Shteti bullgar ka kërkuar nga Bashkimi Europian që rakia të njihet zyrtarisht si prodhim bullgar duke pretenduar se bullgarët ishin të parët që shpikën rakinë ndaj ky produkt duhet të reklamohet kudo si “mall firmato” bullgar.

Nuk dihet ende nëse BE do të pranojë këtë kërkesë të Bullgarisë por në Shqipëri ka patur reagime të forta nga pakicat që njihen si zejtarë hershëm të rakisë.

Lëvizja  Socialiste për Integrim ka dalë në një deklaratë duke  u shprehur se kjo kërkesë e Bullgarisë ka si qëllim të dëmtojë komunitetin skraparlli sidomos tani në prag të votimeve të Majit.

“Pelegrinë nga e gjithë bota që udhëtojnë drejt Shqipërisë deri në malin e shenjtë të Tomorrit ku mes ritualeve të lashta prodhohet raki rrushi nga rrushi, tani e tutje do të shkojnë në Bullgari” tha kreu i LSI, Ilir Meta.

Meta deklaroi se të gjithë shtetet europiane, amerikane dhe  aziatike e kanë njohur dhe e kanë pranuar prej vitesh rakinë si produkt Made in Skrapari.

Gjatë karrierës së tij si zëvendëskryeministër në fushatën e lobimit nëpër botë për njohjen e Kosovës, Meta tregoi se ishte pikërisht rakia skraparlleze që dha kontributin final në shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Kryeministri Thaci dhe kabineti i tij pasi u bënë tapë me raki, vendosën të shpallnin pavarësinë.

Ishte rakia e Skraparit ajo që i dha guxim ish-presidentit George W Bush të pushtonte Irakun dhe të vizitonte Shqipërinë. Ishte po kjo raki që bashkoi armiqtë në emër të Shqipërisë në 2009.

Meta deklaroi se komuniteti skraparlli do të niste protestat para ambasadës bullgare duke kërkuar anullimin e kërkesës e cila është e paligjshme, anti-kombëtare, anti-shqiptare.

Me protestën e LSI do të bashkohet edhe Shoqata “Rakia e Kombit” e cila ka kërkon që qeveria e kryeministrit Berisha  të mbajë qëndrim të ashpër ndaj qeverisë bullgare.

“Më mirë pranojmë të jemi grekë se sa të na marrin emrin e rakisë së shenjtë” tha Dollibash Ballkazani, kreu i Shoqatës “Rakia e Kombit”.

Zv/kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto ka thirrur ambasadorin bullgar për ti kërkuar llogari në lidhje me kërkesë anti-shqiptare të shtetit të tij.

Kryeministri Berisha ka reaguar gjithashtu duke deklaruar se ky është një organizim pucist i cili ka si qëllim të poshtërojë kombin skraparlli

Berisha shtoi se pamvarësisht nga kjo mardhënjet mes dy partive motra PD dhe LSI nuk do të cënohen.

Këshilli i Ministrave.org ka vendosur që shumë shpejt të marrë jetë nisma më e re e kryeministrit Sali Berisha “Shqipëri 1 teke” e cila do të mbështesë në cdo hap të drejtat e komunitetit skraparlli.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).