I dënuar për vjedhjen e filialit të një banke në Tiranë, shtetasi Ajet Marku vuante dënimin e tij në të njohurin burg të 313.

Ngjarja ka ndodhur gjatë kohës kur të burgosurit kishin orarin e ajrimit dhe Ajeti ka mundur të ngjisë muret e burgut dhe të largohet pa u kapur dot nga rojet.

Menjeherë kanë filluar hetimet dhe pasi u morën në pyetje dëshmitarët inspektorët kanë arritur ta përmbledhin ngjarjen në dy versione.

Versioni 1

Ajeti ka dëgjuar lajmet se Shkodra dhe disa fshatra janë përmbytur për të disatën herë. Disa shokë kanë bërë shaka duke i thënë se po të vazhdojë kështu sic e kanë nisur edhe Tirana do të përmbytet.

Ajeti duke e patur qelinë në katin e parë, i tmerruar ka kapërcyer murin e lartë dhe hajde gjeje se ku e ka mbajtur vrapin. Policia e bazuar mbi këtë hipotezë po kërkon të dënuarin në majë të pemëve, shtyllave dmth në cdo lartësi ku nuk arrin uji.

Versioni 2

Ajeti ka dëgjuar fjalën e kryeministrit Sali Berisha të mbajtur në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.org ku ka akuzuar kryetarin e Bashkisë Edvin Ramën për përdhosjen që i bëri festës së flamurit.

Ajetit i janë errur sytë dhe i mbushur me urrejtje për tradhëtarin e kombit dhe i ka bërë thirrje dyshes kryeministrore historike siameze Berisha-Thaci që të mbronin nderin e atdheut.

Pasi nuk ka marrë përgjigje, ai ka kapërcyer murin dhe është nisur drejt bashkisë për të kapur për zhelesh autorin e përdhosjes dhe të vinte në vend nderin e kombit.

Sipas policisë, ky është versioni më i besueshëm, pasi për nder e komb shqiptari të bën gjëmën dhe nuk ka burg ta mbajë.

Ndërkohë janë marrë në pyetje edhe rojet që kanë qenë në shërbim në atë moment dhe u është kërkuar pse nuk kanë arritur të ndalojnë të dënuarin.

Rojet janë përgjigjur se si punonjës të një qeveri me duar të pastra, ata nuk mund ti fëlliqnin dockat e tyre duke prekur një të dënuar të përlyer në krim.

Hetimet vazhdojnë

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).