Gjatë pesë viteve, regjimi i Asadit ka shënjestruar pa pushim stafin mjekësor në territoret rebele. Kjo është historia e luftës së tyre të dëshpëruar për të mbijetuar – dhe për të shpëtuar jetë.

Lufta mbi doktorët sirianë

Ellen Francis për Foreign Policy

Gjatë pesë viteve, regjimi i Asadit ka shënjestruar pa pushim stafin mjekësor në territoret rebele. Kjo është historia e luftës së tyre të dëshpëruar për të mbijetuar – dhe për të shpëtuar jetë.

Pjesa e parë.

Ishte data 13 prill, pak pas mesditës, dhe Hasan al-Araxh ishte me vonesë teksa po linte një spital të fshehur për të shkuar tek pacientët e tij të tjerë. Ai zakonisht bënte kujdes të kontrollonte qiellin sipër tij në Hama, ku ai ishte i vetmi kardiolog i mbetur në territorin e kontrolluar prej rebelëve në këtë provincë, për tu ruajtur prej avionëve rusë e sirianë që kalonin shpesh aty. Por atë ditë, nga nxitimi, ai nuk e përdori radio-marrësen e tij për tu siguruar me kolegët se qiejt ishin të pastër.

Një predhë shpërtheu pranë fugonit të tij ndërsa ai largohej. Tek rrënojat, kolegët gjetën copa trupi dhe pjesë të përparëses së tij të bardhë.

“Ishte goditje e shënjestruar” thotë Ahmed el-Dbis, një farmacist dhe vullnetar mjekësor që punonte sëbashku me Araxh. “Është e ditur se aty ishte vendndodhja e spitalit, dhe se shumica e atyre që lëvizin aty janë stafi mjekësor.”

Që prej marsit 2011, të paktën 738 doktorë, infermierë, dhe ndihmës mjekë kanë vdekur në më tepër se 360 sulme mbi objektet mjekësore, sipas Doktorëve për të Drejtat e Njeriut (PHR). Ky grup i pavarur i të drejtave të njeriut bën përgjegjës qeverinë e Sirisë dhe aleaten e saj, Rusinë, për gati 90% të këtyre sulmeve.

Vullnetarët e ndihmës mjekësore akuzojnë qeverinë e Sirisë dhe Rusinë se kërkojnë të demoralizojnë dhe përzënë civilët dhe luftëtarët prej territoreve opozitare duke i privuar ata nga ndihma mjekësore civile dhe në fushëbetejë. Sulmet e shënjestruara mbi spitalet kanë arritur të shterojnë prezencën e doktorëve në zonat rebele. Më herët në prill, një plumb snajperi në kokë vrau doktorin e fundit në qytetin e rrethuar të Zabadanit. Më vonë atë muaj, pjesa rebele e Halepit humbi një prej pediatrëve të saj të fundit kur një goditje e regjimit sheshoi spitalin el-Kuds. Sipas PHR, 95% e personelit mjekësor që gjendej në Halep para luftës ose kanë ikur, ose janë arrestuar, ose janë vrarë.

Sipas ligjit ndërkombëtar është një krim të shënjestrosh qëllimisht spitalet, doktorët, ose infermierët. Në fillim të majit, pas një serie sulmesh ajrore në Halep, Këshilli i Sigurisë së OKB-së kaloi unanimisht një rezolutë që dënonte atë që Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki-Moon e përshkroi si “goditje kirurgjike ... që godasin reparte kirurgjie.” Por, ashtu si shumë deklarata të tjera të OKB-së mbi Sirinë, edhe nuk kishte dhëmbë – nuk kishte rrezik dënimi për shkeljen e rezolutës. Deri në fund të majit, edhe dy spitale të tjerë u dëmtuan si pasojë e sulmeve ajrore në zonat rebele të Idlibit dhe Halepit.

Araxh, i cili ishte 46 vjeç kur vdiq, i kishte pranuar rreziqet e punës së tij. Ai i kishte nisur gruan dhe pesë fëmijët e tij në Turqi për sigurinë e tyre dhe i vizitonte shpesh ata. Por ai ishte i vendosur që të rrinte në atdheun e tij: “Edhe nëse më jepni krejt Evropën, unë nuk do ta lë kurrë vendin tim,” i tha ai një asambleje dotorësh në një konferencë mjekësore në Gjenevë vitin e kaluar, sipas Dbis. “Unë nuk e tradhëtoj vendin tim në këto rrethana. Dhe, dashtë Zoti, ose vdes në Siri, ose do triumfojmë.”

Pavarësisht humbjeve rrënuese, sistemi mjekësor që shërben rebelët dhe civilët sirianë në zonat e mbetura opozitare është treguar elastik, ashtu si vetë rebelimi. Nga fillimi idealist në 2011-n e deri tek dhuna distopiane e 2016-s, personeli mjekësor i Sirisë ka gjetur mënyra për të mbijetuar, përshtatur dhe  mjekuar të plagosurit në luftimet e tmerrshme, ashtu si për të sjellë në jetë foshnje e për të mjekuar sëmundje të zakonshme. Duke iu shmangur arrestimit e torturave, më pas predhave e snajperëve, ata kanë ndërtuar një sistem klandestin mjekësor nga rrënojat e atij që shkatërroi qeveria e tyre.

