Cerdhja dhe kopshti , hapat e parë të formimit të fëmijës 

Esmeralda Rrustemi-Hoxha

E keni parë një tip skeçi diku nëpër tv shqiptare që nxjerr në pah dy edukatore që gjoja ndryshojnë si dita me natën?!?!? Sa herë që e shikoj unë qesh hidhur…..

Para pak kohësh po kërkoja një kopësht për time bijë. Është hapi i parë për ta socializuar në shoqëri dhe për ti dhënë të kuptojë që në këtë botë nuk jemi vetëm ne , por që gjithsecili ka vëndin e tij.
Vrapi i parë – kopështi shtetëror pse jo, e kam afër shtëpisë, kostoja është shumë e mirë dhe komshiet më kishin thënë që është një ndër kopshtet më të mira ketej pari.

Ta shihje nga jashtë (kurrë mos u gënjeni nga pamja e parë) të merrte në qafë; i lyer, vizatuar dhe i rrethuar , i vendosur në një lagje me rrugë të shtruara (duhet theksuar edhe kjo se të pakta janë lagjet që i kanë rrugët me asfalt).
 
Sapo hodha këmbën  brënda derës kryesore, mu kujtua ajo aroma karakteristike kur unë kam qënë në kopësht, gjellë e përzier me ajër të rënduar dhe me erëza lagështire. Muret me bojë të zverdhur, pllakat e shtruara që para tre dekadash vënde vënde të thyera dhe tavane me ngjyre…s'e mora vesh dot ngjyren.

Dikur… ajri ishte i freskët dhe aromën e lagështirës nuk e njihja, realisht kanë qënë kohët më të arta të fëmijërisë time ato vite të kaluara në kopësht me përparësen e bardhë dhe me emrin tim të qëndisur sipër.

Sot… fëmijët kalonin me zhurmë përpara meje, disa edhe po me zhbironin me ato syçkat e mbushur plot me kuriozitet duke u fshehur cepave të korridorit, por ata nuk kishin përparëse si dikur , rrobat i kishin plot me lyrë gjelle dhe duart të ngjyrosura nga dheu i oborrit deri në brryla dhe ajo që më goditi më shumë ishin dy  djem si dy pika uji me flokët e qethura zero (se di pse ky kopësht po më kujtonte filmin  “Lulëkuqë përmbi mure”)

Me një buzëqëshje të sforcuar po dëgjoja përshkrimin nga ana e punonjësve, ishte i saktë dhe pa gabime, mëngjesi dreka dhe zemra ju servireshin fëmijëve sipas dietës së miratuar nga drejtoria , gjumi - gjumë por me një problem të vogël ( ajo nuk e konsideronte të tillë) . Fëmijët flenë përdhe… tek dhoma e lojrave në kohën e drekës shtroheshin dysheqe sfungjeri nga ata të hollët dhe fëmijët ngjisheshin pranë njëri tjetrit për të përmbushur edhe këtë “detyrim” që ju vë kopshti.

Vura duart në kokë, duke lënë mënjanë që jemi në dimër dhe i ftohti sa vjen e thellohet, por po mendoja me buzën në gaz (këtë herë nga halli që mos të shpërtheja) “Hajde punë që do kem pasi të kthehet vajza nga kopështi – parazitë (janë fëmijë prekin gjithcka me duar dhe pastaj prekin flokët) viruse, zgjebë e larg qoftë ndonjë sëmundje lëkure”.

Duke e falenderuar drejtuesen e kopështit, u mundova ti shpjegoja arsyet e mia, por ajo as donte të dëgjonte. “ Ua goce – me tha, të gjitha kopështet shtetërore kështu janë, mos kërko kot… pastaj me atë kosto që paguani ju doni dhe luks!!!!

Ika, realisht ika pasi e falenderova me gjysëm zëri – u ndjeva në faj sepse po kërkoja një krevat për time bijë në kopësht, por… vrapin tim e ndaloi mu në prag të portës kryesore një makinë që gati gati më preu gishtat e këmbës. Ju tregova më sipër që rrugët në atë lagje janë të shtruara?!?! Epo kjo i ka pozitivet dhe negativet e  veta…

Dita më shkoi sa në një kopësht shtetëror në tjetrin , diku s’kishte krevat, diku kishte fëmijë mbi kapacitetin, diku i rrihnin fëmijët dhe i vinin në gjumë pa ngrënë ( thashethem nga një shitëse afër kopshtit) që më thirri kastile kur unë po prisja që dikush të më hapte portën.

”O tu bëftë nëna, këto këtu nuk ju japin fëmijëve as ujë sepse pastaj ata urinojnë dhe duhet ti cojnë në banjo”. Këtë më tha ajo ndër të tjera ,që më bëri të ktheja thembrat nga majat dhe të mbaja vrapin në një kopësht privat aty afër.

