Në një rrëfim për Këshillin e Ministrave.org një zyrtar i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes Britanike ka pohuar se ata kishin vendosur që të shkatërrojnë të gjitha kutitë me dosje  mbi UFO-t ose të njohura ndryshe me emrin “X-Files”.

Zyrtari ka pohuar se e gjitha kjo punë e ministrisë së mbrojtjes nuk ishte vecse një masë mbrojtëse. Ai është shprehur për “Sunday Telegraph” se ishin të detyruar ta merrnin këtë vendim, për të evituar publikimin e tyre 30 ditor, e parashikuar në aktin e “Lirisë së Informacionit” në Angli.

Fill pas këtij vendimi, një delegacion i posaçëm, kryesuar nga vetë kryetari i Këshillit të Ministrave kanë udhëtuar drejt Britanisë, për tu njohur me më shumë detaje rreth këtij veprimi interesant. 

Sapo ka mësuar se masat e mësipërme bëheshin për të mbrojtur qytetarët, dhe për më tepër veprimi nuk ishte kundërshtuar nga opozita vendase, kryeministri Berisha ka brofur në këmbë i gëzuar duke thirrur “Pa dyshim Eureka”.

Bashkë me delegacionin që e shoqëronte, kryeministri Berisha është kthyer menjëherë në atdhe dhe sapo ka vënë këmbën në zyrën e tij ka thirrur për një takim urgjent kryetarin e KQZ-së.
Mbledhja është zhvilluar me dyer të mbyllura, pasi të dy kishin frikë se mos merrnin ndonjë ftohje, duke parë edhe kushtet e motit.

Siç kanë rrëfyer disa dëshmitarë të cilët e kishin ndjekur takimin nga vrima e çelësit, bëhet e ditur se kryeministri e ka njohur kryetarin e KQZ-së me masat e marra nga ministria britanike e mbrojtjes në dëm të disa kutive me materiale sekrete, apo dosje X dhe i ka dhënë një këshilë në formë urdhëri që edhe KQZ të bënte të njëjtën gjë me kutitë e Rruzhdijes, duke e siguruar se ai dispononte të gjitha provat se ato mbanin materiale të klasifikuara si “R-files” dhe provonin ndërhyrjen e jashtëtokësorëve në këtë zonë gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit”

Kryeministri Berisha, pas një bisede të gjatë që ka zgjatur plot pesë minuta ka arritur ta bindë kryetarin e KQZ-së Ristani se në kutitë e Ruzhdijes duheshin djegur një orë e më parë.

Sipas kryeministrit Berisha, votimi me mjete identifikimi false, apo në emër të banorëve që kishin vdekur ose nuk ndodheshin në atë zonë atë ditë, firmat fallso të komisionerëve në emër të votuesve ishin prova të pakundërshtyeshme të ndikimit alien mbi këtë zonë zgjedhore dhe pikërisht për këtë arsye Shqipëria duhej të ndiqte shembullin e Britanisë së Madhe, dhe të digjen të gjitha kutitë që përmbanin fletë V, apo Dosje R.

1 Komente

“Pa dyshim Eureka” : D

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).