2011: Asnjë mëshirë për doktorët.

Pacienti i Abu Ibrahim Bekrit jo vetëm që ish në rrezik të vdiste, ai ishte në rrezik të shkaktonte vdekjen e këdo që do e mjekonte. Ishte qershori 2011, tre muaj pasi kish shpërthyer rebelimi ndaj qeverisjes së Presidentit Bashar el-Asadit, në Sabka, një qytezë pranë kryeqytetit, Damaskut. Një plagë plumbi në barkun e pacientit tregonte që ai ishte pjesëmarrës në kryengritje. Për aq sa donte tia dinte qeveria, ai ishte një kriminel që nuk duhej shpëtuar.

“Ne nuk mund ta lëviznim pacientin fare,” tregon Bekri, një kirurg i përgjithshëm në rrethinat e Gutës Lindore pranë Damaskut, emri i të cilit është një pseudonim profesional.

Gjatë ditëve të para të mjekësisë klandestine rebele, opozita ndaj Asadit përbëhej kryesisht prej protestave jo të dhunshme. Aktivistët nuk kontrollonin ndonjë territor në vend; e vetmja mënyrë për të trajtuar shokët e plagosur ishte duke rrëmbyer sistemin mjekësor shtetëror.

Në Sabka, doktorët nganjëherë fusnin fshehurazi protestues të plagosur përmes derës së pasme të ndonjë spitali aty pranë. Por forcat qeveritare atë ditë kishin mbyllur rrugët, duke bërë që spitali të ishte i paarritshëm. Një burrë ofroi dhomën e tij të gjumit. Bekri hapi një prej çantave të pajimeve të tij mjekësore që ai dhe kolegët e tij tashmë kishin fshehur në çdo qytezë të zonës. Doktorët kishin “futur një sallë kirurgjie në një valixhe” tha ai. Një anesteziolog rekomandonte dozat me celular.

“E vumë mbi krevat, në dhomën e gjumit, dhe i hapëm barkun”, tregon kirurgu.

Siria dikur gëzonte një sistem mjekësor të avancuar. Jetëgjatësia mesatare në vend në vitet para rebelimit ishte afërsisht tek 73 vjeç, gati njësoj me Turqinë fqinje, sipas të dhënave të Bankës Botërore. Disa prej mjekëve, ndihmës mjekëve, dhe infermierëve që kanë ndihmuar opozitën u nxitën prej opozitës së tyre ndaj regjimit të Asadit; të tjerët ama thjesht ndjenë se duhet të jepnin kujdes mjekësor ndaj kujtdo, si përmbushje e detyrës së tyre humanitare dhe profesionale. Kështu stafi mjekësor formoi një rrjet sekret të kolegëve të tyre të besuar për të mjekuar të plagosurit dhe për ti ruajtur pacientët prej raprezaljeve të qeverisë.

“Vumë re se shumë prej të plagosurve prej forcave të sigurisë gjatë protestave në rrugë, kur silleshin në spital, privat ose publik, menjëherë vinin nga pas forcat e inteligjencës,” tregon një nga themeluesit e Bashkimit të Doktorëve të Lirë Sirianë, një lidhje jo fort e organizuar e doktorëve dhe aktivistëve mjekësorë to cilët filluan të bashkohen nga fundi i 2011-s për tu munduar të mbushnin boshllëkun në shërbimet mjekësore. Doktori, një radiolog që tani jeton në Uest Virxhinia, kërkoi që emri i tij mos publikohej për të mbrojtur familjen e tij në Siri.

“Sigurisht, çdo person që forcat e inteligjencës zbulonin se kishte trajtuar një pacient nga protestat, fati i tij ishte që të arrestohej, absolutisht,” tregon radiologu, i cili thotë se ai vetë u ndalua dhe torturua nga një prej agjencive më të njohura të vendit, Inteligjenca e Forcave Ajrore. “Ai mjek klasifikohet menjëherë në të njëjtin grup si rebelët e armatosur.”

Për ti ikur forcave to sigurisë së Asadit, doktorët i trajtonin pacientët në mënyrë sekrete, në dyqane dhe vende të tjera jo të zakonshme që ktheheshin përkohësisht në salla urgjencash. Në rastet më të dëshpëruara, e vetmja mënyrë për ta shpëtuar një pacient ishte ta fusje fshehurazi në një spital shtetëror. Kjo gjë kërkonte ndihmën e një rrjeti doktorësh, inermierësh e shokësh të gatshëm për të ndihmuar.

“Ne komunikonim nëpërmjet disa telefonata të shpejta duke përdorur celularë të regjistruar me emra fallco, të cilët i blinim në tregun e zi me dokumente identifikimi të njerëzve të vdekur ose non-ekzistentë, për ti bërë më të vështirë për tu gjurmuar,” tregon Osama Abu Zejd, një inxhinier i pajisjeve mjekësore më Bashkimin e Doktorëve të Lirë Sirianë. Duke përdorur telefonat e maskuar, Abu Zejdi ia shpjegonte natyrën e plagosjes së pacientit një doktori të besuar duke përdorur kode numerikë për vendin apo tipin e plagës.

