Prokuroria e Përgjithshme kërkon miratimin e një dispozite kalimtare që rregullon punën e saj me hetimin e zyrtarëve të lartë apo emërimin dhe transferimin e prokurorëve-deri në ngritjen e Strukturës Antikorrupsion apo Këshillit të Lartë të Prokurorisë.  

Prokuroria e Përgjithshme deklaroi përmes një njoftimi për shtyp se hyrja në fuqi e Kushtetutës së re, pa miratimin e paketës së plotë ligjore të reformës në drejtësi po pengon ecurinë normale të punës në këtë institucion. Prokuroria e Përgjithshme kërkon zgjidhje të menjëhershme përmes miratimit të një dispozite kushtetuese tranzitore-që i njeh asaj kompetencat e mëparshme deri në miratimin e plotë të kuadrit ligjor.

“Prokuroria e Përgjithshme konstaton se në Kushtetutën e re, disa aspekte proceduriale thelbësore janë të pazbatueshme për shkak të mungesës së bazës ligjore,” thuhet në deklaratën e shpërndarë nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla.

“…Konstatohet me shqetësim se ndryshe nga sa është parashikuar për institucionet e tjera, vetëm për Prokurorinë nuk janë parashikuar dispozita kalimtare…,” shtohet në deklaratë.

Ndryshimet kushtetuese që i hapën rrugën reformës në drejtësi parashikojnë reformë të thellë edhe në institucionin e Prokurorisë. Ato përcaktojnë decentralizimin e organit të akuzës-duke u dhënë më tepër autonomi prokurorëve. Gjithashtu, Kushtetuta e re i heq Prokurorit të Përgjithshëm kompetencat për emërimet, ngritjet në detyrë apo shkarkimet e prokurorëve, duke ia kaluar ato Këshillit të Prokurorisë.

Një tjetër standard i ri i ndryshimeve kushtetuese është ngritja e një Prokurorie të Posaçme, SPAK për hetimin e korrupsionit në radhët e zyrtarëve të lartë-ligji organik i së cilës nuk është miratuar ende në Parlamentin e Shqipërisë.

Në njoftimin e saj për mediat, Prokuroria e Përgjithshme ngre tre shqetësime kryesore, që sipas saj janë në ngërç. Sipas Prokurorisë, Kushtetuta i ka hequr Prokurorisë së Përgjithshme të drejtën për hetimin e zyrtarëve të lartë, duke ia kaluar atë SPAK-ut, ndërsa kërkon zgjidhje edhe për trajtimin e rasteve që janë aktualisht në gjykim apo hetim.

“Prokuroria e Përgjithshme konstaton si problematikë mungesën e një strukture që do të zhvillojë hetimin për këtë nivel zyrtarësh, deri në ngritjen e SPAK-ut,” thuhet në deklaratë.

Emërimi, komandimi apo transferimi i prokurorëve, deri në ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP është një tjetër shqetësim i ngritur nga Prokuroria e Përgjithshme. Kushtetuta e re parashikon që ngritja e KLP të bëhet pas 8 muajsh.

“…Deri në ngritjen e KLP krijohet ngërç në disa nivele të Prokurorisë ku ka aktualisht drejtues prokurorie, prokurorë dhe oficerë të Policisë Gjyqësore të komanduar, të cilëve u përfundon afati. Brenda muajit Tetor 2016 duhen emëruar prokurorë magjistratët e rinj, të cilët kanë fituar këtë të drejtë,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Kompetencat e inspektimit dhe kontrollit të brendshëm, që gjithashtu i kalojnë Këshillit të Lartë të Prokurorisë janë një tjetër shqetësim i ngritur, veçanërisht mbi çështjet që janë aktualisht në proces inspektimi dhe procedime disiplinore, për të cilat Prokuroria e Përgjithshme kërkon zgjidhje të menjëhershme.

1 Komente

Nga ky ngerç, kuptohet se sa e afte eshte klasa politike shqiptare, jo vetem e skenes por edhe e prapaskenes. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).