Na ish çështje lentesh edhe preparatesh
e bukura, punë fokusesh, o miku im,
ingranazhe zemra, por dhe mikroskopi,
lëngun si lot syri, por edhe për ljubë,
vëre re pra, “ljub”, dashuri dhe vaj.
Në lotët e mi prej njeriu kam parë
shumë ameba t'njoma thurur gjithë ëndrra,
që si çdo qelizë pajën bënin gati
mbi gjergjef membranash për mejozë punëkryqe,


kam parë paramecër, ngacmonin parameckat,
qejfllinj me gjuhën e trupit të hajthëm,
lotë vakuolash në pellgjet me alga,
alga aspirante për t’u bërë likene
shkëmbinj magmatikë të sulmonin për pak
jetë sterèje, tokësore, se thuhej
që Dheu dhe më interesant se sa
Oqeani qe e Apolloni kishte
humbur në bixhoz gjithë ujërat në kozmos, -
ndaj dhe ëndrr' e algës me guxim jeshil
gjithë gjallesë e gjasa për fotosintezë.


Më parë se Uliksi Trojë-Itakë detet
flagjelatët pellgjet me qerpikë përshkonin,
ç’Penellopë i priste, ç’qelizë me bërthamën
si madem të errët diku nga mes' i trupit,
projeksion organi e ind intrigues
në qenie të ardhme, të vona, t’mëdha,
por jo, asesi dhe më interesante,
dhëndurë protestantë, graduar bakterë,
si oficerë, që u thoshin Koli,
gati për luftë, për “spacio vitale”
të ndershme, u pashë poshtërsinë virusëve
që shtireshin si të vdekur pa zë e pa njomë
përjashta mureve të qelizës - qenë
të parët Kuaj Troje me ADN armike
brenda gardh-lëkurash gati të nguleshin
shushunj’ e shiringa me droga të huaja,
aliene, në qeliza mbrojtëse, të ndershme,
të qashtra me cipë, me cipë e me membranë,


por keq o sa më erdh’ për mit-o-kondritë,
qeliza pa zemër i skllavëruan dikur,
t’punojnë, shërbëtore, në plazmë e të nxehtë,
në vetmi ulëritëse me lajme të rralla
dhënë edhe marrë nga postierë, lajmëtarë
të zymtë ARN-je, të murrmë e të vranët
si gjithë postierët, me lajme të hidhta,
pa fund e me fill të zhdërdhitur, m'u dhimbs
në vetminë e vet dhe q’atëherë i dua
unë mit-o-kondritë si mitologjitë, o Tan…

 

1 Komente

aj lajksmiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).