3445 bisturi për Shqipërinë
Vdekja tragjike e Matildës risolli në vëmendjen e opinionit publik sistemin shëndetësor. Ministria e Shëndetësisë ndërmerr kontrolle ndaj klinikave private sa herë që media flet për to. Në Shqipëri ka 3445 subjekte private mjekësore, katër herë më shumë se në Maqedoni. Shumë prej tyre kanë probleme me higjenën, por pas 2006-tës liçensimi është “liberalizuar”, ndërsa sistemi shëndetësor publik është harruar…
Kristi Pinderi
MAPO
Kristipinderi@revistamapo.com
Tazja, një mesogrua që shet prej disa muajsh cigare në një tezgë poshtë njërës prej hyrjeve të Shallvareve në kryeqytet, të përgjigjet me një ngritje të supeve dhe me fjalët “Nuk e di, vallai” sapo e pyet se në cilin kat të atij pallati ndodhet një klinikë private mjekësore. “Nuk e di, për besë, se ka klinikë mjekësore në këtë pallat”, thotë ajo.
Në të vërtetë, klinika që ne kërkojmë ndodhet në katin e dytë të pallatit, por për të mbërritur te mjediset e saj duhet të pyesësh disa vetë, pasi ke pyetur Tazen, sepse nuk ka asnjë tabelë sinjalizuese apo adresë të reklamuar publikisht. Pasi ngjitesh në katin e dytë në shkallët totalisht të errëta nga mungesa e ndriçimit duhet t’i biesh ziles të një dere të zakonshme pallati, e cila nga jashtë ngjason si dera e një apartamenti çfarëdo, pa të hysh brenda.
Por kur ndodhesh në mjediset e brendshme të kësaj klinike që ofron shërbime private në të paktën 6 specialitete, befasohesh nga luksi i aredimit, nga pastërtia dhe nga emrat e doktorëve të afishuar te recepsioni, të gjithë titullarë në specialitetet e tyre. Ndaj pyet jo pa arsye: pse një klinikë e tillë që në pamje duket vërtet e kompletuar jo vetëm që nuk e reklamon aktivitetin e saj, por përkundrazi të jep përshtypjen sikur dëshiron ta mbajë sa më larg syrit publik?
Ekzistenca e heshtur klinikave të tilla private, apo më të vogla dhe më pak cilësore se ajo, u vu këtë javë në qendër të vëmendjes pas vdekjes tragjike të 17 vjeçares Matilda Petriti. Matilda, humbi jetën pas një hemoragjie të rëndë, si pasojë e një ndërhyrje kirurgjikale në bajame, ndërhyrje e bërë në një klinikë private në Pogradec…
Shqipëria, katër herë më shumë klinika private se Maqedonia!
Në Shqipëri ka të paktën katër herë më shumë klinika të tilla, kabinete dhe laboratorë privatë mjekësorë, në krahasim me Maqedoninë.
Sipas Zyrës së Liçensimit të këtyre subjekteve në Ministrinë e Shëndetësisë, rezulton se në Shqipëri ka 89 klinika mjekësore, pra klinika me shtretër ku kryhen edhe ndërhyrje kirurgjikale dhe ku janë të punësuar disa mjekë, ka 29 kabinete mjekësore ku është i punësuar vetëm një mjek, 69 laboratorë me staf të mesëm mjekësor, mbi 1000 farmaci si dhe 1172 mjekë të liçensuar e 1086 stomatologë, gjithashtu të liçensuar.
Në total, subjektet e liçensuara private mjekësore në Shqipëri kapin një shifër rreth katër herë më të madhe se numri i këtyre subjekteve private në një shtet fqinj me Shqipërinë, në Maqedoni, një vend ky i ish-Jugosllavisë, ku shëndetësia u konsiderua si prioritet qysh 20 vjet më parë.
Ministria e Shëndetësisë: Shumë klinika kanë probleme me higjenën
Edmond Stojku, drejtor i Planifikimit Spitalor, nën varësinë e të cilit është Sektori i Standarteve Spitalore, u çudit kur një përfaqësues i këtij sektori i tregoi përmes telefonit numrin e mësipërm të strukturave private të liçensuara mjekësore. Pasi e uli receptorin ai u shfajësua për MAPO-n duke thënë me buzën në gaz, se: “Njerëzit presin që një njeri i vetëm si unë në Ministri, t’i dijë të gjitha…”. Në zyrën e tij, MAPO gjeti edhe disa vizitorë të cilët gjatë gjithë kohës flisnin me njëri-tjetrin për zhvillimet politike të Partisë Demokristiane…
“Ne kemi bërë para tre muajsh një kontroll të përgjithshëm të klinikave private në Tiranë”, vazhdon më tej z. Stojku, i cili është gjithashtu pjesëtar i Komisionit të Liçensimit në Ministrinë e Shëndetësisë, komision i cili sipas ligjit duhet të shqyrtojë të paktën çdo muaj kërkesat për të pajisur me liçensë personat fizike dhe juridike, vendas dhe të huaj që ushtrojnë veprimtari private në fushën e shëndetësisë. Ky komision funksionon që prej vitit 1992 në Ministrinë e Shëndetësisë.