Pacientët që rrezikoknin arrestin merrnin emra fallco. Edhe doktorët e tyre përdornin pseudonime. “Edhe dy doktorë në të njëjtin spital nuk e dinin se tjetri ishte 'revolucionar'” thotë Abu Zejd.

“Ka disa doktorë që edhe tani, pas 4 apo 5 vitesh që punoj me ta, akoma nuk ua di emrat e vërtetë,” tregon Muhamed Jaser Taba, një bashkëthemelues i organizatës jo-fitimprurëse Syrian Expatriate Medical Association (SEMA). Një sirian me banim në Arabinë Saudite, ai ka udhëtuar më shumë se 24 herë në Siri që prej fillimit të luftës për të themeluar objekte mjekësore atje.

Shokët dhe kushërinjtë jepnin rekomandime për anëtarë të rinj të rrjetit. “Mes nesh ka besim. Ne e dimë se kush është i ndershëm e kush jo,” thotë ai.

Rreziku i vertetë vinte kur dikush kapej, shton Taba, sepse atëherë forcat e sigurisë i torturonin derisa ata jepnin emrat e shokëve të tyre. “Çdo herë që dikush kapej, të gjithë shokët e tij fshiheshin, ose udhëtonin, ose arratiseshin,” thotë ai.

Radiologu që jeton në Uest Virxhinia tregon se disa nga Doktorët e Lirë Sirianë kishin klinika private ku mund të trajtonin rebelë të plagosur.

“Ne nuk bënim dallim mes ushtarit të plagosur të secilës palë, apo kujtdo që gjenim në rrugë, qëllimi ynë ishte të kujdeseshim për njerëzit,” thotë ai. “Unë nuk dua tia dij se çfarë biografie ka një person.”

Por edhe klinikat private nuk ishin të sigurta. Në ditët e para të revoltës në 2011-n, forcat e sigurisë shpesh vinin tek Spitali i Specializuar Kafr Zita, i cili ishte në pronësinë e kardiologut Hasan el-Araxh, tregon kolegu i tij Ahmed el-Dbis. Kur ushtarët hapnin zjarr mbi protestat në qytezën e vogël, të plagosurit shpesh silleshin tek spitali privat i Araxhit në mënyrë sekrete.

Araxhi dhe stafi i tij i kryenin ndërhyrjet kirurgjikale tek protestuesit sa më shpejt që të mundnin. Ata që ndiqeshin fort nga forcat e sigurisë stabilizoheshin tek spitali pastaj transferoheshin tek shtëpitë lokale, përfshi dhe të Araxhit. Kur vinin forcat e sigurisë tek spitali, Araxhi u thoshte se po kryenin ndërhyrje rutinë, si një heqje apendisiti, dhe nuk i linte të hynin në sallën e operacionit.

“Në ato ditë kishte akoma pak respekt për doktorët,” thotë Dbis.

Me kalimin e kohës, kur protestat u bënë më të mëdha e të dhunshme, forcat e sigurisë u bënë më agresive në ndjekjen e protestuesve të plagosur dhe atyre që i trajtonin. Gjatë vitit të parë të konfliktit, gati 250 doktorë u arrestuan ose hetuan për trajtimin e protestuesve të plagosur në Siri, sipas një raporti të botuar nga PHR në fund të 2011-s.

Doktorët dhe vullnetarët humanitarë rrëfejnë se forcat e Asadit ekzaminonin porositë për qese gjaku tek bankat shtetërore të gjakut ose porositë për vaksinat e tetanozit, të cilat zakonisht u jepeshin njerëzve të plagosur me plumb ose cifla bombash, për të gjurmuar doktorët që po trajtonin anëtarë të opozitës.

“Forcat e inteligjencës së regjimit nuk kanë asnjë mëshirë nëse zbulojnë se ti po punon si doktor i opozitës,” tregon Rami Kalazi, i cili po mbaronte rezidencën e tij në neurologji tek spitali shtetëror Razi në Halep. “Për ata kjo ishte edhe më keq se të mbaje armë.”

Kalazi, i cili punonte me një grup kolegësh për të ofruar ndihmë humanitare dhe mjekësore fshehurazi, menaxhonte një farmaci të sajuar nga bodrumi i pallatit ku jetonte, e furnizuar me barna e pajisje qe ai dhe kolegët e tij merrnin nga spitali, blinin në farmaci të tjera, ose merrnin si donacione.

“Dikur, krye rezidenti mjekësor mori vesh se regjimi ishte në gjurme të Kalazit dhe gruas së tij, e cila po ashtu punonte tek spitali. “Ai na tha, 'Dëgjoni këshillën time: paketoni gjërat dhe ikni, nuk jeni më të sigurtë,'” kujton Kalazi. Ai akoma praktikon mjekësinë në Halep, por në një spital tjetër në zonën e kontrolluar prej rebelëve.

F.J., një doktor që punonte në rrethinat e Damaskut gjatë viteve të para të kryengritjes, u ndalua në 2012-n prej forcave të sigurisë të Asadit. Ai u çua në një dhomë nëntokë me gati 80 njerëz të tjerë. Nuk kishte ventilim, dritë, apo vend për tu ulur. Ai u torturua për 7 ditë, tregon ai. Ai dhe të ndaluarit e tjerë shpesh gjenin trupa të vdekur të bërë pirg në banjo.

