Në Shqipëri tashmë është etabluar profesioni i “analistit politik”, mirëpo mbetet për t’u themeluar akoma kritika ideologjike dhe sociale e premisave, mbi të cilat analistët ndërtojnë analizat e tyre. Kjo analizë e analistëve, një analizë sociale e aktivitetit të analistit që duhet të bëhet paralelisht me analizën e produkteve të tyre ideologjike, përbën njëkohësisht bazën për ndërtimin e një kritike të ideologjisë, kritikën e doksës dominante mbi të cilën është ndërtuar hegjemonia e re politike. E në këtë gërshetim strukturash analisti, zëri i të cilit paraqitet si i privilegjuar në komentimin e ngjarjeve politike, zë një pozicion të veçantë. Ky pozicion përkufizohet pikërisht nga roli kontradiktor që luan analisti në raport me fushën politike, atë gazetareske dhe atë intelektuale.[1] Analisti nuk është politikan, mirëpo ai merret me politikën. Analisti nuk është intelektual, mirëpo ai kultivon imazhin e vetës si të tillë. Analisti ngarkohet me më pak punë se sa gazetari, mirëpo statusi social i tij është më i lartë se ai i gazetarit, ndonëse formalisht i përkasin së njëjtës fushë. Dhe analisti, ndërsa përpiqet ta paraqesë zërin e një “qytetari të thjeshtë”, nuk është fare i tillë. Pozicioni që gëzon analisti është pasojë e “privilegjeve” të akumuluara shoqërore, në radhë të parë një akumulim i caktuar i kapitalit kulturor dhe shoqëror, nga të cilët janë privuar kategori të tëra shoqërore, dhe jo një pozicion shoqëror që ai e okupon si pasojë e rrethanave dhe rastësisë.[2] Analisti flet “në emër të publikut” ose “për interesin e publikut” vetëm pasi të jetë arritur shkëputja e tij nga eksperienca sociale e mesatares së publikut, pasi ai të jetë ngritur në rangun e një publicisti me të drejtë fjale, autoriteti i të cilit autorizohet nga instancat dominante të sferës publike (redaksitë, pronarët e mediumeve etj.).

Aktiviteti kryesor i analistit është polemika, ndërsa mediat janë arena kryesore e realizimit të aktivitetit polemizues.[3] Çdo gazetë sot ka një seksion të veçantë për “analizën” (faqet e rezervuara për editoriale dhe opinione), ndërkohë që në treg ekzistojnë publikime të veçanta që mision qendror kanë botimin e polemikave, të kuptuar si një zhanër i veçantë shkrimi autorial, i cili objekt ka komentimin dhe gjykimin e ngjarjeve politike, dhe si pasojë marrjen e një pozicioni politik nga autori. Edhe në televizion, përkundër asaj që zhanri i prezantimit të editorialeve redaksionale gjatë programit të lajmeve ka dalë mode, formati i emisioneve polemizuese me një apo më tepër mysafirë është i pranishëm gjithandej. Në rastin e emisioneve televizive polemizuese mund të përjashtohen rastet kur në këto emisione ftohen politikanë – interesi i politikanit është tjetër nga interesi i polemizuesve jo politikanë, pasi që investimet dhe interesi që ata kanë në fushën politike dhe mediale janë krejt të ndryshme. Objekt i këtij shkrimi janë këta të fundit, pasi që politikanët polemizojnë njëri me tjetrin dhe kështu pozicionohen politikisht njëri karshi tjetrit dhe karshi pushtetit, ndërsa polemizuesit jo-politikanë polemizojnë me politikanët pa qenë vetë të tillë.

Një sociologji e fushës së polemikës, si një nënfushë e veçantë e aktivitetit gazetaresk, do të nxirrte në shesh objektivitetin e polemikës si aktivitet, duke ekzaminuar në radhë të parë raportin e forcave simbolike (të repertorëve zakonisht të pabarabartë retorikë, kulturorë, biografikë, institucionalë dhe politikë, të cilët mund të mobilizohen dhe vihen në përdorim nga polemizuesi) midis polemizuesve dhe aktorëve në fushën politike, midis tyre dhe gazetarëve dhe midis polemizuesve të ndryshëm. Si aktivitet intelektual, objekt themelor i polemikës është kapja (sado momentale) e monopolit mbi definimin objektiv të “realitetit politik” dhe, si hap i dytë, dhënia e “diagnozave” dhe “analizave” që shpjegojnë raportet shkak-pasojë në fushën politike. Në esencë, kuptimi i problemeve politike ka të bëjë me zbulimin e defekteve morale dhe kulturore që i dalin në rrugë projektit (për çfarë besohet të ekzistojë një konsensus i përgjithshëm shoqëror) që thërret në veprim fuqinë e shtetit që të transformojë strukturat shoqërore që pengojnë lëvizjen drejt arritjes së synimeve kolektive, synime që zakonisht identifikohen nga terma jo gjithmonë përmbajtësorë, por me një efikasitet të jashtëzakonshëm simbolik (p.sh. “evropianizimi”, “demokratizimi”, “tranzicioni”, “integrimi”, “sundimi i ligjit” etj.).

Në veprimtarinë e tij polemizuese, analisti gëzon një pozicion të veçantë brenda fushës gazetareske dhe asaj politike. Është ky pozicion i veçantë pasi për analistin, aktiviteti polemizues nuk është një aktivitet i përkohshëm apo i rastit, por një aktivitet profesional në kuptimin e një aktiviteti që ushtrohet rregullisht dhe kundrejt një shpërblimi financiar (honorarit apo, në rast më të privilegjuar, rrogës). Në krahasim me gazetarin, e drejta e të cilit kufizohet në pretendimin për paraqitjen objektive të ngjarjeve dhe fakteve, analistit i jepet licenca e veçantë për shtjellimin e një metadiskursi politik (në kuptimin që përmes atij diskursi analisti pretendon të vendoset mbi politikën), të interpretimit të ngjarjeve në fushën politike dhe shtruarjen e tyre në një plan moral, e vlerësimit të tyre në raport me “interesat jetike”, “aspiratat historike”, “vlerat themelore” apo “qëllimin përfundimtar” të bashkësisë së gjerë politike, siç interpretohen ato nga analisti. Në këtë rol, analisti evokon parimet etike të fushës politike, duke e mbivendosur moralin publik si bazë e akteve politike, një privilegj nga i cili politikani është i privuar për shkak të balancës së vazhdueshme që ai apo ajo duhet të bëjë duke konstruktuar barasvlera midis interesave të veçanta dhe potencialisht kontradiktore të grupeve të ndryshme të interesit dhe, si pasojë, duke ndërmarrë veprime domosdoshmërisht të (një)anshme.

Analisti si aspirant për rolin e intelektualit

Ajo që është fasinuese për kontekstin post-socialist, është fakti që roli publik i analistit ka marrë përmasa të tilla që ai pothuaj ka zëvendësuar rolin që dikur rezervohej për intelektualët (një zhvillim që ka paralelet e veta edhe në vendet perëndimore, ku intelektuali e ka gjithnjë e më të vështirë paraqitjen në sferën e gjerë publike). Për këta të fundit, marrja e së drejtës për dhënien e fjalës publike fitohet vetëm pas akumulimit të autoritetit përmes punës shkencore apo artistike, të tillë çfarë vlerësohet si meritore në bazë të kritereve të fushave të specializuara të krijimtarisë intelektuale, që në kushtet ideale, kanë një shkallë të caktuar autonomie dhe distance nga fusha politike dhe ajo ekonomike. Në qoftë se marrim për bazë përkufizimin elementar të intelektualit të angazhuar publik, të tillë çfarë e ka dhënë Sartre-i: si person i cili merr përsipër përgjegjësinë e marrjes së qëndrimeve publike me karakter politik, por pa hequr dorë tërësisht nga aktiviteti artistik (p.sh. letërsia) apo shkencor (p.sh. hulumtimi), atëherë shohim se si analisti i sotëm është i liruar tërësisht nga barra e dëshmisë së punës intelektuale karshi një audience të specializuar specialistesh (atë të kritikëve të krijimtarisë artistike apo të komunitetit shkencor). Në vend të kësaj, kemi një proces në dukje mistik, që analistit i lejon pozicionimin si intelektual, por jo në mënyrën e mundimshme të ngritjes në hierarkinë e gradave të sanksionuara nga sistemi arsimor, pasi që analisti arrin deri te marrja legjitime e fjalës publike duke anashkaluar autoritetin e sistemit të lartë arsimor (gjithsesi jo në plotësi, meqë edhe analisti ndjen nevojën e legjitimimit të diskursit të tij duke u mbështetur në grada universitare). Bazament i këtij ndryshimi historik nuk është ndonjë aftësi e veçantë personale e analistit, por oportunitet e krijuara si pasojë e ndryshimeve të thella në strukturën e institucioneve mediale (me thyerjen e monopolit shtetëror mbi prodhimin medial dhe formimin e tregut mediatik) dhe në delegjitimimin e prodhimtarisë intelektuale për shkak të implikimit të një pjese të madhe të saj me regjimin e vjetër. Në vend të punës për prodhimin e njohurisë shkencore (çfarë mund të jetë puna e shkenctarit), apo e krijimtarisë artistike (sikur e shkrimtarit apo artistit), apo të informatës (siç është puna e gazetarit), aktiviteti i analistit përqendrohet në radhë të parë në polemikën, pra, në ruajtjen e një qëndrimi polemizues karshi ngjarjeve politike, të çfarëdo natyre qofshin ato.

