Ajo që do të doja është që të mos kishim zgjedhje lokale. Në fakt nëse do të mund të zgjidhja, do të doja të mos kishte fare të tilla në Shqipëri. Po të mos kishte zgjedhje nuk do të kishte mësues që dalin me ose pa dëshirë nga mësimi. Rrjedhimisht do të kishim më pak njerëz të dhunuar. Më pak nxënës që shohin sesi ata që i edukojnë janë lajmëtarë të thjeshtë të një pushteti që të poshtëron. Do të doja që administrata të mos merrte sms grupi, ku i kërkohet pa gabime logjike, që të firmosë për votën e vet të ardhshme. Do të doja që punëtorët e ministrive të mos ndiheshin në borxh për punën e tyre të përditshme. Do të doja të mos kishte zgjedhje, sepse zgjedhjet në Shqipëri nuk duhen më, të paktën lidhur me qëllimin fillestar për të cilin u konceptuan.

Demokracia duhet të gjejë rrugë të tjera për të arritur në fund të këtij tranzicioni elegant në ecje (një zotëri nuk vrapon kurrë sipas Sting). Zgjedhjes me votë nuk i erdhi asnjeherë koha për t’u marrë seriozisht, në një vend si ky i yni, ku nuk flitet për gjë tjetër. Pa zgjedhje nuk do të kishte heronj kutish, e as kuti që pa heronj nuk do të hapeshin kurrë. Nuk do kishte pistoleta në kokë kandidatësh. Nuk do të kishte bombula gazi që ende të pa përdorura, hidhen afër çadrave elektorale e që më pas plasin si me magji. Nuk do të kishte kandidatë vrasës, e as kandidatë që na varen në qafë përjetë, prej vesit të atyre që si duket e kanë këmbëzën të lehtë; ves që as nuk neglizhohet dot me mendje të kthjellët.

Do të doja zgjedhje për të cilat mua nuk do të më duhej të shihja delegatë nga vendet ngjitur për të çertifikuar rrëmujën aspak modeste të ditëve të fushatës. Do të doja të mos lexoja raporte pas raportesh që rekomandojnë se këtë herë ishim pak më mirë se më parë, por shumë më keq se ç’duhet të ishim në të vërtetë. Ndoshta në të vërtetë jemi kështu, pa asnjë të vërtetë tjetër. Nuk do të doja zgjedhje, se në kohë zgjedhjesh të fortët e lagjes ringjallen nga hiri i tyre. Dalin nga klubet e rakisë, të fortë siç duhet të jenë në emër të lavdisë së emrit. Ato ditë ata janë doktorët, filozofët, policët, gjykatësit, qeveria dhe komuniteti ndërkombëtar njëkohësisht. Shenja dalluese janë flamurët e PD-së, në makina të mëdha sa një shtëpi edukatoreje kopshti. Këta pionerë të ditëve që po gëzojmë sot, nuk kanë asnjë dyshim për atë që do të ndodhë. Ata dinë rezultatin dhe kjo të bën të besosh, kur tregojnë sesi zgjedhjet kanë mbaruar që në fundprill, pa pritur as çerekun e majit. Nëse do të ishin analistë apo politikanë do të fitonin famën e Kasandrës. Nëse do të ishin studiues, do të fitonin famën e Marksit e do të predikonin atë që do të ndodhte në 200 vitet e ardhshme në botë. Në fakt janë të “fortë” (quhen kështu se një emër më i gjatë do t’i konfondonte) shpesh të pavëmendshëm për higjenën dhe cilësi të tjera që kanë lidhje me botën e esencave.

Dituria e tyre e pakundërshtueshme në këtë fushë nuk lë të kuptohet naiviteti i gjithë kësaj situate. Nuk është më e nevojshme loja e madhe e teatrit mbi demokracinë, për të përcaktuar fituesin demokratik të zgjedhjeve demokratike. Këtë e dinë të gjithë ata që natën midis datës 8 dhe 9 maj, do të futen brenda barkut të demokracisë dhe do të ndryshojnë ADN-në e rezultatit, atë që nuk ishte ndryshuar deri një ditë më parë. Shohim të njëjtën lojë me emra në lista, që herë zhduken si me magji, herë shumfishohen me frymën e shenjtë të një shenjti që në ditë të zakonshme vjedh pasqyra makinash. Burra nga 120 vjeç që votojnë, kuti që vijnë të hapura, bojë në gishta që s’ka as forcën e manikyrit të tregut çam, komisione që ikin, komisione që vijnë, fise që çojnë vetëm një të afërm për të votuar. Janë gjëra që kemi dëgjuar dhe dëgjojmë sa herë që shkohet për të kryer këtë qokë të rrezikshme. Nuk është kaq naive kjo lojë. Nëse do të thuhej e vërteta, do të na duhej të mendonim për një sistem që gënjen më pak. Sigurisht që politikanët nuk kanë asnjë arsye për të treguar se çdo herë që kemi votuar, është aplikuar një lojë shpejtësie me ndjenjat dhe dëshirat e shqiptarëve. Kjo shpjegon, mitingjet, programet, këngëtarët, thirrjet histerike, kohën televizive, posterat në rrugë, pudrën në fytyrat e kandidatëve sa herë dalin për debat.

Sa do të  doja të mos kishte zgjedhje fare. Besoj se do të flija pa ankth, në këtë kohë diskutimi mbi vlerat. Dhe meqë nuk kam një makinë kohe për ta shmangur datën e shumëfolur, po ngrihem ngadalë dhe po ha një mollë jeshile.

Andi Kananaj

7 Komente

Fenomeni me interesant (e ka vecuar dhe Rushdija ne nje teme tjeter) eshte ai qe pershkuhet ne paragrafin 1: zhveshja e dinjitetit te qytetarit (votues).

e bona nji votim edhe une. Ktu dmth. smiley

Ajo do te doje...... s'ka per te ndodhur kurre aty!

Mirë e ke dëshirën . po fajin se kanë zgjedhjet . 

Vallaj e ke shkru drejt fare.Me flejt deri ne drek,me ndigju muzike...e te tjera,pa friken se do te dalesh e turma njerzish do te te pyesin.''-he votove..??? --per ke votove...?? e tjer e tjer.Por te pakten na ngushellon fakti,se tek ne,cudia me e madhe tre dite zgjat..

I have a dream... smiley

Kjo eshte nje shprehje e kulturuar smiley e zhgenjimit nga politika shqiptare smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).