Sipas një studimi të fundit të Bankës Botërore, numri i bizneseve në Shqipëri që raportojnë se kanë rënë pre e korrupsionit ka rënë nga 48 për qind që ishte në 2005-ën, në 13 % në fund të vitit 2008. Por më shumë se sa një rënie e  korrupsionit për biznesin, këto tregues ngjajnë më shumë me një ndryshim strategjie të zyrtarëve që marrin rryshfet.

E thënë ndryshe, sipas bankës, sot paguajnë rryshfete më pak biznese, por ato që bien pre, paguajnë faturë të kripur. Këto rezultate tregojnë se në total kostoja e korrupsionit për bizneset mund të mos jetë ulur, por vetëm zyrtarët e kanë përqëndruar mitmarrjen në pak biznese.

Reagim zyrrtarr

Këshilli i Ministrave.org reagon fuqimisht ndaj këtyre studimeve absurde pasi këto shifra nuk kanë si burim ndonjë deklaratë të ministrit Bode dhe si të tilla ato nuk kanë asnjë bazë.

Vetë Banka Botërore pranon se raportohet më pak korrupsion nga bizneset, që do të thotë se qeveria heroike e kryeministrit historik Sali Berisha ka mbajtur premtimin më të rëndësishëm të fushatës në zbatim të nismës “Me Duar të Pastra”.

Qeveria shqiptare thekson se zyrtarët e saj e kanë rreptësisht të ndaluar tu thonë biznesmenëve të hapin kuletat pasi hapja e tyre është kompetencë e gjykatave. Nëse dikush u ka kërkuar të hapin qeset apo kuletat, atëherë ai njeri do të ketë qenë patjetër socialist i nxitur nga Edvin Rama, sepse vetëm ata e kanë zakon të insistojnë në hapjen e dickaje.

Këshilli i Ministrave.org është shprehur se kudo në marrëdhënjet shtet-biznes do të mbizotërojë vetë transparenca dhe zbardhja por nga zelli për punën zyrtarët zbardhin edhe ndonjë xhep biznesmeni.

Prej vitesh kryeministri Berisha ka dhënë urdhër të prerë zyrtarëve të tij që rryshfetet duhet ti dërgojnë në djall. Por ne jemi shtet ligjor laik dhe si të tillë ne besojmë vetëm në Zot dhe aspak në Djall. Dhe mqs Djallit nuk i gjëndet adresa, atëherë rryshfetet aksidentalisht mbeten në xhepat e zyrtarëve të cilët nuk po lënë ishull turistik pa vajtur për të gjetur se ku rri me shtëpi ky dreq Djalli që ti dërgojnë rryshfetet.

Kryeministri Berisha në mbledhjen e rradhës të qeverisë citoi një fjalë të urtë të popullit tonë që thotë se “rryshfetin, dmth darovitjen e pranon edhe mbreti”. Nëse biznesmeni ka dashur të qerasë miqësisht zyrtarin, atëherë kjo nuk përbën krim.

Shqiptari ofendohet kur ja kthen dhuratën dhe ofendimi mund të kalojë fare lehtë në gjakderdhje.

Ndaj Banka Botërore para se të na kritikojë duhet të njohë traditat e lashta shqiptare që e shtyjnë zyrtarin e shkretë të pranojë rryshfetin dmth darovitjen, vetëm nga respekti që ka për biznesmenin këmbëngulës. 

1 Komente

"....Prej vitesh kryeministri Berisha ka dhënë urdhër të prerë zyrtarëve të tij që rryshfetet duhet ti dërgojnë në djall. Por ne jemi shtet ligjor laik dhe si të tillë ne besojmë vetëm në Zot dhe aspak në Djall. Dhe mqs Djallit nuk i gjëndet adresa, atëherë rryshfetet aksidentalisht mbeten në xhepat e zyrtarëve të cilët nuk po lënë ishull turistik pa vajtur për të gjetur se ku rri me shtëpi ky dreq Djalli që ti dërgojnë rryshfetet..."

E ju marrte e mira ju marrte  smiley  

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).