Karshi intelektualit që pretendon dije të specializuar, dhe i cili mund të mobilizojë në mbështetje të aktivitetit polemizues autoritetin shkencor, analisti pretendon një pozicion monopolizues të njohurisë specifikisht politike, e cila, sipas rregullave të fushës gazetareske, ka të bëjë kryesisht me posedimin e kapitalit informacional, të njohjes së zhvillimeve më të fundit në qarqet politike, sidomos ngjarjet e “mbrapa skenës”, të cilat analisti, përkundrejt gazetarit, gëzon legjitimitetin e transmetimit. Mirëpo, analisti nuk mund t’i ikë raportit të dominuar që ai ka karshi fushës intelektuale, pasi që bazë e gjykimeve të ngjarjeve politike dhe tentativës për të ndërhyrë në debatin politik të momentit (qoftë ai dënimi i “korrupsionit” apo denoncimi i një akti politik si të kundërt ndaj “vlerave demokratike”), janë gjithmonë kutet morale dhe ideologjike të përvetësuara  nga fusha intelektuale, me të cilën analisti gjithnjë ruan një raport të zhdrejtë.

Politikani pa portofol

Mirëpo analisti në radhë të parë synon një rol politik, edhe pse pa interes të drejtpërdrejtë politik, që e bën analistin një fetishist të politikës. Por nga aspekti social, pozicioni dukshmërisht kontradiktor i analistit, ai që gjendet, në dukje, edhe brenda edhe jashtë politikës, që është kritik ndaj politikës por gjithmonë i afërt me institucionet dhe, jo rrallë edhe me protagonistët e fushës politike, e shndërron veprimtarinë e analistit në një politikë surrogate dhe vetë analistin në një politikan surrogat – diçka që, figurativisht, mund të quhet politikan pa portofol. Kështu, raporti që analisti ka me politikën është në disa pikëpamje analogjike me atë që artisti ka në fushën artistike dhe parimeve të veprimtarisë në kuadër të saj. Në fushën artistike konsiderohet si një artist “puro” ai që krijimtarinë e tij nuk e bën direkt për tregun, por në frymën e l’art pour l’art (artit për hir të artit), ku parimet vlerësuese i vendosin artistët e tjerë dhe kritikët e artit dhe jo shija e publikut të gjerë apo vlera komerciale e veprave.[4] Në një situatë të ngjashme gjendet edhe analisti, në raport me fushën politike. Veprimtaria e analistit ka si parim themelor një ideal të politikës që bëhet për hir të vetë politikës, kuptohet të reduktuar në një aktivitet polemizues, një “debati” të përhershëm dhe të papërfunduar pasi është ndërtuar mbi premisa që kërkojnë që ai të jetë i papërfunduar, një dramë e përhershme ku zhvillimet në dukje çojnë gjithmonë në përsëritjen e dramës (në këtë frymë mund të kuptohet dukuria e zakonshme e shpjegimit të realitetit post-socialist shqiptar si të një “tranzicioni” të pa fund).

Nga pozicioni social, thellimi i analistit brenda strukturave politike, pa pjesëmarrje zyrtare në to, e bën atë komplicit në mirëmbajtjen dhe kyç në legjitimimin e tyre. Në esencë, analisti nuk ka si objekt analizën në kuptimin e zbërthimit të gjendjes politike, të zbulimit të relacioneve reale politike dhe të interesave shoqërore që shprehen në fushën politike (diçka që, paradoksalisht, imponon një shkëputje nga rrjedhat e fushës politikës), por ai ka analizën si mjet për arritjen e efekteve imediate politike. Kështu, roli i pretenduar si kritik dhe denoncues i politikës (p.sh. denoncuesit të “korrupsionit” të zyrtarëve dhe politikanëve të caktuar, i skandaleve të ndryshme, i kundërshtimit ose përshëndetjes së masave të caktuara etj.) përbën metodën përmes së cilës analisti synon në radhë të parë legjitimitetin publik për veprimtarinë e tij si veprimtari që bëhet për publikun dhe në emër të tij, me analistin si përfaqësues të publikut. Për më tepër, analisti synon, përkundër pretencës për njohuri mbi mesatare për ngjarjet e ditës në politikë, kultivimin e imazhit të tij si një “qytetar i zakonshëm”. Kjo strategji e prezantimit të vetes (Goffman 1959) arrihet kryesisht përmes formave gjuhësore që nxjerr në përdorim analisti, pra me denoncimet dhe sulmet që kryen ai kundër politikës, jo rrallë duke përdorur një “gjuhë popullore”, me një fjalë, duke denoncuar apo aplauduar politikën në mënyrën që atë do ta bënte ky i ashtuquajtur “qytetar i zakonshëm” i fantazisë ideologjike të analistit (dosido një konstrukt kulturor dhe jo krejt personal i analistit). Sigurisht se rreth formave të prezantimit të vetes, ekziston një rivalitet në mes të analistëve, kush duke e përfaqësuar veten në rangun e “ekspertit” (p.sh. ata analistë të lidhur me institute të ndryshme studimore, të cilat jo rrallë i udhëheqin vetë), kush të “intelektualit të pavarur” (analistit që vepron si një “free agent”, pa lidhje me një institucion të caktuar), kush në rangun e “njeriut popullor” (njerëz që për t’u diferencuar nga “elitistët” dhe për të maskuar pjesëmarrjen e tyre brenda elitës, theksojnë origjinën e tyre të ulët sociale, biografinë e përndjekjeve të mëhershme etj.).

Zëdhënës apo zëvendës i publikut?

Çdo analist ndërton identitetin e vet personal dhe profesional në kundërshti me imazhin e “qytetarit indiferent”, ndërsa në këtë mënyrë analisti projekton premisat sociale dhe ideologjike të rrethit të tij social (analistë të tjerë, gazetarët, politikanët etj.) mbi gjithë shoqërinë, duke ndërtuar dhe imponuar përmes vetë formës së diskursit të tij idealin e qytetarit kritik, të qytetarit publik, që është përherë në mbikëqyrje të veprimtarisë së shtetit dhe i njohur me problemet e shoqërisë. Analisti kështu, në njëfarë mënyre, imponon veten si qytetarin ideal dhe gjuhën e tij si gjuhë ideale politike, por përmes kësaj ai siguron se do të ngelen jashtë debatit ato segmente të shoqërisë, që kanë interesa reale në vendimet e caktuara politike, por që nuk i njohin finesat e diskursit dominant politik ashtu siç i njeh analisti, pra nuk kanë “licencë” të duhur për t’u përfshirë në debat (nuk kanë njohje të mjaftueshme të ngjarjeve politike, janë më të dobët në zotërimin e gjuhës etj.). Në të njëjtën kohë, duke ruajtur një distancë nga segmentet dhe klasat shoqërore me interesa të caktuara, dhe duke e paraqitur vetën si një individ krijues (ngjashëm me një artist apo krijues intelektual), analisti afirmon pozicionin e tij si një pozicion etik dhe mbipolitik. Mirëpo, pikërisht përmes refuzimit të kategorizimit të tij politik (që nuk duhet medoemos të jetë një pozicionim partiak), analisti arrin dhe efektin më të madh politik, arrin që diskursin e tij ta paraqesë si një diskurs të pastër moral, të pa-ideologjizuar dhe të pangarkuar politikisht, një gjuhë të pastër “vlerësuese” dhe “gjykuese”. Dhe përmes pretendimit se gjuha e tij është një gjuhë neutrale e vlerësimit dhe denoncimit, analisti krijon dhe atë iluzion të nevojshëm për ta kultivuar imazhin si përfaqësues i zërit publik. Mirëpo zëri i analistit është një zë paradoksal, pasi që ai bëhet në emër të publikut, përderisa vetë analisti distancohet nga publiku dhe nga cilido sektor i organizuar shoqëror që ka interesa reale të përfaqësimit politik (p.sh. sindikatat, grupet ambientaliste, shoqatat e pronarëve apo të biznesit etj.). Me një akt të këtillë, analisti vazhdon ta kultivojë imazhin e një vëzhguesi mbi-politik, përderisa ky imazh përforcohet edhe si ego-imazh (apo ego-ideal në terminologjinë freud-iane) që i reflektohet nga roli që ai thirret ta luajë nga mediat – pra pikërisht rolin e “analistit të pavarur”, që vëzhgon politikën i pa lidhur me asnjë forcë shoqërore. Kështu, analisti i bindet ideologjisë dominante mbi rolin e tij, e nuk e sheh se ky rol është në fakt efekt i strukturës, të cilës i takon vetë. Përkitazi me rolet, sociologët e dinë se roli nuk është rezultat thjesht i një vetë-zgjedhjeje apo voluntarizmi të pastër, por marrje përsipër e një detyre të ngarkuar nga të tjerët, dhe veprimtaria e së cilës sanksionohet dhe legjitimohet përmes thirrjeve në një të drejtë (jo medoemos në formë legjislative) të dhënë nga kolektivi. Siç e ilustron rrëfimi legjendar i Pascal-it, mbreti nuk sundon sepse është i dërguari i Zotit, ai sundon sepse të sunduarit besojnë se mbreti është i dërguari i Zotit, pra, ajo që paraqitet si mandat nga Zoti është në realitet mandat nga të sunduarit për të qenë të sunduar. Roli i analistit mund të kuptohet në mënyrë analoge si një rol shoqëror, pra një rol i sanksionuar nga kolektivi (ndonëse kryesisht ai i ngushti medial dhe jo nga “publiku” në kuptimin e gjerë të fjalës), rol të cilin personi i analistit ftohet për ta ekzekutuar sipas një ideal-ego-je të caktuar (të ideologjisë dominante mbi atë se çfarë duhet të bëjë një analist, të analistëve që merren si shembuj për formimin e rolit etj.). Roli, kështu, i paraprin në kohë aftësive dhe njohurive personale të analistit, në të njëjtën kohë duke ia kushtëzuar ato.

