New-Picture.png (397×157)Zgjedhjet e 8 Majit nuk do ndryshojnë absolutisht asgjë në terma të përgjithshëm të zhvillimit kushdo qoftë ai, nga kandidatët që do të fitojnë zgjedhjet. Ndoshta e vetmja mundësi për të pasur një incentiv votuese më 8 Maj, do të ishte sërish vota kundër. Më shumë kundër Saliut se Lulit, por mbi të gjitha në mbrojtjen që një shoqëri duhet të ketë për të mos i dhënë një partie gjithë pushtetet, në rastin kur kemi një situatë normale, e në rastin tonë që është jo-normale, si dënim kundra një Kryeministri që në bashkëpunim me Ministrin e Brendshëm sot kandidat, duke përdorur armët e Gardës, vranë katër njerëz me gjakftohtësi në Bulevard. Në këtë pikë dialektika merr fund, këta duhen dënuar, e vota është më e pakta.

Por a po bëjmë diçka të re? A është kjo e mjaftueshme? Praktikisht thjesht po konfirmojmë statusquo-në e këtyre viteve, duke votuar kundër e jo pro, ne mbetemi në vend, sepse nuk kemi votuar mbi një imagjinatë për të ardhmen, por kundra memories të së shkuarës. Kështu kemi votuar gjithmonë, në ‘98 kundra Berishës, po aq në 2005 kundra Fatosit, e tani sërish thirremi të votojme kundra Saliut. Është aq pak progresiste sa dhe emrat nuk ndryshojnë në dy dekada demokraci tanimë. Vota edhe kësaj here duhet hedhur kundra një qeverie që vret dhe vjedh, por duhet së paku të jemi të sinqertë me veten, që edhe kësaj here kjo votë nuk ka për të ndryshuar asgjë.

Nuk ka për të ndryshuar se ndërkohë që nga taksat e qytetarëve partitë e mëdha PD dhe PS marin për fushatë përkatësisht 83 dhe 80milion lek të vjetra, ne e dimë mirë që fushatat e tyre i kapin shifrat e miliona eurove. Kush paguan diferencën? Pikërisht ajo elitë e biznesit që jo vetëm është përfituese nga tenderat që do japin kryetarët e bashkive, sepse në analizë të fundit janë po kjo elitë që vendosin se kush do jetë kryetar Bashkie, apo së paku kandidat për të.

Duke qenë se kjo elitë përcakton kandidatin roli i qytetarëve mbetet logjistik, e paradoksi këtu është që kushdo fitoftë nga kandidatët për elitën e ngushtë të përfituesve që janë biznesmenët nuk ka ndryshim sepse ata fitojnë gjithsesi, e gjithashtu kushdo fitoftë për qytetarët nuk bën asnjë ndryshim sepse ata humbasin gjithsesi. Paradoksi i demokracisë, ku faktikisht sovrani është elita e në letër sovrani nënnkupton popullin, i cili është aty thjesht për të kryer ritin elektoral, rit ky që në fund do konfirmoj mundësitë e pakicës dhe pamundësitë e shumicës.

Në ditët përpara zgjedhjeve po ndjekim disa debate të ndryshme, po kurrsesi një debat sa  i përket financimeve të partive, i cili është burimi që mban gjallë gjithë sistemin korruptiv në Shqipëri e që e bën votën e shqiptarëve të pavlefshme. Financimet e partive me shuma të mëdha nga elitat e biznesit, sjellin më pas përfitime në dëm të popullit me taksat e tij, sjellin një legjitimim të klasës elitare jo vetëm për ta vjedhur të mirën publike nëpërmjet tenderave që jepen nga politika, por edhe duke shtypur punëtoret që do punojnë në këto fabrika për të maksimalizuar përfitmet e veta. Politikës kjo i shkon për shtat se sa më shumë të perfitojnë biznesmenet gjatë katër viteve, aq më shumë do financojnë fushatat e tyre, e kështu krijohet një elitë minorance mes politikës dhe biznesit që e ushtron më pas pushtetin mbi shumicën që s’ka akses në ekonomi e për pasojë nuk ka akses as në këtë sistem totalisht të korruptuar, as në drejtësi.

Forma se si thyhet ky zinxhir i madh korruptiv është ajo klasike “organizmi politik”, kjo është e vetmja barrikadë përkundrejt depolitizimit të paaorganizuar që na ofrojnë. Pushteti na do që të jemi “individë”, jo “grup” se kështu e ka më të lehtë të ushtrojë pushtet, na do të mendojmë që politika është e keqe, se duke qenë të depolitizuar, ata mbajnë postet politike dhe monopolizojnë atë që është forma më publike e të ushtruarit të pushtetit, politizimit shoqëror. Organizmi politik dhe solidariteti mes të pafuqishmëve është e vetmja formë që e bën pamundësinë, të mundshme.