Rrugës po mendoja për çerdhet…. Nëse qënka kaq e vështirë të kënaqesh me edukimin e fëmijës në një kopësht shtetëror dhe me kushtet që ai ofron, sa e vështirë është për fëmijët e çerdhes të cilët nuk kanë as gojë të ankohen?!? Sa të vështirë e kanë prindrit me më shumë se një fëmijë?! Sa e vështirë është që të punosh dhe të rritësh fëmijë duke qënë e ndërgjegjshme që po e çon në një vënd që s’plotëson as kushtet minimale të rritjes së tij?!?

Kurioze jam të di nëse drejtuesit e këtyre institucioneve i çojnë fëmijët e tyre në këto kopshte. A e dinë këta drejtues që çdo ditë ambulancat janë plot me fëmijë të moshës nën 6 vjeç të ftohur dhe me viruse , a e dinë këta drejtues që e ashtuquajtura dietë e tyre ( i kanë kaloritë e përcaktuara që mos të shëndoshen fëmijët shumë) jo rrallë herë përgjysmohet sepse duhet të hanë edhe edukatoret?! A e dinë këta drejtues që kur kthehet fëmija nga kopështi i ka brekët plot m… sepse në kopësht shpesh nuk ka as ujë dhe as letër për tu pastruar?! A e dinë këta drejtues që kanë vënë për të edukuar një brez, edukatorë me nerva të dobësuara që s’dinë të ndajnë hallet e shtëpisë me punën dhe nervat jua shkarkojnë fëmijëve të botës?!?!

Hë dhe ti – më tha një mikja ime  ,se mos ajo jotja ( e kishte fjalën për time bijë) është ndryshe nga tanët?! Do mësohet edhe ajo, do i stërvitet organizmi dhe nuk do të të sëmuret kur të shkojë në shkollë sepse do i ketë kaluar të gjitha viruset dhe sëmundjet e mundshme në kopësht.
 
Por -  vazhdoi ajo - do të të jap vetëm një këshillë:  “Mos i mëso edukatoret me dhurata e kafe se po filluan ato, të shkoi viti 365 ditë feste për edukatoret”-  dhe ja plasi një të qeshure cinike. 

Nese kopështi shtetëror është  kthyer pothuajse në pronë private të edukatorëve, them pronë private sepse përvec se duhet të jesh në  rregull me dokumentacionin përkatës duhet edhe të njohësh dikë  aty brënda që të ta rregjistrojë , kjo sepse ,sipas tyre ka një mbipopullim fëmijësh nëpër grupe.Edhe pasi ta kesh rregjistruar duhet ta mbash mirë, por mirë ama me edukatoret se për ndryshe fëmija yt do filojë të “dhunohet”  psikologjikisht – ka pasë raste edhe për një pako kafe , po po një pako të qelbur kafeje…

Shumë prindër miklohen nga ideja e pagesës relativisht të ulët dhe e lëshojnë vrapin nëpër këto kopshte por shpesh kthehen me zemër të lënduar sepse vëndet janë të zëna dhe detyrohen  o të kthejnë sytë nga  kopshtet private ose dadove në shtëpi. Por këtu fillon çalon puna; Nëse në një kopësht shtetëror  tarifa është pothuajse e perballueshme në një tjetër kopësht por këtë herë privat tarifat variojnë nga 4 – 6 herë më shumë përqindja më e madhe e prindërve në Shqipëri nuk mund ta përballojë një pagesë të tillë.

Pasojat: Femijë të rritur nëpër komshie, me gjyshen ose edhe vetëm në shtëpi nën kujdestarinë e motrave apo vëllezërve pak më të rritur. Të hipnotizuar përpara televizorit me winx-a dhe heronj japonezë, fëmijë që duhet ti thërrasësh dhjetë herë që të të kthejnë përgjigje një herë, fëmijë që krijojnë botën e tyre të izoluar dhe mbi të gjitha fëmijë që rriten vetëm.

………………………………

Pashë ç’pashë dhe e lashë te gjyshja vajzën edhe pak ditë deri sa gjeta një kopësht të ashtuquajtur privat i cili plotëson kushte të shëndetshme për rritjen e një fëmije. Rri e rri dhe mendoj , nese deri nesër do ngelem pa punë (një zot e di me këtë treg pune që kemi ne) do vazhdoj ta çoj në të njëjtin kopësht apo do mbyll një sy dhe një vesh dhe do e çoj tek  shtetërori dhe do “korruptoj” edukatoret që ta kenë më shumë kujdes fëmijën tim?!

7 Komente

E dhimbshme!