Në konfiguracionin e sotëm institucional, në gjendjen e sotme “strategjike” në mes të fushave përmes së cilave kryhet dominimi (institucionet politike, ekonomia, mediat, të gjitha të lidhura në një qark gjithnjë e më të konsoliduar), në të cilin ekziston një ndërvarësi e thellë në mes të politikës dhe mediave, dhe si rrjedhojë e ekonomisë dhe politikës, roli i analistit sot është shndërruar në rol kyç për racionalizimin dhe përligjen e dominancës të strukturave politike, të legjitimimit të vendimeve të caktuara politike, të arsyetimit të përjashtimeve (shpesh të padiktueshme) që bëhen në fushën politike dhe në procesin e vendimmarrjes në politikë. Analisti, që asnjëherë nuk konteston rolin që ka në riprodhimin e strukturave dhe të diskursit dominant (diskursit të prodhuar nga po ata që analisti synon të distancohet dhe t’i kritikojë, por nga i cili mbetet përherë në varësi), shërben jo si zëdhënës i publikut, por si zëvendës i tij. Në vend të të qenit zëdhënës i publikut karshi pushtetit, analisti në realitet funksionon si zëdhënës i pushtetit karshi publikut, pasi zëri i tij përbën mbytjen e zërit publik, mbytjen e një debati të vërtetë ku vlerë parësore ka zëri i një qytetari anonim (“të zakonshëm”, siç cilësohet në gjuhën gazetareske) dhe jo ai i një personazhi publik me detyrën e moralizimit të politikës.

Po përse analisti është, në njëfarë mënyrë, zëdhënës i pushtetit? Meqë ka kohë që politika jonë është “de-ideologjizuar” (p.sh. politikanët nuk merren dhe nuk botojnë trakte politike, pushtetarët nuk ndjejnë obligimin e shpjegimit dhe përligjjes së vendimeve të tyre para publikut, programet politike të partive nuk vlejnë si pika reference në vendimet politike, instancat ndërkombëtare, që caktojnë kahet e politikave kryesore shtetërore, trumbetojnë një ideologji në dukje të pastër teknokratike etj.), këtë mangësi të fushës politike e mbush analisti, i cili përmes diskursit të tij mbush boshllëqet ideologjike që mbetën nga veprimtaria politike e pushtetit. Këtë analisti e arrin përmes pjesëmarrjes në ushtrimin e një “diktature të aktualitetit”, ku një ngjarje politike është e rëndësishme jo për shkak të peshës reale shoqërore që ka, por për shkak të rëndësisë që asaj i jep komuniteti auto-referencial i organizatave mediale, i centralizuar siç është në hapësirën gjeografike (duke qenë tërësisht i përqendruar në kryeqytet), por edhe në hapësirën sociale (duke qenë i afërt dhe duke kultivuar marrëdhënie me strukturat politike që pretendon t’i vëzhgojë në mënyrë kritike, duke qenë i hapur për lëvizje kuadrosh nga një organizatë mediale në tjetrën, por edhe nga organizatat mediale në politikë dhe anasjelltas). Analisti që devijon nga kjo normë e fetishizimit të ngjarjes më të re politike dhe nuk pranon t’i nënshtrohet mendimit të tufës (group think) që ai detyron, sanksionohet nga vetë bashkësia mediale, në radhë të parë duke u përjashtuar nga privilegji i fjalës publike që ajo ia jep. Në të njëjtën kohë, kjo formë disiplinimi shoqëror siguron që “zëri heretik”, ai që mund të marrë analisti karshi zhvillimeve të caktuara, mbetet gjithmonë i parashikueshëm (dhe deri diku i kontrollueshëm), duke e lënë atë të veprojë si një zëvendësim për herezinë e vërtetë politike, atë që Agamben (2005) do ta quante një akt të vërtetë politik.

 
Fig. 1. Skema e dikotomive themelore që organizojnë diskursin e analistit. Kjo skemë dikotomish bëhet efikase kur i mbivendoset një kahjeje imagjinare kohore që duhet ta ketë “tranzicioni” i Shqipërisë, ndërsa ky tranzicion përshkruhet nga analistët të ketë ngecur në një pikë të palëvizshme, ashtu që skema ekzistuese e dikotomive bëhet përherë valide dhe asnjëherë e tejkalueshme.

Struktura formale e diskursit të analistit

Diskursi standard që vihet në përdorim nga analistët ndërtohet mbi një sërë dikotomish përjashtuese me një efikasitet të fuqishëm simbolik (shih fig. 1). Siç dëshmon Sulstarova (2006), këto dikotomi kanë një histori të gjatë në diskursin politik dhe kulturor shqiptar, gjë që shpjegon edhe qëndrueshmërinë e tyre dhe forcën retorike që ato kanë edhe sot (dhe duke qenë në radhë të parë një retoricien, analisti duhet të mobilizojë mjetet retorike që prodhojnë efektet më të fuqishme te lexuesi – prandaj dhe dikotomizimi i ekstremeve është një strategji normale). Ndërkaq, termi që mbulon në formë gjithpërfshirëse gjithë periudhën historike nga përmbysja e regjimit komunist është ai i “tranzicionit”, një tranzicion që ka një fillim, por fundi i të cilit duket pothuaj përherë i paarritshëm. Pikërisht për këtë arsye tranzicioni duket gjithmonë të ketë ngecur në një pikë (përkundër kalimit të kohës), ngecje që shënohen nga kriza apo skandali i radhës që ka mbërthyer skenën politike. Në këtë mënyrë, ngelja e realitetit politik midis dy pikave të pabashkueshme i jep efikasitet simbolik skemave dikotomike, pasi që efekti simbolik i shënjuesve është më i fuqishmi kur ato ngelin në nivelin e dëshirës, e aspiratës, e jo në shënjimin e një realiteti konkret. Siç thotë Lacan, paradoksi i dëshirës është se synon jo arritjen e një objekti, por reprodukimin e vetes – pra objekti i dëshirës duhet, në një mënyrë, të jetë i paarritshëm. Rrjedhimisht, sikur Shqipëria vërtetë të bëhej perëndimore, kosmopolitane, moderne, “evropiane” etj., nuk do t’i ngelej asnjë aspiratë, asnjë raison d’être. Logjika e dëshirës është mekanizmi tjetër që siguron efikasitetin e strukturës së dikotomive të përshkruara më sipër – ato, në ekzistencën e tyre diskursive, përbëjnë domosdoshmërisht një ecje në rreth, të domosdoshme, sepse mundësojnë shmangien e një krize ekzistencialiste në të cilën do ta hidhte gjithë shoqërinë.

Në të njëjtën kohë, për analistin, pika e referencës nuk është realiteti i vërtetë social, por një model ideal i sistemit politik që ai ka parasysh, që po të ndiqej me përpikmëri nga aktorët politikë, nuk do të prodhonte fërkimet e vazhdueshme që vëzhgohen në fushën politike. Edhe ky sistem ideal politik, nuk është ndonjë model i caktuar teorik që ka parasysh analisti (një koncept i artikuluar mbi demokracinë liberale etj.), por zakonisht mbështetet mbi thirrjet që kanë për referencë Perëndimin, atje ku të krijohet përshtypja se as muti s’ka erë, meqë gjithçka funksionon sipas parashikimit, sipas planit dhe kontrollit të përkryer që ushtron pushteti mbi shoqërinë dhe anasjelltas. Kjo thirrje “në Perëndimin”, apo thënë më saktë, “në Tjetrin”, është veçse një zëvendësim për vlerësimin e vërtetë kritik të situatës, duke ilustruar se ajo që plasohet nëpër media nën firmën e “analizës” është, në radhë të parë, një konstrukt formulaik. Kjo formulë në instancë të fundit mbështetet mbi justifikimin, e ndërtuar më shumë mbi një fantazi ideologjike sesa në një njohje empirike, se “atje [pra, në Perëndim] nuk bëhet kështu” dhe kjo shërben si argumenti përfundimtar se ngjarjet apo praktikat në Shqipëri kanë trajtë të papranueshme.

Në anën tjetër, papërmirësueshmëria e pushtetit, skandalet dhe abuzimet që vëren analisti, nuk merren si probleme politike, por si çështje që kërkojnë racionalizime dhe interpretime të një rendi tjetër. Dhe në këto raste problemet zakonisht paraqiten si probleme me burime kulturore (shih figurën 2). Momenti i kalimit në rrafshin e shpjegimeve kulturore përbën edhe fundin e “analizës politike”, ngaqë rrafshi kulturor, i papërcaktueshëm dhe amorf nga pikëpamja teorike, i konstituuar nga një pseudo-antropologji mbi esencën e “qenies shqiptare” (“identitetit” në gjuhën e diskursit dominant), shërben si një repertor që përmban instrumente që mund të vihen në përdorim për të shpjeguar çdo dukuri (shih figurën 2). Nuk është çudi atëherë që denoncimi më i fuqishëm i politikës është pikërisht denoncimi kulturor, denoncim i një kulture që besohet ta ngërthejë politikën dhe të jetë elementi përbërës themelor i saj. Në një perversion të çuditshëm të marksizmit ortodoks, në të cilën ekonomia përbën strukturën mbi të cilën ndërtohet superstruktura e institucioneve politike, analisti kulturor sheh të keqen tek struktura kulturore, e cila shihet si përgjegjëse për prodhimin e imperfeksioneve në superstrukturën politike. Si pasojë, edhe debatet më të ashpra lidhen pikërisht me problematikën e kulturës (si nocion i gjerë), e arritur kjo përmes abstraktimit të kulturës si një entitet i veçantë nga politika, thuajse kemi të bëjmë me dy objekte të ndryshme, e jo një dallim historik në mes të instancave ose fushave të ndryshme, dallimi në mes të cilave është vetvetiu një produkt historik i pushtetit (‘pouvoir’ në kuptimin Foucault-ian të termit). Dhe kjo është arsyeja pse debatet kulturore shpesh arrijnë në pikën e ripërtëritjes së modeleve totalitare të mendimit, me gjithë kontradiktat e tyre – politika e keqe është produkt i kulturës së keqe, e për ndreqjen e kulturës së keqe kërkohet intervenimi politik. Qarku ideologjik kështu i afrohet strukturës formale të fashizmit, i cili kërkon një sundimtar të fortë për të ardhur dhe me vullnetin e tij të çeliktë të kthejë gjërat në vend të vet.

