20 vjet dhe dy vjet më parë: paralele të kuptimit që humbëm...

(Jo ne, politikanët...)

Ardi Stefa

Është bërë zakon që në çdo dhjetor të shkruhen me mijëra fjalë e të derdhen tonelata me bojë në tonelata letër për Dhjetorin 1990...
Fjalë të zjarrta, kuptime të madhërishme, mezazhe të thella, për ëndrrat e vizionet e një brezi, e të gjithë brezave...
Kam shkruar shumë për Dhjetorin 1990 e ngjarjet që pasuan, protagonist e dëshmitar i atyre ditëve të zjarrta që shenjuan mua e të gjithë shokët e mi, romantikë të pandreqshëm... Nuk dua sot të përsëris ato që kam thënë e shkruar vite me radhë.
Jo vetëm sepse nuk do t’u ndryshoja asnjë rresht, por edhe sepse shpesh herë vetë ne gjejmë edhe atje ku nuk jemi protagonistë vetë, por ata që sot janë bashkëmoshatarë me ne atëherë...
Ashtu si në 8 dhjetor 1990, këtu e dy vjet më parë, në 6 dhjetor 2008, në Athinë një adoleshent 15 vjeçar u ekzekutua nga plumbat e një polici arrogant, u ekzekutua nga plumbat e një pushteti arbitrar...
Qysh nga dita e nesërme, Athina, Selaniku, Patra dhe të gjitha qytetet e mëdha të Greqisë morën flakë, metaforikisht dhe në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.
Me dhjetëra mijëra nxënës e studentë u derdhën spontanisht nëpër rrugë (ashtu si ne atëherë në Tiranë) rrethuan rajonet e policisë dhe godisnin me portokalle e shishe plastike uji policët...
Qeveria e Demokracisë së Re pëson një çarje të thellë në ndërgjegjen e grekëve, siç vërtetohet edhe nga rezultatet e zgjedhjeve nëntë muaj më vonë.
Pema e Krishtlindjeve në Syntagma, përballë parlamentit grek, digjet dhe pamjet e saj i transmeton çdo kanal i huaj televiziv...
Mesazhi që emetohej në çdo cep të planetit? Me pemën e Krishtlindjeve digjej shpirti i Greqisë...
Disa muaj më parë se dhjetori 2008, në Francë, Parisi digjej nga shpërthimi i rinisë...
Ashtu si muaj më parë se dhjetori 1990, në Berlin rinia rrëzonte Murin e turpit, në sheshin Tienanmen, tankset shtypnin me gjak e zjarr trupat e studentëve...
Në dhjetor 2008, veç revoltës për vrasjen e Aleksit e të endrrave të një rinie të tërë, ndieja edhe dhembjen për atë ç’ka po shkatërrohej, pasurinë dhe mundin e djersën e mijëra grekëve, të cilët shihnin në pamundësi për të shpëtuar dyqanet e tyre të plaçkiteshin e të digjeshin...
Shtypi i huaj shkruante në atë dhjetor: “Një fantazmë e një shpërthimi të përgjithshëm të rinisë europiane, si një aromë pranverore të popujve po përhapet sot, pas akteve të dhunshme të Athinës... Kundër krizës, kundër konservatorëve, kundër dhunës së pushtetit, e cila sa vjen e bëhet edhe më e rëndë, kundër shtresës së majme borgjeze, të cilat e kanë çuar shoqërinë perëndimore në buzë të greminës dhe që të cilat nuk u lënë brezave që po vijnë veçse një të ardhme të pasigurtë dhe pasigurinë e një hapi në boshllëk...
Ky brez i 700 euro, me njohuri e dije të thella, i paguar keq për atë që bën, dhe që paguhet aq sa për të mbajtur frymën gjallë, nuk do ta lërë veten të flijohet, pa revolta e shpërthime...”,- paralajmëronte drejtori i gazetës se djathtë franceze “L’express”, Kristof Barbie, fjalët e të cilit citova më sipër.
Ndërsa shtypi gjerman bënte fjalë për flakët përballë parlamentit grek, ku ishin grumbulluar urrejtja e një brezi të tërë...
Dhe Greqia në vitin 2008 nuk përjetoi një revoltë e shpërthim të “të mjerëve”, por revoltë e atyre që dikur ishin mirë të mbrojtur dhe që në ato momente e ndienin se ishin përballë asgjësë... Një fenomen ai krejtësisht europian...
Ndoshta paksa i ndryshëm nga ai i Dhjetorit të 20 viteve më parë në Shqipëri...

