuar kreut të qeverisë edhe një batutë, që sipas tij ai ia ka thënë ambasadorëve për veriun. “Ti i bën këto kur një ambasadori i ke thënë se veriorët janë kriminelë dhe duan kriminelë. Një urrejtje kjo që nuk ishte as në kohën e diktaturës”, ka thënë Berisha. 

Sa i takon reformës, ai ka nënvizuar se, “opozita ka luftuar shumë për standardin e këtij ligji, por tani po prishet konsensusi”. 

“Është detyrimi ynë që reforma të ketë sukses. Ne përcaktuam një mënyrë tjetër për verifikimin e gjyqtarëve, por ju po e prishni”, ka thënë më tej Berisha. Ai ka paralajmëruar Ramën se do ta pësojë nga prishja e konsensusit.

"Konsensusi është sanksionuar në Kushtetutë, por nëse do ta bëjmë vetting-un duhet t'u përmbahemi amendamenteve se e bën BKH. Ju tani na thoni se do ta bëjnë sekretarët organizativë të Edi Ramës. T'i kemi thyer turinjtë njëherë dhe do të t'i thyejmë prap", i ka thënë Berisha-Ramës.

Mediu: Ligji, një farsë politike

Në Kuvendin e Shqipërisë po zhvillohet seanca e jashtëzakonshme për votimin e ligjit të vetting-ut, në kuadër të reformës në drejtësi.

I pari që ka marrë fjalën ka qenë kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i cili ka deklaruar se mazhoranca po miraton një ligj që përmbush vetëm interesat e saj politike. 

“Nuk kemi një parlament të përgjegjshëm për të parë çfarë është ligji, por kërkohet që vetëm në përputhje me interesat politike të miratohet një ligj që shkel Kushtetutën”, ka thënë Mediu. 

Duke iu drejtuar deputetëve të mazhorancës, Mediu e ka akuzuar atë se, edhe në nisje të procesit të reformës kërkoi një proces të njëanshëm. 

“Vendosët vija të kuqe, të zeza apo jeshile dhe edhe sot vazhdoni të diskutoni për to, edhe pse nuk ka asnjë vijë të tillë. Thjesht ia keni hequr barrën vetes tuaj dhe ia u keni vënë të tjerëve”, ka thënë Mediu, i cili ka theksuar se, “opozita nuk mund të bëhet pjesë e një farse ligjore”. 

“Të gjithë ata që bëjnë vetting-un duhet të jenë të kontrolluar nga qeveria. Në këtë mënyrë ligji krijon hapësira për veprime selektive, që do të kenë pasoja për qytetarët”, ka shtuar kreu i Partisë Republikane.

18 Komente

a ka ndonje ligj  ne shqiperi qe detyron perdorimin e shqipes ne dokumentat zyrtare?

se  dhe  moza llastica ta kish shkruar ,,,,

le pastaj qe keta kujtojne se perdorimi i anglizmave eshte nje hap drejt integrimitsmiley

dmth , mire te paafte, hajdute ,mendjemedhenj me ne e servile me te huajt, po edhe xhelate te shqipes!

fakjusmiley

topkanali flet per reformen ne drejtesi !!!!!! smiley

papunsia eshte rritur me 4 % , km thote eshte rritur ekonomia me 4 %. smiley

ilir meta - jo dretjtesi per hakmarrje smiley

 

Berisha: "Do të jesh kryeministri më afatshkurtër në histori"

Faleminderit Opozite demokrate smiley

 

Km me jeteshkurter eshte qazim koculi ,vetem 4 sahatsmiley

Kush rri e duron Rames edhe 20 vjet te tjera ne pushtet.

O Bame, me perjashtim te Birishes ne '97 e Nanos ne '91 te gjithe te tjerat kane ikur nga pushteti se ju eshte merzitur e velur dhe jo se i ka detyruar opozita. Me katrahuren (ligjore/politike/sociale/ekonomike/mediatike/intelektuale) qe kane mbjelle keto 2 dekada ja kane lejuar vetes qe te bejen 8 vjet vjedhje dhe 8 vjet pushime ku i nenshtrohen kurave e dietave per te tretur dhjamin qe vene ne ato 8 vjet pushtet*.

* Perjashtim nga rregulli ben LSI-ja (qe mi q@n hallet e mija).

Ta bej 30 vjet thu ti, se kshu duket i zellshem. smiley 

keni mbajte enverin 40 vjet, pse mos te mbani edin 80 vjet, çfare i mungon edit ???, e çfare ju mungon ju nga e kaluara, asgje, njesoj si ateher. 

Mjafton te englendisesh veten. 

aha, engledisesh qenka kjo, dmth, jemi populli me i engledishem .

ti engledisesh me fjalet e ilirit - jo drejtesi per hakmarrje !

ti engledisesh me km, rritja ekonomike 4 % - nje kohe papunsia 17 % , eshte rritur me 4%.

ti engledisesh si ateher, enveri dilte ne dyqan i maskuar , per te mos rene ne dore te fashisteve, eshte dashur te binte ne dore te psikiatreve, nje idiot del ne dyqan i maskuar.smiley

kesaj i thojne se engledisesh duke luajtur me bishtin.

Thuhet se me nje ligj tjeter qeveria u garanton militanteve nga dy koqe ve, damote po teprun, sorry. 

Urime që zgjodhe Arben Ndokën president të Federatës së Mundjes. Kjo është piramida më e rrezikshme me të cilën përballen Shqipëria dhe shqiptarët

 

Po, kemi kaq kohe qe po na ze goja lesh: "Federata e mundjes eshte piramida me e rrezikshme me te cilen perballen shqiptaret." Te dhjefsha Suden dhe Vefen.

tashme eshte komplet e qarte, e dine te gjithe, qe pd ka frike nga reforma ne drejtesi dhe nuk e do te realizohet

shkabe, ti me duket punon tek topkanali. 

smiley me deputet milioner, 10-dhjet me te pasurit  ne krye te listes, me deputet spirmarres ndertimesh , me kokdhimin deputet, me gjithe policine nga tepelena, me 80% te medias ( gazetetv) jane te majte

ti shkabe, don te na mbushesh mendjen se pinjollet ( kelyshet) e komunisteve te kqbllokut, mendojne per drejtesi.smileysmileysmiley

Veting me hekura te renda

ca floriri ca te ergjenda

gjylet jashte e topi brenda

populli

Me duket se ky Vettingu, po del me deformime, dhe kjo gje jo per faj te struktures ligjore te tij/saj, por per faj te politikes shqiptare qe nuk po i sheshon si duhet pretendimet, kerkesat, dhe ate qe kerkohet ne interes te pergjithshem, jo vetem per sot por edhe per neserdej, per brezat qe do vijne. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).