 
Fig. 2. Raporti standard kauzal që shfaqet në diskursin e analistit. Ky raport bazohet mbi ndarjen klasike platonike të rrafshit të shfaqjeve (fenomenon) dhe atij të shkaqeve (noumenon), që në diskursin e analistit merren si të barasvlershme me rrafshin e kulturës dhe të politikës. Në këtë konceptim, që përbën premisën e gjysmë të vetëdijshme apo edhe të pavetëdijshme teorike mbi të cilën ndërtohet diskursi i analistit, kultura funksionon si një substrat mbi të cilën ndërtohet ngrehina politike, prandaj edhe shkaqet fundamentale gjithmonë i përkasin rrafshit të kulturës. Në të njëjtën kohë, edhe forca e denoncimit ndjek në drejtim të kundërt vijën e kauzalitetit – sa më të thella shkaqet, aq më i fuqishëm është denoncimi që analisti ia bën situatës. Për ta siguruar forcën e denoncimit, denoncimet kulturore shpesh ndiqen edhe me përfshirjen e vetë analistit në denoncim (“ne jemi të këtillë”, “ne nuk meritojmë më mirë” etj.), ku analisti nuk ngurron që në emër të saktësisë dhe gjithpërfshirësisë së “analizës” të shpreh edhe vetë-urrejtje.

Diskursi histerik dhe kërkesa e Tjetrit

Pozicioni ortodoks – dhe, si pasojë, konservator – i cili adopton analisti i imponohet atij, nganjëherë pavarësisht dëshirave të tij. Analisti, si çdo autor tjetër, nuk e thotë “atë që dëshiron”, apo në një rrafsh ku dëshira e tij realizohet në mënyrë krejtësisht karteziane dhe autonome. Diskursi i analistit nuk ka referenca arbitrare dhe krejt subjektive por objektive dhe ndërsubjektive, ai i referohet një “realiteti politik” jashtë vetës së tij, realitet i cili vihet para interpretimit të analistit dhe që ai i jep kuptim përmes aktit interpretues. Dhe këtë interpretim ai ia ofron një lexuesi ose dëgjuesi, një konsumatori të veprës së tij. E kjo domethënë se analisti gjithmonë shkruan për kënaqësinë e një Tjetri, simpatinë dhe pranimin e të cilit e synon, mbase edhe në mënyrë të pavetëdijshme. Diskursi i analistit kështu i ngjan diskursit të histerikut (siç e përkufizon atë Lacan), pasi që analisti, si histeriku, e ofron veten si objekt për kënaqësinë e Tjetrit, apo më saktë, e ofron diskursin e tij si objekt për kënaqësinë e Tjetrit. Në diskursin e tij ai projekton Tjetrin, lexuesin dhe konsumatorin e produktit ideologjik të tij, nevojën për dije politike të të cilit ai do ta plotësojë me diskursin e tij. Siç argumenton Fink (1995), një veçori e neurozës sipas interpretimit lacanian është pikërisht ajo se neurotiku ngatërron dëshirën e Tjetrit me kërkesën e tij. Analisti kështu nuk shkruan e thotë “atë që dëshiron”, por, paradoksalisht, atë që Tjetri kërkon nga ai (pikërisht sikur në formulën Lacaniane a <> /A, objekti [a] që jepet si pasojë e kërkesës së Tjetrit [A/], në formën se si histeriku i nënshtrohet Tjetrit). Siç shkruan Zizek: “përkitazi me çdo ‘luajtje të rolit’, pyetja është: për kë subjekti po e luan këtë rol? Soditja e cilit merret parasysh kur subjekti identifikon vetën me një imazh? Kjo zbrazëti midis mënyrës që unë shoh vetën dhe pika nga e cila shikohem për të qenë i pëlqyeshëm për veten është kyçe për kuptimin e histerisë” (1989:106). Dëshira e analistit kështu është që vetën ta shoh si të pëlqyeshëm nga lexuesi/dëgjuesi, i cili në esencë mbetët një konstrukt i fantazisë së analistit dhe jo një person konkret empirik.

Dhe pikërisht përmes konstruktimit të këtij konsumatori si një subjekt të padijshëm, atë figurë stereotipike injorante dhe të pashije që duhet të përfaqësojë “popullin” (kuptohet, shënjuesi “popull” gjithmonë përdorët për të aluduar në shtresat më të ulëta shoqërore), analisti mbron vetën nga paraqitja e vetes si i dalë nga normat e përgjithshme politike, ato norma të cilat garantohen nga ekzistenca e po këtij Tjetri (që është Tjetri i Madh, që Lacani e simbolizon me shënjuesin e fallusit [?], si garantues i kuptimit gjuhësor dhe i rendit simbolik). Ky Tjetri i padijshëm, i pashije dhe konservator i fantazisë ideologjike të analistit (përfaqësuesi i “popullit”, konsumator i produktit ideologjik të analistit) kështu paradoksalisht ia imponon analistit kufijtë e gjuhës së tij, sepse analisti, për të arritur efektin e dëshiruar retorik, pohon qëndrimin e tij në pritje të reagimeve të Tjetrit, duke i paramenduar dhe llogaritur ato reagime paraprakisht në regjistrin e tij imagjinar. Gjuha e analistit kështu kufizohet nga Tjetri, me një fjalë, Tjetri ia imponon kufijtë e diskursit, normat e saj të patejkalueshme, norma që në vetvete bëhen të padiskutueshme. Ndërkaq, këto norma përcaktojnë kufijtë e diskursit analitik mbi politikën, apo, nëse mbështetemi në terminologjinë e Bourdieu-s, doksën e saj klasifikuese – pozicionet ortodokse dhe heterodokse në fushën politike, pozicionet konservatore dhe heretike, një diskurs i mbyllur ku intervenimet nga jashtë janë cenuese dhe të papranueshme.

Larg të qenit një autor origjinal, vetë kushtet e pjesëmarrjes në aktivitetin që ai bën e detyrojnë analistin që të jetë i varur nga strukturat dominante diskursive dhe kategoritë formale të mendimit që imponojnë ato, sepse ai i përdor ato në konstruktimin e diskursit të tij, e siç dihet, kategoritë dhe konceptet e mendimit (siç janë ato të pashmangshmet e kohës sonë, p.sh. “demokracia”, “korrupsioni”, “Evropa” etj.) nuk janë struktura neutrale gjuhësore, ato mendojnë të menduarën për subjektin, apo, thënë më shkurt, ato ia sigurojnë subjektit rehatinë e konformizmit dhe të mosmenduarit. Me përdorimin e lirshëm të kategorive dominante nga analisti, kategori që merren si të mirëqena, të natyrshme dhe transparente, lexuesi ftohet për të marrë pjesë në një ritual ku do të konfirmojë paragjykimet e veta mbi ndodhitë dhe kahjen e gjërave dhe viktimizimin e pashmangshëm që ato prodhojnë. Dhe pikërisht këtu qëndron konservatorizmi radikal i analistit – jo te diskursi i manifestuar i tij, te përmbajtja formale e tij (qëndrimet politike që merr etj.), por në riprodhimin jokritik të kategorive të mendimit që janë produkte të vetë strukturave të pushtetit. Analisti, ai që paraqitet në rolin e kritikut më të madh të pushtetit, kështu paradoksalisht bëhet operatori më efikas i hegjemonisë së tij.

Bibliografia

Agamben, Giorgio. 2005. State of Exception. Chicago: University of Chicago Press.

Bourdieu, Pierre. 1984. Distinction: A Social Critique of the Judgment of Taste. Cambridge: Harvard University Press.

Bourdieu, Pierre. 1985. “The Genesis of the Concepts of Habitus and Field.” Sociocriticism, Vol. 2, Nr. 2, fq. 11-24.

Bourdieu, Pierre. 1993a. “Some Properties of Fields,” në Bourdieu, Sociology in Question. London: Sage Publications.

Bourdieu, Pierre. 1993b. The Field of Cultural Production. New York: Columbia University Press.

Bourdieu, Pierre. 2001. “Forms of Capital,” në Mark Granovetter dhe Richard Swedberg, editorë, The Sociology of Economic Life. Boulder: Westvieë Press.

Fink, Bruce. 1995. The Lacanian Subject. Princeton: Princeton University Press.

Goffman, Erving. 1959. The Presentation of Self in Everyday Life. Garden City, NY: Doubleday.

Sulstarova, Enis. 2006. Arratisje nga lindja: orientalizmi shqiptar nga Naimi te Kadare. Tiranë: Botimet Dudaj.

Zizek, Slavoj. 1989. The Sublime Object of Ideology. New York: Verso.


Shënime

[1] Përdorimi i termit “fushë” këtu bëhet sipas përkufizimit specifik që ia jep këtij termi Bourdieu. Çdo fushë ndërtohet në raport me një habitus të veçantë, ndërsa fushat përkufizohen nga një formë specifike e kapitalit të cilat mbartin, zakonisht në shkallë të pabarabarta, pjesëtarët e fushës. Fushat kështu organizohen rreth disa parimeve të caktuara, janë hierarkike dhe njëkohësisht kanë raporte të drejta ose të zhdrejta me fusha të tjera. Shih Bourdieu (1985) dhe Bourdieu (1993a)

[2] Për konceptin e kapitalit social dhe kapitalit kulturor (forma të veçanta që dallojnë nga forma klasike e kapitalit ekonomik), shih Bourdieu (2001) dhe Bourdieu (1984).

