Balonë e gjallë

Rrezet si mjaltë po m’rridhnin ngadalë mbi sytë e çelur
nga buzët e rrumbullta të ditës, ndërkaq mua, zgavrës,
më ndërmendeshin shkrep kavanozët e murrmë opakë,
ku fekste si ninëz drita nga jashtë; kavanozët me reçel
në shtëpinë me hijet e thella që u prish kur e zuri plani,
kavanozët me komposto e me radhë: qumështi Panda,
qokat, glikotë, shërbeti i ngrirë i bakllavasë e llokumet,
sermi i xhezvesë, unaza e gjyshes, rrëshira e pishave,
duart e palara dhe gjithçka pata prekur në jetë; kopaca,
zara, kakëzozë e llastiqe, zhur lumi, kamomila e bletët
e mëdha pa thumb, që zinim tek fusha pasditeve, anës
stadiumit “Dinamo”; bletët q’i lidhnim me pe në këmbë,
që përplasnin kokën në ajër e zukasnin sikur po qanin...

Shiringat me kokë vrimëgjatë, që më shpojnë bebëzat,
më injektojnë xixëllonja e n`atë pikël drite është gjithë
ç’pashë: age rrezesh me kokrriza pluhuri tretur n’vapë,
gjumi i drekës e pëshpëshi i currilit ëndërr në lavaman,
ujët e trashë t’liqenit ku do të zhytem n`atë ditë prapë...

Vrimëgjatës do të shkojë shpirti im o atë, si lot mitrës
të së resë, si nektar kanaleve qimengushta të insektit,
vetëvarur me qerpik padashur, si lot i botës syve të tu
bosh, mpiksur në rënie nga forca që tërheq përkundër
çastin, të fiksuar n’raftin biologjik me gjilpëra me kokë,
kokë t’lëmuar pa halle si kavanoz i rrumbullt, sy mize,
që mban lëngun e zi të mpiksur të pamjes t’mos bjerë,
që tash po sheh nga poshtë tavanin, qiellin e njerëzve...

Gjithë e gjithë tre-, a katërqind vetë njoh në këtë botë.
Të tjerët mundet edhe mos të jenë vërtet qenie si unë;
Mundet edhe që çfarëdo kryekëput ndryshe t’qenkësh
nga sa besoj dhe shoh...e më ngjeth thumbi që pason:
ndoshta edhe vetë s’jam çka di, s’jam çka po m’shohin
sytë aq t’huaj... ashtu edhe ndjehem, si një enë lëkure,
ku mjalti jam po vetë; e s’di nga se ku, nga pse, nga si;
nuk di më, në do t’mundem të çlirohem nga fija e lidhur,
qeli ajri, balonë e gjallë jam, q’e përkund një dorë fëmije...





3 Komente

Hallall.

ca t'thush?! Numra shpejtsie...

Gjithë e gjithë tre- a katërqind vetë njoh në këtë botë.
Të tjerët mundet edhe mos të jenë vërtet gjëra si unë;
Mundet dhe që çfarëdo të qenkësh kryekëput ndrysh’
nga sa besoj dhe shoh. E m’ngjeth thumbi që pason;
ndoshta edhe vetë s’jam çka di, s’jam çka po shohin
sytë aq t’huaj, e po ashtu ndjehem, si enë prej lëkure
e mjalti jam po vetë; e s’di nga se ku, nga pse, nga si;
s’di më në do t’mund të çliroj këmbën nga fija e lidhur,
qeli e gjallë n’ajri jam, që përkundet nga duar fëmije.

Vargjet e fundit jane shume te bukura. Por jam kureshtare te di pse kalon nga frymoret ( 3-400 vete) tek sendet (gjera si une).

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).