Nga kontrolli i Ministrisë së Shëndetësisë, nuk rezultoi asnjë klinikë private e cila nuk përmbush standartet e kërkuara me ligj. “Konstatuam”, sqaron Stojku, “se disa klinika kanë probleme me dritën natyrale, ndarja e së cilës në disa laboratorë ku kryhen ekzaminime të ndryshme ka shumë rëndësi. Por pamë edhe se standartet e higjenës lenë për të dëshiruar…”.
Pyetjes se, a morën ndonjë masë ndëshkimore pas këtij kontrolli, Stojku iu përgjigj: “Jo! Ju duhet ta dini se në përgjithësi, klinikat private në Shqipëri ofrojnë kushte shumë herë më të mira se spitalet shtetërore”, ndaj nuk penalizohen.
Oficerët e Policisë Gjyqësore të sektorit të krimeve kundër jetës dhe shëndetit, morën këtë javë në pyetje pesë mjekë të Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë, dhe mjekun Xhevahir Hoxhallari, i cili krahas punës në QSUT, kishte edhe një klinikë private në Pogradec ku operoi bajamet e Matildës, 17 vjeçarja e cila vdiq në Tiranë si pasojë hemoragjisë së rëndë pas kësaj ndërhyrje. Zyrtarisht janë në hetim për trajtim dhe mjekim të pakujdesshëm, mjeku i rojës së Otorino –Laringologjisë në QSUT, në pavijonin ku ndërroi jetë 17-vjeçarja, por edhe vetë mjeku Hoxhallari.
Pas 2006-tës liçensat janë “liberalizuar”
Hoxhallari kishte mundur të ngrinte klinikën e tij private në Pogradec përpara vitit 2006. Stojku këmbëngul të sqarojë se Ministria e Shëndetësisë mund të japë vetëm leje për kryerjen e aktivitetit ndërsa lejen për ushtrimin e profesionit e jep “Urdhri i Mjekëve”. Në media është nënvizuar ditët e fundit se proçedurat e liçensimit kanë ndryshuar pas vitit 2006. Kjo është plotësisht e vërtetë, por sipas zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë, këto proçedura pas vitit 2006 janë “liberalizuar”.
“Ne kemi lehtësuar proçesin e pajisjes me liçensë për subjektet private shëndetësore”, thotë Stojku.
Nëse përpara 2006-tës ishte një ferr i vërtetë pajisja me një liçensë të tillë, pas Urdhërit të Ministrisë së Shëndetësisë me Nr.2384, datë 22.06.2006 “Për dhënien e liçensës për ushtrimin e aktivitetit privat në fushën e shëndetësisë”, ky proçes u bë shumë më i thjeshtë.
Aktualisht nëse dikush aplikon për t’u pajisur me një liçensë të rregullt për ushtrimin e mjekësisë në rrugë private duhet të plotësojë një numër fare të vogël dokumentash: kërkesë për liçënsim, listë e shërbimeve dhe listë e aparaturave që disponon, raport vlerësues nga specialist të fushës, lejë higjeno-sanitare, gentplan dhe planimetri e ambientit, vërtetim nga tatimet dhe një mandate pagese prej 5 mijë lekësh në një bankë të vendit!
Kështu shkruhet në formularin C.6 të Ministrisë së Shëndetësisë, ndërkohë që në formularin C. 6/1, i destinuar për dokumentacionin që duhet të plotësojë mjeku që do punësohet në klinike, shtohet, veç rregjistrimit nga “Urdhri i Mjekut”, edhe një dëshmi specializimi!
Klinikat private “fshehin” mosfunksionimin e sistemit shëndetësor…
Realisht, pse një klinikë e mirëpajisur me aparatura si ajo që MAPO e gjeti me vështirësi në katin e dytë të një pallati në qendër të Tiranës, e cila siguron një higjenë të admirueshme dhe e cila ka në borderonë e vet emra të njohur doktorësh shqiptarë, nuk e reklamon veten, po përkundrazi tenton të jetë sa më larg çdo lloj vizibiliteti public apo mediatik? A nuk do të ishte normale që një biznes i tillë privat ta konsideronte reklamën si pjesë të rëndësishme të funksionimit të vet?