[3] Vlen të përkujtohet në këtë rast kuptimi burimor i fjalës “polemikë”, që rrjedh nga fjala e greqishtes së vjetër polemos, domethënia e së cilës është luftë. Analisti mund të kuptohet kështu si një figurë që është në luftë të përhershme me fushën politike, jo në kuptimin e luftës politike që bëjnë aktorët e fushës politike (ku lufta politike është mjet për qëllime të caktuara që ndjekin protagonistët e fushës politike), por ku lufta dhe konfrontimi është qëllim në vete.

[4] Për organizimin e fushës artistike shih studimin e Bourdieu (1993b).

53 Komente

po pra. tani i takon peshqve te bejne analizën e analizës të analizës së analistit. Por a mund te behet kjo pa e tejpolemizuar polemiken e polemizuar mes polemisteve poliedrik? Pa rolin e masave, a mundet qe ne kuader te inkuadrimit te skuadroneve te kuadrove te reja ne kuadrin e kesaj fushe; te ndergjegjesohen gjegjesisht pergjegjesit e paragjykuar mbi rolin e individualitetit te shfaqur prej individeve me prirje individualiste? A mund te shihet pertej kesaj optike opake me optimizem oportun? A mund te revizionohet ky vizion me nje vizite vizuale te devizës? Si mund te shprehemi shprehimisht shpresues dhe shterues te ketij apo atij argumenti qe rreket te faktoj kete apo ate dukuri, shkak-pasoje apo premisë?

Te presim...

 

ps. mos na i merrni seriozisht. Qëmtesa dukej prej verteti dhe duhet lexuar smiley

A mund te shihet pertej kesaj optike opake me optimizem oportun? A mund te revizionohet ky vizion me nje vizite vizuale te devizës? Si mund te shprehemi shprehimisht shpresues dhe shterues te ketij apo atij argumenti qe rreket te faktoj kete apo ate dukuri, shkak-pasoje apo premisë?

Te presim...

smiley

M'kenaq me keto ti. Ajo "te presim..." ne fund ka gjysmen e peshes ne gjithe c'ka ke shkruar me lart. smiley

S'e di e kishe pa dashje me qedhim apo jo, ose po nqs jo ne aparence dukese qe te viualizohet si jo por ne fakt me qellim qe te perceptohet deduksionalisht si po. lol Por dhe une kete pershtypje pata duke filluar te lexoj kete, pervec ca fjaleve si "etabluar" dhe "dokses" qe s'e di ca don me thene, pershtypja ishte... po thoja pse e kane kete mahni analisto-meta-analistet tane analitikues qe ti komplikojne gjerat me teper se duhet ne shprehje dhe formulim, duke perdorur terma gjarperoro-madheshtore qe pervec inflacionit dhe fryrjes si tullumbacet qe shkaktuan krizen ketej (ose "bole" sic tha Lubonja ne nje emision duke perdorur termin italisht lol) e bejne te veshtire leximin e shkrimit? :think:

Ate devizen "make things as simple as possible, but not simpler" keta e kane kthyer tuc me duket. Mbase qe ti shkoje gjaku ne tru?

Mgjths perderisa s'me terhoqi ta lexoj, terhiqem dhe une ke pozicioni jot i bunkerit qe, dro ja vlen fort me e lexue dhe diskutue. Mbase na thone peshqit ca donte me thue autori dhe vijojme. Nderkohe, keni kohe qe e keni lene afterdore temen e bejteve, si ti, si soli (qe s'do vonoje te replikoje) si te tjeret. Te pakten beni nja dy bejte per Ruzhdijen, qe te mos na ike ky eveniment socialpolitikokulturoropeshkgjitheperfshires pa u bejtecelebruar.

Excellent! Shkelqyeshem!!! Nje nga analizat e tua me te sakta. Nje nga analizat me te mira, ne mos me e mira, qe kam lexuar ne shqip nga autore/studiese shqiptare.

Sapo pashe ne TV nje dyshe filozofesh, balle per balle, superbe !

PETER SLOTERDIJK - BERNARD-HENRI LEVI

I pari eshte nder filozofet me te medhenj sot. Mbahet si pasuesi i Heideggerit.

Doli biseda tek shoku yne Tili, te pagezuar keshtu nga Hurbinek. Behet fjale per Alain Badiou. Dhe thane : ky Tili, eshte shume i zgjuar, nje filozof goxha i mprehte, por halli se ka nje kleçke te vockel : NUK SHERBEN PER ASGJE. Teper interesante si kendveshtrim.

_______

Do ta lexoj nje dite tjeter artikullin, meqe shihet se paske kaluar goxha pune ne te. Dua ta pergezoj paraprakisht per mundin.

Me lejo, te lutem, nje verejtje te vockel :

Po shoh gjithnje e me shume nje gjuhe tejet te ngarkuar dhe krejt jashte orbites. Kam pershtypjen se jeni duke notuar ne nje lloj filozofie qe perdor nje gjuhe goxha te koklavitur (Zizek, Badiou, etj.).

Pashe ca terma perciptas, jane shume te rende dhe qe nuk japin kurrfare mesazhi, sepse me duket eshte menduar per nje publik te ngushte, dmth mes veti.

Kam pershtypjen se shqipja mund t'i jape te njejtat ide me fjale disi me te zhdervjellta. Nuk di perse kihet frike qe te flitet filozofi me fjale shqipe. Nje nder filozofet me te medhenj te botes, Heidegger, habitesh sa shqip flet ai. Sinqerisht, te behet sikur eshte ndonje druvar i katundit tek menca poshte udhes, duke ngrene nje sultjaç te harruar.

Po me degjove nje fjale, Sol, duhet filluar me nje lloj krasitje ne fjalor. Megjithate, nese te dalin llogarite keshtu, OK. Kurrgje kurrkujt.

Suksese.

sa per behashelin dhe sloterdijkun nuk kam asnje lloj respekti. perkundrazi, me duken sterhollues te kotesise.

Nuk bie dakord me kritiken per Badiou-ne qe qenka i zgjuar por i kote, sidomos i bere nga ca njerez qe s'jane as te zgjuar (sos te plote).

Ama bie dakord per ty qe shpeshhere shkrimet mund te vinin ne nje shqipe me te zhdervjellet, jam dakord edhe qe filozofia duhet t'i avitet shqipes. Por kete perpiqem ta bej ne shkrimet e mia, e shume pak, kur kam kohe per te redaktuar, ne shkrimet e te tjereve. Ndoshta shkaku eshte literatura qe kryesisht eshte ne gjuhe te tjera, rrahja e meparshme e disiplinave (dhe kjo fatkeqesisht ne gjuhe te tjera), si dhe arsimi jashte...

Gjithsesi, ky eshte nje fillim i perpjekjes per te rrahur filozofine, kritiken sociale e sociologjine ne shqip, nepermjet perkthimeve dhe leximeve, po edhe shkrimeve.

javash javash do benet shelegu dash (ishalla)

"sa per behashelin dhe sloterdijkun nuk kam asnje lloj respekti. perkundrazi, me duken sterhollues te kotesise."

Ah ky konflikti i vjeter mes brigjeve te Senes smiley !

Nderkohe qe gjuha e shkrimit s'm'u duk kaq larg shqipes. Me nja dy perjashtime te vockla fare, por s'e kuptoj ç'mund te thjeshtohej me tej !?

 

 

Roli i analistit eshte te polemizoje. Qe t'i jepet mundesia t'i degjohet zeri, analistit i duhet te jete pjese e sistemit (mediatik, politik, etc) keshtu qe nuk polemizon dot shume. Analistit e 'shet' produktin e punes se tij te publiku i cili barazohet me 'popullin e thjeshte' qe ka preferencat e veta dhe qe analisti nuk do t'i zhgenjeje se ndryshe nuk e 'ble' njeri.

Kjo ben qe analisti te beje nje vrime ne uje...

Gjuha akademike te nxjerr djerse kur e lexon...duke pasur parasysh qe autori do te hedhe drite mbi rolin e analistit, kjo gjuhe nuk e ndihmon pasi ata qe duhet t'a lexojne nuk do t'a marrin mundimin dhe ata qe do t'a lexojne, nuk kane nevoje per kete analize.

Ok, e kisha lene per sot meqe kisha me shume nge per te lexuar.

M'interesoi sidomos dallimi mes analistit dhe intektualit dhe zhvendosja e pesuar lidhur me rolet. Ne kete moment, kjo rryme mendimi franko-slloven me duket me e vemendshmja karshi zhvillimeve aktuale. Kam vetem nje problem: me duket sikur ia kane marre doren dhe Lacanin e shkrete e lexojne vetem permes autoreve te tjere. Dakort qe ka nevoje gjithnje per nje interpretues se perndryshe te qit mendsh Lacani, por te pakten ne nivele profesorale ndoshta kontakti edhe mund te ishte i drejtpersedrejte. Pa ndermjetesine e perhershme te Zhizhekut them.

p.s. Se mos harroj: shkrimi m'u duk i shkruar shume mire!

