edhe pa lindur
binjakë se shpirtra
homozigotë
në bark të kohës
që ende s’kish ardh
të paarrirë
histori lloji
se embrione
amfibë të lumtur
pastaj rrëshqanorë
madhështish’ të vrara
prej dinosaurësh
bulurimën e fundit
përpinë kënetat e liga-
tinat e australisë
së vetmisë sonë
ishullit tonë
kontinental
kukamfshehtas
me botën thamë
veç po t’na gjejnë
fosile pale-
ontologji
një eshtër ketu
një puthje atje
gurëzuar
gravurë
drurë bërë gurë
mall silikat
gjall’ fillikat
tharë rremba buzësh
shenja prej gjethesh
karbonifere
gdhendur në shist
gjendur në trist
jorganë dheu
velenxa flokëbari
(mbulesa Gusmari)
kuverta kohe
na erdhi gjumë
kujtonim se ftohtë
bënte ngaqë
kohë akujsh qe
placenta e hollë
e ngushtë mitra
fole binjakësh
aty ishim dy
si duar si sy
se binjakë
si shpirtra
bëmë histori
pa ditur kuptuar
se historia
ashtu si kusia
nuk vlon po e pe
barbarinë s’e ditëm
s’kishim se si,
që qe barbari
as kohë piramidën
me skllavëri
zinxhirë përkushtimi
pastaj mesjetën
me robëri malli
dite feudale
kulla ngujimi
ku krenitë i ruheshin
dobësive gjakse
kapitalizmi pastaj
qartësoi prangat
e vetmja pasuri
që mund të humbisnim
pa vargonj malli
zero komuniste
rrugaçëri
postmoderniste
flokët lyer
me sarkazëm ngrirë
antigravitacioniste
dhe kur u lindëm
atë fillin e hollë
na e këputën
kshu bëjnë me binjakët
siç duket pa mëshirë
na ndanë na prenë
njërin në tokë
tjetrin n’eter
rrugë me qumësht
thanë për kërthinj
ushta formula
ngulur në gjoks
na thanë përçudër
na bënë paradoks…



1 Komente

http://us.123rf.com/400wm/400/400/creator76/creator760903/creator76090300231/4552413.jpg

S'ka binjakë... veç se, sipas rastit, vihet herë njëra dhe herë tjetra prej maskave...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).