“Me të vertetë, ishte si ferr,” thotë ai. “Të gjithë luteshin që veç të vdisnin.”

Araxh, kardiologu nga Hama, u arrestua dy herë, thotë gruaja e tij, Naxhua. Tmerret e ndalimit e bënë atë më vigjilent për të evituar ushtarët dhe postblloqet e regjimit. Ai shpesh i thoshte Naxhuas, “Nëse një predhë më godet e më ndan në dysh, do ishte më e lehtë se të kaloja 15 minuta në burgun e regjimit të pafe.”

Marrë nga Foreign Policy

Përktheu armir

 

Pjesa e dytë.

 

2012: 'Askush nuk erdhi të na mësonte'

Në verën e 2012-s lufta mbërriti në Halep dhe Damask, dy qytetet më të populluara të vendit. Ngaqë shumë aktivistë po shndërroheshin në rebelë dhe qeveria po përdorte armë më të rënda, presioni mbi stafin mjekësor u rrit. 

Kur rebelët filluan të kontrollonin territorin e tyre, disa mjekë nuk kishin më nevojë të punonin fshehurazi nëpër spitalet e regjimit. Ata themeluan spitalet e tyre të fushimit dhe qendra të sajuara mjekësore në zonat e kontrolluara nga opozita, duke nisur një periudhë të re të mjekësisë rebele.

Brenda dhe përreth Damaskut, doktorët po nxitonin për t'iu përshtatur bombardimit të lagjeve të tëra nga qeveria siriane. Ata ishin tashmë më pak të ekspozuar ndaj arrestit – por ishin të ekspozuar ndaj bombave, dhe u duhej të krijonin pavjone kirurgjie nga hiçi.

“Ne jemi në nje vend ku ka civilë dhe ka bombardime,” tregon Mufak, një kirurg në Duma, i cili përshkruan fillesat e spitaleve të fushimit në Gutën Lindore. “Vendos dy apo tre krevatë në një fermë; ja ku u bë një spital fushimi. Vendos rezerva ushqimore që do zgjasnin njëfarë kohe në rast rrethimi; ja ku është një tjetër spital fushimi.”

Kjo fazë e re kërkonte krijimin e regjimeve të reja të kujdesit shëndetësor dhe furnizim me pajisje mjekësore pa humbur kohë. Sajimi i stafit mjekësor kërkonte kreativitet: asnjë lloj ekspertize, sado tangjent ndaj mjekësisë, nuk mund të çohej dëm. Doktorët dhe profesionistët e tjerë po iknin nga vendi në masë; ata duhej të zëvendësoheshin prej të trajnuarve të çastit.

Kur Ushtria e Lirë Siriane filloi të fitonte territor ndaj forcave qeveritare në Halep në verën e 2012-s, personeli mjekësor tek Spitali Dal al-Shifa në lagjen rebele të Shaar lëshoi një thirrje për vullnetarë. “Kishte shumë masakra në atë kohë, dhe kishte vetëm 10 vetë në spital në fillim,” tregon Modar Shekho, i cili filloi të punonte tek spitali si infermier.

“Njëri ishte student inxhinierie, ai tjetri student juridiku, një më tej student anglishteje,” tregon Shekho. “Askush nuk erdhi të na mësonte. Nuk kishte kohë.”

Ditën e tij të parë, ai hyri në sallën e operacionit ku gjeti një kirurg ortopedik që po qëndronte mes një pellgu me gjak, duke qepur një pacient të plagosur nga predhat.

“Ai më tha, 'Hajde më ndihmo të thash plagën,'” tregon Shekho, ndërsa kujton se si u afrua tek pacienti i gjakosur dhe, duke u ndjerë si për të fikët, doli jashtë të mblidhte veten.

“Mora ca ajër të freskët dhe u ktheva në sallën e emergjencës,” thotë ai. “I thashë doktorit 'Do vazhdoj me ty' ... dhe që atëherë unë vazhdova aty. Dhe aq ishte. U bë si normale. Trupi im u mësua me atë punë.”

Në Hama, Araxh gjithashtu po dëshmonte se si bota e tij po ndryshonte kur ushtarët sirianë u tërhoqën nga qyteti Kafr Zita herët në 2013-n, duke ia lënë zonën opozitës.

“Ky ishte momenti kur Dr. Hasani shpalli se spitali i tij do kryente ndërhyrje falas për këdo,” kujdon Dbis, farmacisti. “Ai shpalli se spitali ishte për të gjithë, për kujdes mjekësor falas, për plagë lufte, plagë bombardimesh e gjithçka.”

 

2013-2014: 'Gjithçka u zhduk'

Spitali kirurgjik Ihsan u bombardua për herë të parë në Nëntor 2013. Një valë sulmesh çanë mespërmes spitalit, duke lënë rrënoja ngado. Bombat shkaktuan vrima të mëdha në muret prej tulle, duke ekspozuar krevatet e spitalit me varëset e shtrembëruara të serumeve ndaj botës së jashtme.

