Shtëpia botonjëse “Këshilli i Ministrave.org” ka botuar librin “Don Salishoti”, i cili nuk është gjë tjetër veçse një roman kalorsiak dhe autobiografik i shkruar nga shkrimtari i njohur Sali Berisha.

Libri në fjalë rrëfen jetën ekskluzive të kavalierit, apo thënë ndryshe kalorësit Don Salishoti që nga vogëlia e tij e ditët e sotme.

Don Salishoti që i vogël e kishte zakon që ti përshpëriste kuajve dhe ëndërronte që të kishte një kalë krejt të tijin, por prindërit në pamundësi për ti blerë një kalë, e dërgonin gjithmonë me dhi, dele apo lopë.

Në këto kushte pa pasur një kalë Don Salishoti i vogël ushtrohej duke kalëruar mbi dhitë, cjepët, delet e ndonjëherë hipte edhe mbi ndonjë lopë dhe ndonjëherë në të rrallë edhe mbi gomarin e një plaku që quhej Baba Stasi.

Vetëm në vitet ’91, Don Salishoti pati mundësinë të përmbushte ëndrrën e tij fëmijërore për të kalëruar një kalë të vërtetë. Një kalorës i vjetër, një shqytar i vërtetë i dhuroi atij kalin e tij që quhej Pushtinjant dhe e këshilloj që t’ia hipte menjëherë dhe si kalë i falur, të mos e shihte nga dhëmbët.

Don Salishoti nuk ja bëri fjalën dysh dhe ja hipi Pushtinjantit, por për shkak se të disa krismave u desh të rrëzohej nga kali dhe të qëndronte ca kohë pushim. Më pas ai e gjeti sërisht Pushtinjantin dhe ja hipi sërisht. Kaq shumë i pëlqeu kalërimi sa që nga ajo ditë ai nuk zbriti kurrë prej kali.

Pikërisht këtu fillojnë edhe aventurat e Don Salishotit, i cili i shoqëruar hap pas hapi nga aleati i tij i ngushtë Ilir Panço i shpallin luftë finikëve të korruptuar, apo gjigandëve të prokurorisë që flenë mbi dosje, hajdutëve të deteve apo mullinjve me erë të cilët i kanë ngritur po vetë.

Ashtu sikurse të gjithë kalorësit fisnikë, edhe kavalier Don Salishoti trimëritë e tij nuk i bën aspak për lavdi personale, por për të kënaqur dëshirat e të përzgjedhurës së tij të zemrës që quhet “Jozefina e Topallozës”.

Për shkak se aventurat e Don Salishotit nuk kanë të mbaruar dhe ai ende vazhdon të kalërojë mbi kurrizin e butë të “Pushtinjantit”, shtëpia botonjëse “Këshilli i Ministrave.org” është duke përgatitur për botim edhe pjesën e dytë të këtij libri, e cila ju premtojmë se do të dalë së shpejti në të gjitha libraritë botërore.

Shtëpia Botonjëse “Këshilli i Ministrave.org” nën kujdesin e veçantë të kryetarit të këshillit prof.dok Sali Berishës është duke u kujdesur që librit të përkthehet në të gjitha gjuhët e BE-së dhe tu dorëzohet shtëpive botuese të Brukselit, bashkë me përgjigjet e pyetësorit për vizat.

 

2 Komente

eh..dhe lasgushi do te thoshte: juve jini boria e partise.

  smiley   

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).