Këshilli i Ministrave.org ka shqyrtuar me shumë kujdes raportin e Departamentit Amerikan të SHtetit, që e konsideronte Shqipërinë si vend tranzit të drogës.
Meqënëse raportet i lëshojnë vetëm mjekët dhe doktorrat, menjëherë ministrat kanë vënë në dijeni shefin e tyre në lidhje me raportin e DASH-it dhe e kanë siguruar kryministrin Berisha se raporti në fjalë nuk është as i DASH Shehit e as i DASH Sulës.

Berisha ka mbetur mjaft i habitur kur ka mësuar se Shqipëria po ndryshonte nga superfuqi energjitike në superfuqi tranziti droge.
“Kjo asht e tmerrshme, asht nji mynxyrë qi po i bahet në kurriz t’sheverisë time” ka bërtitur Berisha.
Nga plantacionet e Lazaratit ne sigurojmë prodhimin dhe plotësojmë edhe nevojat e drogës në vend, madje edhe eksportojmë, ndërsa tani del se vendi është bërë pikë tranziti e drogës - ka ulëritur kryeministri duke ju drejtuar ministrit Bode.

E kuptoni se e gjithë kjo drogë ka kaluar pa u zhdoganuar. Të gjitha këto para janë deficite nga realizimet e doganave.
Më pas kryeministri i ka kërkuar llogari çunave dmth ministrave se përse nuk kishin marrë masat e duhura për të ndaluar tranzitimin e drogës dhe mësohet se me tone të ashpra ai ka kërkuar të mësojë nga Ministri i PërBrendshëm Lul Basha se përse nuk ishte zbatuar moratoriumi i skafeve.

Me gjysëm zëri por pa u dridhur Lulashi i ka kujtuar se skafet i kishin ndaluar, por droga transportohej me kuaj, gomerë ose mbahej e mbushur tek çorapet.

Pas këtij informacioni, kryeministri Berisha ka brofur në këmbë i zemëruar dhe i ka kërkuar të gjithë ministrave që të tregonin tolerancë zero ndaj të gjithë kuajve, gomerëve dhe çorapeve, qofshin këta të gjata apo të shkurtra, transparente apo me ngjyra.

Kryetari i Këshillit të Ministrave.org ka urdhëruar ministrin Basha që menjëherë të ngrihej një njësi task-forcë e cila do të quhej Task-Çorape dhe detyra e saj do të ishte  monitorimi 24 orë i kufirit dhe të ndalonte të gjithë kuajt apo të huajt që bënin lëvizje të dyshimta dhe tu kontrolloheshin potkonjtë dhe çorapet por pa u bërë puna çorap.
Kryeministri Berisha ka urdhëruar gjithashtu se përveç moratoriumit të skafeve me motorë me shumë kuaj fuqi, të bëhej dhe një moratorium edhe për kuajt me një skaf fuqi, madje ai ka propozuar si prioritare edhe një moratorium për çorapet.

Sipas moratoriumit të çorapeve, do të ndalohet këtej e tutje që shtetasit shqiptar të largohen nga vendi të veshur me çorape, të mbushura apo jo.
Përpara kalimit të kufirit sipas këtij urdhri të ri atyre do tu duhet jo vetëm të zbardhin xhepat, por edhe të zbathin çorapet, në mënyrë që të ndalohet tranzitimi i drogës që kushton sa qimet e kokës.

Pritet që shumë shpejt, falë këtyre nismave Shqipëria jo vetëm zhduket nga harta e vendeve që e tranzitojnë drogën por futet në hartën e vendeve që e konservojnë atë, pra do ta kthente Shqipërinë në një hambar droge. 
Duke mos shkuar më droga tek Evropa do të ishte Evropa që do vinte tek droga, kështu qeveria do të përmbushte misionin e saj për futjen e evropës në Shqipëri dhe rritjen e numrit të turistave të huaj.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).