Ajo klinikë, në të vërtetë “fsheh” keqfunksionimin apo edhe mosfunksionimin total të një sistemi shëndetësor që ka mbetur peng i reformave të panisura apo të nisura keq…
Vdekja e Matildës alarmoi këtë javë institucionet në lidhje me standartet e klinikave private mjekësore ne vend, por njëkohësisht frikësoi komunitetin e bluzave të bardha. Disa qindra mjekë të liçensuar i tremben tani një kontrolli të mundshëm të shtetit në klinikat e tyre. “Ndoshta raste të tilla e detyrojnë Ministrinë e Shëndetësisë që për efekt PR politik të bëjë “kokë turku” ndonjë nga klinikat që vetë ajo e ka liçensuar…”, tha një mjek me një klinikë të tillë private të specialitetit ORL në Tiranë, i cili kërkoi të mos identifikohej. Ai betohet se në klinikën e vet të gjitha kushtet janë siguruar (në pamje të parë duket realisht se aparaturat janë bashkëkohorore, higjena është maksimale dhe shërbimi është më i mirë se në spitalin publik). Por mjeku në fjalë, kujton kalvarin që kaloi derisa mori lejen për kryerjen e këtij aktiviteti privat. “Prisja me orë të tëra që komisioni të mbaronte mbledhjen e dikush të më jepte ndonjë lajm, m’u desh të sigurohesha përmes aq shumë kontakteve se askush në atë komision nuk do e refuzonte kërkesën time për leje, por derisa e morën vendimin nuk e keni idenë se ç’kam hequr…”, thotë ai, i cili duket realisht i trembur se mos “këta zyrtarë”, siç i quan, “për të treguar se po punojnë, penalizojnë atë që s’ka paguar për t’u liçensuar, po thjesht ka ndjekur rregullat”…
Pas rastit të Matildës, Ministria e Shëndetësisë realisht nisi një fushatë kontrolli të të gjitha klinikave private mjekësore në Tiranë, me një urdhër të posaçëm të firmosur nga ministri Nard Ndoka, tre muaj pas kontrollit të fundit që bëri, pas të cilit nuk penalizoi askënd…
Ishte vetë presidenti i “Urdhrit të Mjekut” për Tiranën, Faik Toska ai i cili i kërkoi Ministrisë së Shëndetësisë që të marrë situatën nën kontroll dhe të verifikojë kushtet në të gjitha klinikat mjekësore private, pasi shumica e tyre, sipas tij, nuk plotësojnë kushtet për të ushtruar aktivitetet private e aq më tepër, ndërhyrje kirurgjikale.
Po në të vërtetë, një ngjarje e tillë duhet edhe njëherë të drejtojë jo vetëm opinionin publik, por sidomos vëmendjen e qeverisë ndaj sistemit publik shëndetësor.
”Një nga “sëmundjet” kronike të sistemit tonë shëndetësor është financimi i pamjaftueshëm”, thotë Eduard Hashorva, ish zëvendës ministër i Shëndetësisë, aktualisht aktivist i G99. Pavarësisht etiketimit të shëndetësisë si sektor prioritar, financimi publik i shëndetësisë në këto 17 vite tranzicion nuk e ka kaluar nivelin e 3 përqindëshit të PBB. Sipas te dhenave te OBSH- se shteti shqiptar financon rreth 79 US$ ne vit për shëndetin e çdo personi. Kjo shifër është rreth 20 here me e ulet se mesatarja e vendeve Europiane. Ky nënfinancim ka sjellë edhe pasojat e njohura në nivelin e zhvillimit të këtij sektori.
Besmir Gjokutaj, koordinator i Politikavë në Lëvizjen MJAFT! thotë se “vlera reale që shpenzimet në shëndetësi kanë si përqindje e PBB (pra 6 %) nuk është realisht kaq e ulët sa paraqitet në shifrat statistikore. Nëse do të kishim parasysh paratë që shpenzohen në mënyrë informale (para nën dorë) dhe shpenzimet në institucionet shëndetësore private, kjo përqindje do të rritej në nivel të njëjtë me përqindjen e shpenzimit të vendeve të rajonit”. Si pasojë, argumenton Lëvizja MJAFT!, duhet gjetur një zgjidhje për të kanalizuar në mënyrë formale shpenzimet në privat apo ato në dorë…
FACTBOX:
1. Në Shqipëri ka 89 klinika mjekësore, pra klinika me shtretër ku kryhen edhe ndërhyrje kirurgjikale dhe ku janë të punësuar disa mjekë, ka 29 kabinete mjekësore ku është i punësuar vetëm një mjek, 69 laboratorë me staf të mesëm mjekësor, mbi 1000 farmaci si dhe 1172 mjekë të liçensuar e 1086 stomatologë, gjithashtu të liçensuar.