Spitali, në një lagje të rrethuar të Gutës Lindore, kish qenë hapur për vetëm 5 muaj. Kjo ishte qyteza rrethinë e Damaskut që vuajti sulmin më të keq kimik prej regjimit të Asadit verën e kaluar. Sipas stafit të spitalit, ai shërbente shumicën e rasteve që vinin prej 500.000 banorëve të zonës. Ndërtesa tashmë ishte rrafshuar. Tre anëtarë të stafit mjekësor u vranë gjatë barazhit.

“Gjithçka u zhduk, gjithçka,” thotë Abu Zejd i Bashkimit të Doktorëve të Lirë Sirianë.

Duke refuzuar të ndaleshin, Abu Zejd dhe kolegët e tij morën çfarë pajisjesh mbetën nga spitali Ihsan për të hapur një tjetër spital në një vendndodhje sekrete në Gutën Lindore. Ata u munduan të merrnin masa sigurie: përforcuan infrastrukturën dhe i ndanë disa pavjone emergjence në vende sekrete nëpër bodrume, të cilat i dinin vetëm stafi i spitalit.

Pas disa muajsh u godit nga një tjetër seri sulmesh ajrore. Përsëri spitali u dëmtua. Përsëri ata duhet të rindërtonin.

Ihsani përfaqësonte një dilemë të re për opozitën siriane. Spitalet e fushimit në Siri janë kthyer vetë në një rrezik të madh ndaj jetës dhe shëndetit të njerëzve që i vizitojnë – ose që thjesht banojnë pranë tyre. Por fushata e bombardimeve gjithashtu pati efektin e papritur të nxitjes së fazës tjetër në mjekësinë rebele siriane.

Regjimi i Asadit vazhdimisht përdor bomba fuçi, fuçi nafte të mbushura me eksplozivë të fuqishëm që shkatërrojnë pa kriter kur lëshohen prej helikopterëve ose avjonëve, kundër ambjenteve mjekësore rebele. Spitali i Araxhit në Hama, Spitali i Specializuar Kafr Zita, u godit 10 herë në 2015-n. Tre anëtarë të stafit – një anesteziolog, një punonjës administrativ, dhe një laburant – u vranë vitin e kaluar. Dy nga tre katet e tij u shkatërruan tërësisht.

Rami Kalazi, neurokirurgu nga Halepi, thotë se çdo sulm me bomba fuçi shkakton panik të madh mes civilëve. Ai jetonte pranë spitalit Sakhur, qendra e traumës më e madhe e zonës rebele të Halepit, para se bombat ajrore ta detyronin të lëvizte. Gjatë gjashtë muajve mes fundit të 2014-s dhe pranverës 2015, spitali u godit tre herë, duke dëmtuar shtëpinë e Kalazit gjithashtu. Stafit iu desh të importonte çimento prej Turqisë për të rindërtuar çdo herë. Goditjet ajrore nuk janë ndërprerë: sipas Kalazit, spitali u godit më shumë se 20 herë gjatë 2014-s dhe 2015-s. Tetë prej atyre goditjeve e nxorën spitalin përkohësisht jashtë shërbimit.

“Jemi mësuar të jemi nën shënjestër,” thotë ai. 

Ambulancat janë po ashtu nën kërcënim të vazhdueshëm. Kalazi thotë se Sakhur i ka humbur krejt ambulancat e tij prej sulmeve ajrore dhe tani mbështetet tek ambulancat e spitaleve të tjerë në zonë ose tek makinat e civilëve.

Fushatat e bombave të qeverisë siriane ndaj spitaleve kanë motivuar donatorët ndërkombëtarë të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të ndihmuar shërbimet mjekësore në Siri. Rrjetet e emigrantëve sirianë në Amerikë, Gjirin Persik, dhe Turqi që dikur funksiononin me raste, tashmë janë bashkuar si organizata të gjera jo-fitimprurëse, si SEMA dhe Syrian American Medical Society (SAMS), duke mbledhur miliona dollarë në donacione private dhe shtetërore për ti mbajtur spitalet në funksionim. Këto organizata kanë marrë fonde prej OKB-së, SHBA-së, Kanadasë, dhe disa vendeve evropjane. Para dhe ndihma kanë ardhur edhe prej individëve në Gjirin Persik dhe organizatave si Gjysëmhëna e Kuqe e Katarit. Për të shqyrtuar marrësit e ndihmave, organizatat bamirëse mbështeten tek guida e byrova lokale mjekësore siriane ose marrëdhëniet e tyre personale afatgjata me stafin mjekësor. Organizata ndërkombëtare si Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq dhe Doktorët Pa Kufij gjithashtu japin fonde dhe materiale për institucionet mjekësore në territoret opozitare siriane.

Me asistencë të shtuar ndërkombëtare, opozita e brendshme siriane filloi ti projektonte ambjentet mjekësore për ti shpëtuar, ose rezistuar sulmeve të pandërprera të regjimit. “U bë e qartë se na duhej të themelonim spitale të sigurtë, nëntokë, në një mënyrë që të mos prekeshin prej sulmeve ajrore, si bomba fuçi apo rraketa,” tregon Dbis. Dhe kjo i lejoi doktorët rebelë që të kalonin përtej mjekësisë së shpejtë të urgjencës dhe të fillonin të jepnin kujdes mjekësor më afatgjatë.