1. Nese lexon Zizekun s'i shpeton dot leximit qe Zizeku i ben Lacanit

2. Te jesh e sigurt qe Besniku e ka studiuar Lacanin edhe pa Zizek ne mes

smiley

Po natyrisht qe s'i shpeton dot se Zhizheku i shkrete e ka bere telef mjeshtrin. Tani, po te llogaritesh edhe qe Z. thote se e ka kuptuar Lacanin fale J-A Millerit, i bie qe te interpretojme per here te katert fare...

kur zizeku thote ate, ka nje kontekst ne mes, nuk dtth qe zizeku citon lacanin nepermjet millerit.

pastaj, kur flitet per interpretimin qe zizeku i ben lacanit, nuk flitet me per lacanin, po per zizekun. dhe zizeku eshte interesant ne ate cka sjell, ne menyren si e sjell. zizeku eshte multilinear ne te shprehur dhe ne ide, dhe patjeter origjinal, edhe kur i referohet te tjereve

Tani hajt ta gjej paragrafin tamam (po do ta gjej!), por Zhizheku thote qe pa Millerin si zor ta kuptonte Lacanin. S'ka fare per t'u habitur fundja sepse ne te gjitha botimet e Lacanit qe kam ne shtepi shkruhet "variant i vendosur nga J-A. Miller". S'e them per te kontestuar Zhizhekun, qe me pelqen shume, por s'mund te mos ve re se Zhizheku "s'e ka vrare ende babain", nderkohe qe i bie qe te tjeret "s'kane vrare ende gjyshin".

Vete kam kaluar nga Zhizheku te Lacani, keshtu qe s'kam goje te flas fundja...

kjo ideja e t vrames se babait nuk eshte fare lacaniane smiley

zizeku i perket nje grupi filozofesh qe sollen bashke logjiken kantiane me kritiken marksiste, dmth nje lloj vijimi i shkolles se frankfurtit. dhe zizeku, sa i perket psikoanalizes e pranon qe eshte lacanian dhe s ka ndermend te vrase babain.

kjo e vramja e babait eshte muhabet te djathtesh

eshte motiv freudian i dashur, eshte nje nga mitologjite themelore te "dokses" smiley freudiane ...

jo, jo, s'eshte muhabet te djathtesh

e njof e njof dhoksen e zygmundit, po e kam llafin qe s eshte lacaniane.

dhe zygmundi keq me vjen po ia ka futur kot. dmth. nje pjese e teorise se tij eshte pare e ripare, eshte kritikuar dhe eshte hedhur poshte. Psh "zilia per phallus", te vrasin feministet sot po ta ndegjojne.

Meqe po flasim per filozofer, Deleuze e fillon Kapitalizmin dhe Skizofrenine me fjalet: "Ate dite Njeriu-Ujk u cua prej divanit goxha i lodhur. E dinte qe Freudi kishte aftesi gjeniale per tu ferkuar me te verteten e per t'i kaluar perbri, duke e mbushur me pas boshllekun me asociime..."

perkthim i lire ky, te me falin puristet

 

"E dinte se Freudi shperfillte gjithçka kishte te bente me ujqerit, ashtu siç edhe me anuset fundja. Freudi kuptonte vetem çfare eshte nje qen dhe nje bisht qeni. Kjo nuk ishte e mjafte, nuk do te ishte e mjafte..." etc.

Po pra, po, po sillu e sillu dhe prape aty perfundojne...

sillu e sillu dhe prape aty perfundojne

po me hedh poshte materializmin dialektik me dy llafe smiley

dont do this to me

 Tongue Jo mo pse: asgje s'humbet, gjithçka shnderrohet ... s'te tingellon si e njohur?  Tongue 

eh po s'eshte aspak e njejta gje, se qy parimi i ruajtjes dhe konservimit e para eshte vene ne diskutim shqencerisht, e dyta nuk ka te beje me te ardhurit rrotull dhe me kthimin ne te njejten pike smiley

http://www.youtube.com/watch?v=8rAYZZMbOMg

he mo dhe ti se nje spekullim t'vogel deshnja te benja edhe une! smiley

ca po thot ky mo vlla...

po ky i ka bere lesh-e-li kto.

e kam shume te veshtire ti tundohem impulsit te shkruaj nanje gjeneralizim per gjithe bashkekombesit duke thene se ne shiptareve na pelqen qe nqs na jepet te studjojme dhe shkruaj nje raport mbi elefantin.. atehere ne e fillojme me dna-ne dhe strukturen molekulare te qimes se veshit.

"analize e shkelqyeshme" thot Self-Made-Radio por nuk e di se ca te shtoj me.

"m'u duk e shkruar mire", shkruan Finisterre, (mendjen tek "m'u duk", qe nenkupton "por nuk jam e sigurte nese eshte" si edhe nje te drejte te saj ta ri-vleresoj shkrimin, duke qene se vleresimi nuk "i duket" por "iu duk" (atehere kur e lexoi).

"Gjuha akademike te djersit", shkruan kjo tjetra.

Dhe mua me ben pershtypje, qysh eshte e mundur nje analize e analizes te jete "e shkelqyeshme" dhe "e shkruar mire", kur ajo "djersit lexuesin".. kur ajo nuk i lejon lexuesit mundesine te kuptoj asgje prej asaj qe eshte shkruar? Dhe me "mundesine per te kuptuar" kuptoj mundesine per ta bere kete analize pjese te dijes dhe vetedijes intelektuale te indivit dhe ky me pas te nxitet ne diskutim prej saj!?

Ruzhdija po thoshte diku se nuk i besohej qe ishte dakord me Hurbinekun.. Amin to that Ruzhdy.

neqofte se nuk e ke kuptuar s'ka problem.

Nuk eshte shkrim publicistik, por eshte pune akademike, autori ka shpenzuar kohe per te teharrur tezen e vet ne kete ese, dhe ka sjelle dhe referimet. Gjuha qe perdor eshte me se e pershtatshme per te thene ate cka synon te thote. Po natyrisht qe nuk eshte shkrim qe e lexojne te gjithe. Te tilla shkrime ama ke verdalle sa te duash, mos u lodh, nje klik te kushton

ne fakt, me duhet te them se nuk e lexova te gjithe shkrimin. mgjth ne aq sa lexova, nuk ishte thjesht problemi se nuk e kuptova. Pervec gjuhes se renduar konceptualisht, shkrimi nuk me bind ne arsyetimet e veta. shume gjera jepen si te dhena pa u tentatuar nje shpjegim edhe nje arsyetim i tyre. shume koncepte lidhen me nj-tj ne nje menyre qe jo vetem deshtojne te me bindin por c'eshte me keq, me krijohet nje dyshim se shkrimtari, ose me mire mendimtari, i lidh kto koncepte dhe sjell para argumentime ne nje menyre te pa-, ose te pak-paramenduar. Konsidero paragrafin me poshte.

"Në esencë, kuptimi i problemeve politike ka të bëjë me zbulimin e defekteve morale dhe kulturore i dalin në rrugë projektit (për çfarë besohet të ekzistojë një konsensus i përgjithshëm shoqëror) thërret në veprim fuqinë e shtetit të transformojë strukturat shoqërore pengojnë lëvizjen drejt arritjes së synimeve kolektive, synime zakonisht identifikohen nga terma jo gjithmonë përmbajtësorë, por me një efikasitet të jashtëzakonshëm simbolik (p.sh. “evropianizimi”, “demokratizimi”, “tranzicioni”, “integrimi”, “sundimi i ligjit” etj.)."

Shih "qe-te".

Deri ne kete pike te ligjerates eshte folur per shume koncepte dhe piktura e ndertuar ehste nje e ngjeshur konceptualisht. Atehere autori flet per problemet politike. Se per cfare problemesh e ka llafin, dhe se si kto probleme bashkohen me pikturen e ndertuar deri ne kete moment per te krijuar nje pikture me koherente, lexuesi nuk e di, sepse deri ne kete pike nuk eshte folur per to, eshte folur per shume gjera por problemet politike permenden per here te pare. Por menyra se si autori i referohet esences, se kuptimit, te problemeve politike, eshte sikur ai ka folur me siper krejt per kto probleme. Me pas hidhet tek zbulimi, i defekteve, kulturore, dhe morale (a eshte kjo nje liste 'exhaustive', dmth vetem kto dy lloj defetesh jane apo ka te tjere?)..

jane gjera si kto qe mua me krijojne boshlleqe. Refleksione te mundesive, te atyre qe jane e qe mund te jene. Mgjth, une do e printoj dhe do e lexoj kete shkrim me me kujdes. Jam i sigurte se ne te ka pjese te mprehta e ndricuese, por nuk shoh se si nje shkrim qe nuk e kuptojne, te mos jete i pa-kuptueshem.

twintip, qe-ja eshte lidhez, dhe mund te zevendesohej me nje lidhez tjeter, po nuk shoh se si predikati humbet logjiken e asaj cka do te percjelle per shkak te nenrendimit te pjeseve te vetes. Ti mund te thuash qe nuk tingellon mire, kjo ndoshta. Po argumenti s'ka te beje me te tingelluarit mire.

qe-ja ne kete rast nuk eshte thjesht nje lidhez, por nje nen-porte, ose nje dhome brenda nje dhome brenda nje dhome brenda nje dhome brenda nje dhome. ky labirint konceptual nuk ka se si te mos jete konfuzues per lexuesin. dmth qellimi, sic e kupoj une, eshte (ne kutimin 'duhet te jete') qe me pare se te hyhet ne nje nen-koncept tjeter, te sigurohemi se gjithcka qe eshte mbuluar deri ne kete pike formon nje kornize koherente ku te gjitha elementet brenda saj kane nje rol, nje arsye dhe nje vlere shpjeguese me vete dhe nje relacion me elementet e tjera brenda kornizes. te pakten une kshtu e kuptoj teorine, ose procesin e teorizimit, si nje mundim per te krijuar pikerisht kete modelin e kornizes dhe koherences se saj.

twintip, eshte thjesht nje lidhez, dhe ajo nendhoma, nenporta apo nenkoncepti qe thua ti eshte thjesht pjesa e nenrenditur e frazes. nje fraze eshte e perbere nga disa pjese, ca te gjata, ca te shkurtra...