2. Nëse përpara 2006-tës ishte një ferr i vërtetë pajisja me një liçensë të tillë, pas Urdhërit të Ministrisë së Shëndetësisë me Nr.2384, datë 22.06.2006 “Për dhënien e liçensës për ushtrimin e aktivitetit privat në fushën e shëndetësisë”, ky proçes u bë shumë më i thjeshtë.
3. Në Shqipëri ka të paktën katër herë më shumë klinika të tilla, kabinete dhe laboratorë privatë mjekësorë, në krahasim me Maqedoninë.
4 May 2008 @ 7:50 pm
E morem vesh :
Morem vesh dhe qe : …Besmir Gjokutaj, koordinator i Politikavë në Lëvizjen MJAFT! thotë se “vlera reale që shpenzimet në shëndetësi kanë si përqindje e PBB (pra 6 %) nuk është realisht kaq e ulët sa paraqitet në shifrat statistikore. Nëse do të kishim parasysh paratë që shpenzohen në mënyrë informale (para nën dorë) dhe shpenzimet në institucionet shëndetësore private, kjo përqindje do të rritej në nivel të njëjtë me përqindjen e shpenzimit të vendeve të rajonit”. Si pasojë, argumenton Lëvizja MJAFT!, duhet gjetur një zgjidhje për të kanalizuar në mënyrë formale shpenzimet në privat apo ato në dorë…
Kjo me bold a konkluzion i madh.
Zgjidhja eshte ke G99 .
Moze fillun keta tani me G99 dhe nuk kane per te pushu ma.
4 May 2008 @ 8:06 pm
1-2-3….3444-3445 klinika
Une qe javen tjeter jam per kurim ne Shqiperi
4 May 2008 @ 8:29 pm
“factbox”!
4 May 2008 @ 8:46 pm
po mire. E heqim g99, e heqim mjaftin, e heqim hashorven, e heqim besmir gjokutajn.
E heqim sinqerisht … ne kuptimin - admin, pls hiqini keto qe them me lart - ne menyre qe ideja mos paragjykohet nga emrat.
Tani, Koth, pasi i hoqem, cfare komenti do kishe? Se besoj, vetem keshtu mund te clirohen mendimet nga paragjykimet apo jo?
4 May 2008 @ 8:58 pm
Para ca kohesh mu desh per arsye pune te vizitoja disa klinika private ne Tirane. Kishte ca qe kishin hedhur para qamet dhe qe kishin krijuar gjera te hajrit, kishte ca qe kishin hedhur pare qamet por qe s’e dinin se cfare po benin dhe qe thjesht i kishin vene pajisjet ne rrjesht sikur te ishin ne magazina, dhe kishte ca te tjera pastaj qe te fusnin friken, per shembull tek njera shtratin ku vizitoheshin pacientet e kishin mbuluar me nje leter te holle nga ato qe ndeshen me shpesh ne tavolinat e restoranteve.
Investim ne kete fushe ka vecse eshte i shperndare dhe jo te gjitha jane hapur nga profesioniste keshtu qe rezultati ndonjehere eshte i frikshem.
4 May 2008 @ 11:10 pm
”Shqipëria, katër herë më shumë klinika private se Maqedonia!”
Edhe? Ku qendron problemi?
“Ministria e Shëndetësisë: Shumë klinika kanë probleme me higjenën”
Cfare duhet te beje ministria ne kete rast? Pse se pyete shoku gazetar?
5 May 2008 @ 7:07 am
Autorit bravo i qofte qe ka shkruar per nje teme aq problematike sic eshte mjeksia.
Gerdeci denoi me vdekje 26 fatkeqe. Po derexheja e mjekesise shqiptare me sa Gerdece ne vit eshte e barabarte?
Nuk eshte se mjekesia mund te shkeputet nga gjendja e pergjitheshme. Por te pakten po te jete nen lupen e mediave; ca qamete edhe mund te kursehen. Prandaj dhe autorit i lumte qe eshte marre me kete teme tabu.
Me tej artikulli mund te kete dobesi teknike, te cilat le t’i permirsojne shkrime te tjera.
Nje keshille personale per autorin. Asnjeri nuk te ofendon dot pa lejen tende. Ne rastin konkret, ti e dhe lejen duke zbritur poshte e kthyer llafe, per gjera qe s’kane lidhje me artikullin.
5 May 2008 @ 7:15 am
njonit ketu qe na lodhi “I kuja je ti a të keqen?” thuje vete he aman
5 May 2008 @ 7:31 am
Per ata, komentet e te cileve sapo fshiva:
Jam i sigurte qe me te thatat jane djegur dhe ato pak te njoma, po s’pata durimin te lexoja me kujdes cdo koment nga ato 50-60 qe u mblodhen.
Keshtuqe nqs te kam fshire nje koment “legjitim”, me fal, por ate tendin e mori lumi i sharjeve.
Ne kete shkrim atmosfera s’eshte me e pershtatshme per komente.