Marrë nga Foreign Policy

Përktheu armir

 

Pjesa e tretë.

2015: 'Vendi do të qëndrojë'

 

Nga brenda duket si çdo spital tjetër. Burra me uniforma mjekësore shërbejnë tek një dhomë urgjence. Ka krevatë dhe pajisje të sterilizuara, dhe dyshemeja është e shtruar me pllaka qeramike. Por shiko lart tek tavani në formë kubeje. Cepat e mprehtë të gurta dhe vrimat në të shfaqin brendësinë e një mali në Hama. 

Araxh e quan spitali “Shpella Qendrore”. U hap në fundin e 2015-s, ndërsa bombat binin mbi spitalin e tij mbi tokë. Bombardimet nuk mund ti dëmtonin tani. Kardiologu, kolegët e tij, dhe pacientët e spitalit ishin të strehuar nën 16,5 metra gur e dh. Naxhua, gruaja e tij, u quajti spitalin e groposur “të mahnitshëm”.

“Sado që ata ta bombardojnë pa pushim, asgjë nuk do ta gjejë,” thotë Muhamed Jaser Taba, bashkë-themeluesi i SEMA-s, për Shpellën Qendrore. “Ndoshta do tronditet, por ky vend do të qëndrojë.”

“Ky është drejtimi që ne po nxisim,” shton ai.

Barrierat financiare për të shkuar nëntokë janë shumë të larta. “Nuk është e lehtë të marrësh të gjitha paratë e ti derdhësh në një vend,” thotë Taba.

Shpella Qendrore kushtoi gati gjysëm miljon dollarë për tu ndërtuar, i financuar nga një grup i gjerë organizatash, si SEMA, Bashkimi i Organizatave të Ndihmës Mjekësore (Union of Medical Care and Relief Organizations), dhe Dega e Koordinimit të Ndihmës (Assistance Coordination Unit), krahu humanitar i Koalicionit Kombëtar Sirian (Syrian National Coalition). Drejtoria e shëndetësisë në zonën rebele të Hamës gjithashtu dërgoi për këtë projekt disa nga fondet që kish marrë nga qeveria Britanike, sipas Dbis.

Punonjësit mjekësorë në Hama e udhëhoqën iniciativën, duke sjell krah pune vendas për të çarë tunelin në një mal në rrethinat e veriut, ku disa shpella më të vogla ekzistonin më parë, për ti hapur rrugë spitalit. Pas gati një vit shpimi dhe formësimi të shkëmbit në dhoma dhe koridore, Shpella Qendrore tani ndodhet në bazën e një mali. Ajo pret rreth 1.500 pacientë në muaj nga Hama dhe Idlibi, kryesisht falas. Spitali përfshin salla operacioni për kirurgji të përgjithshme dhe ortopedike, një njësi të kujdesit intensiv, një farmaci, laborator, pavijon shtrimi, dhe dhomë grafie. SAMS, grupi i ndihmës Amerikan, akoma paguan gati 50.000 USD në muaj për kostot operative, duke përfshirë rrogat e stafit me kohë të plotë që jetojnë në spital.

Kudo nëpër Siri, nevoja për të mbrojtur spitalet është bërë akute. Vendimi i Moskës për t'iu bashkuar fushatës ajrore në 2015-n vetëm sa e ka rritur rrezikun: avjonët ruse sollën me vete armë më të forta dhe më tepër fuqi shkatërruese. PHR e ka quajtur 2015-n vitin më vdekje-prurës për sistemin shëndetësor sirian, me 122 sulme mbi objektet mjekësore.

Por përshkallëzimi rus nuk ka arritur ta shkatërrojë infrastrukturën rebele. Shpella Qendrore nuk është shembulli i vetëm i mjekësisë rebele që zhvendoset nën tokë: shumë spitale kanë lëvizur tashmë në bodrume të përforcuara, qilare, apo fabrika të braktisura. Në ato raste kur është e pamundur për qendrat spitalore të zhvendosen tërësisht, ata kanë lëvizur nëntokë vetëm njësitë më të ndjeshme, si sallat e urgjencës dhe të operimit.

Për disa spitale, si Ihsani i Gutës Lindore, humbja e madhe që pësuan prej sulmeve ajrore i detyroi t'i shpërndanin shërbimet e tyre. Një sallë urgjence mund të jetë 350 metra larg një salle operimi dhe po aq larg nga njësia e reaminacionit.

“Strategjia jonë ishte të zgjidhnim vende të panjohura, kështu që qendruam totalisht larg objekteve qeveritare,” thotë Abu Zejd, përfaqësuesi i Bashkimit të Doktorëve të Lirë Sirianë. “U vendosëm në bodrume komerciale, si fabrika, punishte rrobaqepjeje, dhe vende të ngjashme.”

Pacientët transportohen me ambulanca ose nganjëherë kalojnë nëpër tunele që lidhin ambjentet e ndryshme.