Sol-Noc, nuk po i zgjatem me ksaj pikes. e mora si shembull per te shprehur koklavitjen e koncepteve ne pergjithesi gjate shkrimit. shpresoj ti rikthehem ne te ardhmen pasi te kem krijuar nje ide me te qarte ne lidhje me kete analizen.

si ka mundesi qe s'e kuptove... shaka kjo, po desha te thosha qe askush nuk kupton gjithcka, dhe asgje s'i drejtohet te gjitheve

@twin, qe te mos keqkuptohemi: mua me pelqeu!

p.s. U ankova vetem qe e kishte cituar Lacanin me rikoshete ...

po nuk i ben nder nje analize o Finis, duke thene se te pelqeu. une psh nese bej nje shkrim si ky mesiper dhe dikush me thot "me pelqeu", do rudh buzet edhe do kuptoj se shkrimi ka deshtuar. Une kshtu, nuk e di te tjere.

Po une s'mund t'i bej analize analizes mbi analistet o twin. Do t'ishte me te vertete e tepert.

Po te kisha perpara autorin ndoshta do te me vinte te diskutoja per autoret qe citon, do te interesohesha te dija c'mendonte per figura te tjera brenda shoqerise liberale, por vetem kaq... Sinqerisht s'di c'tjeter mund te behet ne raste te tilla...

po pikerisht Fin, kjo mos-dija jote se cfare tjeter mund te behet ne raste te tilla eshte atribute e analizes, jo e jotja. fakti eshte se ty te ka lene ne nje gjendje te tille qe ti s'di se cfare tjeter te thuash vecse "analize e mire", dhe kjo per mua do te perkthehej se analiza ka deshtuar, per mua theksoj. smiley

qofsh mire.

Ne rregull, le te ndahemi me idene qe kemi dy ide te ndryshme mbi ate se si duhet te shkruhen analizat dhe se çfare mund te presim prej tyre.

une nuk kam nje ide shume te qarte mbi menyren se si nje analize duhet te shkruhet, e mbi ate qe mund te presim prej tyre, por jam shume i sigurte se nuk mund te presim thjesht te na pelqejne.

Sol,

Te kam redaktuar ketu me poshte paragrafin e pare. E bera sa per te te thene se lexuesi duhet te lexoje sa me shqip e mundshme. Nese deshironi te lexoheni, atehere shkruani thjesht. Ide te medha, te nderlikuara, por te shkruara thjesht. Dhe kjo eshte e mundur. Por siç te thashe, me duket se kjo ka ardhur nga nje bombardim termash te papertypur mire.

_____________________

Profesioni i “analistit politik” ka zene vend mire tashme ne Shqiperi. Megjithate, mbetet per t'u themeluar ende kritika ideologjike dhe shoqerore e parakushteve mbi të cilat analistët i ndërtojnë analizat e tyre. Kjo analizë e analistëve, një analizë shoqerore kjo e veprimtarise së analistit që duhet të bëhet krahas analizës së perftimeve tyre ideologjike, përbën njëkohësisht bazën për ndërtimin e një kritike të ideologjisë, kritikën e kendveshtrimit mbizoterues mbi të cilin është ndërtuar sundimi i ri politik. Dhe në këtë gërshetim strukturash, analisti, zëri i të cilit paraqitet ne perparesi në komentimin e ngjarjeve politike, zë një vend të veçantë. Ky vend përkufizohet pikërisht nga nje mosqartesim i rolit te analistit në lidhje me fushën politike, atë gazetareske dhe atë intelektuale.[1] Analisti nuk është politikan, por ai merret me politikën. Analisti nuk është intelektual, por ai i miremban vetes nje imazh të tillë. Analisti e ngarkon veten me më pak punë se sa gazetari, por statusi i tij shoqeror është më i lartë se ai i gazetarit, dhe kjo ndonëse formalisht ata t'i përkasin së njëjtës fushë. Dhe analisti, edhe pse përpiqet te paraqesë zërin e një “qytetari të thjeshtë”, ai nuk është aspak i tillë. Vendi që gëzon analisti është rrjedhoje "privilegjesh" të grumbulluara shoqërore, sidomos rrjedhoje e një grumbullim te caktuar kapitali kulturor dhe shoqëror, privilegje keto ku nuk kane hyrje kategori të tëra shoqërore, dhe nuk eshte një vend shoqëror që ai e ze si rrjedhoje rrethanash apo rastesie.[2] Analisti flet “në emër të publikut” ose “për interesin e publikut” vetëm pasi të jetë arritur shkëputja e tij nga pervoja shoqerore e nje pjese te mire te publikut, pasi të jetë ngritur në rangun e një publicisti me të drejtë fjale, autoriteti i të cilit jepet nga instancat mbizoteruese të sferës publike (redaksitë, pronarët e mediave, etj.).

Faleminderit per perpjekjen. Ceshtja eshte, qe sic ta shpjegova, nuk kemi mundesi per te patur korrektor apo redaktor. Kur te krijohet kjo mundesi, do shqetesohemi. Tani per tani, mjaftohemi me kaq korrektese sa mund te ofroje redaktimi qe gjithsekush i ben vetvetes.

Or ti djale, se po me shpenzon postimet kot ketu :

A je kah m'merr vesh ça po t'them a hiç ? Nuk eshte çeshtje redaktimi fare. Eshte çeshtje mendimi, logjike, stili. Kete pune qe e bera une, duhet ta besh ti ne koken tende, qysh ne hedhjen e pare te fjaleve ne leter. E kam fjalen, kjo duhet te jete normalja jote e punes. Redaktimet dhe korigjimet pastaj, kjo eshte pune tjeter, keput nje presje andej e ngjeshja nje pike andej, keto jane fiskulture kineze pastaj.

E rendesishme eshte qe ti te fillosh te mendosh ne gjuhen shqipe, me fjale shqipe, dhe leximet qe iu ben filozofeve t'i perkthesh ne koken tende ne shqip. Nuk ke nevoje ti per "etablime" dhe "hegjemonira" (madje kete fjalen e fundit, thjesht ngaqe e ka perdorur Enver Hoxha pa friksion fare, s'duhet ta perdoresh me).

Kape nje problem, dhe nisja rrafsh, me fjale shqip. Ligjerimi ka logjiken e vet. Kur pohon diçka, ajo qe vjen me pas, ka keto mundesi :

- ose ke pohuar shume dhe fillon ta kufizosh ç'ke thene (dhe ketu rras fjalet : mirepo, por)

- ose ke pohuar pak dhe ka ende diçka shtese (nga ana tjeter, edhe pse, etj)

- ose mban te njejten gje, por njehere duke e leshuar lakun e njehere duke e terhequr (megjithate, sidoqofte, ndonese, pavaresisht, etj etj).

Dhe keshtu nderton nje diskutim e nje argumentim per popullin punetor dhe liridasesh.

Ai Alen Badiuuuuuja yt, kur shkruan ato qe shkruan, mos kujto se ka nje sekretare me kalorifer shpines qe ia korigjon shkrimet, ajo thjesht sheh ndonje pike ku nuk eshte ngulur mire. Ama fjalet dhe logjiken, s'ka pantallona t'ia preke ajo. Keshtu pra, po qe se do t'i ngjash atij, atehere meso ca nga ai.

_______________

Sa per Sloterdijk dhe beashelin, eh mire o mire. Badabumi yt eshte i kote se merret me gjera te kota. Ashtu ka vendosur ai, ashtu le te beje. Ka dale ne qoshe te odes dhe flet me kalimtaret tek dera, e nuk rri budallai andej nga rrethi i oxhakut e te flase me burra. A me kupton ? Ashtu ka vajtur puna e tij, mos u lodh tani ti te shpetosh Badabumin. Badabumi duke hequr te zite e ullirit per te shpetuar Markalecin, e ti duke hequr te zite e mullirit duke shpetuar Badabumin. Kaq te pashprese ju fisi juaj ? Mes vuajtjesh dhe sfilitjesh ju vajti jeta.

Ec me kendej te kam thene. Po te rrish ne rreth te shtratit, te iken jorgani dhe ftohesh. Rri ne mes te shtratit, fle si kallamoq gjithe naten. Hajt tungatjeta tani se s'kam me takat per me andej.

o vllaji jem, ruaji postimet per armikun.

po perpiqem te jem i sjellshem me ty ne komunikim.

se pari, kupto qe shkrimi nuk eshte i imi, por i dikujt qe po doktoron per sociologji. kur shkruaj une, eja e me fol per sintakse e per fjalor. sa per te tjeret, ja ku po ta them, qe ne terminologji ky shkrim eshte shume i mire. dhe eshte peer reviewed. ajo cka do t'i duhej do te qe nje lemim i shqipes hera heres.

se dyti, hegjemonine para se ta perdorte enveri e ka perdorur shumekush. rrafsh me fjale shqip as ty s te kam pare te kullandrisesh, o shoku kallamoq.

se treti, vazhdo fli si kallamoq, kujdes se mos shkermoqesh naten. dhe pi pak qumesht e ha ndonje veze, se mbase te kendellet takati

Ky togefjaleshi 'po doktoron per sociologji' nuk ka kuptim. Thuhet 'kandidat per doktorature ne sociologji'. Kam degjuar edhe termin 'doktoranture' po me duket gabuat ne mos qofsha i gabuar.

jo po te themi "po zbardh daktorratyren"

Hurbi ti mire thua, po kujt ja thua. smiley

Sol, puna eshte se shkrime si keto, qe jane te mbushura me xhingla-mingla gjuhesore si makinat e gabeleve ku s'i dallon dot as ca marke jane, ta bejne te veshtire leximin, me perjashtim per ndonje qellim parodie si ajo e fh me lart.