***
E duam Shqipërinë si gjithë Europa!..
Liri- Demokraci!
Me studentët jemi ne!
Studentët janë heronj...
Pas kaq vitesh, kujtesa personale fillon të humbasë. Zakonisht ajo zëvendësohet nga e ashtuquajtura “kujtesë kolektive”, e cila në fakt është njohja ideologjike e ngjarjeve, e cila u jep rëndësi heroizmit, fakteve mitologjike: heronjtë, epopeja, qëndresa, pasioni për lirinë...
Fjalë të bukura, shumë pompoze për të fshehur thelbin. Cili është thelbi? Që heronjtë e Dhjetorit ’90-të nuk ishin veçse njerëz normalë, studentë e studente të reja, ideologë, të cilët befasisht u gjendën në qendër të Historisë e të së përgjithshmes... Në këtë vrull jetuan e përjetuan dehjen e përmbysjes. Jo pa flijime, jo pa humbje. Ato ditë e net të zjarrta shenjuan jetën e të gjithëve atyre që ishin prezent, shenjuan e ndryshuan edhe jetën e të gjithëve atyre që ishin larg Qytetit Studenti. Shenjuan e ndryshuan rrënjësisht edhe jetën e atyre që erdhën e që do të vijnë më vonë..
Dhe kështu kaloi koha, ndryshuan kushtet...
E vetmja gjë që ngeli është një tregues heroizmi. Kështu e konceptojnë Lëvizjen Studentore të Dhjetorit të rinjtë e sotëm... Po a ishte me të vërtetë kështu? Dhe në qoftë se ishte, çfarë ishte në thelb? Dhe kush do të na i thotë me saktësi?...
Atëherë neve ishim heronj. Ishim thjesht të rinj, me ëndrra, vizione...
Ishim një brez i ri që kishte etje për liri e drejtësi, për bukë, ujë e drita, për liri fjale e veprimi. Sepse bëhet fjalë për një brez studentësh, të cilët të paarmatosur, por edhe të vendosur morën përsipër të shplanin turpin e një vendi që në heshtje dhe në humbje, qeverisej për pesëdhjetë vjet nga diktatura shkatërrimtare komuniste. Djem e vajza të prindërve të Shqipërisë, nga familje të varfëra, por edhe nga familje të “mira”, nga familje të humburish nga paslufta e 1944-ës, por edhe nga familje fitimtarësh, ishin për pak ditë të lirët e rrethuar të historisë sonë bashkëkohore shqiptare...
Një brez djemsh e vajzash 22 vjeçarë që bëri politikë me fjalë, me këngë, me shpirtin dhe, mbi të gjitha, me trupin e tyre të njomë e të drobitur nga uria. Një brez që zgjoi një popull të tërë nga gjumi letargjik e që vrau frikën.
Një brez 22 vjeçarësh që rrezikuan jetën, studimet, për të fituar një çast që jeton përgjithmonë. Dhe ajri i lirisë që atëherë frynte në Tiranën e acartë në të gjitha shtëpitë, edhe në ato shtëpi që rrinin të kyçura kur dëgjoheshin thirrjet e studentëve, sirenat e makinave të policisë, apo edhe kur sambistët rrihnin me shkopinjë gome bashkëmoshatarët e tyre, nuk i çelnin dyert për të mbrojtur djemtë e vajzat e reja, nuk kishte se si të mos përqafohej nga një popull i tërë.
Në Lëvizjen e Revoltën Studentore, le të mos gënjejmë vete apo të tjerët, sepse është fyerje, nuk bëhet fjalë për revoltën e “popullit shqiptar”, “as të intelektualëve demokratë komunistë”.
Ishin disa pak mijëra të rinj e të reja, protagonistë dhe bashkëudhëtarë, pjesëmarrës në mitingjet e demonstrimet në Qytetin Studenti, por edhe atje rrotull, të cilët e gostitën historinë shqiptare, akoma edhe një herë me gotën, një gllënjkë e të cilës mjafton që të të dehë, me një dehje të këndshme: E PAMUNDURA MUNDET TË BËHEJ E MUNDUR!
Vlera e vërtetë e Lëvizjes Studentore Shqiptare është pikërisht kjo: se u bë nga njerëz të zakonshëm, studentë vërtet, por të nxjerrë nga jeta e përditshme. Nga njerëz në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, me ndjenja dhe ëndrra, delikatë, nga njerëz që ishin të uritur për jetë, për famë e lavdi, që kishin pasione. Nga njerëz që bëjnë gabime, që pendohen, njerëz të dobët e që s’kanë busull orientimi shpesh herë, nga idealistë të vërtetë, por edhe aventurierë, nga njerëz të vdekshëm e mëkatarë dhe jo nga statuja...
Dhe, nëse vlen akoma edhe më shumë stuhia e Lëvizjes së Studentëve, kuptimi që ka kjo lëvizje për brezat e ardhshëm është se kjo revoltë për një çast, për dy çaste, për një, dy apo dhjetë ditë, ata të rinj u ngritën më lart se EGO-ja, UNI i tyre, dhe kështu, të lirë u bënë krijuesit e historisë së tyre dhe të historisë sonë. Me pak fjalë: Studentët ishin atje atëherë kur duhej. Ç’pasoi është tjetër histori...
Prandaj, çdo vit në këtë ditë dëgjohen shumë fjalë nga shumë pseudo. Megjithëse protagonistëve të vërtetë të Revoltës Studentore Shqiptare u shkon më mirë heshtja. Heshtja e njohjes dhe e respektit për atë që bënë e që sado vite të kalojnë do të ngrihet gjithnjë e më lart në Panteonin e Historisë.
Prandaj llafologëve e pseudove, përpara se të nxjerrin fjalët bombastike nga goja, mirë do të ishte që të mendonin për një çast, është detyrim moral të mendohen për një çast dhe të pyesin veten nëse: “Liria, Demokracia, buka e dritat, mjaftojnë për të gjithë”...
A mjaftojnë për të gjithë ato që kërkuan atëherë studentët e mburremi se tashmë i kemi?...
Dhjetori 1990 dhe Shkurti i vitit 1991 ishte pika kyçe në historinë e gjithë kombit shqiptar, ishte pika kulmore në formimin e një brezi me të vërtetë intelektual shqiptar; ishte pika ku dy epoka u ndanë, kur populli festonte rrëzimin e monumenteve të diktatorit nga qytetet e Shqipërisë dhe, nga ana tjetër nomenklatura kërcëllinte dhëmbët e tërbuar prej inatit që s’mundej të bënte dot gjë. Fundi kishte ardhur. Përpëlitjet nuk ishin gjë tjetër veçse grahmat e fundit të një sundimi gjakatar 46 vjeçar. Ora e së vërtetës për Shqipërinë kishte trokitur! Dhe ora nuk mundet të kthehej dot mbrapsht...
Por a erdhi ora e së vërtetës? A u formua me të vërtetë një brez intelektual shqiptar jo komformist?...