“Nëse një vendndodhje goditet, të paktën nuk shkatërrohen të gjitha njësitë,” thotë Mufak, kirurgu në Duma. “Nëse ne ndodhemi në sallën e urgjencës dhe ajo bombardohet, larg qoftë, ka njerëz në pavjonet e tjerë që mund të vijnë të na shpëtojnë.”

Mjekësia në zonat opozitare është bërë gjithnjë e më e sofistikuar ndërsa ka evoluar nga stadi i saj fillestar i triazhit dhe improvizimit. Spitalet nëntokësorë gjithashtu trajtojnë civilët që vuajnë prej sëmundjeve të zakonshme. Disa nga doktorët thanë se shumica, në mos i tërë kujdesi mjekësor që ofrojnë është falas. Organizatat jo-fitimprurëse tani mbulojnë shpenzimet për rrogat e tyre, megjithëse disa nga ata raportojnë se të paktën vitin e parë pas revoltës së pranverës së 2011-s punuan pa pagesë.

“Pacienti këtu zakonisht është i varfër,” thotë Mufak. “Nëse ka vetëm një doktor që mund ta kryejë operacionin dhe doktori do që pacienti ta paguajë, kjo praktikisht do të thoshte që pacienti nuk do ia dalë.”

Doktorët gjithashtu kanë zhvilluar një teknikë metodike rreth influksit të pacientëve që sjell një sulm ajror. “Menjëherë i mbajmë të vdekurit në njërën anë,” tregon Kalazi, neurokirurgu në Halep. Rastet më serioze menjëherë dërgohen në sallën e operimit. Nganjëherë pacientët nisen për tek spitale të tjerë në Halep ose edhe në Turqi. Kalazi kujton se si punoi 40 orë pa ndërprerje në fillimviti 2014 gjatë një dite me bombardime veçanërisht të rrepta, kur Spitali Sakhur pranoi gati 200 pacientë.

Doktorët raportojnë se shpesh vaksinat, antiseptikët, dhe antibiotikët nuk janë të gjendshëm, veçanërisht në zona të rrethuara si Guta Lindore që kanë që në 2013-n që janë shkëputur nga vijat e furnizimit. Në zona si Idlibi dhe Hama, pajimet dhe furnizimet mjekësore vijnë me kamionë nga Turqia. Ndërsa në Gutën Lindore, ku shpërndarja e ndihmave humanitare nga ndërkombëtarët është e paqëndrueshme dhe e pamjaftueshme, tunelët nëntokësorë ofrojnë një litar shpëtimi alternativ. Furnizimet mjekësore sillen nëpër këto tunele përmes vijës së frontit të regjimit me një kosto të lartë materiale dhe njerëzore. 

Nëse stafi mjekësor nuk i siguronte dot furnizimet e duhura, ata detyroheshin të improvizonin. Tre doktorë treguan se fabrika të vogla filluan të shfaqeshin në 2014-n në rrethinat e Damaskut për të prodhuar materiale si gazë apo serume që ishin tepër të vështira për t'i importuar nga jashtë. 

Disa spitale kanë pajisje mjekësore, si skanera CT, të shpëtuara nga spitalet e paraluftës. Thasët e rërës të vendosura rreth këtyre pajisjeve sugjerojnë se ato janë nën kërcënim të vazhdueshëm për shkatërrim.

Nuk ka narkozë sa ç'duhet ama. “Pa narkozë operacioni nuk mund të kryhet,” thotë një anesteziolog në Gutën Lindore, i cili përdor nofkën Ebu el-Zaher. “Pacienti do vdiste nga dhimbja.”

Mungesat konstante kanë stimuluar inovacionin. Zaher filloi të prodhonte një narkozë me kosto të ulët duke përdorur përbërës që i kishte të gjendshëm. Ai e testoi formulën e tij mbi 50 paciente që kishin nevojë për ndërhyrje çezariane gjatë lindjes dhe raportoi se rezultatet ishin të ngjashëm me versionin standart. Sende bazë shtëpiakë, si kavanozë ullinjsh, janë përshtatur si instrumentë mjekësorë. Si civilët dhe doktorët janë trajnuar që të punojnë jashtë kufijve të asaj që ata njihnin.

“Ne organizuam seminarë infermierie për banorët e qyteteve,” tregon Zaher. “Tani në çdo qytet, shumica e njerëzve kanë njëfarë njohurie rreth proçedurave të infermierisë.” Shkolla dhe akademi më formale infermierie janë shfaqur gjithashtu: një shkollë që u hap në Idlib vitin e kaluar ka diplomuar tashmë 70 ndihmës mjekë, dhe qershorin e kaluar, një institut mjekësie në Gutën Lindore diplomoi 35 studentët e tij të parë.

Trajnimi gjithashtu vjen nga jashtë. Në Tetor 2012, Anas Mugrabieh, një doktor siriano-amerikan në Detroit, punoi me SAMS për t'iu siguruar dy infermiereve nga provinca e Idlibit në Siri telefona smart dhe kamera me internet. Mugrabieh më pas u bë doktori virtual i 40 pacientëve që prej 6.000 miljesh larg.

Programi tashmë është përhapur tek 7 spitale. Një rrjet prej 20 vullnetarësh në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada tani kryejnë turne formale për të ofruar këshillim mjekësor 24 orë në ditë nëpërmjet aplikacioneve si Viber, WhatsApp, dhe Skype. Ajo që shohin doktorët nganjëherë është dërrmuese.

