…në ije u kthye globi si grua që shihet
për herë të fundit para se të dalë
të çudisë gjithësinë, pak lëkurë dëfteu,
të çarën e Australisë çapkëne
mes valëvitjeve të cohës blu,
saharoza perëndimi, ligatina,
një gojë aligatori ujërat shqeu dhe
gëlltiti gëzimin tim:
atdheu;

nuk jam Greg Norman, s’më shkojnë as kapelet,
nga bunkere rëre dal pa lavdi,
atdheu -
handikapi im që m’rëndon mbi gjunj,
dikush nga ne është në hemisferën e gabuar,
atdheu s’vjen tek unë, shkoj unë tek ai
ther vrapin për në qendër të dheut,
për shkurt,
një grumbull shkarpash a shkronjash runike
digjen pa hir atje, drunj të lagët me tym të hidhët
e hi prej tymi, lotojnë sytë
jamaken pa ngrohur,
një pirusti çalon, nuk rri dot mbi dy këmbë, bie
si unë triniteti i botës, o rëra bunkeresh nën palma, pse
s’më bëni dot të lumtur?
Callaway & imperfect swing, klithëm, Fore!:

kujtohem
nuk jam Greg Norman, as kapat s’më shkojnë,
jeta s’më erdh pas festes, ajo dhe atdheu - secili në vend të vet,
e para në rafte me naftalinë,
i dyti s’di ku është,
xhaketë e vjetër kthyer mbrapsht sa herë,
zbërdhylur,
varur në kremastarët shurdh
të vanitetit,
e pamëshirshme moda, plus
që atdheu s’është as pambuk, as kashmir
njëqindpërqindsh,
i najlontë fsheh rrudhat, carefree,
përzjerjet angleze të leshit ulën çmimin,
u shkoi dhe atyre sezoni, ngrohje globale doemos,

dashurohemi në shtrate malli
dhe flemë veç
sikur frikë kemi ëndrrat mos përzjejme
si pijet,
shtëpi veç e varr veç,
bisht qeni – kosore që pret livadhet e shpresës
unë dhe atdheu,

këmbë qeni në ajër goditja ime,
jam i padrejtë,
nga bunkeret e rërës dal pa lavdi,
globale humbja - one size fits all dështimi,
pa numur, unisex, sallon berberi për hermafroditë
që qeth zero gjithë guxim’ e gëzimet e mia,
gishtat e vdekjes sapo i ranë pianos së largët,
tingujt erdhën me besë satelitore shtatë minutshe
të ulurijnë thirravajin nën tavanet e dome-ve të mia
të florinjta,
përtej kodrave të syve,
organo e atdheut shfryn nga tuba tunxhi
7.62 mm,

ia behin alienë të supozuar prej zonës 51,
të besuar nga 60% e popullsisë vendase, pra të vërtetë
praktikisht,
ç’është vdekja, pyesin me aksent boolean, dhe pse
kaq e rëndësishme, ndërsa
përziejnë gjeometrikisht globet,
një globth maxfli të mavijosur
nga goditja ime jo profesionale (nuk jam Greg Norman)
nxirë e murrmosur fshikullimë e hidhët aty ku duhet të ish Evropa,
vulë nën sy e globit,
gjithnjë e zeza ka centroid vendin tim
është çështje këndvështrimi
dhe fataliteti -
luksi i sferës,
lukthi i vrerës,
60% e imja e beson teorinë e njollës
shqiptare së bojës mbi çarçafët e kohës,
pra duhet të jetë e vërtetë.

…avull verërash vazhdon e vjen nga juglindjet gëlqerore të botës,
nga ku Australia tregon bisht kangurësh e pak lëkurë
estetike tokësore – të zhdukemi pra
në hemisferën e duhur,
flokët e kaltër të qiellit sapo i ndreqën
të 60 miliard gishtrinjt e botës,
por pse shtëllungat e reve prapë
nuk rrinë mirë, varur pa formë mbi çaçka malesh,
të shogët,
pse s’ka shpëtim prore?
Meridianët, paralelet
therin thyerjet e gurëve dhe ujrat e ashpër,
të panatyrshëm,
shufra hekuri në Frëngji,
hemisferat janë vetëm në kokën tënde o i zi,
atdheu yt të ndjek kudo,
e ka zakon,
me krisma të vrarësh,
nuk është dasëm,
mos pyet kot se ç’nuse mori.

4 Komente

 jeta s’më erdh pas festes, ajo dhe atdheu - secili në vend të vet,
e para në rafte me naftalinë,
i dyti s’di ku është,

përtej kodrave të syve,
organo e atdheut shfryn nga tuba tunxhi
7.62 mm,

60% e imja e beson teorinë e njollës
shqiptare së bojës mbi çarçafët e kohës,
pra duhet të jetë e vërtetë.

atdheu yt të ndjek kudo, 
e ka zakon,
me krisma të vrarësh,
nuk është dasëm,
mos pyet kot se ç’nuse mori. 

.....Kohe te keqe ke zgjedhur per dasme, o Safa Ymeri..... 

Kaq e ndjere kjo poezi per nje kohe te renduar. Siç duket gjithe kjo blogeri, te ka bere qe te rritesh ndergjegjen kombetare dhe estetike.

Nice, very nice.....

emo, ku mi gjen keto perla more? A po te kemi flori jo shaka! "Safaziu" po tregon "dasmen| me daulle qe degjohen  qe nga dritaret e hapura te mikut... te miqve te tij.E degjoi dhe e pa mo  Al, pa jo se e zgjodhi me deshire... Nuk e shikon qe  i eshte çare zemra, nga avazi i ketyre daulleve?

 .......atdheu yt të ndjek kudo, 
        e ka zakon,
       me krisma të vrarësh,
       nuk është dasëm,
       mos pyet kot se ç’nuse mori. 

Fatherland, fatherland, may you always outlive us.

 

Flm gjithsecilit!

ps. Av, howdy! smiley

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).