***
Tek revolta Greke e dhjetorit të dy viteve më parë Europa shikonte të ardhmen e saj...
“Do të bëhet e Greqisë gjithandej!”
“Jemi të gjithë grekë!”,- thërrisnin atëherë në manifestimet e tyre nxënësit e studentët francezë, dhe Sarkozy i tmerruar e tërhoqi projektligjin për arsimin...
Por nuk u bë e Greqisë në Europë...
Akoma edhe më keq. Greqia e revoltës rinore u bë Greqia e falimentuar që rron në ombrellëm e FMN...
Një mospërfillje e pafundme për grekët që ulën kokën, reflektohet në të gjitha ato gazeta që dy vjet më parë shkruanin me ditirambe për revoltën e ngjashme me atë të Majit 1968!
Tashmë europianët thërrasin: “Ne nuk jemi grekë!...”
Dhe kjo parrullë u dëgjua nga po ata francezë që dy vite më parë thërrisnin të kundërtën e kësaj fraze...
Aktualisht ëndrrat e të rinjve grekë dhe jo vetëm të të rinjve janë në arkivol...

***
“Kam frikë se asgjë radikale nuk do të ndodhë në Shqipëri,- më pat thënë në 1991 Robert Elsie.
“E pamundur, - i thashë. - Përmbysja ka ndodhur. Tashmë është thjesht në dorën tonë...
I miri Robert Elsie, buzëqeshi me hidhërim e pikëllim atëherë...
Nuk e kuptova se ç’donte të thoshte me atë tundje të lehtë të kokës...
Kanë kaluar kaq vite dhe më i qetë e kuptoj tashmë se elementet e revoltës si edhe ato të të qenit “raja” bashkëjetojnë që të dyja si karakteristika origjinale të shqiptarëve, ashtu sikundër edhe tek grekët.
Varet se cila nga të dyja do të mbizotërojë çdo herë...
Prandaj edhe ajo ç’ka marrim nga të huajat ëshë analoge me situatën: admirim, apo tallje...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).