“U kërkova të mos çonin më foto,” tregon Mugrabieh. “Nuk dua t'i shoh. Hap kamerën dhe i shoh duke vdekur, gjak gjithandej, pacientët në dysheme. Kjo është e tepërt për mua.”

 

2016: “Çfarë nuk shkon dhe cfarë po vjen”

 

Doktorët dhe stafi mjekësor sirian që vendosën të sfidojnë Asadin kanë ecur shumë që prej kirurgjive në dhomat e gjumit. Por puna e tyre mbahet në teh të thikës, gjithmonë nën mëshirën e sulmit tjetër ajror.

“Kur avjonët nuk vijnë,” thotë Abu Zejd, i Bashkimit të Doktorëve të Lirë Sirianë, “ne pyesim veten, 'Çfarë nuk shkon, dhe çfarë po vjen?'”

Gjithsesi, ata vazhdojnë të qëndrojnë, edhe pse numri në rënie i doktorëve pikturon një panoramë ogurzezë. Për disa, është tepër vonë ose tepër e vështirë të ikin tani. Por kur mendohen se çfarë i mban ata në Siri, shumica citojnë besimin e tyre fetar, irritimin me padrejtësitë e regjimit, ose dedikimin ndaj betimit mjekësor që ata dhanë vite më parë.

“Njerëzit që jetojnë këtu, ata janë familjet tona dhe njerëzit tanë,” thotë Abu Ibrahim Baker, kirurgu i përgjithshëm në Gutën Lindore. “Si do i lija unë familjen time, njerëzit e mi, në këtë situatë, nën bombardime?”

“Nuk mund të them se nuk e kam menduar të iki,” thotë Mufak, kirurgu në Duma, i cili shpesh shkruan dëshmi personale të ditëve veçanërisht brutale në një ditar dixhital me titull Memorie Tragjedie. “Por...ky është qyteti im.”

Pas çdo kapitulli zhvillimesh politike, diplomatike, apo ushtarake, doktorët sirianë në terren kanë gjetur mënyrën për të vazhduar. Por pavarësisht sa thellë nën tokë këta doktorë të shkojnë, apo sa shumë mbështetje ndërkombëtare të arrijnë, ata nuk janë të sigurtë.

Ahmed al-Dbis dhe Abdallah Dervish, dy nga kolegët e Hasan el-Araxhit në Hama, ishin në Turqi për një seminar kirurgjie më 13 prill, kur mësuan rreth vdekjes së Araxhit.

“Ahmed, duhet të shkojmë në Siri menjëherë,” kujton Dbis se pati thënë Dervishi. 

“Dr. Hasani...” Dervishi tha, por nuk mundi ta mbaronte fjalinë.

“Pata një gati thyerje të fuqive,” kujton Dbis. “Gjatë revolucionit ne u bëmë më shumë se vëllezër... edhe sekretet që nuk ua tregonim grave, ia tregonim njëri tjetrit.”

Me pashaportën në dorë, gjysëm i veshur, ai nxitoi tek makina dhe kaloi kufirin sirian për të kapur varrimin.

“Sigurisht që nuk kishte ngelur gjë për të parë,” thotë Dbis. “Domethënë, një thes me një grumbull gjymtyrësh – këtë varrosëm.”

Naxhua dhe fëmijët e saj, të cilët akoma jetojnë në Turqi, nuk kanë autorizimin për të kaluar kufirin rregullisht për në atdhe. Ata nuk mundën të shkonin në varrim ose të vizitonin varrin modest: një pllakë e vogël betoni në krye të një grumbulli dheu e zhavorri, me ca fije bari rreth e rrotull. Me gërma të zeza, guri i varrit të kardiologut lexon, “Dëshmori Dr. Hasan Muhamed el-Araxh.”

 

Ky reportazh u përgatit si pjesë e një klase të raportimit investigativ në Shkollën e Gazetarisë to Universitetit Kolumbia gjatë pranverës 2016 dhe është pjesë e një serie mbi sistemin mjekësor nëntokësor sirian, e cila gjendet tek http://medicineunderground.org.

Gjithashtu raportuan Mazin Sidahmed, Shannon Najmabadi, Chris Huffaker, Annie Hylton, dhe Nina Agrawal. 

Marrë nga Foreign Policy

Përktheu armir

5 Komente

Kete artikullin e kam lexuar para nja 1 jave a 10 ditesh, nuk e di se ku, ketu ose vend tjeter. 

Dy kryesoret e planetit, Uashingtoni dhe Moska, vendosen qe per hir te stabilitetit te Sirise, Asadi te qendroje dhe pak kohe, ashtu siç e kisha parathene une. 

ore, si e harroi peshku 9/11 ?!

Ca nuk eshte bere ne emer te fese.

Pa shume lidhje, po ky Asad azgani vazhdon bombardimet me helme. Dmth ia rrujten americkonjt qe e detyrun t'i dorezoje, mbasendaj iu qepen (me hudhren bashke) Albanies per t'i zhdukur njehere e pergjithmone nga faqja e botes. 

Opozita Siriane....... smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).