Në këto zgjedhje nuk do flitet për të drejtën e punëtorëve sepse ata nuk janë të organizuar në sindikata, nuk do të flitet për studentet sepse nuk janë të organizuar në organizata nuk do flitet për banorët sepse ata janë të pa organizuar në komunitete, nuk do flitet për ambjentin, se ambjentalistët në Shqipëri janë pak e janë të përçarë. E vetmja temë që do flitet do jetë për interesat specifik të biznesit që mbështet kandidatët, për arsyen e vetme se ata janë të ORGANIZUAR.

Slavoj Zizek thotë, sa më lart ngjitesh në hierarki aq më socializëm është, sa më poshtë zbret aq më kapitalizem i pashpirt bëhet. Kjo është paradigmë që duhet përmbysur, për të pasur mundësi që vota të marrë një vlerë e që Demokracia të kthehet në vendin që meriton e mos mbetet vetëm një fjalë boshe, si një çarçaf i hollë në ditë të ftohta.

Edhe kësaj here shqiptarët do votojnë kundra, ndoshta një qeverie që e meriton t’i votosh kundra, sepse të vret në mes të bulevardit, por sërish për të qenë të sinqertë me veten, shija mbetet gjithmonë e hidhur, kur të gjithë e dimë që për popullin asgjë s’do ndryshojë.

4 Komente

Fillimisht dhe mbarimisht jam shume optimist qe kjo gje do te ndodhe. Them se eshte diskutim qe ia vlen te behet, ne menyre te pavarur nga fushata elektorale dhe gjendja e tanishme politike. 

Me dore ne zemer e me dhimbje, 5 yje.

Fakti eshte ky: keto zgjedhje nuk ndryshojne asnje nga problemet qe shqetesojne autorin, por jo vetem ate.  Dhe nuk ka se si perbrenda ketij sistemi, elita, interesa, errje sysh, mos-solidarizimi, apati gri, frika mizerabel per vendin e punes, intelektuale te shitur, intelektuale te blere, intelektuale te heshtur, intelektuale te paanshem nderkohe qe nje pjese e madhe e popullit jeton anash, anes drites i papare, (pra)ane sofres i pangrene, cakerdisur, perpelitur, zalisur ... pa shprese.  

Nga ky prizem, keto zgjedhje lokale, si zgjedhje lokale nuk kane asnje vlere.  Bile ne shume gara eshte anti-vlere t'u japesh voten.  

Por ne nje prizem tjeter keto zgjedhje jane referendum per situaten politike ne vend.  Kane vlere si Vote Kunder, sic thote dhe autori.  Ne nje situate te gjyqeve te pabera, dhe krimineleve te pandeshkuar qe jane aq te pacipe sa bejne edhe fushate (Ilir Meta gjezdis verdalle neper Shqiperi e flet per integritet, bie fjala) a do t'i gjykoje ky popull?  

Pra perbrenda ketij sistemi kaq ka ne dore populli me voten e tij ne keto zgjedhje "lokale". 

Ne varesi te pjesemarrjes, perfundimit te zgjedhjeve atehere shohim me tej.  

Meqe ra fjala, do te doja te dija nga autori pak me shume per organizaten qe perfaqeson dhe cili eshte misioni, plani etj. 

Fondi per zgjedhjet eshte ndertuar per te mbrojtur demokracine, permes ndihmes financiare qe marrin ato parti (te djathta apo te majta) te cilat perfaqesojne tipare elitare te jetes demokratike te nje vendi. ne fakt ne shqiperi eshte krejt e kunderta. asnje parti e vogel nuk merr ndihme financiare per zgjedhjet, pasi nuk e kane kaluar pragun legentoral edhe kur jane fuqi elektorale reale.

 

Nuk do te ndryshojne asgje,absolutisht.Do behe nje hap i metejshem ne konsolidimin e "diktatures demokratike "te Berishes,Basha ne rast humbjeje apo fitoreje do kete ca miliona me shume,Rama me ne fund do vendosi te nenshrohete seriozizht nje terapie antidepresive ossessionale e do lere me ne fund te lire PS,ne rruge per se mbari per rinovim e pergatitje serioze pr zgjedhje te ardhshme.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).