Permbajtja ne kete rast eshte pothuajse besides the point, se nuk behet fjale per thesare qe duhen zbuluar me cdo kusht, behet fjale per nje ese. Kjo tendence, sidomos kur eshte e qellimshme (vihej re shume nga gazetaret shqiptare para ca vitesh, tani ka permiresime ne kete pike, po jo ne mbushjen e eseve me metafora dhe citime te famshmish), dmth perdorimi i 'fjaleve te medha' dhe e berjes se vijes se mendimit gjarperore kur s'eshte fare e nevojshme, aq me pak funksionale, eshte ne fakt kunder vete qellimit te komunikimit.

Them 'tendence' kur behet fjale sidomos per terma te vecante qe autori fare mire mund ti zevendesoje me terma shqipe pa humbur kuptimin, po prap zgjedh ato te huaja, apo shartuara, dmth dava etabolim doksesh. Apo dhe kur arsyetimi shtjellohet ndonjehere i tille, i mbushur me fjale parazitore.

Gjithashtu fjalite e gjata jane nje ves i keq i te shkruarit ne shqip, ne krahasim me anglishten te pakten. Kur shkruajme shqip duket sikur perpiqemi te ngjeshim sa me shume gjera ne nje fjali, sikur i kemi me tallon fjalite (po dhe paragrafet) si komentet e Peshkut. Kete e ve re dhe tek vetja, s'e di nese ka te beje dicka me gjuhen shqipe apo zakone te ngelura/mesuara.

Dhe jo, doktorim si folje nuk qendron, mesa di une. Nuserim po qendron, jo doktorim. Student doktorature, ose po ben doktoraturen, etj po jo 'po doktoron'. Jo po prevalon, si Berisha. lol

"tendence"?! "Prirje" doje te thoshe besoj... smiley

Fini, e de u ckule se qeshuri ti. smiley

Nuk shquhem per aftesi te shprehuri shqipo-puritanisht, mgjths ne cdo gjuhe ka fjale te huaja ne fakt, keshtu qe kjo eshte graduale.

Po besoj e di qe e kisha fjalen jo per gabime te tilla po per perdorime te qellimshme te fjaleve jo-shqip dhe atyre 'te medha' dhe per ngaterime, berje te mendimit si shkurre.

 

Sol, mos me thuaj qe po e krahason veten ose kete autorin me Naimin. smiley

Mgjths replika te tilla jane kot sa per te anashkaluar argumentin, sidomos kur s'jemi dakort. lol

Nejse, rrofte revolucioni i shqipes; sa me e i veshtire te jete nje shkrim per tu lexuar dhe sa me shume fjale te huaja te kete, aq me i mencur i bie te jete ai, dhe autori. Kot nuk thone te gjithe prezantuesit e tv shqiptare 'lancime', 'startime' e leshmeqime. lol

Po jo mo Xhibi s'u çkula  Tongue

Puna eshte qe mbingarkimi i shqipes eshte i pashmangshem ne kete pike te zhvillimit te mendimit: duhet rifituar koha e humbur ne gjithe keto vite. Keshtu qe teorikisht ti ke te drejte, kurse praktikisht ky i pastrimit dhe i pasurimit eshte proces ende i hapur.

Mire, bjeri ti biem, qe te gjindet Kola n'pune dhe n'replika. lol

S'besoj se ishte aq e veshtire per tu kuptua c'thashe. Tani per te kapur argumentin e tjetrit nga bishti eshte kaq kollaj, cdo kush mund ta beje, me se miri peshqit, i.e. Sol me poshte me Naimin dhe leshtjerrjet. lol

Hurbi besoj dha nje shembull  te mire duke e marre ate paragrafin e pare te shkrimit dhe duke e shkruar 'me shqip' dhe vetem me ceshtje fjalesh, pa strukturuar mendimin.

Per me teper une s'e kisha vetem per kete ese, sic e bera dhe te qarte, qe te rrime dhe te bishta-kapemi tani me njeri-tjetrin meqe ti e pelqeve e une s'e lexova pertej paragrafit te pare (per arsyet e dhena me siper) qe ta pelqeja ose jo.

Pra nuk ishte fjala (per te treten here) per gjerat e pashmangshme, perkundrazi.

Nejse, shko lai duart nga bishtat dhe shihemi gjekundi ne ndonje teme tjeter. smiley

ok, shihemi smiley

puritanisht? qashtersisht e pate llafin!

graduale? e pershkallezuar deshnje te thonje.

replika = pergjigje

argumenti = llafi i sherrit

dakort = oqej

revolucioni = funi i botes

 

kullandrisu me tujat xhibo, rrasja shqip.

une s krahasova gje, thjesht thashe qe dikur do i caje trapin naimit, ndersa sot ktij timit... pune te veshtore keni ju xhibat ne shekuj, me pallen e tjetrit ne dore e cani rrugen e historise

Mu me duket se fjala revolucioni vjen nga pellazgjishtja, revole. Pra kur nuk ha mo pyke robi, del revolja

Dakort = ohò

xhibo, imagjino te kishe jetuar ne kohe te naimit ti, sa do ia kishe bezdisur jeten smiley

Ky shkrim te ben me dhimbje koke! Eshte ne linje me migrenen qe te shkakton degjimi i anal-isteve shqiptare...

Ky e ka shkruar kastile per kete qellim...Ne kete menyre dhe ai doktorsi nuk do kete durim ta perfundoje dhe do vlersoje sforcimin apriori

Cila eshte teza e kesaj analize, dhe cilat jane premisat mbi te cilat kjo teze ngrihet?

2 paragrafet e pare te shtrojne premisat, dy te dytet te shtrojne objektin, se bashku me hipotezat qe me pas ndahen ne mini-ese.

Analiza fillon ne nje menyre shume te ngatruar. Pretendohet te jete nje analize e analistit, pra analizohet subjekti i analistit, pastaj ne te njejten fryme shkruhet se ehste analize e aktivitetit te analistit, pra analize e objektit, punes.. dhe pastaj shkruhet se eshte analize e produktit, pra nje objekti tjeter, dhe se te dyja kto, dmth analiza e ktyre dy objekteve, punes se analistit e produktit te tij, perbejne bazen e analizes se analistit, e cila me tej paralelisht formon bazen e ndertimit te kritikes se ideologjise e hegjemonise.

shkruhet se pozicioni i analistit eshte pasoje "privilegjesh", por cjane keto privilegje? "nje akumulim i caktuar i kapitalit kulturor e shoqeror". Dhe ky pozicion nuk ehste pasoje e rethanave e rastesise. Por privilegj eshte pikerisht dicka te cilen e ke si pasoje e rethanave e reastesise, se nqs e fiton duke punuar e duke u mesuar, atehere nuk quhet privilegj por quhet frut pune.

ishte interesante ky shpjegimi i politikanit surrogat. ose fetishizmit te politikes. por nese do te themi se nje intelektual eshte i anagazhuar me problemet shoqerore te kohes, atehere edhe ai ehste nje fetishist i politikes.

por ajo qe pata me teper problem, eshte ky supozimi se "ne esence analisti NUK KA si obekt analizen ne kuptimin e zberthimit te gjendjes politike... ... ai ka analizen si mjet per arritjen e efekteve imediate politike..."

kjo nuk eshte e thene te jete e vertete. le te mendojme psh per nje moment se efektet imediate ose te mevonshme politike, do te ishin te pa-arritshme. mos valle duhet te pretendojme se roli i analistit, si nje specie midis gazetarit edhe intelektualit do te zhduket papritur? nqs e kam keqkuptuar atehere e mar mbrapsht, por kshtu e kuptoj une kete shpjegim te esences se analistit si nje mjet per arritje imediate politike.

mbi kete premise ndertohet edhe argumenti i metejshem se "analisti i bindet ideologjise dominante mbi rolin e tij, e nuk sheh se ky rol eshte ne fakt efekt i struktures te ciles i takon vete. perkitazi me rolet, sociologet e dine se roli nuk eshte rezultat thjesht i nje vete-zgjedhjeje apo voluntarizmi te paster, por marrje persiper e nje detyre te ngarkuar nga te tjeret..."

tani, roli i analistit eshte efekt i struktures, apo i te tjereve? sepse te tjeret jane agjensi, e agjensi nuk eshte strukture. si fenomen natyral per mendimin tim analisti eshte produkt i struktures, teknologjise etj, dhe nuk eshte e thene te jete media, por psh interneti. nje analist mund te perdor vetem internetin, dhe ne kete menyre te jete i varur vetem prej tij per te nxjer idete e tija ne treg. ne kete menyre ai nuk eshte as produkt i ideologjise e te tjereve (agjensise), e as nuk eshte i varur prej ta. kshtu qe ky analist nuk mund te thuash se i bindet ideologjise dominante. ne te njejten menyre, nuk jam shume i bindur nese mund te thuash se roli paraprin aftesite. zhvillimi teknologjik ofron hapesiren dhe mundesine e ktij roli, i cili eshte ende ne forma abstrakte e i pa-aktualizuar, por jane pikerisht aftesite dhe fakultetet e individit, ose "forcat simbolike" sipas autorit, qe ne simbioze krijojne analistin. eshte me pas, mendoj une, kur analistit i ofrohet mundesia e sponsorizimit te produktit te tij, kur ai fillon edhe ideologjizohet, ose i bindet ideologjise dominuese. por nese mund ta quajm kete bindje si nje cilesi te brendshme, (inherent), esenciale, te analistit, nuk jam i sigurte.

ndoshta nje taksonomi me e imet e analistit do te ndihmonte ne klasifikimin e kesaj specieje.

referenca e "diktatures se aktualitetit", ose "komunitetit auto-referencial i organizatave mediale" ishte shume interesante.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).