 

Duhet te theksoj dicka ketu ne Amerike femijet e kopshtit flene ne toke gjithashtu me ato sfungjeret e holle, ne u japim carcafin, batanijen dhe jastekun me vete femijes, cdo fundjave i marrim dhe i cojme te henen te lara. Kurse gjerat e tjera pastertia, larja e duarve, larja e dhembeve nuk them ka kushte me te mira ketu por edukatorja nuk e prek me dore femijen kur shkon ne banje etj etj gjera por padiskutim ka gjera me te mira se sa problemet e ndryshme qe ngre autorja e ketij artikulli per kopshtet ne Shqiperi.

Shshhshshst.... ju lutem mos kritikoni Ameriken se do t'ju degjojne...

Kudo qe ndodh cfare shkruhet me siper ne artikull apo ne koment eshte deshmi e qarte e DEHUMANIZIMIt te skajshem.

 

me ka qelluar dhe mua te shof ca kopshte publike dhe private, dhe me thene te drejten sme jane dukuar kaq keq sa  c'thote artikullshkruesja. As kam degjuar akuza te tilla, nga plot miqte te mi qe i kane femijet ne kopshte publike, te cilet edhe kane mundesi ti cojne ne kopshte private. Ndersa per cerdhet kam degjuar qe jane rikonstruktuar shumica dhe kane kushte shume te mira ngrohjeje dhe higjene.

Kjo puna e fjetjes ne toke me thane qe qenka metode e re e edukimit, ku dhe edukatorja shtrihet perdhe me kalamajte. Me thene te drejten se marr vesh pse por hajt mo. 

Gjithesesi, nuk ve doren ne zjarr qe mund te kete dhe raste te tilla, por me duket se eshte pergjithesuar nje cike me teper se duhet.

 

 

 Artikullshkruesja ka shume te drejte.

Kete kam provuar edhe une me femijet e mi.

Kur e kam cuar djalin e madh ne cerdhe, i cova me vete edhe rrobat e lara dhe te hekurosura, duke e porositur edukatoren me shume perulje qe t'ia nderronte.

I thashe qe kur ta vinte ne gjume mos e tundte , sepse ishte femije i urte dhe e zinte gjumi vete.

Kur u ktheva nga puna ta marr, te gjithe femijet po flinin dhe degjohej vetem nje e tundur e forte dhe im bir qe qante me ze te ngjirur.

Edukatorja i kishte mbuluar koken dhe e tundte me sa fuqi qe kishte, duke e trembur dyfish.

Kur e ngrita tim bir nga shtrati, ne vend te rrobave te tij kishte nje picete gri te trashe mes kembeve te vogla te bera gjak,.

Kushedi sa kishte pa e nderruar.(atehere nuk kishte bebelina).

E pyeta edukatoren pse s'e kishte nderruar me rrobat e veta dhe ajo me tha se nuk ekzistonte vetem femija im ne kete cerdhe dhe duhej te pershtatej me rregullat qe kishin aty.

O Zot thashe me vete, femija im 6-muajsh duhej patjeter te mesohej.

Kur e mora ne krahe tim bir ai nuk me gezohej dot dhe me prekte fytyren me duart e tij te vogla.

Ate dite e pata te semure me temperature ngaqe kishte qare shume. 

Ika nga syte kembet dhe nuk u ktheva me kurre aty.

I kam rritur te dy djemte neper komshije, me sakrifice, sepse mezi perballoja, tarifen qe paguaja.

Kujtoja se kishte ndryshuar dicka, por me sa duket vazhdon po njesoj.

 

 

Ka te drejte zonja, sistemi qe jetojme bazohet tek kerkesa per me mire, nuk duhet te kenaqemi me ate qe kemi arritur.

Kur nuk punon, eshte mire ta mbash ne shtepi, kursen diçka-kete si keshille.

Vertet e dhimbshme, por sic thote edhe Bedrija, kam pershtypjen qe nuk eshte kaq katastrofe kudo. Nga miq te mijte ne Shqiperi kam degjuar fjale jo fort te keqija per kopshtet qofte private apo shteterore. Normalisht qe privatet duhet te kene kushte me te mira, une do thoja ja vlen te paguash me shume nese mundesh ta perballosh. Problemet me femijet deri ne moshen 5-6 vjec te tilla jane. Nga pervoja ime edhe ne kishim plot pakenaqesi me kopshtin privat ne New York sado qe paguanim shume, por e rendesishme ishte ta kishim femijen ne dore te sigurte, kurre nuk gjen dot perfekten. Personalisht kurre nuk do ta lija femijen nen 2 vjec me dike tjeter per pjesen me te madhe te dites, nuk do i besoja kerrkujt vec familjareve te mi. Mos harro edhe dicka tjeter, qe shpeshhere niveli i kujdesit ne kopesht eshte rrjedhoje edhe e nivelit te prinderve te femijeve. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).